In Memoriam
Jonuz Balla u dënua në Tetovë me tetë vite burg. Nuk pranoi të hapte shkolla turke
Dje është përcjellë për në banesën e fundit Jonuz Balla, normalisti më i vjetër i qytetit të Elbasanit. Ndër 400 normalistët e parë që u shpërndanë në të gjitha trojet shqiptare për mësimin e gjuhës shqipe, me porosi të ministrit të atëhershëm Ernest Koliqi, Balla do të punonte si mësues në Dibër të Madhe, specialist në Ministrinë e Arsimit për çështjen e metodave pedagogjike dhe më pas drejtor i shkollës "Skëndërbej" në Tetovë. Por ndërsa sllavët i vunë detyrë që të hapte shkolla turke dhe jo shqipe në trojet shqiptare të Maqedonisë, mësuesi normalist, jo vetëm që nuk pranoi, por do të vazhdonte hapjen e tyre në shumë treva shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, ndaj dhe mori tetë vite burg nga Gjykata sllave e Shkupit. Pas përfundimit të vuajtjes së dënimit, normalisti veteran do të punonte po në fushën e arsimit, gjersa doli në pension në qytetin e Elbasanit. Pak muaj më parë, ai merr titullin "Nderi i Qytetit". Balla ishte mësuesi normalist më i vjetër i qytetit të Elbasanit, që ia kushtoi jetën e tij arsimit në trojet shqiptare jashtë kufijve të vendit tonë.
B. Dybeli, G.Shqip