Agron Tufa: Historia e çunit të gjatë, që nuk e pranonte “Tuç”-in
| E premte, 11.12.2009, 08:33 PM |
Historia e çunit të gjatë, që nuk e pranonte “Tuç”-inNga Agron TufaNa ishte njëherë një çun i gjatë dhe i keq, që e quanin Ide, ndonëse në librat jashtëshkollorë çunat e këqinj i quajnë gjithnjë Edi. Shumë e çuditshme, po ç‘të bësh, ja që kështu e quanin, Ide.Dhe u bë i keq ky çuni i gjatë, more shokëni, jo për një ditë dhe jo menjëherë. Çunat e këqinj, të pandreqshëm, siç na mësojnë librat jashtëshkollorë, lindin me vulë në ballë, sikur t’i ketë puthur Satanai. Atyre u ruhen moshatarët, shokët e klasës dhe të lagjes, u ruhen madje edhe prindërit dhe moshatarët e tyre në lagje. Çuna të këqinj ka patur gjithnjë, në çdo vend e në çdo kohë, porse ky gjatoshi ynë u bë më i rrezikshëm se të gjithë dhe prapë, e theksojmë: ai nuk kishte lerë krejt i keq dhe as e mendonte se një ditë do të bëhej i lig. Si rregull, siç na mësojnë dhe librat jashtëshkollorë, një çun bëhet i keq vetëm atëherë kur merret me punë të këqija. Dhe që të merresh me punë të këqija, more shokëni, do të thotë të braktisësh punët e mira, që të bëjnë padiskutim, çun të mirë. Edhe çuni ynë i gjatë në fillim merrej me punë të mira, ani se kur merrej më punët e mbara askush s’e njohu, as për të mirë, as për të keq. Dëshira e gjatoshit tonë ishte të binte në sy, të dukej, se edhe ai ekzistonte, ta nxirrte në pah ekzistencën e tij, e cila ishte e dallueshme midis të tjerëve, në çdo plan pamjeje, pa sy të armatosur, ngase spikaste që tej, more shokëni, si një pikë vrojtimi.Por erdhi një ditë dhe u lodh çuni ynë i gjatë, duke u marrë me punët e mira të kësaj bote. Dhe bota, si bota: indiferente, zemërgure. Nuk t’i shtie sytë të të vlerësojë, së paku, qoftë me metra, qoftë me kile.U lodh çuni ynë i gjatë, i la detyrat mënjanë dhe për një farë kohë pushoi së qeni i mirë, por as i keq nuk ishte. Ai kishte zbuluar më në fund se namin më të madh në lagje e fitokan mundësat. Ata qenkëshin ajka e lagjes, ata të ngjallkan respekt, ata nderoheshkan, atyre u rrihkëshin shpatullat, i gostitkan (nga frika a nga respekti), u hapkan udhë, i ndiqkan pas t’u shërbejnë, i shkërbekan, i pëlqekan, u dhënkan pas pushtetit të tyre dhe pëlqekan të ndjejnë mbi vete pushtetin sundues të tyre.Mundësit e lagjes mblidheshin çdo ditë në një arenë gjysmë të rrënuar, në qendër dhe kacafyteshin, nën britmat e bilbilit të arbitrit, deri në mbrëmje vonë, të ndjekur nga turma të mëdha qytetarësh, fanatë të njërit apo tjetrit. I ndiqte dhe çuni ynë i gjatë kacafytjet nën qiellin e hapur të lagjes, trupat e humbësve që shembeshin përtokë dhe duart e triumfatorëve që ngriheshin lart, në kulmin e delirit dhe brohorisë së tifozëve. I ndiqte dhe ndjente zili çuni ynë i gjatë, për shkëlqimin e vajisur të muskujve fitimtarë. Kështu mori trajtë ëndrra e re e çunit tonë të gjatë. Çdo ditë e çdo natë ai i ndiqte ndeshjet në shkallën e parë, shumë afër arbitrave, me qëllim që të mos i shpëtonte gjë prej rregullave të lojës dhe arbitrimit. Mjaftoi një radhë e mprehtë vëzhgimesh, që ta kuptonte, se si arbitrimet e kishin përmbysur shpesh rezultatin e lojës. Por kjo kishte të bënte me ato raste kur rivaliteti i mundësve ishte thuajse i barabartë, pasi në rastet kur loja fitohej me “tuç”, as arbitrat s’kishin ç‘të bënin. Dhe erdhi një ditë tjetër kur çuni ynë i gjatë nuk mendonte gjë tjetër, por si të futej në arenë; ai nuk mund të merrej paskëtaj me asgjë tjetër: nuk i vizatohej, nuk i shkruhej, nuk i lexohej... shkollën se si e mori zët dhe surretërit e mësuesve nuk i honepste fare. Për ditë të tëra gjatoshi ynë u mor me stërvitjen, ndryshoi sjellje, u bë i vrazhdë, gojështhurur, i papërgjegjshëm për detyrimet dhe detyrat e mëparshme, sepse tashmë ai kishte marrë shpirtërisht një kthesë të fortë: donte të bëhej me çdo kusht i famshëm, të hynte në botën e mundësve. Dhe hyri. Qysh në ndeshjet e para, të lehta, ai zbuloi në vetvete një dhunti që s’e kishte ditur: thyerjen e pahetueshme të rregullave të lojës, faullet tinëzare dhe të gjitha këto, fale një instinkti të parëlindur – befasisë dhe stërkëmbëshit, edhe pse ky i fundit ishte i ndaluar me rregullore.Kështu, more shokëni, brenda disa viteve, ai që nuk kishte bërë emër në art, ishte një nga mundësit kryesorë, që përfaqësonte lagjen e Kuqe. Ndeshje ballëpërballë i shmangej si djallit; parapëlqente atakimet brinjazi, derisa ta fitonte ndeshjen me hile, falë stërkëmbëshit. Pikërisht kjo i dha dhe popullaritetin më të madh në lagjen e Kuqe, ndonëse ndeshjet e fituara vetëm me diferencë të ngushtë pikësh, pa asnjë tuç, i lanë hijen e një reputacioni të dyshimtë. Kur ndeshja përballë kundërshtarit të tij rrezikonte të mbyllej në barazim, ai atakonte me të gjitha faullat e mundshëm, sepse luftonte të shkëpuste me hile e me pahir, qoftë dhe një gjysëm pike.Seç kishin këto fitoret e gjatoshit tonë! Diç jo të gëzueshme, diç të pabesë, diç që të rrëshkiste pandershëm, hajnisht dhe nuk e kuptoje deri në fund, si arriti t’i spostonte rivalët e vet brenda lloji dhe të përfaqësonte i vetëm lagjen e Kuqe në ndeshjen finale. “I keq! I keq!” – thonin për të me gjysëm zëri tifozët e mësuar me rregullat e lojës, por e mbështesnin pa kursim, pasi s’kishin mënyrë tjetër përballjeje.Po ëndrra e çunit të gjatë e të keq që realizuar. Pothuajse. Vërtet ai i kishte fshirë tash nga mendja punët budallaqe të artit, që të lë pa bukë, por ama ishte i kënaqur që u qe imponuar aq dhunshëm, aq tinëzisht e aq hajnisht, sa të mbetej shansi i vetëm për lagjen e Kuqe në përballjen finale me lagjen Bezhë.Dhe ja ku erdhi më në fund dita e finales së madhe dhe në arenë dolën përfaqësuesit e lagjes së Kuqe dhe lagjes Bezhë – çuni i gjatë dhe i keq Ide me kundërshtarin tradicional, të quajtur Ilas. Arbitri që zgjedhur me marrëveshjen e të dyve, madje sipas propozimit të gjatoshit. Po ashtu, edhe vëzhguesit e arbitrazhit vendas dhe të huaj.Dhe ndeshja filloi, nën brohorimën e të dy palëve në shkallët e arenës. Çuni i gjatë dhe i keq Ide zbrazi gjithë arsenalin e befasive, faulleve dhe hileve përballë kundërshtarit, por rivali dukej i sprovuar, me përvojë. Për herë të parë gjatoshit nuk i ecën hilet në përleshjen trup me trup, derisa në një tentativë të dëshpëruar për stërkëmbësh u ndëshkua fatalisht nga kundërshtari bezhë: gjithë segmenti i tij skarragjat u shemb, për herë të parë, me shpatulla përtokë në pozicionin e padiskutueshëm - “tuç”!- Tuç! - tha fitimtari bezhë dhe në shkallët e arenës nisi festa.- Tuç! - tha arbitri, duke i ngritur dorën fituesit dhe në shkallët e arenës lagja bezhë shpërtheu në delir.- Tuç! - miratuan nga afër dhe vëzhguesit e huaj të ndeshjes dhe arbitrazhit.- Tuç! - brohorisnin kudo, nëpër rrugë, në sheshe dhe në lagje fitimtarët bezhë.- Tuç! - dukej se pranonte në heshtje të thellë gjithë tifozeria e mërzitur e lagjes së Kuqe, e cila u shpërnda e vuvosur dhe e pikëlluar nëpër shtëpitë, duke mërmëritur me vete: “I keq! I keq! I keq!”Por vetëm i shtriri “tuç”, me shpatulla përdhe, çuni i gjatë dhe i keq, me emrin e çuditshëm Ide, aspak karakteristik për librat jashtëshkollorë, duke u ngritur e duke shkundur dherat në arenë, sokëlliti fort:- Nuk ka asnjë “tuç” këtu! Arbitri është i shitur! Kundërshtari bëri faull!Dhe i mblodhi edhe njëherë, more shokëni, çuni i gjatë dhe i keq, të gjithë tifozët e zeherosur të lagjes së Kuqe e u tha:- Ndeshjen nuk e kemi humbur! Arbitri është i shitur! O të kthehet ndeshja, o të gjithë në revolucion!Kështu vazhdon edhe sot e kësaj dite të çirret bashkë me tifozët e kuq, nëpër rrugë e sheshe, pa e lënë për asnjë minutë të qetë as lagjen e Kuqe, as lagjen Bezhë, me pretendimet, se gjoja “tuçi” nuk qenkësh i vërtetë.Por fitorja nuk zhbëhet. Arbitri nuk i bie moh verdiktit dhe çuni i gjatë dhe i keq nuk e pranon humbjen.Kështu, more shokëni, vate dhe burrëria e çunit të gjatë dhe të keq me emrin Ide, i cili nuk pranoi “tuç“-in, ndonëse në të gjitha librat jashtëshkollorë çunat e këqinj, gjithandej, quhen Edi.Sepse qysh kemi dëgjuar qëmoti, burrëria e vërtetë është ajo kur ti, gjen kurajon fisnike të pranoç humbjen, me ose pa “tuç”.
Start
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.