Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Pesë sentenca dhe një këngë

| E merkure, 16.12.2009, 10:25 PM |


Vangjush Ziko

PESË SENTENCA DHE NJË KËNGË

1.
Rrufeja saldon urën për në ferr.
Ylberi në parajsë ne na nxjerr.

Nuk ka rrugë të mesme dhe shpëtim,
Mëshirë vetëm ka edhe ndëshkim.

Në botë ka veç frikë edhe shpresë,
Ylberi lind gjithnonë pas rrufesë.

2.
Në botë o do duash,o urresh,
Të përgjërohesh dhe të përbuzësh.
I urti lind edhe vdes
Me heshtjen e memecit në mes buzësh.

3.
Të duash veten,është gjë e ligjshme.
Të tjerët t'i urresh është mëkat.
Në botë ka dhe rregulla dhe ligje,
Por s'ka peshore që shpirtin mat.

4.
Mendimi edhe ndjenja s'kanë një fole.
Kur zgjohet njëra,tjetra thellë fle.
Kur njëra thotë "po" dhe tjetra "jo",
Më kot ti lumturinë ta kërkosh.

5.
Të jesh i lumtur,o të ligështohesh,
Të dyja të dalldisin dhe mundojnë.
Më kot të mburresh a ankohesh,
Kur mendjen mbledh,ato më s'ekzistojnë.


KËNGË

Dhe të duam,Jetë!Dhe të shajmë!
Herë nëna.Herë njerka jonë.
As na mban,as ne mëri s'të mbajmë,
Lumturinë bashkë ëndërrojmë.

Lumturia,lule kaq e rrallë!
Trëndafil gjëmbaç me treqind fletë.
Kush s'e mbolli!Por kush e mblodhi,vallë,
Në ugar'e arës tënde,Jetë?!

Un'e mbolla.Nuk më dolli lule.
Gjëmb i hidhur me majë hosteni.
Çudi!Edhe gjëmbi do më duhej,
Ngava vitet me lëkurë qeni.

Vitet dhe i qepa.Dhe arnova.
Një jelek qëndisa dashurisë.
As qefinin tim nuk e harrova.
Çdo gjë që i duhet lumturisë.

Jetë,ty të dua.Ti më do.
Un' si nënën.Ti mua si birin.
Ty të përgjërohem.Të bekoj
Nga gjembi të mbijë trëndafili.