Vargje dimri nga Skënder R. Hoxha
| E diele, 27.12.2009, 07:30 PM |
SKËNDER R. HOXHA
(Vargje dimri)
HIJET QË I MPOSHTA GJITHMONË
Hijet jetëshkurtra
Në gjerësi të horizontit
Më dalin në pusi
Si hije të mykta
Si lodra të harruara
Fshatarçe…
Ato i kam mposhtur gjithmonë…
Në vitet ’90 –
Kam lëshuar mjekrën
Të mbuloj vijat e fytyrës
Ku dashuroheshin vashat
Doja të largohem nga ato
Mendoja
Të më lënë rehat
Po –
Ato prapë më gërgisnin
S’kishin faj!...
Njerëz –
Hiçnjerëz që kënaqen
Kur maten vetëm
Me hijen e vet
Më kanë zili
Punë minjsh!
(Afër ndërrimit të motmoteve – funddhjetor 2009)
NË NDËRRIM MOTMOTESH
Nga pafundësi deti
Nëpër shkëmbinj koralesh
Ndiej një gurgullimë lumi…
Vërshëllimë e stuhisë
Dhe jehonë e trokitjeve
Kalorësish të çmendur
Thyejnë perden e qetësisë!
Nga ninulat në epikë
Nis e sos –
Shkruaj biografi shekujsh
Lirika për fatin
E gurëzuar
Të pararendësve të mi.
(Në prag të ndërrimit të motmoteve - funddhjetor 2009)
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.