Alban Bala: Ngjyra mbi Det (Cikël poetik)
| E premte, 18.12.2009, 08:27 PM |
Alban BALA
KËNGA E KATËRT
Pak gjëra ndodhin në jetë. Ti je njëra prej tyre.
Unë iki dhe ajri më vjen pas si një fëmijë i braktisur.
Të kam thirrur kur ujrat vishnin fytyrën time
Për të bërë ujëvara, për t’u djegur në qeshje…
Ik !
Më mirë ik nga koha pa emër
Nga kohët pa duar, ku s’rri dot dashuria
Ku digjen sytë nga fshehja e lotit
Dhe nga vështrimet e pakthyera.
Iiiiiiiikkk !
Unë do të të thërras si jehona njeriun.
Këtu orët janë fyej
Që pikojnë vetmi…
E PAMUNDUR
Në sytë e tu fundoset vjeshta
Përgjunjen shirat nën lëkurë
Kur dorën zgjat si vetëtimë
Aty ku unë nuk shkela kurrë.
Dhe skuqen qiejt porsi buzë
Tek shkrepëtin një fjalë e rrallë:
- Harromë më mirë!
- Jam prej njeriu!
- Harromë më mirë! Unë jam përrallë…
Pastaj vijnë yjtë si plagë plumbi
Dhe s’mund të fle, s’guxoj të zgjohem.
Me ty mbi ag si përmbi mjergulla
Hutohen sytë, qiejt rrëzohen.
Dhe shkrepëtin një fjalë e rrallë:
- Harromë më mirë!
Unë jam përrallë…
MËNGJES
Kuaj të verbër ikin nëpër fushë
me sy të mëdhenj sa shiu.
Pastaj kafshojnë ndër re dhe i gëlltit
horizonti
siluetat e tyre të gjelbra.
Kuaj të verbër bëjnë dashuri mes ikjes
duke shkundur verbimin mbi bar.
Kuaj
kuaj
të harruar në vete.
ETYDE
Vjeshta është ajër i zverdhur; ndizet
vetëm po ta puthësh mbi gjethe.
Jehojnë duart si lugina të largëta
Aedët këndojnë bri erërash pingule
Hukamë del prej gjoksesh dhe bie fletë fletë
Si një prekje zogu.
Vjeshta është lëkurë
Për sytë
Vjeshta është lëkurë…
* * *
Vizato vogëlush fytyrën time
me lapsat e tua
bardh’ e zi.
Një vijë, edhe një, edhe një…
Tani unë fle nën vijat e tua
Si toka nën lumenj…
* * *
E dija prej kohësh
lojën.
Tani hapat e tu ribien nga qielli
Dhe përbaltin botën.
* * *
Kur flet heshtja
është tepër vonë
për fjalët e të tjerëve
dhe veshët shpallen monumente…
STINE
Lule,
lulike,
lulore plot vesë,
frushon ajroma e amshtë e mëngjesit,
mbi duart e skuqta të petalit hajthnor
vrujon ethe’ e lumtur
pranvera
pik-lotet pikë-pikë dhe def është lëkura
e qiellit në prill,
toka pjell gjëmime
që zgjojnë e shpërkundin barvesën e njomë
mbi këmbanore zymbylash.
Rilind jetë e strukur poshtë sqepit dimëror.
Felgron puplavogli tek çukit vetminë.
Pushtohet vetvetja. Bota ështe e lirë
Të rrëzohet
Si shiu.
Pranverë.
Pragverë.
Praj…
PLEQTE LOZIN ME ARRA
Foto e Dyte
Zheg. Sheshi i pluhurt. Pleqtë lozin me arra
nën hijen e pemës së madhe në fshat.
Janë seriozë si fëmijët. Kur e humbin shënjestrën
bastunin kërcënueshëm e ngrenë drejt qiellit
siç kanë bërë gjithë jetën me krahët e thatë.
Drejt gropëzës hidhen arrat. Fiton kush hyn i pari.
Ky cak e ka shenjuar dhe jetë-lojën e tyre.
-Drejt gropës! Drejt gropës!
Dhe nëse nuk hyn dot
të paktën zgjat lodhshëm fundin e të tjerëve.
Shënjestra merret mirë po të përkulesh fort.
Fituesve gjithnjë u dhëmbin më shumë brinjët.
Humbësit buzagazin pleqërinë e tyre
dhe ngushëllojnë me duhan fitimtarët për dhimbjet.
Fati i tyre është edhe ai plak
që me dorë të dridhur hedh arrat drejt një grope.
Nën lëkurën e muzgut tretet pa u ndjerë
historia e shkruar mbi pluhur e një loje…
Portret
Ti je muzikë në gojën e të lumturve
dhe heshtje mbi buzet që janë ende në shtrat
je e hollë si kënga e reve në qiell
e tejpashme si drita që kullojne yjet natës
je e brishtë, si dridhja e dritës së agut
dhe e freskët, si loti i luleve në mbrëmje
je e kripur, si lëkura e shkëmbit të Irlandes
dhe e ëmbël, si zemra e lule-akacjes
e kuqe je, si qershia
e harruar në pemë
e mirë, si ermimi i tokës pas shiut
je e vagullt, si ajri që lëkund zhegu
dhe e qetë, si nata e femijës
e frikshme si fustani i nuses për djemtë
dhe tërheqëse si kënga e fundit e Circes
një brerore q’ shenjtëron ikonat e përditshme
të hapit, të kohës që ikën, hijeve
afsh i trupit të gruas, dëshirë e frikur
e lumturisë së padukshme që ka drojë e fshihet
djersë e syrit të qiellit, aromë e mekur
tulipesh të ngrehur si këmbana fryme
mbështillem me ty si me njëmije zëra…
Ti je më e ëmbël se çdo Itakë e mbytur…
Korale
- Allegro, ma non troppo
Ne dimë të bëjmë shumë gjëra. Të këndojmë fitore
Aty ku s’ndodh asgjë, sepse paqja na vlen
Më shumë sesa lëkura.
Ne dimë të buzëqeshim
Edhe kur na qahet.
Të festojmë humbjet
si përpjekje t’arrira që kurrë s’u bënë ideale.
Dimë të jetojmë pjerrët për t’ju përshtatur dritës.
Të vdesim dimë, të ikim,
qytetërime të ujshme
si shiu mbi shpinë të detit që nuk le pas asgjë.
Ne dimë të masim kohën me litarin e pritjes
Për çfarë s’ka për të ardhur më.
Ne dimë të bëjmë shumë gjëra. Nganjëherë arrijmë
Të bëjmë edhe vetveten,
por këtë për pak kohë.
Pastaj këndojmë fitore mbi humbjet e gjata
Duke fjetur në këmbë mbi piedestalet bosh.
Heronj jemi. Të famshëm. Na njeh edhe pasqyra
e rrojes.
Ne dimë të bëjmë shumë gjëra. Ne thjesht nuk bëjmë asgjë.
E përditshmja na deh me aroma të përjetshme
Si perëndimi që merr përdore
lumin
për ta çuar në det...
Këngë e Përjetshme
Dhe kur ora të vijë të gjithë do të vdesim.
Të gjithë do ridalim kur ora të vijë.
Të dua pranë meje në amshimin e qiellit,
Të falur, të lumtur, të ndritshme, Hyri’.
Të qaj bashkë me ty lumturisht, mirënjohës,
Të jetoj përjetësinë e gëzimit pacak,
Të të shoh, të më shohësh kur ta shohim Zotin
Si një diell të dashur që ndrin mbi parajsë.
Atëherë do të prehem në krahët e ajrit,
Mbi barin e gjelbër të ëndrrës më të afshtë:
I përjetshëm është Zoti dhe dashuria e Tij.
Ti je pranë meje dhe më shumë s’kam dashur…
Sikur Ta Dije
Pa ty,
sikur ta dije sa e vogël është bota
sa një këpucë e humbur fëmije.
Guri i heshtjes që mbaj si Sizifi
u lëmua rrugës
nga zemra në gojë e kryembrapsht mes brinjëve.
Akrepi i orës sime është një brinjë e thyer...
Më dhemb kur marr frymë. Më ther kur e nxjerr.
Kam mbetur si qielli poshtë vrimës së ozonit
i kaltër për të verbërit që nuk e dinë sa e vogël
është bota
kur ti nuk je.
Mbi mua ka pranverë, por poshtë lëkurës bën dimër.
Mes vetullash kam mbjellë një ulli të vjetër.
Nëse vdes
më varrosni poshtë syve të mi
se dua të të shoh prapë
siç shihet një ëndërr…
Radhimë
Hëna lëpin bregun me velëzat plot dritë
Dhe nata mbi Radhimë bie
si një ninullë vere.
Shelgjet trishtojnë ajrin me flokë të përlotur
Mbi brigje pa njerëz…
Deti këndon gurtaz ison e lashtë labe
Të vajzës që prêt atë që s’do vijë kurrë.
Këtu ora është ujë.
As ikën, as vjen,
ngecur mes nofullave të Karaburunit.
Vetëm hëna bie si një vesë e bardhë
Mbi shpatullat e lagëta t’shkëmbinjve.
Limonët, si çelsa soli, pleqërojnë gjelbër
Mbi pentagrame të zbrazët hardhish…
Etyd
Asgjë nuk i përngjet kësaj
Në këtë botë.
Koha është mpiksur mbi petalin e mbrëmjes
Që perëndimi këput në bregdet.
Mali vallëzon poshtë siluetës së gurëve
Me avuj barishtorë
të përhënur.
Epokë e ndalur në një këngë zogu,
në një flatër
peme
që s’bën më hije.
Burrat shkojnë pas ezanit.
Gratë
pas fëmijëve.
Gjithçka po fiket ndritur.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.