Hajdin Morina: Letërnjoftimi im
| E merkure, 23.12.2009, 09:07 PM |
Hajdin Morina
LETËRNJOFTIMI IM
Sipas shënimeve në Zyrën
E gjendjes civile në Ujmirë
Jam lindur më 15.12. 1961
Xhaxhi Jonuz që i mbante mend
Shumë mirë datat
Më thoshte se jam lindur më 15.11.1961
Nëna më thoshte të kam lindur biro
Dy javë pas Shën Mitrit ditë e hënë
Ishte ftohtë baltë e madhe ishte terr
U gëzova shumë kur hyra në klasë të parë
Thosha librat kanë zbritur nga qielli
Pos prindërve dhe mësuesve
Njerëz të tjerë nuk më zinte syri
Në gjimnaz më mësuan mësues të mirë
Që e donin Shqipërinë
Çuditërisht shpejt e shpejt
Na lanë Shqipërinë në zemër
Pastaj dikush në burg dikush vdiq
Dikush u sëmur
E morëm vesh mirë
Shqipëria nuk ish lojë fëmijësh
Më 1980 në Prishtinë u bëra student i Shqipes
Për besë vetëm pse e doja shumë
Në vitin e parë të studimeve
Në natën e së mërkurës më 11 mars 1981
Nuk bëmë gjumë në Prishtinë
Digjeshim në përqafim të Lirisë
Më 11 mars 1982
Në përvjetorin e parë të festës së Demonstratave
Na i vunë prangat rojat besnike të robërisë
Kur ishim në kulmin e magjishëm
Në dhomën numër 11
Në Burgun e qarkut në Prishtinë
Peng më mbeti pranvera e vitit 1982
Nëpër zyrat e hetuesisë
Shqip e serbisht më kanë torturuar
Shqip e serbisht ma kanë sharë
Nënën time dhe tuajën
Dhe dikush prej tyre sot në Demokraci
Paskësh të drejtë
Analist ekspert i Republikës të jetë
Do t’ju sjell edhe të dhëna të tjera biografike
Për derën e nënës dhe të babait
Për emrat e fëmijëve për librat që lexova
Krejt një Shqipëri përpara do t’ju sjell
Në e desha dje në e dua sot
Flet ajo vetë
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.