Përktheu nga gjermanishtja: Naser Aliu
Shqipëria në BE në 2025?
Shqipëria mund të futet në BE jo më përpara se në 2025 me Bosnjen dhe Kosovën. Serbia, që në fillim të 2014-s - thotë Die Welt
Serbia premton reforma të dhimbshme
Gazeta gjemane “Die Welt”, nga Christoph B. Schiltz, 23. dhjetor
Kryetari Tadiç bëri kërkesën e vendit të tij në BE – ngurrime në Bruksel: Krimineli serb i luftës Mladic, akoma në liri
Brukel/Stokholm – Evropa gjendet para një raundi të ri të zgjerimit. Pas hyrjes së 12 shteteve në vitet 2004 dhe 2007, në vitet e ardhshme do të hyjnë vendet e Ballkanit Perëndimor me 25 milion banorë. BE aderimi u pat premtuar vendeve të Ballkanit në Selanik në vitin 2003. Tani ata ngulin këmbë në mbajtjen e premtimit. Dje Serbia parashtroi kërkesën zyrtare për pranim në BE.
Kryetari serb Boris Tadiç ia dorëzoi kërkesën në Stokholm Kryeministrit, që është kryetari radhës Frederik Reinfeldt. Tadiçi foli për një „pikë kthimi“, për një periudhë ku se në Serbi do të pasojnë „reforma të thella dhe nga një herë edhe të dhimbshme“. Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bild tha: „Ka një lëvizje të re në tërë Ballkanin Perëndimor“. Kërkesa për aderim bëhet 9 vite pas rrëzimit të kryetarit serb Sllobodan Millosheviç, i cili duhej të përgjigjej për krime e luftës në Den Hag.
Qarqet e larta të BE presin që Serbia t´i bashkëngjitet Unionit në fillim të vitit 2014. Një proces i gjatë aderimi me plot barriera si në rastin e Turqisë përjashtohet në rastin e Serbisë. Vendi, i cili gjendet mu para derës së BE-së, sipas mendimit të evropianëve, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit.
Në anën tjetër, shumë vende evropiane, si për shembull Holanda apo Belgjika kanë shumë dyshime për pranimin e Serbisë në këtë kohë. Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, tërhoqi vërejtjen se aderimi nuk duhet të ndodhë aq herët. Ata që ngurrojnë përmendin para së gjithash se forcat e sigurisë serbe, akoma nuk kanë arrestuar dy të akuzuar si kriminelë të luftës; shefin e armatës serbe të Bosnjës Ratko Mladiç, si dhe udhëheqësin e dikurshëm të serbeve të Kroacisë, Goran Haxhiç.
Përveç kësaj, e ashtuquajtura marrëveshje për stabilitet dhe asociim, që është e domosdoshme për bisedimet e aderimit, akoma nuk është ratifikuar plotësisht.
Me gjithë ngurrimet, shumë Qeveri të BE-së, kryetari i radhës Suedia dhe para së gjithash Spanja, që do ta udhëheq BE në gjashtë muajt e ardhshëm, insistojnë në përshpejtimin e procesit. Kjo vjen edhe nga Italia. Kryesisht ishin këto vende që inkurajuan Qeverinë e Beogradit të bëjë tani kërkesën për aderim. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës Miguel Angel Moratinos do të bëjë çdo gjë që është e mundur që Serbia ta fitojë statusin e kandidatit. Kjo është parakusht për fillimin e bisedimeve për aderim. Kandidat, mirëpo bëhet një vend, vetëm atëherë, kur vendosin 27 shtete të BE-së, kjo bëhet pas përgjigjeve të një pyetësori të gjatë. Kjo mund të zgjasë shumë, siç shihet për shembull tek Mali i Zi. Vendi ka bërë kërkesën në vitin 2008 dhe nuk është akoma kandidat. Edhe Shqipëria duhet të presë ende për statusin e kandidatit. Qeveria e Tiranës në prill të këtij viti ka bërë kërkesë aderimi. Para disa javëve Komisioni e BE-së ia ka dorëzuar 2280 pyetje, në të cilat duhet të përgjigjet. Fjala është për pyetjet në ekonomi dhe sistemin juridik.
Tani kandidat veç Turqisë, janë Maqedonia dhe Kroacia. Kroacia edhe pse ka problem tani me Slloveninë për shkak të kufirit në Adriatik, pritet të anëtarësohet në janar të vitit 2011. Në 17 prej 35 fushave politike bisedimet e aderimit kanë përfunduar, për 11 të tjera janë në bisedim e sipër. Hyrja e Kroacisë do ta rriste shumë presionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi BE-në për t´u pranuar më shpejtë. Kjo mund t´i japë impulse procesit të hyrjes Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Unioni gjendet para debateve të nxehta. Vendet tepër të varfra dhe të karakterizuara nga korrupsioni si Shqipëria, Bosnja Hercegovina dhe Kosova në rastin më të shpejt do të jenë të gatshme për hyrje në BE në vitin 2025. Në anën tjetër në Ballkanin Perëndimor mund të krijohet një shoqëri dy klasore, të cilën e theksojnë shumë anëtarë të BE-së dhe vendet që aspirojnë aderimin. Kjo mund të behet e rrezikshme dhe të çojë në destabilizimin e ri. Këtë nuk e dëshiron askush në Bruksel.
*Botuar në 23 dhjetor në gazetën e njohur gjermane "Die Welt". Titulli në origjinal: "Serbia premton reforma të dhimbshme. Tadiç bëri kërkesën e vendit të tij në BE, krimineli serb i luftës Mladic, akoma në liri".