Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV)

| E shtune, 19.12.2009, 10:55 PM |


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Rexhep Qosja avokat i Titos!


Në një intervistë që është botuar në “Gazetën Shqiptare”, akademik Raxhep Qosja u përgjigjet një sërë pyetjesh që tentojnë të riaktualizojnë polemikën e tij me Ismail Kadarenë që fokusohet në identitetin e shqiptarëve dhe përthyerjen brenda kulturës e besimeve të tyre të vlerave oksidentale dhe orientale.
Kësaj herë, topin e një orteku të ri të mundshëm të polemikës e hodhi Qosja me një deklaratë në panairin e librit në Ulqin, ku sulmoi ashpër Kadarenë pse ky kishte kërkuar që të “rishkruhet” historia e letërsisë shqipe.
Në një pjese të intervistës për
GSH, Qosja, i provokuar të marrë qëndrim, jep një përgjigje tepër “interesante” dhe arsyetuese për figurën e Titos, e cila shqiptarët e Kosovës është e pamundshme të mos i ketë irrituar deri në  pezëm, sidomos ata që kaluan qindra e mijëra vjet burgjesh e skëterrash të Titos, disa nga emrat e të cilëve do t’i sjellim pak më vonë. Atë që e thotë Qosja si mbrojtje për Titon, tregon se sa pak i ka interesuar fati mizor i dhjeta mijëra shqiptarëve nëpër këto burgje. Ai e arsyeton Titon nga pozicioni i tij pa popull, me të gjitha privilegjet e tij njëmend të mëdha në periudhën e tij titiste. Po e sjell një pjesë të kësaj interviste, marrë nga gazeta “Express”, Prishtinë, me një përpjekje modeste analize.
Admirina Peçi: Një prej polemizuesve në Tiranë, Sadik Bejko, pas këtyre deklaratave ju akuzoi se ju i keni thurur lavde Titos, (pushtuesit sipas tij) në kohën kur Kadare mbështeste revoltat kosovare të ’81-shit. A keni një përgjigje publike për këtë?
Rexhep Qosja: Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave që më sulmojnë, do të më duheshin së paku tridhjetë daktilografë.
Admirina Peçi: Megjithatë, keni pasur një deklaratë për Titon...
Natyrisht, edhe pse i zënë ngushtë nga kjo këmbëngulje e gazetares, ai duhet të përgjigjet. Brenda vetes trillon “sinqeritetin” e guximshëm të pranimit pa asnjë pendesë, e cila, po të ndodhte, do të ishte mirëkuptuar denjësisht nga të gjithë. Që të mbulojë ato që kishte shkruar për Titon, në përgjigjen e tij vajti edhe më larg, që më nuk kishte të bënte as me turpin, as me pendesën, por që me trimërinë e tij kalorësiake të shpërfillë gjithë historinë natë të shqiptarëve nën regjimin e tërbuar të Titos.

Rexhep Qosja: Kam dhënë në muajin maj më 1980-ën, në vitin e vdekjes së Titos dhe gati një vit para demonstratave të studentëve tonë në mars të vitit 1981, një deklaratë për vdekjen e Titos, të cilit nuk ia kam përmendur kurrë emrin për së gjalli. Atë deklaratë natyrisht do ta nënshkruaja edhe sot. Nuk kam qenë as titist, as enverist. Koncepti im mbi lirinë dhe humanizmin gjithmonë është frymëzuar nga veprat e filozofëve e shkrimtarëve të mëdhenj e jo nga regjimet politike. Por, sot, kur po shoh çka po shoh dhe kë po shoh në politikë, duke vjedhur e plaçkitur e shfrytëzuar, më vjen dëshirë të flas mirë e më mirë edhe për Titon edhe për Enverin. Titoja nuk e ka pushtuar Kosovën – e ka gjetur të pushtuar prej Serbisë. Titoja e ka thënë menjëherë pas luftës në bisedë me Enver Hoxhën se do të pajtohej me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por këtë nuk do ta lejonte Serbia. Titoja i ka thënë Fadil Hoxhës në vitin 1968 se do të pajtohej që Kosova të bëhej republikë, por kjo do ta çonte në këmbë Serbinë. Në sajë të përkrahjes së Titos, Fadil Hoxha, me një numër të udhëheqësve të tjerë shqiptarë, e ka çuar Kosovën deri aty ku e gjeti terrori serb posa vdiq Titoja: me autonomi të vitit 1974, me Universitet, me Akademi të Shkencave e të Arteve, me Institutin Albanologjik dhe me Institutin e Historisë, me shumë botime, revista e gazeta, me urbanizim të shpejtuar të Kosovës, me gjuhë letrare kombëtare, me numër të madh të shkollave fillore e të mesme, me spitale e klinika , me arte dhe shkencë gjithnjë e më të zhvilluar, në të cilat nuk bënte kërdinë realizmi socialist... Për të gjitha këto arsye prej vdekjes së tij e deri sot, në Serbi nga autorë serbë dhe miq të Serbisë janë botuar mija artikuj, studime, vjersha, drama, vepra historike përplot urrejtje për të. Jo rastësisht Lordi Kerington, përfaqësuesi i Evropës në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Jugosllavisë në vitin 1991, do të deklarojë: tani po e kuptojmë se me kë krejt kishte punë Titoja dhe sa i madh ishte ai.

Të nisemi nga pyetja dhe nga përgjigja e parë.

Admirina Peçi: Një prej polemizuesve në Tiranë, Sadik Bejko, pas këtyre deklaratave ju akuzoi se ju i keni thurur lavde Titos, (pushtuesit sipas tij) në kohën kur Kadare mbështeste revoltat kosovare të ’81-shit. A keni një përgjigje publike për këtë?
Rexhep Qosja: Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave që më sulmojnë, do të më duheshin së paku tridhjetë daktilografë.
Është përgjigje, apo tentimikjeje nga përgjigja? Të dyja janë njësoj. Të dyja këto shpalojnë thelbin moral të intervistëdhënësit. Qosja thotë “Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave që më sulmojnë, do të më duheshin së paku tridhjetë daktilografë”, përgjigje kjo që brenda vetes, përveç përpjekjes së tij që me sulme të heshtë mundësinë e përgjigjes për thurjen e lëvdatave nga ai të pushtuesit Tito, nivel më të poshtëm nuk mund të gjendet. Ai s’ka përgjigje. Kjo nuk është përgjigje. Është boshe, është britmë e mllefosur. Kjo është britmë e tij e pavetëdijshme? Ose është vetëdije e tij britmë. Britmë e mësuar fyerjesh, cinike, e thënë ashtu në vrap. Në vrapin e tij të zakonshëm për të fshehur vetveten e tij të vërtetë, të atij të frymëzuari nga perandori i tij Tito. Në vrapin e ritmit që ia diktojnë pareshtur tundimet e tij të brendshme, siç thotë Frojdi, para të cilave ai shtrihet i tëri dhe bie pre e tyre. “Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave...”, ç’është kjo që thotë kështu? Asgjë fytyrëbardhë. Filozofi krrokamash. Kush janë sadikat e tjerë, të cilëve ky iu paska përgjigjur ose nuk iu ka përgjigjur deri tash? Asnjërit nuk iu ka përgjigjur ashtu siç e kërkojnë përgjigjet e dinjitetshme prej akademiku. Në vend të saj ai ka sharë e shanë, ai ka rrënuar e rrënon, ai ka denoncuar dhe denoncon, ai s’ka thënë e nuk thotë asgjë të mbarë, diçka pak më njerëzore, diçka pak më intelektuale, për individë e personalitete të dëshmuara krijuese e intelektuale. Ai trillon e shpifë dhe vargëzon të pavërteta fyese. Ai mendon se fyen, se ka këtë gjenialitet si parim. E “keqja” është se ai nuk arrin më të fyej askënd. Ai arrin që të tjerëve t’u dhimbset dhe të bëjnë çudira dhe barsoleta për të. Në këtë pyetje të gazetares Admirina Peçi ka mundur të përgjigjet me një JO. Sa i madh do të dukej me këtë përgjigje Qosja. Por, edhe nëse do të thoshte PO, atëherë nëpërmjet saj do të mund të ironizonte në masën e duhur intelektuale edhe kundërshtarin e mendimit të tij, z. Sadik Bejko (e sadikat e tjerë), që është hiç më pak se një koleg i tij i profesionit, duke shtuar gati në heshtje edhe një gjysmë kuptimi tjetër: Kësaj radhe mund t’i them se e ka gabim që më sulmon! Por ai thotë “Po t’ju përgjigjesha edhe sadikave që më sulmojnë, do të më duheshin së paku tridhjetë daktilografë”! Kaq shumë sadika paska që e sulmuakan këtë akademik, kurse ky prapëseprapë nuk rresht së menduari se ai, dhe vetëm ai, e ka mirë, se ai, dhe vetëm ai, ka të drejtë të mbjellë megjat e mendimit?

Megjithatë, mund të shtrohet dhe një çështje tjetër: cilët janë ata që për të nuk janë sadika dhe për të cilët nuk i nevojiten 30 daktilografë që t’u përgjigjet? Janë fare pak. Të rrallë janë ata që duan të polemizojnë me të. Z. Qosja mendon se ka arritur t’i heshtë, ose se ka krijuar mbi të gjithë pushtetin e tij të mendimit të sertë dhe i ka bërë të mos ndihen të gjallë. Por nuk është kështu siç mendon egoja e tij e “lartë shkencore”. Nuk duan të polemizojnë me të në masën e kërkuar, sepse shumë intelektualë, që e njohin tashmë shkallën e tij të inatshme të qëndrimit, nuk duan të bien më në nivele të tilla, jo të polemikave të rëndësishme e të shëndosha të shumë temave me interes, por të zënkave banale, të mbushura me shantazhe dhe me britma të sëmura. Edhe ata që i marrin intervista këtij akademiku, që i botojnë shkrime këtij akademiku, nuk e kanë hallin e tij, nuk u binden thashethemeve të tij, por duan që nëpërmjet sëmundjes së tij të shfryjnë tundimet e tyre ndaj të gjithë atyre që, njësoj si Qosja, nuk i duan. Ndaj dhe e shfrytëzojnë për vete. Polemizuesit, siç janë “sadikat”, nuk e urrejnë Qosjen. Përkundrazi, e duan dhe nga kjo ndjenjë përpiqen t’ia rregullojnë mendimit, t’ia shkarkojnë mllefet, t’ia herrin sa më shumë që të jetë e mundshme alogjiken, egoizmin e sëmurë, etj. Kështu bëjnë vetëm miqtë. Vetëm miqtë e tillë nuk e lënë vetëm dhe në vetmi kaq të thellë këtë akademik, i cili bredh si në jerm vetëm brenda kumbimit të krrokamave të veta “filozofike”, “shkencore”, “atdhetare”, duke eliminuar gati fundërrisht të gjitha mendimet dhe dijet shumë më të thella dhe shumë më të përparuara të të tjerëve, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  

Kjo është njëra anë e sulmit kundër “sadikave” dhe këtë sulm e bën për t’i ikur përgjigjes në pyetjen kryesore të gazetares Peçi se Sadik Bejko “ju akuzoi se ju i keni thurur lavde Titos”, e cila detyrohet të këmbëngulë në përgjigjen e tij: Megjithatë, keni pasur një deklaratë për Titon..., pyet serish ajo.

Po cila ishte përgjigja e tij në këtë pyetje këmbëngulëse të gazetares?

Kam dhënë”, përgjigjet ai në fillim, “në muajin maj më 1980, në vitin e vdekjes së Titos dhe gati një vit para demonstratave të studentëve tonë në mars të vitit 1981, një deklaratë për vdekjen e Titos, të cilit nuk ia kam përmendur kurrë emrin për së gjalli. Atë deklaratë natyrisht do ta nënshkruaja edhe sot. Nuk kam qenë as titist, as enverist. Koncepti im mbi lirinë dhe humanizmin gjithmonë është frymëzuar nga veprat e filozofëve e shkrimtarëve të mëdhenj e jo nga regjimet politike. Por, sot, kur po shoh çka po shoh dhe kë po shoh në politikë duke vjedhur e plaçkitur e shfrytëzuar më vjen dëshirë të flas mirë e më mirë edhe për Titon edhe për Enverin. Titoja nuk e ka pushtuar Kosovën – e ka gjetur të pushtuar prej Serbisë.

Në radhë të parë duhet thënë se është e drejtë e tij morale ta donte e ta dojë, qoftë edhe me demagogji Titon e tij, e të shkruante hiperbolën më servilizuese, më të pavërtetë dhe më kundërhistorike për të, të cilën, natyrisht nuk e kishte thënë dhe nuk e kishte shkruar asnjë shqiptar, qoftë i thjeshtë a intelektual, qoftë politikan a shërbëtor i tij. Në radhë të dytë, është po ashtu e drejt e tij e pamohueshme të gënjejë se kurrë nuk ia kishte përmendur emrin për së gjalli, sepse po të mos ia kishte përmendur kurrë emrin për së gjalli, ai nuk do të kishte qenë aq i frymëzuar sa të shkruante një deklaratë të tillë aq pështirosëse në ato kohë e periudha aq të zorshme për jetën dhe punën e shqiptarëve në Kosovë e gjithandej nën pushtimin jugosllav, të cilin e udhëhiqte Tito. Në radhë të tretë, ai kishte dhe ka të drejtë ta nënshkruante e ta nënshkruaj një deklaratë të tillë për Titon edhe sot, edhe pse nuk paska qenë as titist, as enverist. Është e drejtë e tij morale, edhe pse nga Tito vuante i gjithë populli shqiptar nën regjimin e tij politik. Në radhë të katërt, ai kishte dhe ka të drejtë të ndërtonte dhe të ndërtojë konceptin e tij mbi lirinë dhe humanizmin në sajë të frymëzimeve nga veprat e filozofëve e të shkrimtarëve të mëdhenj e jo nga regjimet politike dhe jo nga vuajtjet mizore të popullit të tij nën robërinë e këtij regjimi të Titos. Në radhë të pestë, vetë Qosja thotë se kurrë nuk ia kishte përmendur emrin Titos për së gjalli. E kuptoni? Gjithë ato të bëma trishtuese të Titos mbi popullin shqiptar të Kosovës, mbi intelektualët dhe krijuesit (le t’ia kujtojmë së paku, si shembull, mbytjen mizore nga ky regjim të poetit Fazli Grejçefci), kurse ky as ia paska përmendur emrin për së gjalli, që do të thotë se fjala e tij patriotike, e dashur, e madhe, qoftë e thënë, qoftë e shkruar, paska qenë e është vetëm një teori tallëse ndaj të gjitha viktimave pa zënë në gojë asnjëherë emrin e Titos dhe të regjimit të tij kriminel, qoftë si qortim, qoftë si regjistrim, qoftë si reagim! I thuri lavde qiellore vetëm kur ai vdiq dhe për herë të parë ia paska përmendur emrin, në mënyrë që pasardhësit e Titos të bindeshin se ai, as kishte qenë, as ishte si shqiptarët e tjerë, armiq të përbetuar të një regjimi të tillë shtypës e robërues. Një lavd i tillë është mjaft shpjegues se ai nuk ishte armik i regjimit politik dhe okupues të Titos, siç ishin patriotët dhe atdhetarët e tjerë shqiptarë, që sakrifikuan jetën dhe u dërrmuan për çështje të mëdha kombëtare, siç ishin çlirimi dhe liria. Këta të fundit vazhdimisht ia përmendnin emrin Titos si fajtorin më gjakatar të këtij regjimi. Qosja, duke mos ia përmendur “kurrë emrin për së gjalli”, të gjitha barbaritë mbi shqiptarët i kishte miratuar dhe ishte pajtuar me një politikë të tillë shfarosëse!

Lidhur me këtë që deklaron në këtë intervistë, mbase duhet t’i thuhet se kishte dhe ka të drejtë të plotë, sepse filozofët dhe shkrimtarët e mëdhenj, nga të cilët ai frymëzohej, sigurisht paskan jetuar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe, prandaj, ka gjetur te ta frymëzimin e qetësisë humane ndaj regjimit politik e kolonialist të Titos! Ose, duke vajtur pas këtyre frymëzimeve, që tash i tregon si përgjigje përrallash, shpalon të vërtetën tjetër se edhe ai, njësoj si filozofët dhe shkrimtarët e mëdhenj, s’ka jetuar fare me fatet e popullit shqiptar në Kosovën e pushtuar deri në palcë. Mjafton që këta filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj e kanë frymëzuar që të formojë konceptin e tij mbi lirinë dhe humanizmin dhe jo nga regjimet politike. Çfarë ka bërë regjimi politik mbi lirinë e shqiptarëve nën regjimin politik të Titos, sipas përgjigjes së tij, nuk i ka interesuar fare. Ai e ka jetuar jetën e tij të plotë mbi vdekjet dhe mundimet e popullit të tij nga regjimi politik i Titos. Meqenëse ka ndërtuar konceptin e tij mbi lirinë dhe humanizmin nga frymëzimet që ka vjelë nga veprat e filozofëve e të shkrimtarëve të mëdhenj dhe jo nga regjimet politike, realisht ai ka qenë dhe është edhe titist, edhe enverist, regjimet e të cilëve nuk e kanë prekur dhe nuk e kanë frymëzuar që të jetë edhe ai kërkues i lirisë, si gjithë populli i tij në Kosovë dhe ai në Shqipëri. Kush mund t’i kishte faj popullit shqiptar nën Jugosllavi, që ishte prekur deri në shkatërrim nga regjimi politik i Titos, kur kishte mundësi të frymëzohej nga veprat e filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj e të ndërtonte konceptin e tij mbi lirinë dhe humanizmin, duke shprehur vullnetin e tij filozofik e krijues që të rronte i qetë, që të vdiste pa rezistencë nga torturat johumane, që të pajtohej filozofikisht me të padrejtën që u sillte regjimi barbar i Titos? Pse, së paku ky popull nuk e lexonte Qosjen, këtë Hije të Zotit, që ishte dhe është aq i madh, sepse frymëzohej nga filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj (sepse kështu ai dëshiron të shihet edhe vetë i madh) se si duhej të frymëzoheshin dhe pastaj të kishin, siç e kishte Qosja, atë koncept të mrekullueshëm mbi lirinë dhe humanizmin, që do t’i bënte këta shqiptarë, edhe pse të pushtuar, aq të lumtur? Pse nuk frymëzoheshin kështu, por e kërkonin me aq rezistencë “dehumane” lirinë e tyre nga regjimi politik i Titos? Për filozofët dhe shkrimtarët e mëdhenj, nga të cilët qenka frymëzuar Qosja, robërinë apo të drejtën e kërkesës së një populli për liri e çlirim nuk i paskan pasur frymëzime të filozofisë së tyre, apo motive të krijuesve e shkrimtarëve të mëdhenj, por vetëm frymëzim për pranimin e qetë të robërisë, si liri humane robëruese dhe thurje odash për kryepushtuesit e tërbuar? Prandaj, me një frymëzim të tillë dhe nga një frymëzim i tillë, Rexhep Qosja krijoi figurën e Titos, nga një pushtues të egër, në një meteor botëror!

Ëndrra e tij titiste, dashuria e tij për të, nuk përfundoi te Qosja atëherë kur Titon e mori vdekja nga jeta e tij e mëkatshme dhe harbute. I mësuar të rrojë në paqe të rehatshme privilegjesh të fituara jo vetëm nga dija e tij, por më shumë nga besimi që kishin në të kuadrot e LKJ-së së Titos, tash nuk mund t’i durojë as ata që i sheh në politikë. “Por, sot, kur po shoh çka po shoh dhe kë po shoh në politikë duke vjedhur e plaçkitur e shfrytëzuar më vjen dëshirë të flas mirë e më mirë edhe për Titon edhe për Enverin”, vazhdon Qosja në dy paralele të njohura: njëra ka të bëjë gjithnjë me vetveten titiste dhe enveriste, kurse paralelja tjetër e kësaj që thotë, ka të bëjë me urrejtjen që ka ai ndaj politikanëve që udhëhoqën popullin kur ishte më së zori në vitet nëntëdhjetë deri te çlirimi i saj nga okupimi serb. Ishte mësuar të jetë i privilegjuar vetëm nga politikanët e Titos dhe kur i sheh këta dhe kë e sheh në politikë, i vjen të flasë “mirë e më mirë edhe për Titon edhe për Enverin”. Sipas kësaj që thotë si përgjigje, Tito as nuk paska vjedhur, as nuk paska plaçkitur, as nuk paska shfrytëzuar asgjë dhe askënd! Njësoj paska qenë edhe Enver Hoxha për të cilët këtij akademiku i vjen dëshira të flasë mirë e më mirë, pavarësisht se Tito e plaçkiste Kosovën pamëshirshëm, pavarësisht se Tito ua vidhte pandalshëm dhe në mënyrë më të egër lirinë e shqiptarëve, pavarësisht se Tito po ua vidhte shqiptarëve vendin e tyre dhe popullin po e dëbonte në kontinente të tjera. Dhe, menjëherë pas kësaj, sikur i bie ndërmend të shtrojë “faktin” e madh shpëlarës dhe duke u ngutur thotë: “Titoja nuk e ka pushtuar Kosovën – e ka gjetur të pushtuar prej Serbisë”. Ky konstatim i tij është i saktë. As historianët e njëmendtë këtë nuk mund ta thonë ndryshe. As etërit tanë s’e kanë thënë ndryshe, do të thotë nuk kanë thënë se Kosovën e ka pushtuar Tito. Ai e mbajti të pushtuar si kujdestar i fryteve pushtuese serbe dhe deshi ta pushtonte edhe Shqipërinë duke e bërë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe për pak nuk ia doli. Ai nuk qe, vërtet, pushtues i Kosovës. Ishte ripushtues i saj. Ishte dhe një kujdestar i rafinuar i këtij pushtimi e i këtij ripushtimi, regjimi politik i të cilit ishte një aparat brutal kundër shqiptarëve, të cilin, natyrisht Rexhep Qosja nuk e pa, sepse frymëzohej nga veprat e filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj e jo nga regjimi politik i Titos.

Tito, sipas Qosjes, i paska thënë menjëherë pas luftës Enver Hoxhës se pajtohej që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, por këtë nuk do ta lejonte Serbia (e vërteta është se në këtë kohë Tito përpiqej që Shqipërinë ta bënte republikë të shtatë të Jugosllavisë e jo që Kosova t’i bashkohej natyrshëm Shqipërisë. Jam i sigurt se këtë e di edhe Qosja, por e thotë ndryshe ngase kërkon që Titon ta bëjë sa më të madh, si arsyetim të dashurisë ndaj tij). Tito, prapë sipas Qosjes, i paska thënë Fadil Hoxhës në vitin 1968 se do të pajtohej që Kosova të bëhej republikë, por kjo do ta çonte në këmbë Serbinë.

Këto që thotë Qosja, vërtetojnë historikisht se një gënjeshtër e tillë historike edhe po të ketë qenë kështu, siç thotë ai i mahnitur nga dorëshlirësia pushtuese e Titos, del se ky i fundit qetësinë jugosllave dhe mbi të gjitha të Serbisë, e kishte ndërtuar mbi sakrificën shqiptare, që si popull rronte nën Jugosllavi dhe se Tito nuk ishte tjetër përveç se një kujdestar i okupimit serb të Kosovës, një kujdestar i egër dhe mashtrues ndërkombëtar. Në të dy rastet, me Enverin dhe me Fadilin, Tito qenka kërcënuar me Serbinë! Qetësinë e Serbisë ai e siguronte me robërinë, me pushtimin dhe me ripushtimin e shqiptarëve dhe të gjeografisë së tyre. Qetësinë e popullit dhe të vendit shqiptar të robëruar në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi... Tito e ruante me burgje, dëbime për në Turqi të qindra mijëra shqiptarëve dhe, në anën tjetër, me shërbëtorë të frymëzuar shqiptarë që sakatonin çdo përpjekje a ide patriotësh, të cilët flijuan aq shumë. Në cilën periudhë u organizua aksioni i armëve kundër shqiptarëve? Në periudhën e Titos. Në cilën periudhë ngjau masakra e Tivarit? Në periudhën partizane të Titos. Në cilën periudhë u mbushën burgjet jugosllave me shqiptarë dhe i cilës periudhë ishte Goli Otoku i tmerrshëm, ku në mënyrën më të egër, më çnjerëzore trajtoheshin të burgosurit shqiptarë, që nuk ishin  kriminelë, por ishin ata që kërkonin lirinë e Kosovës dhe çlirimin e saj nga okupimi jugosllav? Në cilën periudhë ngjau trysnia ndërkombëtare, që erdhi nga civilizimi perëndimor, që të prante deri diku trajtimi çnjerëzor i shqiptarëve, që u emërua si aksion ndaj “deformimeve”? Nga periudha e Titos. Kur i tha Tito në vitin 1968 Fadil Hoxhës, se do të pajtohej që Kosova të bëhej republikë, por “kjo do ta çonte në këmbë Serbinë”? Qosja thekson vetëm vitin 1968, por nuk e saktëson (nuk i intereson, mbase) se kjo kishte ngjarë pas demonstratave të studentëve shqiptarë. I tronditur në sytë e botës dhe të civilizimit perëndimor nga demonstratat e drejta, krejtësisht legjitime të studentëve shqiptarë, Tito mashtroi të mashtruarin e vullnetshëm, Fadil Hoxha, me ofertën e gënjeshtërt për Kosovën republikë, që ishte edhe njëra nga kërkesat e para të demonstruesve dhe pas kësaj filluan arrestimet e intelektualëve dhe të patriotëve të tjerë shqiptarë, siç ishte edhe Rezak Shala. Megjithatë, këto demonstrata sollën në Kosovë rezultate jo të pakta. Nuk ishte Tito ai që i solli këto, siç pretendon t’ia mvesh atij si mundësi për ta shpëlarë atë nga krimi i vazhdueshëm mbi shqiptarët, por ishte rinia shqiptare e Kosovës, e cila kërkonte status të barabartë me të tjerët. Nuk ishte regjimi politik i Titos, nga i cili nuk “frymëzohej” Qosja, që po bëhej më “njerëzor”, por ishte trysnia ndërkombëtare mbi këtë regjim pushtues e barbar mbi shqiptarët. Është e drejtë e Qosjes ta lartësojë e ta dojë Titon, siç është e drejt e tij ta mallkojë popullin e tij, të cilin e ka mallkuar publikisht pse i vinte i tëri prapa kryetarit të Kosovës së lirë, dr. Ibrahim Rugova. Nuk është i vetmi që ka këtë nostalgji. Është dhe Veton Surroi ai që popullin shqiptar në Kosovë e quajti fashist, në kohën kur nënat e baballarët kërkonin fëmijët e tyre të vrarë nga serbët, fëmijët e tyre të zhdukur sot e gjithë ditën. Është e drejtë e tyre morale ta hyjnizojnë pushtuesin dhe ta mallkojnë e ta quajnë fashist popullin e tyre. Mjafton që i tregojnë kaq sinqerisht këto anime dhe këto dashuri të çuditshme me gojë e me shkrim, sado i çuditshëm dhe i pamoralshëm të jetë ky sinqeritet publik i tyre.

Po të mos e kishte dëgjuar Lordin Kerington të thoshte (1991) se “tani po e kuptojmë se me kë krejt kishte punë Titoja (e kishte fjalën për serbët) dhe sa i madh ishte ai”, Qosja nuk do të arrinte të kuptonte vërtet se sa i madh ishte për të Tito. Prandaj, e thekson Lordin Kerngton në këtë intervistë. Duke e çmuar kështu hyjnisht edhe sot Titon (si arsyetim i tij për ato që kishte shkruar për vdekjen e Titos), ai realisht shanë të gjithë shqiptarët e Kosovës, se pse nuk kënaqeshin në këtë parajsë titiste, kur u printe një njeri aq i madh, siç ishte, sipas tij, Tito, por kërkonin lirinë dhe çlirimin! Duke e çmuar kështu hyjnisht, ai i jep të drejtë regjimit politik të Titos për të gjitha burgosjet e djemve shqiptarë dhe për të gjithë ferrin që kishin kaluar ata nëpër burgjet titiste. Ai, kështu siç thotë edhe tash, nuk qenka frymëzuar asnjëherë nga ferri i regjimit politik të Titos, nëpër të cilin kalonte populli i tij, por vetëm nga veprat e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj! Këtë “madhështi hyjnore” të Titos do ta vërtetojmë edhe në sytë e akademik Qosjes, të këtij patrioti, atdhetari, shkencëtari të letërsisë, të politikës, të kujdestarit ndërshtetëror (Kosovë-Shqipëri), të Zotit të mllefit e të urrejtjes ndaj të gjithë atyre që janë, siç thotë ai vetë në tregimin satirik “I ringjalluri i penduar”, të parët e parë, duke sjellë në këtë libër vetëm një pjesë faktesh e emrash shqiptarë që u dëbuan nga Tito dhe që u dergjën në burgjet e Titos pse kërkuan lirinë e vendit të tyre. Nëse këto fakte dhe kjo listë e vogël emrash, që do të sjell nga dhjeta mijëra të tjerë, nuk e prek, nuk e qorton dhe nuk ia zbeh dashurinë për Titon këtij akademiku, atëherë le t’i mallkojë, apo le t’i quaj me të gjithë emrat e mundshëm gabimtarësh, njerëz të mbyllur në kafaze të një idealizmi të verbër... Le t’i quaj, siç edhe i ka quajtur disa nga ta, “limonë të shtrydhur”, lëngun e të cilëve ua shteroi (e shfrytëzoi) që të rris lëngun e tij atdhetar gjithnjë në largësi të mëdha të veprimit.

Të shohim çfarë thonë faktet historike, si veprime makabre të Titos së tij ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj rinisë, e të cilat këtë akademik asnjëherë nuk arritën ta prekin e ta shqetësojnë, edhe pse deklaron gojëplot se është atdhetar, i madh, edhe pse pohon se është njohës i mirë i historisë shqiptare, edhe pse mbron Titon dhe sistemin e tij prej përbindëshi dhe, me të njëjtin sistem edhe ky akademik përpiqet të mohojë të gjitha vlerat e njerëzve të mëdhenj të kombit:

 

Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve nga regjimi i Titos (1948–1968)

Regjimi jugosllav, i drejtuar nga binomi Tito-Rankoviq, duke e shfrytëzuar këtë situatë, riaktualizoi projektet antishqiptare të Vasa Çubrilloviçit (të marsit 1937 dhe të fillimnëntorit 1944 për asgjësimin, asimilimin apo shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.

Kjo politikë antishqiptare shtetërore, që kishte nisur ende pa përfunduar mirë  Lufta e Dytë Botërore (1944), në këtë periudhë mori përmasa të reja gjenocidale. Vetëm në vitin 1948 regjimi komunist arrestoi dhe nxori përpara gjyqit 306 shqiptarë, të akuzuar për vepra penale kundër shtetit.

Pasi që Shqipëria u përcaktua për ”informbyronë”, regjimi i Tito-Rankoviqit të gjitha kuadrot shqiptare në Kosovë, që konsideroheshin si armiq të Jugosllavisë, i cilësonte si ”informbyroistë”. OZNA&UDB famëkeqe, përmes bashkëpunëtorëve të saj shqipfolës, me kohë kishte krijuar një dosje të veçantë, duke i vënë në syrin e përgjimit rreth 120 000 shqiptarë.

Një dosje të tillë UDB-a kishte hapur edhe për Xheladin Shyqyri Hanën, luftëtarin e orëve të para kundër nazifashizmit, ish-anëtarin e KNÇK-së, njëri nga bashkautorët e hartimit të dokumenteve bazë të Konferencës së Bujanit dhe së fundi drejtor i gazetës “Rilindja”. Atdhetari Xheladin Hana, u arrestua në mënyrë sekrete, kinse po dërgohej me shërbim diku, ndërsa brenda mureve të OZN-së/UDB-së i bëhej presion që të tradhtonte bashkëveprimtarët e tij të idealit. Mirëpo Xheladini nuk u gjunjëzua për asnjë moment para presioneve dhe torturave çnjerëzore të kriminelëve udbashë. Meqë Xheladini i qëndroi torturave mizore, xhelatët e Tito-Rankoviqit, më 15.12.1948  ia shuan jetën mizorisht.

Më  15 prill 1949 arrestohet nënkryetari i qeverisë së Maqedonisë Nexhat Agolli nga Dibra e Madhe dhe pas dy javësh (saktësisht në natën e 27-28 prillit 1949) mbytet nga torturat mizore të UDB-ës.

Ndërsa përndjekja dhe numri i të persekutuarëve shqiptarë shtohej pamëshirshëm gjithandej viseve etnike shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, në maj 1949, në një ekspeditë ushtarake-policore të drejtuar nga udbashët Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç, synohej arrestimi i Kryetarit të Frontit Popullor krahinor Rifat Latif Berisha, nga fshati Berishë, i njohur për urtësi e qëndresë kombëtare, por në atë moment nuk arritën ta kapin dot Rifatin. (Rifati ishte njëri nga organizatorët e Konferencës së Bujanit, në të cilën u zgjodh edhe nënkryetar. Nuk u pajtua kurrë me tradhtinë që iu bë vendimeve të Konferencës së Bujanit - që pas LDB-së Kosova t´i bashkohet Shqipërisë. Për këtë edhe Rifati u vu në shënjestër të OZN-ës/UDB-së.). Rifat Berisha meqë nuk pranoi t´i binte në dorë regjimit gjakatar të Titos, zgjodhi qëndresën deri në vdekje. Në këtë situatë Rifatit iu bashkuan edhe bashkëluftëtarë të tjerë. Njësiti përbëhej prej gjashtë vetash krejtësisht nga djem të familjes Berisha: vëllezërit Rifat, Mustafë e Islam Berisha, Brahim Berisha, i biri i Islamit, dhe Halit dhe Jahir Berisha kushërinj të parë të tyre. Ky njësitë i prirë nga Rifati, më 17 maj 1949 u gjend i rrethuar tradhtisht në fshatin Gajrak nga i zoti i shtëpisë Ismail Gajraku (ku ishte i strehuar). Në një dokument thuhet se Rifat Berisha me bashkëluftëtarët e tij “luftoi një ditë të tërë. Në orën 10 të natës, Rifati me njësitin e tij sulmuan rrethimin e trefishtë të udbashëve, por mbasi çanë dy rrethimet e para, ra i vrarë.” Rifat Berisha gjatë kësaj beteje të përgjakshme, u vra së bashku me tre bashkëluftëtarët: Islam, Mustafë e Brahim Berishën, ndërsa Halit e Jahir Berisha, ndonëse të përgjakur, arritën të dalin nga rrethimi dhe i shpëtuan vdekjes.

Në dimrin e acartë të vitit 1950 në zonën kufitare me Shqipërinë, vritet atdhetari Sabaudin Gjura nga Shipkovica e Tetovës. Një fat të tillë e pësoi edhe Isuf Torozi nga Dibra e Madhe, anëtar i Komitetit të Partisë në Dibër. Torozi u arrestua nga organet e UDB-së në vitin 1949, si njeri me pikëpamje nacionaliste, dhe pamëshirshëm udbashët e Titos e mbytën mizorisht në tortura.  Në mars të vitit 1949 ishte arrestuar dhe më pas u zhduk pa gjurmë Cenë Shyqriu nga Gjakova.

Në vitet e para pas përfundimi të luftës së dytë botërore, në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë, llogaritet se regjimi titist, ka likuiduar rreth 49.000 shqiptarë. Në Kosovë janë likuiduar në forma të ndryshme 28.400 shqiptarë; në viset shqiptare në Maqedoni 7 000 shqiptarë; në viset shqiptare në Mal të Zi 8300 shqiptarë; ndërsa 5000 shqiptarë të tjerë janë likuiduar nëpër viset tjera, si të marrë peng nga OZN-a, gjegjësisht UDB-a.

Në këto rrethana, për t´i shpëtuar përndjekjeve, burgosjeve dhe likuidimeve fizike, shumë shqiptarë janë detyruar të shpërngulen nga trojet e tyre stërgjyshore.

Dihet mirëfilli se, vitet 1949-1966, të cilësuar si ”koha e Rankoviqit”, ishin vitet më të rënda për popullin shqiptar, në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe Lëvizja Kombëtare shqiptare ishte e  organizuar në shumë forma, si: vazhdimësia e veprimtarisë së LNDSH-së nga grupe të ndryshme me emërtime tjera, “informbyroistët“, organizimi i grupimeve nga Sigurimi shqiptar, kundërshtimi i rekuizitave “otkupit“, kundërshtimi i asimilimit të shqiptarëve në turq dhe luftimi i marrëveshjes xhenetëlmene Tito-Qyprili 1953 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, luftimi në forma të ndryshme i kolektivizimit etj.

OZN-a, përkatësisht UDB-a, gjatë viteve 1945-1948 zhvilloi një luftë të pakompromis për shkatërrimin e organizatës patriotike shqiptare “Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare” (LNDSH) dhe të grupimeve tjera ilegale shqiptare. Dhe në vazhdën e kësaj fushate, ky shërbim persekutoi dhe burgosi mijëra shqiptarë edhe pas vitit 1948.

Kështu, në fillim të vitit 1949, në gjyqin e Qarkut në Prishtinë, dënohen 9 anëtarë të LNDSH-s, si: Xhavit Gafurri (djali i patriotit të shquar Nazmi Gafurri), Ahmet Malisheva, Rexhep Kurteshi, Menduh Maksuti, Enver Shala, Mehmet Pozharani, Safie Feta, Igballe Cuni dhe Karolin Fraki.

Po në këtë Gjykatë dënohet edhe grupi i Drenicës i përbërë nga 6 anëtarë të Lëvizjes, si: Hasan Jashari-Likoci, Mehë Zeqiri, Dan Zeqiri, Qerim Rrypi, Halim Rrypi dhe Sylë Berisha.

Më 3 nëntor 1950 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në “emër të popullit” dënohen anëtarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”: Konstandin Vasilaca - Skënder Skënderi, oficer i armatës shqiptare, me 15 vjet burg të rëndë; Xhemë Latë Sadriu me 8 vjet burg të rëndë; Hajrullah Gorani me 6 vjet burg të rëndë; Hamdi Devolli me 8 vjet burg të rëndë; Rashit Gorani, me 8 vjet burg të rëndë; Ramë Geca, me 3 vjet burg të rëndë ; Ymer Fazliu, me 2 vjet burg të rëndë.

Në shkurt 1950 dënohen Shaban Derguti, Mustafë Nixha, Shaban Mazreku dhe Hafez Jakupi  me nga 20 vjet burg të rëndë, Bitër Dehalla, Tomë Mjeda dhe Zekë Bajraktari me nga 17 vjet burg të rëndë, Nezir Hoti me 15 vjet burg të rëndë dhe Ismet Dehiri me 3 vjet burg të rëndë.

Në grupin e dytë të LNDSH-së ”Lidhja e Prizrenit” dënohen: Arif Hoxha me 12 vjet burg të rëndë, ndërsa me nga 3 vjet burg të rëndë dënohen: Zeki Ahmeti, Isuf Dellova, Islam Fisheri, Zenel Kabashi, Gjokë Spaqi, Ibrahim Gashi, Ramiz Rexhepi dhe Shahide Kabashi, Shemsedin Gashi, Rexhep Hoti, Malush Duraku, Halim Voci, Bajram Dehiri, Mustafë Derguti, Maliq Gashi e shumë të tjerë.

Në 6 muajt e parë të vitit 1950, për sabotim të mbledhjes së rekuizitave "Otkupit" dhe me akuzën si bashkëpunëtorë të Sigurimit shqiptar, në Prishtinë dhe Prizren dënohen: Rizan Bajram Xhoxhaj, nga Vërmica e Prizrenit, Sefer Tafil Elezkurtaj dhe Ibish Avdi Rizanaj nga fshati Zhur, Xhafer Selmani (Vërmicë), Hajdar Bytyqi (Piranë), Nazif Hoti (Krushë e Madhe - i ati i Mr.Ukshin Hotit), Hamit Nuredini, Sali Mehmeti, Haki Malushi, Xheladin Gashi, Vesel Gashi, Avdyl Kryeziu, Ali Kryeziu, Zenun Kryeziu, Mahmut Abazi, Isa Dina, Qamil Qollaku, Xhafer Idrizi, Afil Afezi, Enver Beluli, Gani, Avni e Naim Zajmi, Muhedin Hadri, Halit Qollaku, Bije Vokshi, Lutfi Spahiu dhe Arif Randobrava.

Po atë vit në Prishtinë burgoset dhe dënohet grupi i dytë i Drenicës i përbërë prej 11 anëtarësh të LNDSH, si: Ibrahim Tahiri, Hysen Hyseni, Sylë Mulliqi, Osman Beqiri me nga 10 vjet burg të rëndë, Smajl Ferizi dhe Milazim Hyseni me nga 7 vjet burg të rëndë, Hajredin Sadiku, Nebi Nuredini dhe Fetah Bogiqi me nga 5 vjet burg të rëndë, Rashid Obria dhe Hamit Hoda me 15 vjet burg të rëndë (ky i fundit në burg u zbulua se ishte në shërbim të UDB dhe u bojkotua plotësisht nga anëtarët e LNDSH-së).

Asokohe u dënua edhe Hasan Rema nga Gjakova, me 17 vjet burg të rëndë (z.Rema kishte qëndruar 3 vjet i arratisur në Shqipëri dhe pastaj Sigurimi shqiptar e kapi  dhe ia dorëzoi UDB-së në Kosovë!!)

Në vitin 1950 në Gjyqin e Qarkut në Pejë dënohet edhe grupi prej 9 vetash i  LNDSH-s: Sylë Mehmeti i Rugovës, Sali Kelmendi i Ruhotit, Ali Fetahu i Veriqit, Bekë Tafili i Ruhotit, Ramë Bislimi i Nabërxhanit, Gani Kastrati i Pejës, Salih Hasani dhe Sylë Shala nga Peja, Fatmir Goranci i Gjakovës dhe Ramë Isufi i Lubeniqit... Këtë vit u dënuan edhe: Sami Peja, Ibrahim Berisha, Musa Gjuka, Faik Basha, Qazim e Enver Berisha e shumë të tjerë.

Në vitin 1951 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u dënuan 11 anëtarë të LNDSH-s nga Mitrovica (të arrestuar në shtator 1950). Ky grup përbëhej nga: Bejtulla Sahiti nga Gushefci, Hajrullah Halili nga Doberlluka, Sinan Alija nga Broboniqi, Imer Ajeti nga Koshtova, Avdyl Haliti nga Rahova, Shefqet Kamberi nga Broboniqi, Zejnullah Mehmeti nga fshati Lip, Zejnel Shabani nga Mikushnica, Hajzer Ferizi nga Qabra, Zeqir Rashidi-Rashica nga fshati Studime dhe Bislim Fazliu nga Vidishiqi.

Gjatë vitit 1952 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë dënohet grupi i tretë i LNDSH-së nga Drenica, si: Qazim Zogu, Hamdi Gruda, Bajram Dervishi, Abdullah Cakiqi, Isuf Cakiqi, Jakup Biçinca, Smajl Hoxha, Shaqir Hoxha, Idriz Obrija dhe Milazim Gradica.

Në vitet 1949-1953 në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare u dënuan me qindra vite burgim edhe shumë veprimtarë të tjerë (në grupe dhe veç e veç) si: Ramiz Osmani, Shefki Osmani, Nuhi dhe Musli Osmani, Zylfi Musliu, pastaj Hamdi Gashi, Ramadan Rexha, Raif Halimi-Cërnica, Xhemil Fluku, Mark Gashi, Ramë Sejdia, Rexhep Dajkoci, Bajram Alija, Rexhep Presheva, Ali Aliu - Presheva, Adem Elshani, Fazli Bega, Kadri Halimi (etnolog), Qamil Luzha, Rexhep Balidemaj (ushtarak nga Martinaj i Gusisë), Mulla Zekë Berdynaj, Omer Qerkezi, Rexhep Rifati, Brahim Gashi, Haxhi Sylejmani, Bajram Zuka, Xhemë Lah Gashi... e qindra të tjerë dhe për të ndriçuar veprimtarinë e tyre kombëtare kërkohet një studim i veçantë.

Po në vitin 1953 burgoset dhe (sipas aktakuzës K.nr 76/53), dënohet grupi i anëtarëve të LNDSH-së nga Llapi: Sabit Kapiti-profesor i Gjimnazit në Besianë (ish-Podujevë), Ibrahim Demolli, Xhafer Meta, Nexhmi Sejdiu, Fetah Babatinca, Jusuf Humolli, Shaban Zhjeqi, Shaban Shala, Nuhi Gashi dhe Isuf Ismaili. Atdhetari Shaban Shala mbytet nga torturat e UDB-së.

Gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve (1955/1956) në Prizren u organizua një proces gjyqësor kundër Nijazi Malokut etj. Në fakt Procesit të Prizrenit i parapriu një proces tjetër politik (korrik 1955) i ashtuquajtur "grupi i shehlerëve" prej 14 vetash, të cilët qenë akuzuar për lidhje me Komitetin Shqiptar në Romë dhe për bashkëpunim me Sigurimin shqiptar. Në këtë proces qenë përfshirë: Sheh Myhedini, sheh Rama, sheh Hasani (i cili në rrethana enigmatike vdes), Qazim Gojani, Hysen Prushi, Din Zhubi, Bekë Haxhija, Hajredin Vuçiterna, Muhedin Miftari, Dërgut Ekremi, Sinan Dërguti, Qazim Miftari etj.

Në procesin e Prizrenit, në saje të aktakuzës së përpiluar nga prokurori Publik Radoslav Cerovçanin, të mbështetur tërësisht në montimin e "fakteve" nga UDB-a, më 12-19 korrik 1956 (në fshehtësi nga opinioni) u mbajt procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Prizren, dhe me këtë rast u dënuan: Njazi Maloku me 12 vjet burg të rëndë; Sedat Dida u dënua me 5 vjet burg të rëndë; Shani Hoxha me 4 vjet burg të rëndë; Demush Cahani me 5 vjet burg të rëndë; Ibrahim Moni me 3 vjet burg të rëndë; Rexhep Muhadri me 2 vjet burg të rëndë; Hasan Bajrami me 2 vjet burg të rëndë; Muhamet Emini me nga 2 vjet burg të rëndë dhe Sali Mehmeti (Meta) me 9 muaj burg të rëndë.

Për aktivitete patriotike kundër regjimit titist, në vitin 1955 në Tetovë dënohet mësuesi Mehmet Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdulla Kalishta me nga 10 vjet burg të rëndë. Në vitin 1956 me burgime të rënda dënohen disa intelektualë tjerë nga Tetova dhe Gostivari.

Më 1957 dënohen edhe 8 anëtarë të LNDSH-së në Prishtinë: Rexhep Latif Abdullahu, Qemal Novokazi, Shemsi Perani, Rexhep Parteshi, Ibrahim Galimuna, Islam Mumxhiu,Vehbi Ruva dhe Kadër Deva. Të gjithë këta dënohen me burg në kohëzgjatje prej 2-12 vjet burg të rëndë me përjashtim të Islam Mumxhiut, i cili lirohet.

Po këtë vit burgoset dhe dënohet grupi i dytë 9 anëtarësh nga Prishtina: Nusret Novokazi, Rashid Krasniqi, Osman Krasniqi, Emina Krasniqi, Nikë Kajtazi, Ibrahim Binaku, Fehmi Henci, Neki Shehu dhe Mazllum Novokazi.

Në vazhdën e ndjekjeve të atdhetarëve të LNDSH-së, në Shkup burgoset dhe dënohet grupi 14 anëtarësh nga Tetova, Gostivari, Dibra e Ohri: Raif Malaziu, Sherafedin Agai, Adnan Agai, Abaz Dukagjini, Burhan Pasholli, Abdurrahman Taravari, Remzi Pustina, Eshref Hoxha, Naxhi Purde, Abdylaziz Taravari, Mevaip Purde, Rifat Palloshi, Hadi Imami dhe Zeqir Lisi.

Në vitin 1957, pas aksionit të armëve, kur u intensifikua numri i të shpërngulurve shqiptarë, Metush Krasniqi, si udhëheqës i organizatës "Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë" së bashku me veprimtarët tjerë të kësaj organizate, përmes veprimeve konkrete, shpërndarjes së trakteve dhe bisedave të drejtpërdrejta me qindra familje shqiptare, arritën të ndalojnë shpërnguljen nga trojet e tyre stërgjyshore. Në fund të vitit 1958, UDB-a i bie në gjurmë aktivitetit të kësaj organizate dhe me këtë rast arrestohet Metush Krasniqi me disa bashkëveprimtarë të vetë. Gjyqi i Qarkut në Gjilan, në bazë të "provave" të nxjerra gjatë hetuesisë dhe akuzave të prokurorit, më 7 mars 1959, në "emër të popullit" dënoi: Metush Krasniqin, me 18 vet burg të rëndë; Mark Gashin e Sejdi Kryeziun me nga 10 vjet burgim të rëndë; Mehmet Nuredin Dermakun me 2 vjet burg të rëndë; Qemajl Kallabën e Mehmet Ajetin me nga një vit e gjysmë burg të rëndë. (Aktgjykimi K.nr.19/59, 7 mars 1959).

Më 20 shkurt 1958, Gjykata e Qarkut në Pejë, dënoi: Muhamed Brovinën me 12 vjet burg të rëndë, Adem Krasniqin me 7 vjet burg të rëndë, Gjon Shtufajn me 7 vjet burg të rëndë, Besnik Kocin me 9 vjet burg të rëndë dhe Hyda Dobrunën me 5 vjet burg të rëndë. (Aktgjykimi K.nr. 149/57)

Në verën e vitit 1960 Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe ajo në Prizren i dënuan “ në emër të popullit” 17 anëtarë të grupit të LNDSH-së "Votra Kosovare Nacional-Demokratike Shqiptare": Ragip Sadikun, Bajram Gashin, Hasan Rexhën, Bislim Fazliun, Muharrem Hysenin, Luz Pacollin, Nuhi Pretenin, Bilall Ramën, Hilmi Badallajn, Ali Isufin, Rraman Jasharin, Ramë Dibranin, Niman Shalën, Sinan Sinanin, Musli Rexhepin, Ibrahim Metajn dhe Niman Kajtazin. Ndërkaq në Zagreb më 25.02.1961 në bazë të Aktgjykimit nr.IK 21/60, gjyqi ushtarak i denon: Emin Fazliun me 8 vjet burg të rëndë, Baki Dullovin me 2 vjet e 6 muaj, Mehmet Trepçën me 2 vjet dhe Hilmi Ajvazin me 9 muaj burg të rëndë.

Në vazhdimësinë e organizimeve politike ilegale dhe të qëndresës shqiptare përgjithësisht, në fillim të viteve 60-të u organizuan tre intelektualë të asaj kohe: Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, të cilët në vitin 1952 dhe 1954 veç kishin përjetuar vuajtjet në Goli Otok dhe në kazamatet tjera jugosllave. Në janar 1961, UDB-a i zbulon dhe i burgosë 32 anëtarë të saj dhe qindra shqiptarë të tjerë mori në pyetje dhe i keqtrajtoi brutalisht. Kadri Salimi  u dënua -7 vjet e 6 muaj burg të rëndë,  Ali Aliu - 8 vjet, Ramadan Hoxha- 8 vjet, ndërsa prej 1-5 vjet burg të rëndë u dënuan: Hasan Dumani, Zenel Hajrizi, Beqë Heta, Hyrije Hana, sheh Tefik Mustafa, Zeqir Hajrizi, Banush Ademi, Enver Tali, mulla Nuredin Xhemajli, Sadri Imeri, Nuredin Aliu, Haki Agushi, Ali Xhelili, Amir Gashi, Mafak Ahmeti, Ramiz Ahmet-Cernica (delegat i Konferencës së Prizrenit-1945, ku kundërshtoi me ngulm ripushtimin e Kosovës nga Serbia-vërejtja ime), Ilmi Ferizi, Favzi Aliu, Selman Hasani, Ramadan Rexha (ish i burgosur-vërejtja ime), Tefik Haxhiu, Jahi Ajeti, Hetem Ajdini, Asllan Marevci, Jetish Depca, Miftar Mustafa, Sabri Marevci, Bajram Kokolari dhe Zahir Sakipi.

Në vitin 1963-64 Simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi formoi “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ (LRBSH) dhe në kuadër të saj kanë vepruar Komiteti i Prishtinës, i Pejës, dhe Komiteti  i Gjakovës.

LRBSH gjatë kësaj periudhe kishte kryer shumë aktivitete kombëtare, por në qershor 1964 UDB-a zbulon aktivitetin e kësaj organizate dhe fillon një fushatë të egër arrestimesh. Pas tre muaj hetimesh intensive (nëpër duar të UDB-së kaluan mbi 500 shqiptarë) dhe mbi 80 pjesëtarë të LRBSH-së, në grupe të vogla u nxorën para gjyqit. Gjykimi i dytë kundër themeluesit të LRBSH Adem Demaçi dhe 11 të akuzuarve të tjerë u mbajt më 27, 28, 29 e 31 gusht dhe 1 shtator 1964 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Në këtë gjykim maratonik në “emër të popullit” u dënuan: Adem Demaçi - student i fakultetit juridik, nga Prishtina me 15 vjet burg të rëndë, Sabit Ratkoceri (1939) - jurist i diplomuar (Lupç i Poshtëm) me 11 vjet, Hazir Shala (1934) - Profesor i shkollës normale, (Barilevë) me 13 vjet, Seladin Daci (1933) "muzikant në Radio Prishtinë" (Prishtinë) me 10 vjet, Azem Beqiri (1939) - Nëpunës i Entit Krahinor për Mbrojtjen Shëndetësore (Prishtinë) - me 10 vjet, Abdullah Lahu (1944) - nxënës i kl. së katërt të shkollës Normale, me 10 vjet, Ahmet Haxhia (1932) - farkatar nga Prishtina, me 10 vjet,  Xhafer Mamuxhiku (1935) - nëpunës nga Prishtina, me 11 vjet, Dibran Bajraktari (1939) nëpunës nga Prishtina - me 13 vjet, Sabri Novosella (1943) - rrobaqepës nga Prishtina, me 9 vjet, Tefik Sahiti (1930) - infermier nga Prishtina, me 9 vjet dhe Njazi Straja (Saraxhoglliu) (1933) tregëtar nga Stambolli i lindur në Prishtinë, u dënua me 9 vjet burg.

Ndërkaq prej 3-15 vjet burg të rëndë u dënuan edhe këta anëtarë të LRBSH-së:

Adem Rukiqi - Verboc –Gllogoc; Abdyl Shala - Loxhë-Pejë;  Arif Hoxha – Mitrovicë; Arif Ymeri; Asim Vula – Gjakovë; Avni Lama – Gjakovë; Bahtire Berisha – Prizren; Bahtir Duraku; Bedrush Çollaku – Prizren; Besnik Koci – Gjakovë; Destan Miftari; Din Spahia – Gjakovë; Ejup Kastrati – Pejë; Elhame Shala – Prishtinë; Emine Rakovica –Prishtinë; Enver Gerguri; Enver Mehmeti; Fazli Grajçevci – Tankoc; Fehmi Elmazi – Gjilan; Ferat Ymeri; Gani Msutafa; Haki Bejta; Haki Gashi; Hamdi Obertica - Fushë Kosovë; Hilmi Rakovica – Prishtinë; Hyda Dobruna – Gjakovë; Hysen Bukoshi – Prizren; Hysen Daci – Mitrovicë;  Ibrahim Stublla; Ismet Koshutova – Mitrovicë; Isuf Istrefaj; Isuf Isufi – Mavriq; Kadri Kusari – Gjakovë; Myrteza Nura – Gjakovë; Mustafë Venehari – Mitrovicë; Nezir Gashi - Labjan – Pejë; Nimon Podrimja - Caralluk – Istog, Mejreme Berisha – Prishtinë; Osman Berisha – Puzovfc; Qerim Zajmi; Ramadan Lahu – Gllamnik; Ramadan Shala – Pejë; Rashit Rusha; Rexhep Elmazi – Gjilan; Rexhep Shala - Loxhë, Pejë; Remzi Baloku; Rrustem Morina; Sabit Lahu - Gllamnik, Podujevë; Sadik Latifi; Sahit Sfeqla – Prishtinë; Selatin Novosella – Prishtinë; Selman Berisha – Progofc; Sylejman Gashi; Sylë Shala – Pejë; Shefqet Jashari - Strofc, Vushtërri; Shemsi Hoxha; Shemsi Rudari; Tahir Shala, Krushec-Prishtinë; Teki Dervishi – Gjakovë; Ukshin Shala - Loxhë – Pejë; Vesel Bislimi; Vesel Shala - Loxhë, Pejë; Vezir Uka - Dobrajë, Lypjan; Ymer Mehmetaj; Zeqir Agushi; Zeqir Gërvalla - Lupçi i Poshtëm, Podujevë; Zeqir Heretica - Lupçi i Poshtëm, Podujevë; Zeqir Shala - Loxhë, Pejë. 

Më 27 Nëntor 1968 Grupi i studentëve në krye me Osman Dumoshin i organizoi demonstrata gjithëpopullore në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës. Ky grup që veproi sipas programit të LRBSH-së, u arrestua dhe pas katër muaj “hetimesh”, më 2, 3, 4 e 7 prill 1969, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajt një proces gjyqësor kundër tyre…Trupi gjyqtarësh – porotës, më 7 prill 1969 ”në emër të popullit” për shkak të “krimit - propagandë armiqësore nga  neni 118  al. 1  e  KP”, këta studentë i shpalli fajtorë dhe ua shqiptoi dënimin prej 37 vjetësh burg të rëndë. Me këtë rast studentët: Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku, Selatin Novosella dhe Adil Pireva, u dënuan me nga 5 vjet burg; Skënder Kastrati dhe Xheladin Rekaliu me nga 4 vjet burg, ndërsa Ilaz Pireva, Skënder Muçolli dhe Afrim Loxha dënohen me nga 3 vjet burg.

Më 22 dhjetor 1968 u organizua edhe një demonstratë në Tetovë. Për demonstratën e Tetovës, e cila e aktualizoi çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar dhe hapjen e paraleleve të mësimit në gjuhën shqipe, u dënuan 170 shqiptarë, ndërsa 54 veta u dënuan me mbi 1 vjet burg, jo vetëm nga Tetova por edhe nga Shkupi, Gostivari, Struga dhe Kërçova. Vetëm në gjykatën e Tetovës dhe atë të Shkupit “për vepër penale kundër shtetit” u dënuan:

Mehmet Myrtezani - Gega, mësues, me 7 vjet burg; Faik Mustafa, student, me 5 vjet burg; Abdylselam Selami,  mësues, me 1,6 muaj burg; Ramadan Sinani, student, me 2 vjet; Fehmi Rifati, student, me 2 vjet burg; Abdylmenaf Rystemi, student, me 2 vjet; Hysni Qemal Sherifi, arsimtar, me 1,6 muaj; Refki Murati, murator, me 2 vjet; Nexhmidin Neziri, mësues, me 1,6 muaj; Ibrahim Rudi, student, me 3 vjet; Agim Jaka, student, me 2,6 muaj; Hysenxhevat Kalaishta, student, me 5 muaj burg; Xhemil Mustafa, student, me 5 muaj; Arbër Xhafëri, student, me 3 muaj; Agim M.Xhaferi, student, me 3 muaj burg e shumë të tjerë.

Asokohe, pas burgosjeve në Tetovë, pushteti shovinist maqedonas, burgosi e dënoi edhe  shumë të rinj shqiptarë, që nuk ishin pjesëmarrës në demonstratën e Tetovës. Në Shkup u dënua Sejdi Kryeziu me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë propagandë armiqësore për shkëputjen e Maqedonisë perëndimore dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u dënua me 1 vit burg, po për propagandë armiqësore. Në Strugë u dënua Irfan Vlashi me 6 vjet burg për diversion, Tosun Roçi me 4 vjet burg, ndërsa në Kërçovë u dënuan:  Syrja Qura, Sali Ramadani, etj.

Të burgosurit shqiptarë vitet më të rënda të burgut, i kaluan në burgjet e Idrizovës dhe Velesit në Maqedoni; të Nishit, në CZ të Beogradit, e të Pozharevcit... në Serbi; të Titogradit në Mal të Zi; të Bileqës, Stara Gradishkës, të Lepogllavës... dhe veçanërisht në sinonimin e ferrit të Dantes në "Goli Otok", ujdhesë kjo në Adriatikun verilindor në Kroaci. Në këtë ujdhesë të zhveshur e me gurë të thepisur, të burgosurit shqiptarë dhe jo vetëm ata, përjetuan golgotën, ditët më të tmerrshme të jetës së tyre. Rrëfimet e shumë të burgosurve shqiptarë, që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut, dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit... (Marrë nga Interneti, autor Sheradin Berisha / 02. 05. 2008)

Duke mos bërë një listë e rrëfim për shumë e shumë shqiptarë të tjerë, këta emra shqiptarësh dhe këto vuajtje të tyre, që përbëjnë vetëm një pjesë fare të shkurtër të listës së gjatë të rezistencës kundër robërisë jugosllave të tokave të tyre, nuk i kam gjetur në “katër mijë faqet e shkruara” të Rexhep Qosjes. Këta të përndjekur, këta luftëtarë të guximshëm shqiptarë, që kërkonin lirinë dhe çlirimin e vendit nga pushtimi jugosllav dhe nga ripushtimi titist me ëndrrën e vazhdueshme të bashkimit të tokave dhe të kombit shqiptar, ishin a nuk ishin patriotë, ishin a nuk ishin atdhetarë që të zinin vend qoftë si kujtim a si prekje ndërgjegjeje nga akademik Qosja, i cili e deshi aq shumë Titon dhe shkroi për të lëvdatën më qiellore? 

Natyrisht, ai nuk flet e nuk shkruan këtë histori të dhembshme, por gjithsesi krenare të kombit, sepse, pastaj do të duhej të pendohej publikisht për dashurinë e tij që kishte ndaj Titos së tij të madh. Ai nuk flet e nuk shkruan, sepse të gjithë këta i quan „limonë të shtrydhur“ dhe nuk pushon së ngarenduri të përndjekë edhe vetë, siç bënte Tito i tij, gjithë trurin më të dalluar të kombit, që të pushtojë edhe ky gjithë hapësirat e lirisë së mendimit, të shkrimit dhe të politikës integruese kombëtare në botën e civilizuar. Ky akademik vete edhe më larg se Tito gjakpirës i shqiptarëve. Këta të fundit i quan edhe qen, kurse Kosovën e mbytur historikisht në gjak e quan fermë qensh!