| E marte, 22.12.2009, 08:57 PM |
NJË LIBËR I RRALLË ME LIRIKA SOCIALE
(Bilall Maliqi “Lutje të
lagura”, botoi “Kurora”, Gjilan, 2009, fq. 54)
Nga Sinan Sadiku
Bilall Maliqi tashmë është
emër i njohur nga pena e të cilit janë shkruar disa libra me poezi për të
rritur dhe për fëmijë, por ai ka shkuar edhe libra me tregime edhe për të
rritur e edhe për fëmijë, e ka botuar një libër me intervista me shkrimtarë, e
të tjera. Me një fjalë Bilalli
është krijues i gjithanshëm dhe
produktiv që vjen nga Presheva, i cili tashmë ka bërë emër.
Libri poetik “Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi në
aspektin tematik-motivor është një libër i rrallë i shkruar në këto dy dekadat
e fundit, në poezitë e të cilit shprehet dhembja e autorit për vuajtjet dhe sfidat shumëherë të
pakalueshme nëpër të cilat kalojnë shtresat më të varfra të shoqërisë
shqiptare. Edhe pse mbi gjysma e popullatës tonë jetojnë në varfëri, ndërsa një
pjesë e madhe e tyre në varfëri të skajshme, të rralla janë librat me poezi të
cilat ia kushtojnë ndonjë varg kësaj plage të rëndë shoqërore. Realisht ky
është një absurd në vete të cilin e ka thyer Bilalli duke ia kushtuar të gjitha
poezitë e librit kësaj tematike. Pasojë e varfërisë janë: vuajtja, mjerimi,
mërgimi, sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme, janë shumë e shumë tragjedi me të
cilat po përballet një pjesë e kombit. Më e freskëta nga këto është tragjedia
në lumin Tisa e cila megjithatë buron nga varfëria. Këtë lloj të tragjedive që
jo rrallë po e përjetojnë njerëzit tanë na e përkujtojnë vargjet: “Uji/ rrëmbimshëm/ bartë ëndrrat e tyre”
(Në perin e kohës, f 26). Të gjitha këto çështje të cilat shpeshherë rrjedhin
nga varfëria nuk e ka lënë pa i prekë autori, herë në mënyrë të tërthortë e
herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë më të mbyllur e herë në mënyrë
më të hapur, kuptohet me mjetet që ia lejon poezia dhe stili i tij, figuracioni
dhe konteksti, si dhe gjuha asociative.
Përveç në aspektin tematik libri është i veçantë edhe në
aspektin e shprehjes artistike, në aspektin e gjuhës poetike dhe në përgjithësi
të figurave të cilat autori i ka zgjedh me përkujdesje dhe punë të durueshme
për t`i shkruar vargjet, poezitë dhe librin në tërësi dhe për t`i shpreh
ndjenjat, mendimet, vizionet dhe dëshirat e veta. Libri është një tërësi mirë e
organizuar e pandarë në cikle, ku secila poezi është qenie në vete dhe të
gjitha së bashku e bëjnë librin poetik. Pra nuk kemi të bëjmë me një
përmbledhje të vjershave ku poezitë janë grumbulluar dhe janë përfshi pa ndonjë
koncept, por kemi të bëjmë me një libër poetik në të cilin gjithçka është e vendosur
në vendin e vet dhe nuk ka as teprica e as mungesa.
Vargje kushtuar shtresës më të varfër
të shoqërisë
Siç shkrova më lartë poezitë e librit në tërësi i
kushtohen shtresës më të varfër të shoqërisë, asaj shtrese e cila jeton në vuajtje
dhe mjerim të plotë: lypësve, të cilëve “Vetëm
rreze dielli/ ju mblidhen nëpër duar” (poezia “Zgjimi i molisur” faqe 33),
ose “Në gropëza/ të lypsarit bonjak/ loti
shumëzohet” (“Lypsarit bonjak” f. 28); fëmijëve të uritur: “Djepi me dërrasa/ (s)e rehaton/ fëmijën e
uritur” të cilin “ninulla e përlotur/
për një çast e gjumos/ nga çastet e liga” (“Ninulla e përlotur” f 39); të
uriturve në përgjithësi: “për gjëmat e
ngrira/ e zërat që nga uria/ epokën e re shpojnë/ fjalët nuk mjaftojnë”
(Dihatje të avulluara, f 14); të sëmurëve nga skamja, varfëria, mjerimi: “Eshtrat e fytyrës / mbështjellë/ me të
verdhen lëkurë” (Panorama, f 22); atyre të cilët për shkak të mjerimit
vdesin para kohe: “mjerimi shterr/ ofshamat
e fundit/ rreth gurit/ sillet mordja” (Rreth gurit, f 16), ose “Prapë vdekja e sheh/ veten në pasqyrë/
trembet nga rrudhat/ që skamja ia stolis” (Ngushëllime, f 17), pastaj “Mordja me dhëmbë/ hap edhe një gropë/ e vet
nuk bie” (Në zezënatë, f 19), për të vijuar “shpresat e ndukura/ ngadalë gërryejnë ashtin/ derisa vdekja/ lehtas
t`i gëlltisë” (Shpresa të ndukura, f 30); si edhe fëmijëve të dëshmorëve të
rënë në luftë me armikun: “Bonjakë të
mbetur/ nga frontet e (I)lirisë/ gostiten me lot qielli” (Në harten e
bamirësisë, f. 12).
Veçantia e shprehjes poetike
Siç e dimë për
temën e mjerimit, të varfërisë, të skamjes kanë shkruar kaherë poetët
tanë. Për këtë tematikë veçmas ka shkruar poeti ynë i madh Migjeni i cili nga
disa studiues është quajtur “Poet i mjerimit”. Sado që tematika për të cilën
shkruan Bilalli është e ngjashme me atë për të cilën ka shkruar Migjeni; edhe
sa i përket shprehjes poetike, edhe sa i përket ndjeshmërisë dhe mënyrës së shprehjes së asaj ndjeshmërie, edhe
sa iu përket bindjeve filozofike, edhe sa iu përket vargjeve,
mund të themi se Bilalli është i veçantë, e ka stilin dhe natyrën e vet
poetike e cila nuk është e ndikuar as nga Migjeni e as nga ndonjë poet tjetër.
Gjuha poetike e Migjenit, ajo e pjesës më të madhe të poezive të tij është më e
drejtpërdrejtë, më e hapur dhe më komunikuese edhe me ato shtresa të lexuesve të
cilat me poezinë nuk merren në mënyrë më profesionale, ndërsa gjuha poetike e
Bilallit është më e përmbajtur, më e mbyllur, më hermetike. Të mos keqkuptohemi,
Migjeni ka qenë dhe mbetet njëri ndër poetët më të shquar shqiptarë i cili e ka
individualitetin dhe stilin e vet, por
kur e bëra krahasimin desha të them se Bilalli shkruan në një kohë tjetër, me
një stil tjetër , apo më mirë të themi modeli poetik i Bilallit është krejt
tjetër nga modeli poetik i Migjenit dhe nuk vërehen ndikime. Megjithatë,
fatkeqësisht, duke e pas parasysh varfërinë dhe mjerimin që është shumë i
pranishëm në shoqërinë shqiptare, poezitë e Migjenit edhe sot e kësaj dite
tingëllojnë po aq aktuale sa edhe në kohën kur janë shkruar dhe në këtë aspekt
(të aktualitetit) edhe për kohën në të cilën jetojmë ne, deri tani janë të pakalueshme dhe do të jetë vështirë
të arrihen e edhe më vështirë të tejkalohen. Megjithëse
e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë aspekte të tjera të poezisë së tij.
Siç shkrova më lartë gjuha poetike me
të cilën Bilalli i ka shkruar poezitë është në tërësi gjuhë figurative edhe atë
gjuhë e një figuracioni të dendur, në të cilën barrën kryesore e bartin dy
figura: metafora dhe personifikimi, të cilat janë të ndërlidhura dhe shpeshherë
e pasurojnë njëra-tjetrën. Figurat shtrihen në tërë poezinë dhe në librin si
tërësi dhe thuaja nuk ka mundësi të ndahen as për qëllime të analizës dhe
studimit. Thjesht ato janë vet poezia.
Kur jemi te shprehja poetike të mos e
lëmë pa përmend faktin se në vargjet e librit “Lutje të lagura” nuk sakrifikohet ana
estetike në dobi të anës semantike, siç ngjan te shumë poet, por artikulimi i
ndjenjave, mendimeve, mesazheve, dëshirave, vizioneve... bëhet me një gjuhë të
ngjeshur figurative herë herë gati hermetike, gjë kjo që poezitë e librit i
bënë jo aq komunikuese, gjegjësisht bënë që ato të shijohen vetëm nga një
shtresë e njerëzve të cilët me poezinë merren më gjatë, të cilët poezinë e kanë
pasion ose profesion. Në pikë të fundit, poezia e mirë sot thuaja çdo kund në
botë shkruhet për një shtresë të zgjedhur të lexuesve.
Mesazhi për barazi sociale
Poezitë e librit “Lutje të lagura”
janë lirika sociale në të cilat shfaqet dhembja e autorit për mjerimin, vuajtjen
e shtresave me të varfra të shoqërisë, dhembje kjo e përjetuar thellë dhe e
shprehur me mjete të poezisë, pa atificializma e shtirje, në të cilat shfaqet
dëshira e autorit që kjo plagë e shoqërisë të shërohet. Në shumicën e poezive
shohim portrete të lypësve, të njerëzve të uritur, të njerëzve të sëmurë, të
njerëzve me shpresa të humbura, të njerëzve të molisur, të njerëzve që i pret
vdekja e sigurtë ose edhe të atyre që kanë vdekur para kohe, të cilat portrete
poeti i ka pikturuar me mjeshtëri, me
dashamirësi dhe me dhembje, fotografia e të cilëve na del përpara gjatë leximit
sikur të ishin piktura. Sa do që poezia e Bilallit është figurative e në një
masë bukur të madhe edhe e mbyllur, lexuesi i kujdesshëm nuk e ka vështirë ta zbërthej atë edhe sa i përket anës
semantike dhe ta gjej mesazhin e saj dhe përveç dhembjes ta gjejë edhe
pakënaqësinë, protestën dhe kërkesën drejtuar shkaktarëve të saj dhe njerëzve
të tjerë që kjo gjendje, kjo situatë
tejet johumane të ndryshohet.
Dëshirat e autorit shprehen shumë çartë
në poezinë “Të zbresë mëshira”
E përflakura dëshirë
Lundron në kujtesën time
Shpirtave të molisur
Të shtegtojë gëzimi
Pikëllimi të ndërrohet
Me shpresën
Nga dora në dorë
Të zbresë mëshira…
Po ashtu
autori nuk e lë pa i përmend edhe shkaktarët e mjerimit, çështje kjo që shihet
qartë te poezia “Nëpër kujtesën time”
Notojnë duarshtrirët
E rrahur nga motet
Shpërthejnë lotët e dhembjes
Paria vë syzet e nxira – kotet
Kafshuar u janë fatet – medet
Kuçedra ua grisi ëndrrën
Barkmëdhenjtë pa mëshirë
Përbiruar kanë zhgjëndrrën
Edhe këtë ditë
Pëlhurën
e vodhi era
Në njëfarë mënyre dhembja, pakënaqësia
janë edhe një lloj i protestës ndaj gjendjes së mjerë të të varfërve, protestë
kjo e cila bëhet më e qartë dhe më konkrete në vargjet “Shpërthejnë lotët e dhembjes/ Paria vë syzet e nxira – kotet”. Në
këto vargje vihet në shënjestër shkaktari i mjerimit që shprehimisht thuhet se
është Paria. Kjo çështje shprehet hapur edhe në poezinë “Ashtu si në vargjet e
poetit”, njëra ndër poezitë më të drejtpërdrejta të librit së bashku me poezinë
“Të zbresë mëshira”. Në të dy këto poezi shprehen hapur dëshirat e poetit në
njërën, dhe pakënaqësia e cila kalon në protestë
në tjetrën.
Hej, o ju që në arkat e mbushura
Me djersë skamnori e punëtori
Mbështilleni me dredha fjalësh
Lëkurën rjepur ua keni
Fatin ua keni varur n`litar
O ju barklëshuar
Ëndrrat pamëshirshëm ua përtypët
Mbi kurrizin e tyre ngarkuat
Dhembje e ofshama
E djersët e ftohta
Ua fshijnë vetëm muzat
Në
një mënyrë mund të themi se në të gjitha poezitë e librit dhe nga libri si
tërësi del mesazhi gjegjësisht kërkesa për një barazi sociale, për një ndarje
më të drejtë të pasurisë nacionale, por edhe konstatimi se “shtresat i barazon/ hapësira bamirëse/ vetëm me ujë e ajër...”
(“Vetëm ujë e ajër, f. 36) edhe pse kisha thënë se tashmë kjo nuk vlen për ujin
e nuk di çka të them për ajrin!
Kur jemi te një lloj krahasimi midis
poezisë së Migjenit dhe asaj të Bilallit, të mos lëmë pa e përmend se fajet për
mjerimin Bilalli i gjen te udhëheqësit, apo më mirë të them te sunduesit tanë,
ndërsa siç e dimë Migjeni përveç te udhëheqësit fajin e shihte edhe te kishat,
te xhamiat dhe te vet Zoti. Pra derisa Migjeni ishte kundër mëshirës dhe kundër
vet Zotit, Bilalli është me Zotin dhe kërkon që “nga dora në dorë/ të zbresë mëshira...” (Të zbresë mëshira, f. 27).
Po ashtu në poezitë e Migjenit shpërthen një revoltë e hapur kundër
autoriteteve shoqërore si shkaktare të mjerimit, ndërsa te poezitë e Bilallit
vijnë në shprehje pakënaqësia dhe protesta, të cilat nuk kalojnë në revoltë të
hapur, dhe duket se maturia dhe të përmbajturit janë karakteristika të natyrës
dhe temperamentit të tij, të cilat e disiplinojnë edhe vargun, edhe shprehjen poetike.
Përmbyllje
Në fund mund të konstatojmë se libri
“Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi është një libër i suksesshëm, i
shkruar me një gjuhë të mirëfilltë poetike, me figura të gjetura dhe të
kombinuara me kujdes e shije të veçantë, në poezitë e të cilit shpaloset
dhembja e përjetuar thellë e autorit për vuajtjen dhe mjerimin që e ka kapluar
një shtresë jo të vogël të shoqërisë tonë; është një libër që dëshmon se autori
tashmë e ka krijuar individualitetin
poetik, e ka krijuar stilin e vet mjaft origjinal dhe ka shkruar poezi të
cilat me vlerat e tyre poetike ia bëjnë një vend të mirë në hierarkinë e poezisë së sotme shqipe.