| E hene, 21.12.2009, 09:59 PM |
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes
FJALË
KUJTIMI E NDERIMI PËR PROF. SELMAN RIZËN
Nga Prof.
Emil Lafe
Prof. Selman Rizën përpara se ta njihja nga
afër gjatë viteve të punës në Institutin e atëhershëm të Historisë dhe të
Gjuhësisë, e kam njohur nëpërmjet shokëve që kur isha student. Në vitin e tretë
të Fakultetit (1957-1958) ne, studentët e degës së gjuhës shqipe, duhej të
hartonim edhe nga një temë vjetore nën udhëheqjen e një pedagogu. Dy-tre
studentëve të kursit tonë u takoi ta kishin temën vjetore me prof. Selman Rizën,
e ndër ta edhe shoqes sime të ardhshme të jetës, Virgjini Lubonja. Me prof.
Selman Rizën nuk kishim bërë ndonjëherë mësim dhe nuk e njihnim nga afër. Ai
jepe lëndën e morfologjisë në degën e gjuhëve të huaja, kurse në degën e gjuhës
dhe letërsisë shqipe këtë lëndë e jepte prof. Shaban Demiraj. Për temat vjetore
nuk kishte vlerësim me notë, vetëm se punimi përkatës duhej dorëzuar në katedër
para se të fillonte sesioni i provimeve të verës. Ndryshe nuk lejoheshe të hyje
në provime. Ne, studentë e tjerë, morëm temat dhe disa udhëzime të shkurtra nga
pedagogët dhe u takuam me ta në fund, kur u dorëzuam atë që kishim shkruar. Ata
që kishin punë me prof. Selman Rizën, përkundrazi, duhej të paraqiteshin tek ai
herë pas here me materialin që kishin punuar sipas udhëzimeve të tij. Dhe duhej
të ishin të përpiktë në ditën e orën e caktuar. Prof. S. Riza ishte tepër
kërkues, e ndiqte ecurinë e punimit të temës në vijimësi dhe një student i
rregullt nuk mund t’i lejonte vetes që ta shkelte me të. Ai e bënte studentin
të kuptonte se ky punim i thjeshtë vjetor nuk ishte një angari e bezdisshme, as
një formalitet, po një provë e detyrueshme dhe e pashmangshme për të njohur sa
i aftë do të jesh për të ecur më tej me këmbët e tua, për të shkruar diçka në
mënyrë të pavarur. Prandaj edhe Virgjinia e mori shumë seriozisht temën “Studim krahasor i formimit të shumësit të
emrave e të mbiemrave” dhe ndoqi udhëzimet e profesorit. Studioi sipas
udhëzimeve të tij krerët përkatës te gramatikat e hartuara nga Sami Frashëri,
Anton Xanoni, Ilia Dilo Sheperi, Osman Myderrizi, Kostaq Cipoja dhe në
dispensën “Morfologjisë së gjuhës shqipe” të prof. Sh. Demirajt, që e kishim si
tekst bazë në Fakultet. Virgjinia punoi sistematikisht e me kujdes, gjithnjë me
merakun e me shqetësimin e një vajze se si do ta vlerësojë profesori atë punim
modest. Kur prof. S. Riza e thirri për t’i kthyer fletoren e punimit, i
shqiptoi mendimin e tij, të formuluar me shkrim në mënyrë disi të pazakonshme
për ne, por që shprehte qartë një vlerësim pozitiv e trimërues: “Punim i punuar me kujdes, i komponuar në
mënyrë të qartë, i pajosur me lëndë të mjaftueshme, i përcjellur me disa
konstatime jo pa interes; e për pasojë punim për të cilin besonj se do të ju
ketë shërbyer si një përgatitje e përshtatshme që vitin e ardhshëm të dilni me
një tjetër mundësisht më të thelluar e më me vulë personale.” Por atëherë
viti i katërt mbyllej me provime shteti, nuk kishte filluar ende praktika e
mbrojtjes së diplomave. Këtë fletore Virgjinia e ruajti me kujdes më fort si
kujtim të këtij shënimi nga dora e prof. S. Rizës, sesa si sprovën e saj të
parë për një temë shkencore.
Pas përfundimit të
studimeve më 1959 u emërova në sektorin e gramatikës të Institutit të Historisë
e të Gjuhësisë, ku qe mbledhur elita e shkencave filologjike shqiptare. Në
Institut punonin atëherë Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Osman
Myderrizi, Mahir Domi, Anton Krajni, Pashko Geci dhe studiuesit e rinj Androkli
Kostallari e Spiro Floqi, që kishin kryer studimet në Moskë para 4-5 vjetësh.
Qe një mjedis që të impononte disiplinë, seriozitet, kërkesë. Por në mënyrë të
veçantë neve më të rinjve na bënte përshtypje të thellë personaliteti i prof.
Selman Rizës. Ato që thuheshin gojë më gojë për vullnetin dhe zellin e tij të
pakrahasueshëm, kur kishte qenë student i Liceut të Korçës, bëheshin plotësisht
të besueshme për ne që e shihnim në punë e sipër.
Nëse mund të thuhet
që Selman Riza ka adhuruar ndonjë Hyjni në jetën e vet, emri i saj është Hyjnia
e Punës. Ai ishte tërë gjallëri dhe vullnet për punë, armik i rreptë i
plogështisë e i limontisë. Që i mitur qe bërë i vetëdijshëm se popullit
shqiptar i duhet të punojë dyfish e trefish që t’u afrohet shokëve të botës së
qytetëruar. Dhe vetë e dha shembullin duke i mbaruar shkollat para afatit dhe
me rezultatet më të larta, duke kryer dy fakultete njëherësh brenda një
periudhe studimi. Gjëja që i dhimbsej më shumë, qe koha e humbur pa punë, pa
mendim. Në tryezën e tij të shkrimit mbante gjithmonë përpara orën e xhepit.
Dukej se me të kontrollonte ecurinë dhe ritmin e punës së përditshme. Asnjëherë
nuk kërkonte rrethana për t’u shfajësuar para vetes për mospërmbushjen e ndonjë
plani shkencor. Çdo mëngjes e shihja që vinte plot gjallëri e optimizëm në zyrë
dhe largohej pastaj me qetësinë shpirtërore të njeriut që e ka kryer detyrën.
Në vitin 1963, për fat të mirë mjaft shpejt, më erdhi radha edhe mua, sipas
praktikës së asaj kohe, të merrja nga qendra e punës një banesë në rrugën e
Durrësit për familjen time të re dhe të lija konviktin. Mëngjeseve, duke shkuar
për në Fakultet (atëherë Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë ndodhej në
ndërtesën e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë) herë-herë takohesha me
prof. Selmanin, që dilte nga rruga “Mine Peza”, dhe e bënim rrugën bashkë. Në
këto raste për mua kishte filluar dita e punës që rrugës.
Kundër përshtypjes
së jashtme, prof. S. Riza ishte i afrueshëm me ne të rinjtë, na nxiste për
diskutime, na shtronte pyetje, që nuk ishin të thjeshta. Një ditë më dërgoi në
Bibliotekën Kombëtare për të kopjuar me dorë nja dy faqe nga libri i Emile
Legrandit “Bibliographie Albanaise”. Me atë rast mora në dorë për herë të parë
librin e këtij bibliografi francez. Nuk i kam quajtur asnjëherë angari punët
ndihmëse që më kanë dhënë profesorët e mi. Ca kohë më parë Aleksandër Xhuvani
më kishte dhënë t’i nxirrja parafjalët nga veprat e Pjetër Budit dhe me atë
rast lexova Budin. S. Riza e dinte mirë se unë atëherë nuk kisha bërë asnjë orë
mësim frëngjisht, po edhe unë e dija mirë se me kë kisha të bëja, prandaj i
hapa sytë katër që të mos bëja gabime. I dorëzova fletoren dhe prita. Pasi e
lexoi, erdhi tek unë dhe më tha me një buzëqeshje përgëzuese se nuk kisha bërë
asnjë gabim, as në theksat!
Në verën e vitit
1960 prof. Mahir Domi më ngarkoi të bëja një ekspeditë dialektologjike dhe të
shkruaja një monografi për një të folme. Ai e kishte shumë për zemër
dialektologjinë. Një punim dialektologjik është rruga më e përshtatshme për të
hyrë në problemet gjuhësore të shqipes. Albanologë si H. Pederseni, G.
Vajgandi, M. Lamberci, K. Taljavini, V. Cimohovski, po edhe vetë E. Çabej, I.
Ajeti e kanë filluar nga dialektologjia. Prof. M. Domi më propozoi tri krahina:
Prezën (Tiranë), Shllakun (Shkodër) dhe Nikaj-Mërturin (Tropojë). Unë, atëherë 22
vjeç, zgjodha më të largëtën, Nikaj-Mërturin, me përfytyrimin romantik se në
viset e largëta fshihen dukuri më interesante. Udhëtimi dhe qëndrimi im në
Nikaj-Mërtur në korrik 1960, bashkë me dy studentë të huaj dhe një shqiptar,
është një histori më vete. Nikaj-Mërturi i takon nga ana etnografike, po edhe
gjuhësore, Malësisë së Gjakovës. Unë përfytyroja se edhe profesori im në
mjedisin e tij familjar të Gjakovës, ka pasur afërsisht po atë dialekt amtar.
Prandaj një ditë, duke diskutuar me të për një dukuri të asaj së folmeje,
guxova e i thashë: “Ju profesor shumë e keni thyer gjuhën!” Për habinë time S.
Riza reagoi me vrull, duke më thënë se jo vetëm e kishte thyer, po e kishte
dërrmuar, e kishte copëtuar ... etj.etj. fjalë si këto, që nga hutimi nuk arrita
t’i mbaj mend. Si axhami që isha atëherë, kujtoja se “të thyesh gjuhën” do të
thotë të fitosh shprehi të reja gjuhësore, shumë të dallueshme nga dialekti
amtar, afërsisht si p.sh. të thyesh një shkop e ta bësh dy a katër copa! Por
pas atij reagimi vrava mendjen dhe i dhashë të drejtë profesorit. Të thyesh
gjuhën në të vërtetë do të thotë që gjithë duke ruajtur karakteristikat
themelore të së folmes së vendlindjes, të fitosh edhe disa tipare të një
mjedisi tjetër gjuhësor. Me një fjalë “thyerja” është një ndryshim i lehtë, jo
rrënjësor. Të thyesh urinë do të thotë të kesh futur diçka në gojë, p.sh.
ndonjë biskotë a ndonjë pemë, para orës së zakonshme të drekës a darkës, por jo
të kesh ngrënë sa të mos kesh më uri; të thyesh një ngjyrë (p.sh. kur lyejmë shtëpinë)
do të thotë t’i hedhësh pakëz nga një ngjyrë tjetër (p.sh. që të mos jetë krejt
e bardhë, po të dalë pak si në qumësht). Prof. Selmani nuk kishte bërë këtë
“thyerje” me “gjuhën” e tij gjakovare. Ai me të vërtetë që e kishte “dërrmuar,
copëtuar... etj.” Dhe jo vetëm ai. Për brezin e tij, për brezin tim, po edhe
për brezin e sotëm përgjithësisht, gjuha letrare ose letrarishtja e përbashkët,
siç thoshte prof. S. Riza, nuk vjen nga qumështi i nënës, po nga goja e
mësueseve, nga librat e shkollës, nga radioja, televizioni filmi, teatri, nga
jeta aktive shoqërore.
Prof. Selman Riza u
kthye nga Kosova pranë familjes në Tiranë në fund të vitit 1955 dhe filloi
punën në Institutin e Shkencave. Brenda 10-12 vjetësh prof. Selman Riza hartoi
një varg monografish themelore për morfologjinë e shqipes së sotme e për
morfologjinë historike. Nuk mund të shtoj diçka të re për vlerën shkencore të
tyre nga sa janë thënë më parë prej të tjerëve. Ajo që dua të vë në dukje këtu,
është e reja që solli prof. Selman Riza në jetën e sektorit tonë dhe në mënyrën
e trajtimit të problemeve. Kjo e re ishte fryma kritike, aq e theksuar në
punimet e tij, saqë ai e ka quajtur veten edhe kritik gjuhësor. Por kjo nuk
ishte thjesht një kritikë për kritikë. Prof. S. Riza para se të përvishej për
të hartuar studimin e tij, shtronte mbi tryezën e punës të gjitha trajtesat e
mëparshme për atë temë dhe me bisturinë e mprehtë të parimeve shkencore e të
arsyetimit logjik bënte anatominë e tyre. Vlerësonte tezat e shëndosha,
racionale dhe flakte ato që nuk i qëndronin kritikës së tij shkencore aq të
argumentuar. Mbi këtë bazë bënte përgjithësimin shkencor të gjendjes së
deriatëhershme të studimit të asaj teme dhe pastaj fillonte të ngrinte
ngrehinën e punimit të tij sipas një shestimi të arsyetuar mirë. Ai nuk ishte
vetëm kritik, por po aq edhe autokritik. Hiqte dorë vetë nga një tezë kur
gjente më shumë argumente në të mirë të një teze tjetër. Një mëngjes, duke
diskutuar rrugës, më pati thënë se tre-katër muaj pas botimit të veprës së
njohur “Tri monografina albanologjike” (1944), kishte hequr dorë vetë nga teza
e tij për pangegënishten letrare që donte të themelonte. Në mendimin e
gjuhëtarëve shqiptarë çështja e formimit të një letrarishteje shqipe të
përbashkët ka qenë gjithnjë temë qendrore, ose, për ta thënë më mirë me atë që
ka shkruar S. Riza për veten e vet, ai e ka pasur kurdoherë mendjen në përgjim dhe shpirtin pezull për
t’i gjetur kësaj çështjeje një zgjidhje. Në periudhën ndërmjet dy luftërave
në Shqipëri kishte një toskërishte letrare pak a shumë të njësuar, ndërsa
gegërishtja letrare nuk kishte arritur të njësohej. Administrata e shtetit
përdorte një “dialekt zyrtar” ose një “burokratishte” të mbështetur në
dialektin e Shqipërisë së Mesme, ashtu siç ishte vendosur me urdhrin e
Kryeministrisë të 13 janarit 1923. Me monografinë “Çeshtja gjuhësore” prof. S.
Riza kishte nuk kishte synuar të zgjidhë problemin e shqipes letrare të
përbashkët, por vetëm të sajojë një
gegërishte letrare diku fare të njëjtë dhe diku drejtë për drejtë të gjegjshme
me toskërishten letrare. Filli i kuq që e përshkon këtë monografi është
theksimi i unitetit etnik dhe i njëjtësisë gjuhësore ndaj dualizmit dialektor.
Gjithsesi monografia e tij për gjuhën letrare ka analiza e vëzhgime shumë të
mprehta e të drejta, që nuk kanë gjetur vend sa duhet në diskutimet e
zhvilluara rreth kësaj teme.
Në punimet që shkroi
e botoi në Tiranë nga viti 1956 e deri në fund S. Riza zgjodhi vetë të
shkruante një toskërishte letrare me disa elemente të kohës së Rilindjes
(kishte një vlerësim të lartë për punën e Sami Frashërit si krijues i normës
letrare të toskërishtes dhe për veprimtarinë e F. Konicës e të F. Nolit si
zhvillues të saj). Duhet pasur parasysh se në atë kohë në botimet e Institutit
të Shkencave (dhe më pas në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë) përdorej
lirisht gegërishtja. Kanë shkruar gegërisht secili sipas mënyrës së vet jo
vetëm studiuesit e brezit të vjetër, si Osman Myderrizi, Anton Krajni, Pashko
Geci, Rrok Zojzi etj., po edhe më të rinjtë, si Bahri Beci, Mehmet Çeliku etj.
Në këtë kuptim them se prof. S. Riza zgjodhi vetë të shkruante në toskërishten
letrare me një normë drejtshkrimore e gramatikore të arsyetuar prej tij, që
mund të bëhet temë e një disertacioni. Gjendja ndryshoi vetëm pas Konsultës
Gjuhësore të Prishtinës (prill 1968), që vendosi të zbatojë menjëherë Projektin
e drejtshkrimit të botuar një vit më parë në Tiranë. Atëherë edhe tek ne u bë
pa kuptim praktika e këtij “liberalizmi gjuhësor”.
Veprat e prof.
Selman Rizës kanë një shprehje gjuhësore të veçantë, me mjaft risi në fjalor,
në mënyra të thëni e në ndërtimin e frazës, që janë përhapur edhe te studiues
të tjerë. Por kryesorja është rreptësia e arsyetimit, logjika e brendshme dhe
saktësia e shprehjes. Diskutimet e tij në sektor për punimet e kolegëve, vërejtjet
që bënte, kanë qenë për mua një shkollë më vete. Duke shkruar ndonjë artikull,
kontrolloja veten se mos nuk e kisha shprehur saktë mendimin, pyesja veten se
ç’vërejtje mund të më bënte prof. S. Riza kur ta lexonte, dhe e rishkruaja nga
e para gjithë paragrafin. Duke punuar në ato vite pranë profesorëve të mi, më
përshkonte shpesh ndjesia sikur të kisha pas shpinës syrin e tyre vëzhgues, që
më thoshte: “jo, këtë nuk e ke mirë!” Dhe më i rrepti më dukej S. Riza. Ai më
ka bërë të kuptoj se sa e vërtetë është thënia: “kalemi rëndon më shumë se
kazma”, që e kisha dëgjuar kur isha nxënës dhe nuk arrija të kaloja nga
kuptimet konkrete të fjalëve të veçanta te domethënia e kësaj shprehjeje.
Prof. S. Riza u mor
intensivisht me autorët e vjetër dhe me shumë entuziazëm punoi për të ndërtuar
kursin special dhe tekstin përkatës për pesë autorët më të vjetër të gjuhës
shqipe: Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi e Bogdani. Punoi me një pasion të
habitshëm për të ndërtuar tekstin “Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe.
Krestomaci thjeshtë gjuhësore”, që u shtyp si dispensë (1961). Teksti tjetër
“Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, të cilin e kishte paralajmëruar
që më 1961, nuk arriti të botohej sa kohë autori i tij ishte punonjës i
Institutit. Ai u përgatit për botim nga prof. Ali Dhrimo dhe u botua më 2002.
Prof. S. Riza edhe në këtë fushë u shfaq krijues dhe kritik. Mjafton të
përmendim analizën kritike që u ka bërë dëshmive të tërthorta për mundësinë e
qenies së një tradite shkrimi parabuzukiane dhe përfundimin e tij se
themelvënësi historik i shqipes së shkruar, krijuesi i traditës shkrimore
kombëtare është Gjon Buzuku. Te vepra e këtij autori, me gjithë mangësitë e
shumta gjuhësore që i vinte në dukje, S. Riza shihte një heroizëm kulturor dhe
bënte një paralele mbresëlënëse: Kundrejt
lavdisë së Gjergj Kastriotit në historinë e popullit shqiptar qëndron madhëria
e Gjon Buzukut në historinë e kulturës shqiptare. Duke e rifilluar këtë
kurs para disa vjetësh në degën e gjuhës shqipe, kam dashur jo vetëm të përmbush
synimin e kësaj lënde për formimin e specialistëve të ardhshëm të gjuhës
shqipe, po edhe të shpreh nderimin tim për mjeshtrin që më përudhi në studimin
e autorëve të vjetër.
S. Riza ishte një
qytetar aktiv dhe optimist për zhvillimin e vendit. Ai kishte besim te
energjitë pozitive të popullit të vet. Në fillim të viteve ’60, prishja e madhe
me Moskën dhe dalja e Shqipërisë nga kolkozi sovjetik përkëdhelën sedrën
kombëtare edhe të inteligjencies së vjetër. Në atmosferën e atyre viteve kur
lindi kënga “Për ty Atdhe” edhe S. Riza krijoi një “Për ty Atdhe” sipas mënyrës
së vet, pikërisht në veprën “Pesë autorët më të vjetër”, që nuk arriti ta
botonte së gjalli. Ai ka shkruar atje:
“Imperialistët botërorë e sidomos ata ballkanikë
serbomëdhenj dhe grekomëdhenj kanë bërë çmos në të kaluarën (e madje edhe sot e
kësaj dite ata vazhdojnë të bëjnë gjithçka) me qëllim që ne shqiptarët të na
zhvishnin nga çdo vetëbesim kombëtar, nga çdo sedër kombëtare, e për pasojë
edhe nga çdo vullnet vetëmbrojtjeje kundër orvatjeve të tyre ekspansioniste
skllavëruese.
Prandaj edhe objektivi numër një i publicistëve e
pseudoshkencëtarëve në shërbim të imperializmit botëror e sidomos atij
ballkanik serbomadh e grekomadh ka qenë pikërisht ky që ne shqiptarëve
ndërgjegjen kombëtare si të thuash të na e infektonin në të njëjtën kohë me dy
komplekse inferioriteti: me atë të forcës
numerike pretendimisht të
shpërfillshme dhe me atë të kulturës kombëtare gjithashtu pretendimisht të paqenë.
Por njëherë Rilindja jonë Kombëtare me Lidhjen e
Prizrenit, pastaj Kongresi i Lushnjës me Luftën e Vlorës, e më tëhu çlirimi i
ynë kombëtar përfundimtar: këto tri kundërgoditje vetëmbrojtëse heroike
shqiptare këtë fushatë imperialiste difamacioni antishqiptar e bënë më në fund
jo vetëm kryekëput të pafuqishme kundër
nesh, por njëherazi edhe përsosurisht të përbuzshme prej nesh.”