Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zhargoni i dashurisë, si flasin zemrat tani

| E marte, 09.10.2007, 09:26 PM |


Nga Vitore Nela

Revolucioni i kodit të dashurisë së shqiptarëve. Dikur fejoheshin që në djep, kishin ndihmën e shkuesit dhe shkruanin letra të bukura dashurie. Sot i nisin simpatitë që në kopësht, e shprehin dashurinë me mesazhe celularësh, dhe me kod një çuçuritës përplot fjalë të sheqerosura
Dihet, rënia në dashuari është përvoja më e bukur dhe më e papërsëritshme në jetë. Për ëndrrimtarët romantikë është një gjë e pakuptueshme, misterioze që të mbërrthen e të çon në dalldisje. Ata mendojnë se dashuria është rreptësisht një çështje zemre, diçka që nuk mund të kuptohet, por vetëm përjetohet. Sidoqoftë puna e rëndësishme është t'i krijosh mundësinë vetes për të mësuar nëse është dashuri e vërtetë.

Ata që e kanë kuptuar , kur flasin për të thonë se dashuria është e durueshme,pa smirë, pa krekosje, nuk kërkon të sajat, të mbush me lumturi dhe shoqërohet gjithmonë me fjalë të sheqerosura. Pikërisht,tek kto të fundit,le të ndalemi pak. Për të folur për zhargonin e të dashuruarve, do të duheshin netë të tëra dimri. E po tentonim të bënim një liste më fjalët që ata përdorin, do krijoheshinpafundësi listash. Është kaq e larmishme gjuha e atyre që duhen! Fjalët që dëgjon tek një çift nuk i dëgjon tek çifti tjetër. Vëzhgimi tregoi se deridiku atakanë krijuar një gjuhëtë tyren.

Kështu ka ndodhur edhe me çiftin e vvëzhgimit tonë....

Tani simpatitë nisin në kopsht ......

Çudituni po të doni por "te dashuruar" gjeni dhe në kopsht. Veçseështëforma më e çuditshme e të rënit në dashuri.Ne vëzhguam disa kopshte të kryeqytetit dhe sipas edukatoreve në përgjithësi ata që pëlqehen, kur flasin për njëri-tjetrin thonë : " e kam inat dhe nuk dua të rri me të."Janë tëpër të vegjël për të përdorur fjalë përgëdhelëse por gjestet dhe qëndrimet , tregojnë shumë. Kur mbarojnë kopshtin dhe shpërndahen nëpër shkolla për të filluar klasën e parë, nuk mungon shkëmbimi i numrave të telefonit. Madje, ka nga ata që kanë bërë çmos për të qenë me një shkollë!Ajo dhe Agoni nuk janë më bashkë. Ai ka filluar klasën e parë ndërsa ajo është ende në kopsht se nuk ka mbushur moshën. Edukatoret thonë për të se A... ështëmë e shkathta dhe më capkënja e kopshtit 42. Me pamjen e një intelektualeje të ardhshme refuzon në mënyrë kategorike të flasë me të panjohur. Por kur përmendet Agoni çështja ndryshon. Ndalon, ulë kokën se i vjen pak turp dhe mbulon fytyrënme duar. Edukatorja i thotë një fjalë në vesh dhe ajo nis të pikturojë. " E ka bërë që vjet këtë pikturë dhe më ka bërë shumë përshtypje"-shprehet edukatorja. Ajo çka vogëlushjadizenjoi në fletën e bardhë, janë një çift të dashuruarish shumë pranë e pranë njeri-tjetrit. Me të përfunduar ngjyrosjen nuk harron të shënojë : " Unë" , "Ai" dhe diku nga cepi i letrës"Dhuratë". Është për Agonin,- e pyet edukatorja , A....- pohon duke lëvizur kokën. "Epo mirë, teta gazetarja do t'ia çojë atij."

Si propozohet tani.....

Kush mendon se gjimnazistët e sotshëm i shohin vajzat vetëmpër të bukura e ka shumë gabim. Atapëlqejnë dikë kur veç të tjerash është e shkathët dhe e zgjuar. Emiliano Ferko, gjimnazist i "Asim Vokshit", thotë se nuk ke si ulesh në kafe me një bukuroshe që s'di të lidhë dy llafe.

Kur iu pëlqen dikush të rinjtë gjejnë mënyrën për t'iu afruar. "Kur e njoh disi, kërkoj që ta shoqëroj deri në shpi. Kuptohet, gjatë rrugës filloj ti bëj komplimeta të tipit sa bukur je veshur sot, më dukesh goca më e mirë e klasës, t'i kam fiksim sytë."-thotë Emiliano. Po gocat si reagojnë? Sipas Emilianos nga ata që buzëqeshin pas këtyre fjalëve por edhe nga ata që " të ngjeshin ndonjë grusht". Në rastin kur vajzën që pëlqen nuk e njeh fare Emiliano vepron kështu: " Fus ndërmjetës ndonjë shok që të na uli për kafe dhe pastaj vazhdoj vet." Me shkëmbimin e numrave të telefonit, fillon forcohet lidhja nis arsenali i shprehjeve dashurore. " I shkruaj sms në darkë dhe fjalët më të zakonshme janë : o rrushi im, o shpriti vogël, nuk po më ze gjumi, mesi pres të të shoh. Je edhe më e mirë se Zajmina etj "-thotë gjimnazisti .

Dikur, jo vetëmlidhje që në djep edhe propozime në rrugë....

Edhe pse kanë ndryshuar kohët, ndjenja romantike mbetet një. Tani hezitojnë të flasin por nuk e mohojnë, dikur kanë dashuruar me pasion. Ndoshta nuk kanë pasur një fjalor kaq të larmishëm shprehjesh por kur ndiheshin të përvëluar do të shpreheshin se s'bën. Nëse tani të rinjtënxitojnë për të shprehuar atë që ndjejnë,dikur ishte ndryshe. Fatlumja vëzhgohej për një ose dy muaj me radhë dhe një ditë të bukur ndalohej në rrugë. Djali i thoshte arsyen e ndalesës dhe ajo e vënë në siklet, i thoshte se kishte një shpi dhe një familje. Me një fjalë i linte si me stil hapësirë që të vazhdonte më tej.

Por siç dihet pjesa dërrmuese e gjyshërve tanë janë martuar me ndërmjetës. Por më të veçanta janë lidhjet që në djep. Ndodhte që familjet që shquheshin si derë e mirë dhe iu ecte muhabeti, e forconin miqësinë edhe me lidhje fisnore. Fejoheshin në djep dhe njiheshin ditën e martesës. Shefqet Bardhoshi nga Tirana është thotë se bërë këtë lloj martese. " Familjet i kishin dhënë fjalën dhe ne kur u rritëm ishim të detyruar të martoheshim. Unë se njihja fare e pashë vetëm ditën e martesës. Por gjithmonë kisha frike, mos ishte topalle, e sëmurë , e pahijshme, në fakt rezultoi e përshtatshme"-thotë ai.Po nëse do kishte pëlqyer ndonje tjetër?Asgjë do të kishte mbytur ndjenjën, s'mund të shkelte besën e dhënë.


Dashuri "on air", ja mesazhet që përdoren sot

Sms-të e poshtëshënuara janë të rrëfyera gjatë vëzhgimit nga personat që u pyetën.

SMS 1: Karamele!-ncuq...jo

akullore?! Ncuq , jo pra jo...

sheqer atëherë: -jo jo ....

Dreq....nuk gjej asgjë kaq të ëmbël sa ty...!

SMS 2: Xemla po nisem për Elbasan. Do vij të djelën. Ok kukla ime? Mos u mëzhit. Të djëlëndo rrimë bashkë 24 orë non stop.Puç.

SMS 3:Drenushë fjet? E mirë. Të puth me ndjenjë te gusha e te buza. Gjumë të ëmbël! Tonji

SMS 4:O tutul ( gjoja kukull) pse s'ma vare fare sot? Ç'po bën? Me kë je ? Të thup ( puth) fot.

SMS 5:Arushi, t'uroj që për këtë Vit të Ri, të gjesh një pulë llasticë.Po ti k'të e ke!! Atëherë t'uroj të gjesh një pulë budadhaqe.Po edhe këtë e ke Arushi! Po ti i paske të gjitha Arushi!!!

SMS 6 :Lali si po kalon ? Ende në Gjermani? Të hëngsha zemrën se më ka marrë malli.

Gjovalin Shkurtaj: " Gjuha e të dashuruarve, mikluese dhe krejt vetjake" 

E ka quajtuar zhargonin e të dashuruave si një lule shumë të bukur që me kalimin e viteve ruan formën por jo njomësinë.

Një gjuhë shumë mikluese dhe vetjake që përdoret prej tyre në periudhën më të bukur të jetës dhe që le mbresa përgjithmonë . Në një intervistë enkas për vëzhgimin e fundjavës, profesor Gjovalin Shkurtaj përmend veçoritë e zhargonit të të dashuruarve në vendin tonë.  

 Profesor, fillimisht sa e larmishme është gjuha shqipe ?

Gjuha është një për të gjithë por është edhe shumë e larmishme. Pikërisht kjo bën që ajo as të mos vjetërohet dhe as të mos bëhet e papërdorshme. Gjuhët lindin edhe mund të vdesin por këto kanë të bëjnë me shoqërinë. Sa kohë që kjo e fundit është e gjallë , ka veprimtari shoqërore, politike dhe veprimtari në të gjitha fushat e tjera të jetës, ajo  zhvillohet dhe shkon duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë. Në sociolinguistikën e sotme, përgjithësisht në gjuhësi dihet se domosdoshmëria për zhvillim gjuhësor lind mbi bazën e domosdoshmërisë shoqërore. Pra nëse shoqërisë i del kjo nevojë ajo duhet ta plotësojë atë me mjetet që ka ose duke krijuar mjete të tjera. Dhe gjuha pikërisht kështu vepron, zhvillohet për t'iu përgjigjur nevojave të shoqërisë.Por gjithashtu gjuha është e larmishme dhe në hapësira të ndryshme për motive të  ndryshme  sipas një çelësi që quhet sot celësi i sociolinguistikës i Joshua Fishmanit.  Që do të thotë  gjuha është e larmishme sipas këtyre pyetjeve :

Kush flet? Me kë flet ? Ku flet? Kur? Për çfarë? Dhe në cilin varietet gjuhësor ?

Po në veçanti për zhargonin e të dashuruarve ç'mund të thuhet?

Zhvillimi i një zhargoni ndodh edhe  tek grupi i të rinjve në moshë. Ashtu siç zhvillohet tek  fëmija duke marrë modelin gjuhësor në familjen përkatëse ,duke u mikluar duke u zbunuar dhe përkedhelur nga mjedisi familjar me gjuhën e tij. Nënat zakonisht u japin fëmijëve modelin e të  folurit por edhe i përkëdhelin, bëjnë sikur flasin si fëmijë. Flasin me ta në gjuhë fëminore, në të famshin baby-talk. Kjo mënyrë të foluri përdoret nga prindërit për të përkëdhelur fëmijët.

Dhe për të ardhur në një kohë tjetër, që është koha më e bukur e njeriut, mosha kur një rritet , fillon të piqet dhe fillon të krijojë ndjenja romantike . Pra kur njeriu gjen partnerin ideal  me të cilin mendon të kalojë jetën . E thënë në kuptimin tradicional të fejohet dhe martohet ndërsa në kuptimin e  sotshëm të bashkëjetojë. Në këto raste komunikimi i tyre nuk është vetëm zyrtar, por edhe me një fjalor komplet të tyrin. Kuptohet para nëpunësit të gjendjes civile ata do t'i përgjigjen pyetjes në gjuhën standarde : Zonja X e doni për martesë zotin Y. Dhe përgjja : Po ose Jo .Pa pasur nevojë të lëshojë gjithë arsenalin e thënieve dashurore. Të tipit thuaj dielli u shua, thuaj  hëna nuk është zjarr.etj.... . Këto thënie rezervohen për çastet kur janë vetëm për vetëm, sy për sy, ballë për ballë dhe në këtë rast gjuha më tipike  e të dashuruarve  është rikthimi tek të përkëdhelurit e  tipit fëminor.

Cila është veçoria e këtij zhargoni?

 Nga anketat e bëra në sociolinguistikë jo vetëm këtu , por edhe në botën e jashtme rezulton që të dashuruarit kanë një gjuhë që është krejt personale, krejt vetjake . Një onomastikë trupore, si të thuash  vetjake. Në raportet e tyre, shkëmbimet e tyre  dashurore përdorin një gjuhë  shumë mikluese, shumë përkëdhelëse . E përbashkëta për të gjithë është se u rikthehen përkëdheljeve fëminore. Përdorin zbunime të tilla si zemra por e thonë edhe zemla. Në vend të shpirti im , hera-herës e thonë edhe piti im.

Pra rikujtojnë diçka nga fëmijëria e tyre, nga ato që i kanë pasur si përkëdheli nga mjedisi familjar dhe i vënë në zbatim pikërisht në këto çaste.  Mund të jetë çast  i përkohshëm, por sidoqoftë është  më mbreslënës në jetë. Elementi i ligjërmit të të dashuruarve  ose zhargoni i tyre është si një lule shumë e bukur për një periudhë të caktuar të jetës, që më vonë mbetet si ajo lulja e pikturuar në faqet e një libri. Si të thuash ruan format por jo njomështinë. Të gjithë kujtojnë edhe kur arrijnë një moshë të thyer se edhe ata kanë folur dhe çuçuritur me njëri-tjetrin ashtu si te rinjte e sotem. Është mëse  normale që një i ri dhe një e re të flasin në gjuhë që s'është kursesi standarde. Mund të mos jetë as dialektore por një gjuhë e shpikur, një gjuhë e tyrja .

Si ndryshon zhargoni i të dashuruarve në krahina?

Në fakt, ka krahina që janë më të hapura dhe kanë një lejim më të madh në shprehjen figurative të dashurisë.Kjo pasqyrohet edhe në këngët popullore. Ka zona të cilat kanë këngë popullore të buta . P.sh pjesa e Shqipërisë veriore, e cila ka qenë tradicionalisht katolike e paprekur nga pushtimet dhe ndërrimi i fesë, është më e zvilluar në zhvillimin e shprehjes. Ka më shumë këngë që janë " për t'u mahitur". Është një varg i këngëve të kreshnikëve që ua komentoj edhe studentëve . Një rapsod para se të fillojë këngën  për dashurinë thotë : " Lamë trimnitë e marrim mahitë. Nusja e çika shkojnë në krue,djali mbrapa ju ka vndue. Ndal syzezë me fol me mue."

Por edhe jugu ka shumë këngë të buta, Labëria fshatare është shumë e pasur me këngë popullore që i këndojnë bukurisë së femrës.

Megjithatë karakteri i gjuhës së të rinjve në një farë mënyre dallohet edhe sipas krahinave. Ka krahina që janë më fjalëpaka dhe ka krahina që janë më fjalëshuma. Disa kanë më shumë liri shprehjeje dhe shaka, ndersa ka disa  zona që për probleme të tilla ka pasur më shumë tabu. Në krahina  le të themi mirëfilli të hershe shqiptare, të paprekura nga ndikimet e huaja, ka pasur një evropianizim më të madh,  një liri më të madhe të shikimit, të takimit dhe të fjalës pa të keq. Malësia e veriut për shembull, përgjithësisht malësia e Mbishkodrës ka pasur një liri më të madhe për vajzat. Pra një femër mund të takohej me një djalë, t'i jepte dorën. Ose ta përqafonte kur kthehej nga ushtria, gjithmonë në mënyrë shoqërore për t'i shprehur mallin. E kam fjalën për  idenë  e përqafimit jo për dashuri por për t'i shprehur nderim dhe respekt.

Ku dallon zhargoni i viteve më parë nga zhargoni i ditëve të sotme ?

Sot kemi parasysh që  fjalët dhe ndjenjat shprehen edhe nëpërmjet çatëve dhe internetit . Pra kanë ndryshuar metodat.  Dikur shkruheshin letrat e dashurisë dhe  mendohej të viheshin në letër fjalët e zemrës.Njerëz që nuk dinin të shkruanin i thoshin një shoku ose një personi tjetër, më shkruaj një letër. Po të bëjmë një karahasim ato, ishin si puna e  serenatave që  bëhëshin nga dikush tjetër, në emër të dikujt tjetër. Letrat kanë pasur një karakter të tillë të foluri që në shkrim duheshin figura letrare siç mund të përmendim  si mu dogj zemra, jam i përvëluar etj.

Ndërsa rininë  e sotme e  karakterizon  shprehja më e lirshme, madje ndodh që janë më vulgarë se dikur. Dmth elementet e të folurit të të rinjve dikur kanë qenë më pak lënduese dhe pa fjalë të ndyra. Sot në zhargonin e të rinjve nuk mungojnë edhe fjalë të ndyra por ky është një fenomen i përbotshëm, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Nderkaq, sikunder thame, eshte edhe dukuri kalimtare.Nuk zgjat per gjithmone.

Po zhargonin e ndërmjetësave çfarë e karakterizonte?

Vërtet dikur martesat bëheshin edhe  me ndërmjetës, i cili diku quhet mësit- mësiti dhe diku tjetër  ndërmjetës- ndërmjetësi apo shkues-shkuesi, mblesës etj.. Ideja e ndërmjetësit është ideja e atij që flet pa emocione për emocionet e dikujt tjetër. Pra një djalë i ri në kushtet e një hapësire,situate ekonomike politike që ishin të mbyllur, kanunore, pa shkollë etj. sigurisht nuk ishte e lehtë që të fliste aq bukur sa t'ia mbushte mendjen një vajze për t'u martuar me të. Këtu hynte në skenë ndërmjetësi, i cili është dikush që di të flasë bukur dhe ka ndonjë lidhje me të dy palët. I drejtohet të atit të vajzës dhe i thotë se ka ardhur për të kërkuar vajzën  për djalin e filanit. Për të flet se është djali i mirë, i pashëm dhe që janë  derë e mirë. Ata janë tre vëllezër por janë si tre luanë,përdor krahasime për të lavdëruar atë derë.  Pra, në një farë mënyre, shkuesi  kthehet në profesion dhe  jo gjithkush mund ta bëjë punën e ndërmjetësit. Edhe pse dikush mund të  ishte burrë i mirë e i nderuar , nuk i shkonte fjalë në këto punë. Duhet të ishte dikush,  që lëvdon bukur por pa mashtuar për cilësitë.  Ndërhyn duke thënë :Atij i pëlqen por smund të thotë gjë se kështu e do tradita. Pra ideja e mësitit është ideja e fjalëmirit.  Sidoqoftë nuk mund të shenjtërohët ajo praktikë, sepse mënyra më e mirë mbetet njohja vetjake. Edhe pse karakteri i martesave me ndërmjetës nuk ka qenë negativ, sepse në pjesën më të madhe të rasteve, fjalët e tij kanë dalë të vërteta.  Sidoqoftë, pjesa më interesante e fejesave e martesave mbetet etnografia në përgjithësi, veshja, zbukurimet dhe etnografia e të folurit, dmth. urimet, formulat e ngurosura rreth trashëgimit, shtimit të familjes etj.

  Edhe gjatë të ngrenit e te pirit, si krahinat e veriut, ashtu edhe ato te jugut, kanë larmi e begati mënyrash të thëni me bukuri mahnitëse e me vlerë njohëse edhe për gjuhësine, po edhe për psikologjinë sociale të kombit shqiptar.Për këto gjëra kam shkruar gjerë e gjatë edhe ne librin tim "Etnografia e të folurit te shqipes"

Shekulli