Mexhid Yvejsi: Mulla Ismeti Limani (1946-1999)
| E hene, 28.12.2009, 08:54 PM |
MULLA ISMET LIMANI (1946-1999)Nga Mexhid YVEJSI, GjakovëDita e rivarrimit të hoxhës, Mulla Ismeti Limani, me 3 mars 2000, edhe pse ishte ditë pikëllimi, u shdërrue në ditë madhështie, ditë frymëzimi, për qindra, mijëra besimtarë, të cilët ishin mbledhur për t’i bërë nderimet e fundit hoxhës, mësuesit atdhetar, Mulla Ismet Limanit, një shembëlltyrë për shqiptarë… Mulla Ismet Limani u lind në katundin Raincë të Preshevës, më 19 korrik 1946.Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku një nga mësuesit e tij ishte Dr. Mehmet Halimi, i cili kishte shërbye si mësues gjatë vitit 1958-1959. Më vonë u regjistrue me korespodencë në Medresenë “Alauddin” të Prishtinës, të cilën e kreu me kohë, si të ishte nxënës i rregullt.
Pa humbur kohë, pas kryerjes së Medresesë “Alauddin” të Prishtrinës, shkoi për studime të larta në Kajro, Egjipt. Në Kajro, Egjipt, u regjistrue në Universitetin e njohur “Al-Az-har”, ku ishte ndër studentët më të shquar, ku edhe ka diplomuar me 30 Gusht 1977. Pas diplomimit, kur u kthye në Kosovë, e filloi rrugën e shërbimit. Në fillim shërbeu si Imam në Xhaminë e Nishit, ku veproi deri në vitin 1981. Por, kur në Kosovë shpërthyen demonstratat e pranverës së vitit 1981, hoxha i ri, Mulla Ismet Limani u detyrue të largohet nga Nishi. Një kohë, për rreth pesë vjet, punoi në Libi si përkthyes, me një ekip mjekësor nga Kosova. Kur u kthye në Kosovë, pas pesë vjetëve në Libi, ia filloi shërbimit përsëri, por tani si Imam në Hajvali. Në Hajvali, në Xhaminë e re, të pasandërtuar nga fshatarët në vitin 1987, Mulla Ismeti, përveç detyrës së Imamit, ishte edhe mësues-besimi i përkushtuar, për të gjithë nxënësit e interesuar. Kështu shërbeu me devotshmëri, për rreth dymbëdhjetë vjet në xhami, në Hajvali, deri më 28 mars 1999, kur forcat policore-ushtarake serbe nuk e lanë Mulla Ismetin as me e falë namazin e Kurban Bajramit… Me 12 maj 1999, duke shkue në xhami, në Hajvali, forcat kriminale serbe, hoxhën, Mulla Ismet Limani, në vendin Llaplasellë, e nxjerrin prej autobusit, së bashku me pesë shqiptarë tjerë (Hajriz e Bashkim Krasniqi, babë e bir, Sejdi Sallahu, Agron Kryeziu dhe Shpëtim Thaçi) nga Grashtica e Prishtinës, u pushkatuen, u masakruen… Me 25 shkurt 2000, pas afër tri vjetëve të masakrimit, ushtarët e KFOR-t suedez zbuluan një varrezë masive, në të cilën, kriminelët serb i kishin futur trupat e pushkatuar… Pasi qe bërë ekspertiza dhe u identifikuan saktësisht viktimat e terrorit serb, atëherë familja e hoxhës, e morën kufomën e tij dhe e rivarrosën në katundin Mirditë. Dita e rivarrimit të hoxhës, Mulla Ismetit, me 3 mars 2000, edhe pse ishte ditë pikëllimi, u shdërrue në ditë madhështie, ditë frymëzimi, për qindra, mijëra besimtarë, të cilët ishin mbledhur për t’i bërë nderimet e fundit hoxhës, mësuesit atdhetar, Mulla Ismet Limanit, i cili u pushkatue nga kriminelët barbar veç pse ishte shqiptar...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.