Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Shantazhimi i jetimëve në këngët tona popullore

| E marte, 22.12.2009, 09:49 PM |


Nga  folklori ynë:

 

SHANTAZHIMI I JETIMEVE NË KËNGËT TONA POPULLORE

 

            Në mesin e shumë tragjedive të ndryshme familjare të cilat përfundojnë me fatalitete dhe nga  vdekjet  natyrale, ndodhë që shumë fëmijë të mbesin jetimë pa prindër, nën përkujdesjen e të tjerëve, por pa dyshim se në rastet e këtilla barra më e madhe e përkujdesjes ndaj jetimëve sipas traditave dhe zakoneve , bie mbi xhaxhallarët e tyre.

            Shumica e xhaxhallarëve të cilët i marrin nën përkujdesje fëmijët e mbetur jetimë nga vëllezërit e tyre, vërtetë mundohen me mish e me shpirt që ta luajnë  rolin e prindërit të dytë, në mënyrë që ata fëmijë të rritën të lumtur dhe të mos e hetojnë shumë mungesën e prindërit të vërtetë .

            Fatkeqësisht, në mesin e këtyre  familjeve fatzeza , ka pasur shumë xhaxhallarë të pa shpirt, të pa mëshirshëm dhe të pa ndërgjegjshëm , të cilët në mënyrat më të pa skrupullta i kanë shantazhuar fëmijët jetim të trashëguar nga vet vëllezërit e tyre!

            Shantazhime ndaj fëmijëve jetimë janë bërë ndaj të dy gjinive: meshkujve dhe femrave duke i shfrytëzuar maksimalisht , në rend të parë si fuqi punëtore, si barinj , duke ua privuar të gjitha të drejtat familjare deri tek e drejta pronësore .Por, shantazhimi dhe diskriminimi më i madh dhe më i rëndë u është bërë femrave (vajzave), të cilat pos të tjerash ,  u janë  imponuar martesa të hershme, me njerëz të pa dëshirueshëm , pa u pyetur fare për vullnetin e tyre, ku në këto raste janë shitur  me çmime të mëdha parash, me qëllime të përfitimeve materiale nga ana e xhaxhallarëve të tyre.

            Martesat e këtilla kurrë nuk kanë qenë fatlume dhe gati gjithmonë kanë përfunduar me pasoja të pa parashikueshme .

            Motivi i shantazhimit të jetimëve nga ana e xhaxhallarëve , sidomos ndaj femrave, nuk ka mbetur pa u përfshi edhe në këngët tona popullore. Këngë të këtyre motiveve në folklorin tonë muzikor ka me numër të madh, por ne për lexuesit tanë të respektuar, kësaj radhe e morëm në analizë vetëm njërën prej tyre, për të cilën mendojmë se është ndër këngët më karakteristike dhe më tragjike të këtij lloji.

            Kënga që po e trajtojmë në këtë shkrim titullohet :”Kënga e Hashanit”  dhe e ka gjenezën nga fshatrat e Malësisë së Vrajës, ku popullata e këtyre anëve, më tepër e njeh këtë krahinë me toponimin “Hashania”.

            Për lexuesit e pa informuar për këtë toponim, po japim një sqarim të nevojshëm nga se toponimi “Hashani” është shumë i lashtë dhe ka të bëjë me një vend, apo krahinë, ku njerëzit ekskluzivisht janë marrë me blegtori, pra me kultivimin e deleve . Edhe mbiemri “Hashan-i”, ka të bëjë me banorin e Hashanisë, apo njeriun që gjatë tërë jetës merret me ruajtjen dhe kultivimin e deleve .

            Për këngën të cilën kësaj radhe e kemi marrë në analizë, shumë kush prej interpretuesve të saj dhe ata që kanë pasur rast që ta dëgjojnë se si këndohet kjo këngë, mendojnë se është një këngë humoristike , por që në të vërtetë kjo këngë paraqet një tragjikomedi të llojit të vet.

            Këtu bëhet fjalë për fatin e zi , të një vajze jetime, të cilës qysh herët e vdes babai dhe kjo mbetet jetime. Për fatin e saj dhe të nënës së saj, do të përkujdeset axha i vajzës, e cila sipas këngës , quhet Zymrije.

            Zymrija jetime e pa babë, rritet me shumë mundime , vuajtje e skamje të pa fundme , ku për ta mbajtur shpirtin e saj dhe të nënës së saj të gjallë, detyrohet madje edhe të luaj rolin e një lypsareje , sa për ta siguruar një kafshatë buke dhe kripe !

            Mirëpo, Zymrija sa po fillon që të lëshojë shtat dhe të vetëdijesohet për fatin tragjik të jetës së saj, axha i saj e shet për një shumë parash (grosh) , pa e pyetur, as përfillur fare vullnetin dhe dëshirën e saj, madje as të nënës së vet!

            Axha e shet mbesën e vet, Zymrijen , diku larg në Hashani, për një Hashan, të cilin as që e njeh fare!

            Vajza jetime, Zymrija edhe pse proteston ashpër ndaj këtij vendimi të axhës së saj, ishte e pa fuqishme që t’a  prishë këtë vendim dhe pas pak kohësh, atë e bëjnë nuse me dhunë për ta çuar nuse te Hashani !

            Edhe në ditën e dasmës, kur vajza jetime duhej të bëhej nuse me dhunë, ajo proteston dhe mundohet që të gjejë forma për të mos shkuar nuse. Mirëpo, axha i saj ishte kategorik dhe më i fuqishëm, andaj ua hipi në kali me dhunë , dasmorëve që kishin ardhur për ta marrë atë!

            Nusja jetime , edhe për gjatë rrugës për në shtëpinë e martesës, protestonte në mënyra të ndryshme për martesën e saj të dhunshme dhe gjatë tërë rrugës kishte shkuar duke  qarë me  lot!

            Por , as dasmorët nuk e kishin lënë të qetë duke u tallur me te gjatë rrugës dhe duke e provokuar në mënyra të ndryshme.

            Zymrija jetime, e martuar me dhunë, edhe kur arrin  në shtëpinë e martesës, tek burri i saj , i quajtur Hashan, nuk qetësohet dot dhe nga mllefi i madh ndaj tyre, çdo gjë që sheh për rreth saj , i duket anormale dhe nënçmuese ! Ajo, që në momentin kur sipas traditës, e zbresin nga kali, i vë në tallje familjarët e dhëndrit , kinse ata nuk po munden ta zbresin prej kalit, pa iu bë dy veta ?!

            Kur e shtinë brenda dhomës së martesës (çilerit) , Zymrijes i pengojnë edhe këngët që i këndohen me defe, gratë dhe vajzat e pranishme !

            Kulmi i urrejtjes së saj , ndaj Hashanëve dhe në veçanti , ndaj burrit të saj të pa dëshirueshëm, arrin me rastin e hyrjes së dhëndrit në xherdek , pra vet Hashanit.

            Ajo, përshkruan burrin e vet, si një njeri jo normal, që më tepër ka tipare të një njeriu gjysmë të egër, se një njeriu të zakonshëm. Veshjet, qëndrimi, gjymtyrët e trupit dhe mënyra e bisedës së Hashanit me nusen e sa po ardhur në shtëpi, për Zymrijen ishin shumë të tmerrshme.

            Lavdërimet, kërcënimet dhe qëndrimet e Hashanit ndaj nuses së vet, Zymrijes, bëjnë të kuptojnë se ai ishte një njeri budalla , i cili nuk di as çka është nusja, as përse e kanë martuar prindërit e tij?!

            Për këtë, më së miri tregon fakti se Hashani që në natën e dytë të martesës së tij, i merr rrobat e veta dhe shkon për të fjetur në kashtën e pojatës , ku i kishte delet dhe e le nusen të vetme në çilerin e saj !

            Nusja jetime-  Zymrija , duke e pa se me çfarë fati e kanë martuar me dhunë, vendosë që ta braktisë këtë martesë dhe këtë shtëpi, duke ikur nga Hashani që në natën e dytë të martesës së saj !

            Për më tutje, le të lexojmë dhe analizojmë me kujdes tekstin e kësaj kënge dhe do të kuptojmë më mirë , se për çfarë martese bëhet fjalë në këtë këngë:

 

 

            KANGA E HASHANIT

 

Qyqja une, jetim jam rritë,

Tuj lypë bukë e tuj lypë kripë !

Kur u bana pak me ditë –

Veç për grosh ,mixha  m’ ka shitë!

Mixha i jem mue m’ ka dhanë –

Si a ma zi, për ni Hashan !

 

Vinë Hashant  për me m’ marrë mue,

Une deshta mos me shkue ,

Gra e çika m’ kanë rrethue ,

Me zor mixha n’ kali m’ ka gjue !

N’ kali allxh më kan ngarkue ,

Shkojke kali tuj tapallue ,

Mu rras menja , s’ po munë me m’ çue !

Shkojnë Hashant  tuj  keshë  me mue –

“Qysh me kajtë nusja për udhë?!”

 

Te Hashant , kur jam shkue ,

Vjen Hashani me m’ çkarkue,

Hiq pej venit s’po munë me m’ lue !

Pe thërret t’ vëllain :”Ore Sejdi,

S’ po muj nja, o vëlla, i bahmi dy !”

Kur um mueren mrena me m’ shti ,

Sikur thesin në mulli!

 

Vishin çikat n’ defe tuj m’ knue,

Vinë do gra për me m’ pa mue,

Vinë do halla tuj m’ shtramnue ,

Haj, medet, po dojnë me m’ rrxue,

Stena e fortë a qillue !

Gra e çika po bajnë seri –

Nafakë t’ madhe paska pasë beteri !

 

Kur na ra sahati tetë ,

Erdh Hashani n’ çiler t’ vet!

Verë me gojë , aj nuk po banë,

Për beter, nime ish kanë !

Për beter ish kanë i lumi –

Kish pas gishtat si brina  bulli !

Nja nandë kutë tirqit e gjanë,

Kish nxjerrë llullën po pin duhan !

Poj shkon tymi si qyng pampuri ,

Ju kish ba lëkura si lëkurë bulli !

Ju kish ba këmisha si shofer pampuri ,

Dymdhetë xhepa n’ ni mitan,

Dhetë rrezgina n’ ni apangë,

Ni pushkë t’ gatë n’ tjetrën anë !

I hoq teshat e i vor n’ dyrek –

Don me e rrxue  çilerin krejt !

 

Zuni Hashani me u livdue :

“Shpi e madhe jemi qillue,

Nestra herët, nuse, ki me u  que,

Nizet robëve me ju gatue,

Nizet bukë ki mej tëhollue,

Nandë  magarë ki mej ngarkue,

Te pojata ki me i çkarkue ,

Dymdhetë qenve ki me u përvlue!”...

 

-Haj , medet, kuku për mue ,

S’ koka sen ktu për me rrnue ,

Kurrë magarë nuk kam ngarkue ,

Dymdhetë qenve, qysh me u përvlue ?!

 

Kur e bani t’ dytën natë –

Shkoj Hashani me fjetë n’ pojatë ,

I muer teshat e i shtroj  në kashtë !

Mirë ja lash çilerin thatë !

Dalke e m’ thirrke:”Oj Zymri!”

-Pasha at  nanë , pasha këta sy -

S’ rrinë Zymrija ni natë me ty  !

 

 

Gjilan, më 22 Dhjetor 2009. Demir KRASNIQI