| E shtune, 19.12.2009, 10:57 PM |
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Fillimet e shtypit ilegal në diasporë
Në
vazhdën e shumë gazetave dhe publicistikës ilegale që botohej në Kosovë, vend
të rëndësishëm zë edhe shtypi ilegal që u botua jashtë vendit, në diasporën
shqiptare. Por para se të shkruaja për shtypin e ilegales në diasporë, do të
ndalesha vetëm pak sa për të bërë një informim të shkurtër për zhvillimin dhe
ecurinë e saj.
Në shtetet evropiane
por edhe në tërë globin, kudo që ishin dhe jetonin shqiptarët, temë
kryesore, çështje mbi çështjet ishte dhe ngeli Kosova dhe viset tjera shqiptare
që kishin ngelur nën okupimin serbë e jugosllav. Duke e parë se dhuna e terrori
ndaj shqiptarëve në ish- Jugosllavi dita më ditë po përshkallëzohej, shqiptarët
që ndodheshin jashtë vendit kishin ndërmarr organizime të ndryshme ilegale,
vetëm e vetëm për të ndihmuar dhe për të sensibilizuar në opinionin
ndërkombëtar gjendjen e paduruar nën okupim që e kalonte Kosova dhe tokat tjera
shqiptare në ish Jugosllavi.
Pas viteve 1945, në botën perëndimore, po vazhdonte
tradita patriotike e mërgatës shqiptare, sikurse që ishte veprua edhe më herët
në shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Selanikut e shumë të
tjera. Veprimtarin e mërgatës shqiptare në diasporë, sipas ecurive të saja pas
Luftës së Dytë Botërore (1945), e kam ndarë në dy etapa. Etapa e parë fillon që
nga viti 1945, për të përfunduar më 1966. (Plenumin e Brioneve). Kjo periudhë
vlen të cekës se karakterizohet me një organizim më të madh, dhe në krye të saj
ndodheshin intelektualët e shumtë, të cilët kishin emigruar e ikur menjëherë
pas LDB, të cilët nuk ishin të kënaqur me sistemin e ri komunist në Shqipëri,
por, në këtë grupim bëjnë pjesë edhe atdhetarët e tjerë që ishin të zhgënjyer e
të dëshpëruar me padrejtësitë e tradhëtit që iu bënë Kosovës, me aneksimin e
saj nga Serbia e ish-Jugosllavia.. Duhet përmendur, se anëtarët e këtyre
grupimeve të të mërguarve, edhe pas largimit nga vendi, përsëri kishin vazhduar
veprimtarin e tyre atdhetare, duke formuar organizata të njëjta në mërgim, me
ato që kishin veprua në atdhe si :”Lëvizja e Legalitetit”[1], “Balli Kombëtar”[2], “Partia Agrare”[3], “Lidhja e Dytë e
Prizrenit”[4], “Besëlidhja Kombëtare
Shqiptare[5] etj.Jusuf Gërvalla
Ndërsa
etapa e dytë e mërgatës, përfshin periudhën 1966-1999, në të cilën marrin pjesë organizatat politike të mërgimtarëve,
kryesisht shqiptarë që kishin shkuar për
të punuar, kryesisht si punëtor të zakonshëm në shtetet perëndimore, apo kishte
edhe të tillë që nga dhuna e terrori i paparë që ishte ushtruar ndaj tyre,
kishin marr botën në sy. Në fillimet e viteve të ’60, në këtë lloj mërgate
mungonte organizimi i mirëfilltë politik, por me kalimin e viteve, numri i të
ikurve shqiptar nga ish-Jugosllavia u shtua dukshëm, andaj disa prej tyre ishin
edhe anëtarë të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë, por shpesh ndodhte
që disa prej tyre të merrnin hapa të mëtejshëm dhe formonin grupime të reja
politike. Nga ky grupim duhet përmendur organizatën ilegale “Fronti i Kuq[6]” të cilën e udhëhiqte me
shumë sukses Ibrahim Kelmendi[7]. Kjo organizatë gjatë tërë
veprimtarisë luajti një rol të rëndësishëm për propagandimin dhe inicimin e
shumë problemeve që ishin në Kosovë. Ajo, jo vetëm që u angazhua për shpërndarjen
e literaturës së marrë nga Kosova si dhe nga Shqipëria, por edhe vetë nxori
gazetën “Bashkimi” në gjithsej në pesë numra. Po ashtu mori për sipër
organizimin e shumë manifestimeve anti-jugosllave si dhe në bashkëpunim me
grupime të tjera ilegale organizoi nëpër qytete të ndryshme demonstrata, greva,
protesta dhe ligjërata të ndryshme anti jugosllave. Në diasporën shqiptare, me
mjaft sukses vepronte edhe dega e OMLK-së[8], nën udhëheqjen e Hasan
Malës[9] dhe Kadri Abdullahut[10]. Në ato vite vepronte edhe
Grupi “Zëri i Kosovës”[11], nën udhëheqjen e Riza
Salihut[12] dhe Hysen Gegës[13]. Më 1980, pas arrestimit
të disa anëtarëve të grupit “Zëri i Kosovës”, merret edhe qëndrimi që ky grupim të bashkohet me grupin e Ibrahim Kelmendit
“Fronti i Kuqë”, dhe nga këto dy grupime lindi grupimi i ri, i cili u pagëzua
me emrin “Fronti i Kuqë Popullor”.
Kthesën
më të madhe në ilegalen shqiptare që vepronte jashtë atdheut e bënë dhe e
pasuroi ikja e Jusuf Gërvallës[14] dhe lidhja e tij me
Ibrahim Kelmendin në mërgim. Puna e përbashkët
e këtyre dy veprimtarëve intensifikon dukshëm veprimtarinë patriotike
jashtë vendit. Pas ardhjes së Kadri Zekës[15] duhet theksuar se dukshëm
aktivizohen dhe veprojnë në mënyrë më të organizuar organizatat ilegale si OMLK-ja, LNÇVSHJ-ja, “Fronti i Kuqë Popullor”
e disa grupime e organizata më të vogla dhe më pak të njohura në vend.Kadri Zeka
Në
krijimin e grupeve dhe të organizatave
ilegale pas viteve 1981, me ikjen e shumë veprimtarëve të ilegales
shqiptare që vepronin në Kosovë, por edhe të tjerët të cilët kishin mbajtur
dënimin dhe ia kishin mësy kurbetit ngase në Kosovë për ta ishte gjithçka nën
përcjellje. Ata, u angazhuan me të madhe për dallim se tani ishin më të
kujdesshëm dhe vepronin në një konspiracion edhe më të thellë. Vepronin në
qarqe të mbyllura dhe të verifikuara mirë për patriotizëm.
Duhet
cekur se organizata e cila luajti rolin e faktorit koheziv të diasporës
shqiptare pa dyshim se ishte “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve
të tjera Shqiptare në Jugosllavi”[16], të cilën e udhëhiqte atdhetari i shquar Jusuf
Gërvalla[17]
etj.
Duhet përmendur se arsyeja që e shtyri mërgatën e
grupimit të dytë që të merret me aktivitetin dhe punën ilegale të shqiptarëve
ishte po ajo e vitit 1945, ngase Kosova pas Kuvendit të Prizrenit, më 1945, u
aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia dhe ishte e natyrshme që populli shqiptarë
që kishte dal në luftë dhe kishte luftua kundër fashizmit dhe iu kishte premtua
se pas kësaj do të vendos vet për fatin e vet. Ishte normale që pas aneksimit
të ishte e zhgënjyer dhe e pakënaqur. Faktor tjetër që ndikoi në largimin e
shqiptarëve nga trojet e veta ishte presioni shtetëror që ushtronte ndaj tyre
si dhe faktorët politik, ekonomik, arsimor, social e padrejtësitë e shumta që
ushtroheshin mbi ta.
Papunësia e madhe që kishte goditur rinin, ndikoi dukshëm
në mërgimin e tyre jashtë atdheut. Më 1975-1978
largimi i rinisë për në perëndim ishte shndërrua në dukuri. Ka të dhëna
se më 1981, numri i shqiptarëve që punonin jashtë kishte arritur një numër
alarmant prej 200.000 vetash[18]. Faktor tjetër që ndikoi
në organizimin e mërgatës mund të llogaritej edhe kontaktet e shumta me patriotë të ndryshëm që ndikuan dukshëm në
formimin e organizatave ilegale në diasporë. Lidhja e emigracionit kosovar me
patriotët e mëhershëm të viteve ’45-‘48,
u kurorëzuan me formimin e organizatave të shumta jashtë vendit.
Si gjithkund në botë edhe në shtetet evropiane ilegalja
shqiptare, pa hezituar duhet thënë se luajti një rol të madh dhe të rëndësishëm
për përhapjen e së vërtetës dhe idesë
çlirimtare. Gjatë veprimtarisë së saj
organizoi shumë demonstrata dhe demarshe para ambasadave jugosllave, dhe në
këtë mënyrë ushtronin presion të vazhdueshëm lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Një punë të madhe drejt ndërkombëtarizimit
të problemit të shqiptarëve nën
Jugosllavi ushtronte edhe emigracioni politik shqiptar me prejardhje nga Kosova
por edhe nga të gjitha vendet nga kishin ikur shqiptarët . Në mesin e
aktivistëve më të dalluar dhe që duhet
përmendur padyshim se janë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla,
Enver Hadri, Ibrahim Kelmendi, Emin Fazlia, Vehbi Ibrahimi etj, të cilët në
vazhdimësi intensifikuan dhe sensibilizuan veprimtarinë patriotike drejt
realizimit të kërkesave gjithë popullore
të shqiptarëve të Kosovës për liri,
barazi dhe vetëvendosje. Bardhosh Gërvalla
Veprimtaria botuese e mërgatës
shqiptare
Më
1979, në mërgatën shqiptare u paraqit nevoja për një informim më të drejtë dhe
më ndryshe nga ai që e kishin bërë klubet jugosllave. Po në këtë vit fillon
edhe të botohej shtypi ilegal, që kishte
për qëllim sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Në këto vite filloi të botohej
dhe të shpërndahej gazeta “Bashkimi”, atëherë organ i organizatës patriotike
“Fronti i Kuqë”, me qendër në Bohum të Gjermanisë. Pas daljes së Jusuf
Gërvallës në mërgim, siç e kemi cekur edhe më lartë, ai bie në kontakt me
Ibrahim Kelmendin, që sipas shkrimit të Xhafer Durmishit, ai (Ibrahim Kelmendi,
shënim i SK-B), i kërkoi ndihmë për nxjerrjen e “Bashkimit” si organ i Frontit
të Kuq Popullor. Ibrahim Kelmendi vetë e kishte nxjerr vetëm një numër në verën
e vitit 1979. Me këtë rast Jusufi i kishte ofrua çdo ndihmë Ibrahimit, duke i
lënë në dispozicion artikuj të shumtë të cilët ai i zgjidhte sipas dëshirës[19] duke vazhduar më tej në
shkrim, Xhafer Durmishi pohon se Jusufi i nxori dhe përgatiti 3 numra të
“Bashkimit”, nga gjithsej katër sa dolën.[20] Ndërsa në një bisedë me
Ibrahim Kelmendin, ai pohon se i ka nxjerr gjithsejt pesë numra të “Bashkimit”.
Numrin e fundit të revistës e kishte nxjerr më 1981. Çka do të thotë se Kelmendi
e kishte vazhduar punën edhe pas largimit të Jusuf Gërvallës, në fillim të
vitit 1981.
Jusuf Gërvalla me të vëllanë Bardhosh
Gërvallën në gusht të vitit 1980, nxirren revistën “Lajmëtari i Lirisë”, që
gjithsej doli në tre numra. Numri i parë i saj doli në muajin gusht, 1980,
numri i dytë doli në tetor 1980, dhe numri i tretë doli në janar 1981.
Sipas
të dhënave që na i ofron bashkëveprimtari i tij Xhafer Durmishi thuhej se
Jusufi herë pjesërisht e herë tërësisht punoi në nxjerrjen e katër gazetave të
ndryshme: 1. Gazeta “Bashkimi”, 2. “Revista “Lajmëtari i Lirisë”, 3. Gazeta
“Liria”, nr. 3, maj 1981, nr. 4-5 korrik/gusht 1981 dhe Gazeta “Zëri i
Kosovës”, nëntor 1981 dhe janar 1982 (ishte në dorëshkrim).
Redaksia
e revistës “Lajmëtari i Lirisë” kishte marrë qëndrimi që kjo të jetë revistë
dymujore dhe të kishte 16 faqe, të cilat botoheshin në A-4. Fillimisht punimet
shkruheshin në makina shkrimi, dhe i dorëzoheshin Jusuf Gërvallës, për ti
lexuar, ai i analizonte dhe më vonë i radhiste dhe i bënte gati për botim.
Revista botohej me një tirazh jo të madh në gjithsejtë 600 ekzemplar. Me
ndihmën e veprimtarëve ajo shpërndahej tek mërgimtarët, por edhe nëpër mes
kanaleve të ndryshme futej ilegalisht dhe shpërndahej në Kosovë.
Kush ishte Jusuf Gërvalla
Më 1
tetor 1945, u lind heroi i kombit Jusuf Gervalla, ne fshatin Dubovik te
Deçanit. Ai fillimisht ishte poet, romancier, këngëtar dhe atdhetar i
përkushtuar gjer ne çastet e fundit te jetës, e cila u pre ne mes nga
kriminelet serb. Gjyshi i Jusuf Gervalles ka qene kaçak i njohur i cili luftoi
kundër forcave pushtuese serbe.
Vitet
të cilat i jetoi ai në Kosovë ishin me plotë luftë dhe me plotë sakrificë. Por,
pas daljes nga Kosova në jetën e tij fillon një etapë e re, e mbarsur me kobë
dhe fatkeqësi. Ai si i ri, mbi supet e veta e kishte ndjerë rëndë peshën e
skllavërisë, andaj edhe ishte krejt e pritur që ai të angazhohej në lëvizjen
atdhetare ilegale. U angazhua dhe punoi deri në çastet e fundit të jetës për
lirinë e Kosovës dhe trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Udbashët sllavë e
kishin hetuar veprimtarin dhe angazhimin e madh të tij për zgjidhjen e çështjes
kombëtare shqiptare, dhe në një mënyrë ciklike po iu prishte llogarit të bëra
gabimisht për Kosovën. Ata , pas këtij zbulimi nuk rrinë duarkryq. Vendosin që
në një mënyrë ose tjetër, ta arrestonin ose ta likuidonin në një afat sa më të
shkurtër. Dihej se në vitet e shtatëdhjeta e tetëdhjeta ilegalja shqiptare
ishte shumë e organizuar, andaj edhe qëllimet e hetuesve kishin arritur ti
zbulonin, dhe Jusuf Gërvalla informohet me kohë, me ndihmën e shokëve,
arratiset dhe ilegalisht kalon kufirin
për tu vendosur tek i vëllai-Bardhoshi që ndodhej në Gjermani, ku më herët
kishte shkuar. Rezistenca shqiptare që vepronte në perëndim pati fat që në
radhët e veta pati edhe atdhetarin e devotshëm, organizatorin e mirëfilltë të
veprimtarisë ilegale atdhetare.
Me
angazhimin e Jusufit në veprimtarin atdhetare në diasporë, ai angazhohej
kryesisht në organizimin e tyre që në rrugën e nisur të rezistencës, që të jenë
sa më unik dhe më të bashkuar. UDB-eja jugosllave ishte tej mase e shqetësuar.
Andaj rrjeti i krimit dhe i kriminelëve me të madhe u sensibilizua. U dërguan
me urgjencë edhe jashtë shtetit gjithandej ku vepronte Jusuf Gërvalla, Kadri
Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre. Dhe, nuk shkoi gjatë, një ditë të
ftohët janari (17 Janar 1982), nënë Ajshja mori lajmin e zi, se në vendin e
quajtur Untergrupenbach afër Shtutgardit ishin likuiduar atdhetarët Jusuf e
Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka, të cilët në historinë e re të popullit
shqiptar mbeten si figurat më madhore të Kombit tone.
Në
librin “Fati i luleve...”, të Kadri Rexhës thuhet edhe kjo se “Nënë Ajshja këtu
në Dubovik, lajmin do ta marrë nga lajmet e Radio Prishtinës, që kohëve të
fundit i kishte kaluar në një shprehi për të dëgjuar lajmet. Besa, siç thotë më
vonë, kisha edhe një parandjenjë të keqe se do të ndodhë diçka e papritur dhe e
zezë” për të vazhduar më tej, dhe vazhdimisht duke vu në spikamë krenarin dhe
pa përulësin e nënës para armikut. Në momentin kur merë lajmin tragjik për
djemtë e saj, ajo të nesërmen shkon në burgun e Pejës për ta ngushëlluar të
birin Hysenin. Gardianët dhe roja e burgut ishin të informuar mirë dhe dinin
çdo gjë për ngjarjen që kishte ndodhur një ditë më parë. Me një vetëkënaqësi të
pa përmbajtur, e ironizonin nënën e kombit, siç do të shkruante Kadri Rexha, në
librin e lartpërmendur, në momentin kur do i shprehin ngushëllime udbashët e
fëlliqur, duke iu drejtuar me fjalët se “a mërzitesh për djemtë që tu vranë”. E
nëna me mençurin që kishte do t’iu përgjigjet “Jo, nuk mu ka mbyllur dera me
ferrë...Në shtëpi i kam edhe dhjetë burra të tjerë. Pastaj tërë shokët e djemve
të mi, i kam në vendin e tyre. Tash po e marr vesh se paskam pasur djem,
ndryshe nuk do të ngrihej një shtet në këmbë për të mi vrarë...”[21], përfundon nëna.Nënë Ajshja
Veprimtaria liridashëse dhe atdhetare e
heronjve, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pengonte shërbimet jugosllave
brenda dhe jashtë vendit. Ata, që të tre në mes veti kompletoheshin e
harmonizonin veprimet, sa që një lëvizjes atdhetare do ti nevojiteshin vite për
të pasur këso kuadrosh në radhët e tyre. Jusufi ishte një penë e fortë e me
emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator
efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë
mirë gjermanishten e anglishten dhe kishte krijuar raporte të shkëlqyeshme edhe
me organizata të tjera të shteteve të huaja që luftonin për liri dhe pavarësi
të popujve të tyre. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e
gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo,
përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia
prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të
pamëshirshme kundër rezistencës shqiptare, që me një përkushtim të madh u
organizua dhe ia doli që ta kurorëzoi me sukses. Dhe vërtet Nënë Ajshja ngeli
pa dy djemtë e saj, por një shqiptari ishte e saja dhe i qëndroi pranë deri në
ditët e fundit. Nënëmadhja –Ajshe Gërvalla, vërtet shkoi në amshim, por gratë trimëresha,
dhe nënat që lindin trima ato nuk vdesin kurrë, në kujtimet, në dashurin dhe në
historinë e kombeve.
Biografi e shkurtër e Kadri
Zekës
Kadri Zeka u lind më
25 prill të vitit 1953 në fshatin Poliçkë, Malësia e Hogoshti-t.
Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Më 1968 familja e tij u shpërngul në
Gjilan dhe këtu mbaron shkollën e mesme. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin
Jurdik në Prishtinë, dega e gazetarisë. Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të
organizuara të "Grupit revolucionar". Ishte në një celulë
me dëshmorin Rexhep Mala, Hilmi Ramadanin e Hydajet Hysenin. Fillimisht
Kadriu ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975
të anëtarëve të Grupit Revolucionar,
Kadriu kalon në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës),
në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij.Ndërkohë
punon si gazetar në radio Prishtinë. Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në
zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një
kohë në malësi të Gollakut,( mësues në Gmicë të Dardanës). Ka mbajtur lidhje të
fshehta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në
burg."
Ndërkohë
punon si gazetar në radio Prishtinë. Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në
zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një
kohë në malësi të Gollakut,( mësues në Gmicë të Dardanës). Ka mbajtur lidhje të
fshehta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në burg."
Pas
gjurmimeve sistematike të UDB-së aty kah marsi i vitit 1978 hetohet veprimtaria
e tij. Fillimisht Kadriu shkon për disa javë në Turqi, por meqë nuk kishte
ndonjë risi kthehet prapë në Kosovë. Më pastaj Kadri Zeka shkon në Zvicër, në
qytetin S. Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës si Hasan Mala, Kadri
Abdullahu etj. Në Zvicër Kadriu tregohet shumë aktiv: vë kontakt me organizatat
shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë të çështjes shqiptare në
Zvicër e Gjermani dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e Shqipërisë
jashtë shtetit.
Krahas
kësaj veprimtarie përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën
"Liria". Veç organit të Organizatës që i takonte ai përgatiti e botoi
dhe publikime të tjera siç ishin "Këngët e lirisë", një përmbledhje
me poezi që u bënë kushtrim kolektiv i djalërisë kosovare. Pastaj përgatiti dhe
botoi përmbledhjen me artikuj të shtypit të huaj "Rreth ngjarjeve në
Kosovë" si dhe studimin e njohur të Vasa Çubriloviqit "Shpërngulja e
shqiptarëve". Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e "Tezave rreth
Frontit Popullor për Republikën e Kosovës". Me përkujdesjen e
drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u
shpërndanë në Kosovë.
Kadri
Zeka ka gjetur tek vëllezërit Gërvalla shokët e idealit, të luftës e të
përpjekjeve. Ata rreth një vit do të veprojnë bashkë. Përkundër intrigave të
UDB-së ata nuk do të përçahen, por do të punojnë për fuqizimin e Lëvizjes për
Pavarësi dhe për krijimin, përmes veprimeve të përditshme, të një organizate të
vetme në shkallë kombëtare; të strukturuar dhe të përgatitur për t'u përballë
me kërkesat dhe sfidat e kohës. Prandaj nuk është e rastit pse ata nuk i ndau
as vdekja.
Vritet
tinëzisht nga UDB-ja jugosllave më 17 janar
1982 në Untergrupenbach
afër qytetit Heilbronn landi i Stuttgart-it (Gjermani).
Pas
luftës së fundit në Kosovë ne fshatin e lindjes në Poliçkë vitin 2007-të u
përurua Muzeu Kadri Zeka[22]
[1] Abaz
Ermenji, Shqipëria gjatë pesëdhjetë vjetëve histori, Romë, 1962; Bernard
Jurgen Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri, Tiranë,
1996; Tahir Zavalani, Historia e Shqipërisë, Londër, 1966.
[2] Uran Butka, Mukja- shans i bashkimit peng i
ndarjes, Tiranë 1998; Muharrem Dëzhgiu, Shqipëria në luftë (1939-1944), Tiranë,
2001; Luan Omari, Organizatat tradhtare “Balli Kombëtar “e “Legaliteti”,
Tiranë, 1950.
[3] Bernard Jurgen Fischer, Shqipëria gjatë luftës
1938-1945, Tiranë, 2000; Prof.Dr. Muharrem Dëzhgiu, Shqipëria nën pushtimin
Italian (1939-1943), Tiranë 2005; F. Lama, Demaskimi politik dhe shpartallimi
ushtarak i “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”, Tiranë, 1987.
[4] Sabit Syla, Rexhep Mitrovica-atdhetar i
devotshëm i çështjes kombëtare, revista “Kosova” nr. 29/30, 2008
[5] Besëlidhja
Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte
vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i
Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër,
Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe
bashkëpunonte me mërgatën kroate.
[6] “Fronti i Kuq”, ishte organizatë ilegale
atdhetare që kryesisht veproi në perëndim (Gjermani). Udhëheqës i saj ishte
atdhetari i njohur Ibrahim Kelmendi. Anëtarë të grupit ishin shumë atdhetar që
kishin migrua nga Kosova. Veç gazetës “Bashkimi”, ata shpërndanin trakte,
afishe dhe proklamata me karakter anti-jugosllav.
[7] Ibrahim Kelmendi ishte i lindur me 23 qershor 1954, në fshatin
Labjan, komuna e Deçanit. Në Gjermani kishte shkuar për të studiuar, por në
ndërkohë kishte migruar dhe ishte vendosur në qytetin Bohum të Gjermanisë. Gjatë
qëndrimit në mërgim kishte zhvilluar një aktivitet të dendur politik, duke
marrë pjesë në shumë veprimtari që ishin të drejtuara kundër shtetit jugosllav.
Ndërkohë punëtorëve tanë iu shpërndan edhe dy materiale të shkruara në formë të
trakteve me titull “Gazeta e Punëtorëve” dhe broshura me titull “Revolucioni
është rrugë e pandashme për fitimin e lirisë. Në Bohum të Gjermanisë kishte
formuar organizatën ilegale “Fronti i Kuq”, të cilën e udhëhoqi me mjaft sukses
deri më 1982, kur edhe u bashkua me organizata tjera ilegale dhe formuan....
[8] “OMLK” Pa dyshim se si vazhdimësi e grupeve të mëhershme
ilegale patriotike shqiptare në Kosovë ishte edhe Organizata patriotike ilegale
“ Grupi Revolucionar”. Autori i librit me një përkushtim të madh shkruan në
detaje për formimin e “Grupit Revolucionar”, duke filluar nga formimi i
celulave të vogla e deri tek organizata.
Në libër nuk cekët saktë se në cilën datë është themeluar “Grupi...”,
porse thuhej se një grup i të rinjve si
Binak Ulaj, Kadri Osmani e Xhafer Shatri etj, vendosin që në njëvjetorin e
mbajtjes së demonstratave studentore të vitit 1968, të shënohet kjo ditë me
demonstratat. Mu për këtë qëllim ata kishin shkruar një trakt “Kushtrimi i
Kosovës”. Pas shpërndarjes së traktit, nga ana e organeve të ndjekjes shumë
shpejt zbulohen dhe dalin para gjyqit. Më 9 mars 1970 Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënon duke i
akuzuar për propagandë armiqësore nga neni 118 të LPJ. Binak Ulaj dënohej me
një vit burg, Kadri Osmani dhe Selami Elshani nga dhjetë muaj burg, ndërsa
Xhafer Shatri dënohej në Gjykatën e Qarkut të Pejës dhe i shqiptojnë dënimin
prej tetë muajsh burg dhe Zenel Ulaj dhe Islam Blakaj nga pesë muaj burg. Po në
këtë kohë, në Prishtinë vepronte edhe një grup tjetër që ishte shumë aktiv dhe
që mbante lidhje me grupin e Kadri Osmanit. Këtë grup e përbënin të rinjtë:
Mustafa Ademi, Gani Syla dhe Mehmet Hajrizi. Sipas autorit thuhej se deri më
vitin 1972 vepruan grupe të tilla, secili më vete, por me disa lidhje
koordinimi në mes tyre. Më 1973, u krijuan kushtet e volitshme dhe erdhi deri
te shkrirja e grupeve të vogla dhe në pranverë të të njëjtit vit u shpall
formimi i “Grupit Revolucionar” të Kosovës dhe u zgjodh udhëheqja qendrore e
tij- Komiteti Drejtues. Përgjegjës i grupit u zgjodh Kadri Osmani, sekretar
organizativ Mehmet Hajrizi, përgjegjës për punën me rininë Xhafer Shatri, për
shtypin Binak Ulaj dhe për çështje materiale Feriz Seferaj. Në këtë shkrim do
të shënojë renditjen sipas përgjegjësisë dhe në harkun kohor 73-82 të anëtarëve
të Komitetit Drejtues të Organizatës. Kadri Osmani (73-74); Mehmet Hajrizi (73-82); Xhafer Shatri (73-74); Binak Ulaj (73-74); Feriz Seferaj
(73-74); Gani Sylaj (74-79); Hydajet Hyseni (74-82); Kadri Zeka (75-82); Sherafedin Berisha (75-77); Jakup
Krasniqi (80-82); Berat Luzha (80-82); Bejtullah Tahiri (81); Nezir Myrtaj
(81-82); Basri Musmurati (81). Grupi Marksist-Leninist i Kosovës (vazhdues i
GRK), më 1978 kishte formuar përveç Komitetit Drejtues edhe Komitetin Ekzekutiv
në përbërje: Ismail Syla, Jakup Krasniqi, Saime Isufi, Bejtullah Tahiri, Jashar Hajrizi, të gjithë këta me rastin e 100
vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shpërndan edhe një trakt
[9] Hasan Mala, ishte i lindur më 1.09.1940 në
fshatin Hogosht të Dardanës, me profesion ishte punëtor. Në radhët e Lëvizjes
patriotike ilegale ishte angazhuar që nga viti 1974. Ndërsa më 1978, angazhohej
dhe vepron në OMLK, pas vitit 1982 bëhej anëtar i udhëheqjes së LRSSHJ. Më
1985-1990 ishte kryetar i LPRK-së. Ka bashkëpunuar me shumë shokë të njohur të
ilegalës si Kadri Zeka, Rexhep Mala, Hilmi Ramadani, Hydajet Hyseni e shumë të
tjerë. Pas rënies së Kadri Zekës, Hasan Malaj dhe veprimtarët e tjerë autorizojnë
Xhafer Shatrin që ta përfaqësojë OMLK-në, në tubimin që do të mbahej në
shtëpinë e Hasan Malës në fshatin Lanovil, afër Bielit. Tubimi u mbajt me 15
maj 1982. Në këtë tubim morën pjesë përfaqësuesit e LNÇKVSHJ-së me në krye
Skender Durmishin, kurse PKMLSHJ-në e përfaqësonte Osman Osmnani. Ky takim
kishte një rëndësi të madhe për ilegalen ngase në të u arrit bashkimi i këtyre
tri organizatave dhe prej kësaj date lindi “Lëvizja për Republikën Socialiste
Shqiptare në Jugosllavi” (LRSSHJ), kurse organi i saj edhe më tej u vendos të
ishte “Zëri i Kosovës”. Në këtë Lëvizje Hasan Malaj ka vepruar deri më 1990.
Pastaj ishte anëtar i LDK-së, LBD-së dhe anëtar i Shoqatës së të Burgosurve
Politikë deri më 2001.
[10]Kadri Abdullahu, lexo Dr. Sabile Keçmezi-Basha,
Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovës 1945-1990 (dorëshkrim)
[11] “Zëri i Kosovës”, ishte grupim ilegal që u
themelua më 1979 i cili veproi kryesisht në Shtutgard të Gjermanisë. Atë e
themeluan Riza Salihu dhe Hysen Gega, mërgimtar tanë që punonin përkohësisht në
Gjermanin Federale. Më 1980, Grupi “Zëri i Kosovës” u bashkua me grupin “Fronti
i Kuq” dhe nga bashkimi i tyre u formua një grupim i ri të cilin e quajtën
“Fronti i Kuq Popullor”.
[12] Riza Salihu ishte i lindur në fshatin
Mushetisht më 24 maj 1952. Ai kishte përfunduar shkollën fillore, me profesion
ishte armues, punëtor me punë të përkohshme në Shtutgard të Gjermanisë
Federale. Ishte udhëheqës i grupit marksist “Zëri i Kosovës”.
[13] Hysen Gega ishte veprimtar i dalluar që
vepronte në grupin ilegal “Zëri i Kosovës”. Ishte i lindur më 21 maj 1950 në
fshatin Sallagrazhdë. Kishte të mbaruar shkollën fillore, ishte punëtor I
përkohshëm në RFGJ, në Shtutgard, po ashtu ishte i gjykuar më 1981. Më 29
shtator të vitit 1979, s’bashku me Riza Salihun kishin organizuar një tubim ,
me ç’rast formuan grupin “Zëri i Kosovës”. Nëpër mes të Hysen Gegës, ky grup
arriti që të krijonte pozicione të
caktuara në trevën e komunës së Suharekës e të Prizrenit. Nën ndikimin e tij u
shkruan edhe shumë parulla në shtëpitë e punëtorëve jugosllav në Shtutgard me përmbajtje anti-jugosllave në
gjuhën shqipe. Po ashtu ai kishte marr mbi vete që të angazhonte sa më shumë
punëtorë në këtë grup. Në grup ai kishte angazhuar Rrahman Llugaxhin dhe Ruzhdi
Saramatin.
[14] Me gjerësisht: Kadri Rexha, Fati i luleve,
Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Prishtinë, 1993.
[15] Kadri Zeka…
[16] “LNÇKVSHJ” Lëvizja
Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi
(LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla.
Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës
"Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë"
(gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën
"Zëri i Kosovës".
[17]Jusuf
Gërvalla, u lind me 1 tetor te
vitit 1945, djali i dyte i Bardhosh Dines, ne fshatin Dubovik te Deçanit. Babai
i vdes ne vitin 1951, kur Jusufi ishte ne moshën gjashtëvjeçare. Tere kujdesin
për rritjen e tij, si dhe te vëllezërve Hysenit, Bardhoshit e Avdylit, do
ti mbeten nene Ajshes. Më 1968 organet e
UDB-es e arrestojnë duke e akuzuar si organizator dhe pjesëmarrës ne
demonstratën e nëntorit te vitit 1968, për pjesëmarrje ne manifestimin e madh
qe u be mbi varrin e Murat Mehmetit, te vrare ne demonstratë. E kërcënonin me
burg te rende, te përjetshëm e deri ne vdekje. Krahas angazhimeve legale qe i
kryente si gazetar e këngëtar, Ai ishte angazhuar edhe në veprimtarin ilegale
në Kosovë. Këtë aktivitet do ta shtojë edhe më tepër me angazhimin e tij
“ Komitetin Qendror” te Lëvizjes Nacional çlirimtare të Kosovës dhe te
Viseve te tjera shqiptare ne Jugosllavi ( LNCKVSHJ), më 1978, me
pseudonimin Sokoli. Po nga ky vit vije në shprehje aktiviteti edhe më i shtuar
për ngritjen ideo-politike ne tabanin kombëtare të punëtorëve, studentëve,
fshatareve, si dhe te gjitha shtresave te tjera popullore. Ai, ne bashkëpunim
me shokë brenda e jashtë organizatës, luajti një rol shume te madh për t’i
treguar popullit të robëruar se cila është rruga për bashkim kombëtar. Me 12
mars te vitit 1979 ne Prishtine kishte formuar Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ
prej 5 anëtarësh.. Në nëntor të vitit1979 i burgosin disa anëtarë, por s’bashku
me ta i burgosin edhe të vëllain Hysen Gervallen. Duke e hetuar se udbashët i
kishin rënë në gjurmë, Jusuf Gërvalla qe i detyruar të dalë jashtë atdheut-
strehohet ne Gjermani. Edhe pas daljes në Gjermani, ai asnjëherë nuk pushoi së
vepruari në të mirë të çështjes me madhore te atdheut dhe të çlirimit të
Kosovës me viset tjera shqiptare ne ish- Jugosllavi dhe te bashkimit me nënën
Shqipëri. Sa veproi në perëndim Jusuf Gërvalla u angazhua që të nxirrte gazetën
“Lajmëtari i Lirisë”, por po ashtu shkruante shkrime atdhetare edhe në revistat
si “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës”, “Liria” etj.
Jusufi punonte dite e natë për bashkimin dhe shkrirjen
e te gjitha organizatave, si jashtë ashtu edhe brenda atdheut, ne një Lëvizje
gjithëkombëtare. Për këtë kishte punuar me se shumti me Kadri Zeken, udhëheqësi
i Grupit Marksist Leninist te Kosovës, OMLK-ne. Ata si udhëheqës arritën qe te
organizojnë demonstrata ne qytete te ndryshme te Evropës Perëndimore. Me 11
prill te vitit 1981 para ambasadës jugosllave ne Bernë, me 18 prill ne Cyrih,
me 25 prill ne Shtutgart, me 9 maj në Mynih, pastaj janë mbajtur demonstrata para
përfaqësisë se OKB-se ne Gjeneve, ne Suedi, France, Belgjike, e ne vende te
tjera. Përveç shkrimeve, fjalimeve, peticioneve, memorandumeve, parullave dhe
materialeve te ndryshme ne gjuhe te huaja bashkëpunimi i Jusufit me Kadri Zeken
do te shihet edhe me publikimin e revistës “Liria”. Ne kohen kur
bisedimet rreth çështjes se bashkimit, Jusufi fillon te publikoje revistën
“ Zëri i Kosovës”, (numri i pare i saj doli organ i LNCKVSHJ-se) ne nëntor
te vitit 1981, numri i dyte ne janar te vitit 1982, botohet pas vrasjes se
Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Ky angazhim dhe biseda për bashkim mes Jusufit
dhe Kadriut do te ndërpritet vetëm me vdekjen e tyre. Vrasja ndodhi me 17 janar
te vitit 1982, rreth orës 22.15 minuta ne Untergrupenbach afër Shtutgartit ne Gjermani.
Nga plumbat e armikut mizor mbeten te vdekur Kadriu dhe Bardhoshi, i cili e
drejtonte automobilin, i plagosur për vdekje me tre plumba ne gjoks qëndron
gjalle dhe i forte Jusufi edhe pese ore te plota. Ne pyetjen e policisë sekrete
gjermane se kush kishte shtëne mbi ta, ai me vetëdije dhe bindje te plote ishte
përgjigjur se ata i kishte vrare policia sekrete jugosllave, e quajtur UDB-ja.
[18] Mehmet Hajrizi, Historia e një organizate
politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f 291.
[19] Xhafer Durmishi, Organizatat politike
shqiptare në Evropë 1979-1985, DEN 17 maj 2008, f, 3.
[20] Po aty, f, 4. Gazeta “Bashkimi” nr. 2. doli më
1980 (muaji shkurt), numri i tretë i “Bashkimit” doli në maj 1980 dhe numri i
katërtë e nxorën në janar 1981 (Njëherë ky edhe ishte numri i fundit i
gazetës).
[21] Kadri Rexha, Fati i Luleve, Rruga jetësore e
shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf
Gërvalla, Prishtinë, 1993, f. 221-223.
[22] Marrë nga "http://sq.wikipedia.org/wiki/Kadri_Zeka, 15.04. 2009