| E premte, 18.12.2009, 09:22 PM |
Prezantime të reja shqiptare në gjuhën rumune
Nga Baki Ymeri
Në vazhdën e angazhimeve tona
për afirmimin e shpirtit shqiptar në gjuhë të huaja, vlen të potencojmë faktin
se revista për kulturë poetike “Poezia”, që del në format libri në një vëllim
prej 250 faqesh, në numrin e saj më të ri (4/2009), në kuadrin e rubrikës Poezie Albaneza (fq.170-174), hap
shtyllat për tre poetë nga Kosova, Mazllum
Saneja (Zëri i gjakut, Mahnitje, Kur digjeshin retë, Mrekullia), Arif Molliqi (Kremtim i trishtë, Zoti
nuk na harron, Kur bien gjethet, Nuk di pse më dhemb fjala), dhe Sarë Gjergji (Gjuhë shpirti, Imazh i
zjarrtë, Shpirti im, Liria e shpirtit, Të pres, Askush si gruaja). Vargjet e
tyre janë të shoqëruara me vlerësime eseistike nga poeti Victor Sterom. Revista
për kulturë “Cronica”, që del në Jash të Moldovës, ku del edhe “Poezia”,
prezanton Engjëll Koliqin nga Kosova
me reçensionin e kritikut Marius Chelaru “Mesazh për një botë nën rrezet e
diellit” (nr. 11/2009, fq.27). E përjavshmja “Natiunea” (Kombi, Bukuresht, nr.
536/2009, fq. 11), boton reçensionin “Universi poetik i ndjeshmërisë së
brishtë”, e të njëjtit autor (Marius Chelaru), kushtuar vlerave lirike të Nuri Plakut nga Shqipëria”, ndërsa
revista “Climate literare” (Tërgovishte, nr. 25-26/2009, fq.20) e prezanton Vilhelme Vranari-Haxhirajn me poezitë
Mos harro, Rrënjët, Dashuria, Dergjen kujtimet dhe Në këtë qytet.
Revista e Plojeshtit “Esteu” (nr. 3-4/2009), boton
kronikën “Shpërthimi i realitetit dhe arsyes në tekstin lirik të Ramadan Mehmetit”, duke patur për autor
poetin dhe eseistin Victor Sterom (fq. 15). E njëjta revistë, si dhe revista
Dioagonale (Buzëu, nr. 3/2009) botojnë reçensionin e Mihai Antonescut (“Kosova,
hëna ime e pushkatuar pas shpine”) dhe ditarin e Besa Salihut kushtuar bombardimeve të NATO-s për ndërprerjen e
gjenocidit serb në Kosovë, ndërsa “Revista noua” (Këmpina, nr. 11/2009), hap
shtyllat për poezitë e Shaip Beqirit
(Baladë e çmurosur, Dheras, E shtunë) dhe Adem
Abdullahut (Pimë dashurinë, Flas, Lule pranvere, Jeta), të shoqëruara me
shënime bibliografike dhe vlerësime kritike. Revista “Impact” (Plojesht, nr.
366/2009, fq. 5), prezanton reçensionin e Victor Steromit “Aanatomia e
dashurisë” kushtuar poetes kosovare Sabile
Keçmezi-Basha, nëntë poezitë e së cilës
e shohin dritën e botimit edhe në revistën e famshme “Oglinda literara”
(Pasqyra letrare, Fokshan, nr. 96/2009, fq. 38): Frymëzim, Koha, Formula me dy
të panjohura, Gjumi, Heshtje, Ireale, Statike, Hija dhe Anatomia e dashurisë.