| E hene, 21.12.2009, 09:57 PM |
Nga Entela S. Kasi
Entela S. Kasi: Libri juaj “Minner om Mirrella”, në gjuhën norvegjeze
dhe ”Kujtime të Mirelës”në gjuhën shqipe, duket si një rrugë e gjatë drejt një
bote të brëndshme të shpikur…Mos është një lloj arratie nga realiteti apo një
udhëtim mes të vërtetës, i cili realizon kështu një arrati prej lirisë?
Eugene Schoulgin: Kur shkrova Trilogjinë e Federikos, ideja ime
fillestare ishte të zbuloja se çfarë
mekanizmi i fshehtë brenda qënies
njerëzore e bën njeriun të mos jetë ai që dëshiron të jetë apo se çka ndërmend
të bëhet. Këto përbërës unë vendos ti quaj “ “Barrikadat e fshehta” Përderi sa
jam romancier dhe jo eseist dëshiroj të gjej të vërtetën ose pjesë të së
vërtetës duke shkruar. E vërteta mund të thuhet me dhjetë fjali ose me njëmijë
faqe. Përmes këtij vëzhgimi( që është sikur të vëzhgosh vetveten po ashtu edhe
personazhet siç ndodh gjithmonë kur shkruan) kuptova që më duhej ta nisja me
këtë njeri që në fëmijërinë e tij. Më
duhej të krijoja botën e fëmijërisë së tij. Ke të drejtë. Ishte një udhëtim i
gjatë. Është një përshkrim i botës së brendshme të parë përmes ngjarjesh jashtëzakonisht të vërteta dhe
fantastike. Ndryshimi midis mënyrës se si e kam shkruar dhe metodës së një
shkrimtari realist është që bota e brendshme përfshin të jashtëzakonshmen, jo
thjesht atë që të rrethon.
Entela S. Kasi :Mirela është një imazh femëror
midis grave të ndryshme: tetos së Federikos, Mirelës, dhe nënës. Përse kjo e
fshehtë, ky mister që mbulon Mirelën? Mos është dashuria, apo natyra e
dashurisë, apo mënyra e përfytyrimit dhe
e shpikjes të këtij imazhi i cili duket sikur të jetë zhdukur mes
njerëzish të ndryshëm që në çastin fillestar?
Eugene Schoulgin: Mirela simbolizon shumë si
fenomen në jetën e një djali. Ajo
simbolizon të ardhmen, ajo e mahnit Federicon- dhe e frikëson atë. Por përveç
asaj ka mjaft përbërës të tjerë që e frikësojnë atë, dhe në krye të kësaj
ngrehine ai ende ka një frikë të brendshme shumë të madhe, që kur arrin në
Itali, në një farë mënyre ajo bëhet mbrojtja e tij. Ai bie në dashuri me atë,
po një dashuri e hershme fëmijënore e pashpresë, por në të vërtetë është
pikërisht natyra e kësaj dashurie ajo që të përfshin. Për mua të shkruarit
është sikur të krijosh një panair, një yjësi, një kaleidoskop.
Entela S. Kasi: Frederico, Federico, dhe Freddy, ky personazh kryesor jeton brenda një
bote shumëngjyrëshe ireale, ndërsa “bota e vërtetë është “e egër” dhe “ lufta
ka vdekur” Cila është lidhja juaj me Federicon?
Eugene Schoulgin: Ai është binjaku im letrar.
Jetët që krjoj kur shkruaj janë gjithmonë “jeta tjetër e mundshme” që ndoshta
kam jetuar, ose përjetuar qoftë edhe që kam ëndërruar. Shumë njerëz më kanë
pyetur nëse shkruaaj për veten. Sigurisht që shkruaj për veten time. Çdo
personazh që krijoj është vetja ime, pavarsisht gjinisë, moshës, kohës dhe
mjedisit gjeografik. Ngjarjet dhe historitë që jeton Federico në libër i kam
jetuar edhe unë, ato ma kanë plotësuar jetën.
“Lufta
është vdekje” është thjesht një grackë. Kujto që afër fundit të librit “
Kujtime të Mirelës” vajza e vogël është qëlluar para syve të Federicos, ndërsa
e tërë bota ulërret “ Lufta ka vdekur!” Për Federikon kjo do të thotë: “ Lufta
është vdekje- Lufta është fundi- Lufta është e vdekur.”
Entela
S. Kasi: Libri tashmë është edhe në gjuhën shqipe, pothuajse 25 vite pas
botimit të tij të parë në norvegjisht. Unë mendoj që ky është sukses për shkrimtarin i cili pas një pejudhe
të gjatë nga botimi i pare, sheh që libri i tij mbërrin edhe në duart e një
lexuesi të një gjuhe tjetër. Çndjeni ju si shkrimtar në këtë rast?
Eugene Schoulgin: Si shkrimtar ndjehem mirë!
Mendoj se kjo është një provë që libri ka të drejtë të jetojë gjatë, dhe ia kam
arritur që të krijoj një novelë e cila nuk varet në një kohë të caktuar apo në
një shoqëri të caktuar.
Entela S. Kasi: “ Nëse të shkruarit nuk do të
ekkzistonte, nuk e di se ç’mund të isha bërë, ndoshta mund të isha një njeri
tjetër” – kështu më ndodh të mendoj shpesh. A ju ka shkuar ndonjëherë në mend
se çdo të ishit nëse nuk do të ishit bërë shkrimtar?
Eugene Schoulgin: Oh, po! Është fakt që të
shkruarit ishte zgjedhja ime e fundit!
Në fillim doja të bëhesha pianist, por në një moment të caktuar mësuesi im i
pianos tha se mund të bëhesha një muzikant i mirë por jo një pianist i mirë siç
kisha ëndërruar gjithë kohës. Pastaj hoqa dorë me gjithë naivitetin tim. Pas
kësaj dëshiroja shumë të bëhesha piktor, si babai im, Aleksandër Schoulgin,
madje ndoqa edhe Akademinë Mbretërore të Arteve në
Entela S. Kasi: Ka ndonjë moment kur thoni: “Do të braktis
gjithçka, të shkruarit dhe librat”, e, në fakt
kjo u ka ndodhur shkrimtarëve shumë të mirë. A është letërsia një
ndërmarje shumë e vështirë që e bën shkrimtarin të arrijë në këtë teh kaq të
mprehtë, apo mos vallë kjo është një retorikë e përhershme e atyre shkrimtarëve
që bëjnë letërsinë?Ju ka ndodhur të
bëheni gati të hiqni dorë nga letërsia?
Eugene
Schoulgin: Sa herë që mbaroj një libër them: Kurrë më! Por
pas disa javësh filloj përsëri të shkruaj. Sikur thoshte edhe Faulkneri: Nuk është e vështirë të shkruash e vështirë
është të vendosësh veten në një pozicion ku ke mundësi të shkruash .
Oh, në fakt po, pasi ka mjaft ” barikada të fshehata” madje edhe me të shkruarin
si proçes, dhe ndodh të më kapë trishtimi ose frika. Por, kjo lidhet me një
vullnet shumë të fortë për të punuar dhe ndonjëherë me një thatësi të
përkohëshme në punën krijuese e cila vjen për një mijë arsye të pashpjegueshme.
Entela S. Kasi: Si është të jesh shkrimtar në botën e sotme?
Kjo varet
tërësisht në mënyrën se si e sheh veten
si shkrimtar, dhe se çështë të jesh shkrimtar.Shkrimtarët “e ditëve të shkuara
të mira” ndoshta kanë qënë të interesuar për famën dhe suksesin po aq sa
shkrimtarët e sotëm. Ndryshimi qëndron tek mënyra se si trajtoheshin. Ata,dikur
ishin të trajtuar në një mënyrë më pak brutale se sot. Ndonjëherë të krijohet
përshtypja që je “një produkt”, si marka
e syzeve të diellit, ose modeli i flokëve, apo si wiski i preferuar, madje edhe
divorcet apo dashuritë që mund të kesh apo që mund të fliten, apo edhe opnioni
yt për futbollin është shumë i rëndësishëm për imazhin tënd, mos themi më i
rëndësishëm për imazhin e librit tënd.
Kjo do të thotë që në ditët e sotme të duhet të jesh i dukshëm. Por unë i kam
shpërfillur të gjitha këto dhe ndjehem mjaft i sigurt. Për mua të shkruarit
është i rëndësishëm edhe më jep kënaqësi
dhe njëlloj do të kishte qënë edhe sikur unë të isha pjesë e brezit të
stërgjyshërve të mi letrarë. Në një botë tjetër( bota në të cilën edhe unë
jetoj fizikisht) jeta është e egër, e rezikshme, fantastike dhe e trishtë ashtu
si ka qënë përgjithmonë! Kriza e fundit duket gjithmonë më e
vështira! Nuk jetoj në një kullë të fildishtë, por di ta gjej një kullë të
tillë sa herë që kam nevojë për të, di ku të mbështetem!
Entela S. Kasi: Si është bota e shekullit të XXI
në sytë e shkrimtarit? Ku po shkon ajo?
Eugene Schoulgin:
E urrej
të flas për detyrat kur vjen fjala për shkrimtarët, se çfarë duhet të bëjnë
shkrimtarët, por në një farë mënyre edhe ne duhet të bëjmë diçka duam apo s’duam ne, e dimë apo nuk e dimë, ne
jemi produkt i kohës tonë, dhe historia e letërsisë na ka treguar që
shumë prej shkrimtarëve me influencë na kanë dhënë jo vetëm të
vërtetën e kohëve të tyre por edhe të kohës
që ka ardhur pas tyre. Por, letërsia në një farë mënyre nuk është mjet
predikues.
Entela S. Kasi: “ Ne shpikim një botë tjetër kur
kuptojmë që bota është e egër’- ky është vargu i një poezie që kam shkruar së
fundmi, por pyetja ime për ju është “ çfarë njerzimi duhet të shpikë për të
ekzistuar: Një dritare shprese, një arratisje, apo një botë tjetër?
Eugene Schoulgin : Pablo Picasso ka thënë: Arti është mashtrim që na rrëfen të vërtetën.
Do të doja ta largoja fjalën ‘ mashtrim’
dhe ta zvëndësoja atë me fjalën ‘gënjeshtër’
duket si humor, por në fakt ka brënda vetes një të vërtetë të madhe. Çfarë
njeriu duhet të shpikë për të ekzistuar?- Të ekzistojë! - Nuk e di. E vërteta më e tmerrshme është se
njerëzimi vazhdon sidoqoftë, madje edhe pa shpresë, pa të ardhme, pa ëndrra,
qoftë edhe me makthe, njerëzimi ecën. Dhimbja më e madhe e njeriut është
vdekja, por edhe me atë njerëzimi është mësuar të bashkjetojë. Për më shumë
shpëtimi qëndron tek shpikja e një bote tjetër, si jë rrugë e fshehtë, si një
jetë mashtruese.( Hjalmar Ekdal në “The Wild duck” të Henrik Ibsenit është i
pavdekshëm)
Entela S.
Kasi: Le të kthehemi tek “ Kujtime të Mirelës”. Përgjatë
librit e keni theksuar shumë herë frazën “ lufta ka vdekur”, kjo shprehje e
shkruar në vitet - tetëdhjetë, i takon botës pas luftës së dytë botërore, tani
në kohën që kemi mbërritur, jemi në 2009, a besoni përfundimisht që lufta ka
vdekur! Nëse më pyesni mua do të thoja: Jo! Kam frikë se jo!
Eugene Schoulgin: Jam në një mendje me ju.Lufta
asnjëherë nuk ka vdekur. Breza të tërë jetuan në një gjëndje të rezikshme dhe
në një keqinterpretim të faktit se çndodhi me botën pas luftës së dytë botërore
( Bader Meinhof- Shtatori i zi - Brigadat
e kuqe - etj.) Por, në fakt e vërteta që unë mendoj është se: Lufta është vdekje.Lufta është fundi, është
e fundit.
____________
Mediat suedeze dhe skandinave kanë shkruar mjaft për librin “ Kujtime të Mirelës’ të shkrimtarit Eugene Schoulgin;
Ky libër është vlerësuar me çmimin e madh për letërsinë nordike në vitin 1985,dhe për herë të parë është botuar nga Gylendal, në Norvegji, në vitin 1984
1. Nëse shikoni strukturën e Mirelës, ajo paraqet një arritje teknike shumë mbresëlënëse dhe të jashtëzaonshme, e cila është krejt e pazakontë në letërsinë nordike. Nëse vështroni në mënyrën se si është treguar ngjarja kuptoni menjëherë ndjenjën fillestare të një lumturie frymëzuese me të cilën është shkruar libri. Dalloni fuqinë me të cilën janë bërë përshkrimet analitike dhe psikologjike e atëherë mbetet të mos ndalojmë tek skandinavët, por të shkojmë drejt lindjes, për tu përfshirë nga fuqia e peshës së papërballueshme të Dostojevskit
Ola Sunesson, Swedish Radio
2) Është një libër që të përfshin i mbushur me dramacitet dhe ndjeshmëri. Në një moment ai të rëmben me të gjithë forcën, e në momentin tjetër të mahnit me bukurinë dhe ngrohtësinë e ndjenjave. Në një çast ndjen ankthin e në çastin tjetër një humor rigjallërues. Trilogjia e Federikos, nis pikërisht me “Kujtime të Mirelës”,e me këtë rast Eugene Schoulgin ka realizuar një kryeveppër letrare, e cila pa dyshim do të mbetet një nga librat më interesantë në letërsinë skandinave.
Johan Wärkmäster Göteborgsposten
3)”Kujtme të Mirelës”, është një vepër e rëndësishme të clën juria e çmimit të madh letrar nordik, nuk mund ta linte pa e vlerësuar.
Inge Knutson Svenska Dagbladet
4) Schoulgin është një shkrimtar me një gjuhë shumë origjnale dhe delikate, me një thellësi të jashtëzakonshme dhe një talent të rallë për ta pikturuar edhe situatën më të frikshme me shumë humor, aq sa mund të përjetosh gjithçka sikur të kesh qënë pjesë e ngjarjes. “Kujtime të Mirelës” është një nga ato libra të rallë, që të mbeten në kujtesë për vite me radhë pasi e ke lexuar për herë të parë.
Sissel Lange-Nielsen Aftenposten
______________________
Eugene Schoulgin
U lind në Oslo, Norvegji më 1941. Fëmijërinë e kaloi në Itali. Ka studiuar Arkeologji klasike në Suedi. Që në perjudhën e fëmijërisë ka udhëtuar në shumë vende të Europës jugore dhe në Azi. Ka punuar si gazetar i kulturës për mediat suedeze dhe norvegjeze për një kohë të gjatë. Për disa kohë ka punuar si kështilltar i dramës në Teatrin Kombëtar të Oslos dhe si bashkëautor në “Festivalin Ibsen”.
Në 1970 botoi novelën e parë “ Kafazi i lepurit” e cila fitoi çmimin letrar për shkrimtarët e rinj. Disa prej tregimeve të tij janë përkthyer dhe botuar në antologji të ndryshme të prozës Skandinave në vende të ndryshme të Europës. Disa nga librat e tij janë “ Kulla prej pudre”, “Dita e parë e borës”, ”Piktori i qelqeve”, “ Vajza me pjeshkë”, “Ana Ismailova” etj.
Në vitin 1984 ai botoi veprën letrare “Trilogjia e Federicos” dhe u vlerësua me çmimin e madh letrar Nordik, ky u bë libiri më i shitur i kohës në Norvegji dhe u përkthye në suedisht, rusisht dhe turqisht,e gjuhë të tjrea. Në 1988 u botua pjesa e dytë e trilogjisë nën titullin “ Federico- Federico” I cili u vlerësua po atë vit me çmimin letrar të vitit, dhe pas botimit në suedisht mediat shkruan se ky do të mbetej një nga librat më të rëndësishëm për vendet nordike. Në vitin 1997 u botua “ Vallja e vdekjes”
Eugene Schoulgin ka drejtuar Komitetin e shkrimtarëve të burgosur në Qendrën Suedeze të PEN, dhe në vitin 2000 ai u zgjodh kryetar i këtij komiteti në PEN International. Aktualisht, Eugene Schoulgin është Sekretar Ndërkomëbëtar i PEN Interanational.
Libri “ Kujtime të Mirelës”, mbetet një nga veprat më të bukura të letërsisë Skandinave, dhe Eugene Schoulgin është përcaktuar me këtë roman si “ shkrimtari piktor’