Vangjush Ziko: Tri kartolina
| E hene, 21.12.2009, 09:03 PM |
Vangjush Ziko
TRI KARTOLINA
QYTETI KOMETË
Mbi tokë zbriti qielli vetë,
Me yje fasha drite.
Qytet i tërë i ngjan kometës,
Digjet.Digjet.
Digjet.
Në varg veturat porsi magët
Dhurata plot mbartin,urime,
Shtegtojnë magët natën,
Presin të Krishtit lindjen.
Çdo shtrat fëmije pret i shtruar,
Çdo strehëz e shtëpisë
Pret dritëndezur, zgjuar
Të lindë Shpres'e njerëzisë.
NJË VAJZË E VOGËL
Sikush pas xhepit e pas shijes
Zgjedhin dhuratat e Krishtlindjes.
Dikush një glob si topth i vogël,
Dikush veturën lodërz.
Dikush parfumin më të ëmbël
Për dashurinë që ka në zemër.
Dikush për prindin e moshuar
Një shall të ngrohtë për t'u mbuluar.
Një vajz'e vogël me gërshetkë
Shtrëngon në gji të saj një djepkë.
Djepkë si zemra e saj e dlirë
Ku do të tundë Zotin- fëmijë.
SANTA
Drenushi hundëkuq po përplas thundrat,
Nga akujt ka zbritur dhe nga tundra.
Nuk ësht'i thinjur.Është ende i vogël.
Gëzof i tij i zbardhur prej dëborës.
Faqja e Santës nuk skuq prej thëllimit.
E përcëllon prushi i rruzullimit.
Nxito,nxito!,i thotë ai drenushit,
Me thundërzat e njoma përmes prushit.
Me njerëzit s'u mora vesh asnjëherë.
Nxito tek vogëlushët që po flenë.
Nxito,t'iu shpiem shpresëzën e shenjtë,
Të zgjohen për një botë të re tjetër.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.