Cikël poetik nga Sabit Idrizi
| E marte, 22.12.2009, 08:47 PM |
Sabit IDRIZI
JETË
Sa herë që t’thërras n’ballafaqim
Ti m’del matanë kohës
E ma tregon pragun
E kalltë si kurva
M’kthehesh pastaj natën
E m’i përflakë ëndrrat
Aq e lavirtë po më dëftohesh
Sa kurrë nuk mund të të jetoj ndryshe
Përveçse njerëzisht
TI DHE ATDHEU
Përditë ia gërryen zemrën
Si urith nën dhé
Dhe pa fije turpi
I thua atdhe
QYTETIT TIM
(Mitrovicës)
Kotu, qyteti im i dyshtë, kotu
Në djep të plumbtë mesjete
Po ta përkundim ëndrrën e zgjimit
KOHË SHURDHANE
U poqe kur t’u shurdhua koha
Fjala ime e mbarë
Kot të bluaj në mullirin e mendjes
Kot të gatuaj në magjen e shpirtit
S’të ha se s’të ha tregu
KUR TË MUNGON E SOTMJA
Kur të mungon e sotmja
Dije se dje e ke konsumuar të papjekur
Me grykësi ëndrrash
Se jeta s’është gjë tjetër
Veçse një parafytyrim i bukur
I gjërave që nuk ndodhin kurrë
DIELLI
Dielli është i të gjithëve
Po e deshe vetëm për vete
Të fiket në ballë
NË PLAZH
Oh, u mbyt dielli!
Klithi një vogëlushe
Dhe ia plasi vajit
Një vaj i thekshëm fëmije
Që u përpi nga deti
Në prag të lindjes së një nate
Të një nate tinëzare
Që po i mashtronte të gjithë
Me magjinë e një perëndimi të bukur
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.