| E diele, 06.12.2009, 08:32 PM |
Qasje kritike për vlerat lirike të një poeti shqiptar
ZJARRE DHE KAMBANA
(Nuri Plaku, Lacrima lunii-Loti i hënës, Bukuresht,
2009)
Nga Mihai Antonescu
Me kalimin e kohës, dheu zhvendoset mbi njerëzit, duke i
bindur ta dëgjojnë zërin e tij në heshtje. Ndërsa e presin këtë kohë, sa të
zgjohet nga topitja e saj nën lule, ata pëshpërisin lutje të pafundme, të cilat
askush dhe asnjëherë nuk i ka shkruar për lumturimin e syrit, por vetëm
për t’i “shijuar” ato të kthyera në murmurimë. Janë lutje, nëpërmjet të
cilave, qenja jonë, e drejton lotin kah tingulli, për ta ruajtur atë brenda
tij, ashtu si një kambanë, ruan gjurmën e dorës së kishtarit, si peng malli për
kumbim të pafundëm. Kështu ndodh edhe me poezinë e Nuri Plakut. Ajo të lë
gjurmë në shpirt, si pengje rileximi.
Me këtë
poet, kam patur rastin të takohem nëpër gazeta, revista dhe antologji. Ajo që
më ka bërë më shumë përshtypje te poezia e tij është ndjeshmëria e saj e lartë,
por që unë ende, nuk arrija ta skalisja dot me fjalë. Zë i shquar në
lirikën bashkëkohore shqipe, i përmendur edhe nga komentatorë të tjerë të
veprës së tij, në të gjitha kronikat e arritura deri te unë, Nuri Plaku lëviz
në shprehje dhe ngjyra, me zhdërvjelltësinë e një mjellme në ujërat e kristalta
të rrjedhës, duke projektuar deri në thellësitë e tyre, hijen dhe dukjen e saj
elegante: “Vështroj një
lindje të largët/ Brenda një perëndimi të ri./ Dhe kërkoj/ Një degëz të çelur
trëndafili,/ T’i bie/ Kambanës së rëndë të mugut,/ Që ende e fjetur,/ Para meje
rri./ (Kambana e fjetur). Poeti mbështetet mbi tinguj në të njëjtën
mënyrë siç mbështetet edhe nata, mbi supin e yjeve, duke i mbështjellë ata me
fërgëllimën e saj shpirtërore, për t’i bërë, dëshmitarë të lindjes së mallit,
si gjurmë e një fotografije të çastit: “Do të shkoj/ Te kisha e vjetër e
fshatit,/ Ta var emrin tënd/ Në gjuhëzën e vogël të kambanës./ Kur tingujt të
rrahin/ Mbrëmjen e kaltër,/ Të çahet hëna/ Xheloze për ty./ Nga çarjet e saj/
Të rrjedhë/ Pikë, pikë/ Djersa e Kuazimodos së ri.”/(Kuazimodo)
Duke e lexuar Nuri Plakun në vëllimin
“Loti i hënës”, botuar në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të
Rumanisë, në përkthim të Baki Ymeri, poet që e ka prurë Zoti nga Dardania
historike në trojet e gjuhës rumune, nuk dua të radhis vlerësime, thjesht, për
ta inkuadruar atë në ndonjë vend të veçantë, krahas sivëllezërve të vet. Por
mua, më mbetet në mend timbri, respektivisht tingulli i thellë i tërësisë së
lëndës së tij poetike, mbushur plot me kuptime, plot me zhuritje malli dhe plot
me fëshfërima të heshtura shpirtërore: “Sot do të bëhem kishë!/ Në vend të
qirinjve/ Do të djeg brenda vetes/ Degët e vrara të ullinjve./ E diela do të
bëhet kukuvajkë/ E do të këndojë/ Mbi trungjet e mbetura në korie.” (Ullinjtë
e vrarë). Apo: “Më ikin përditë pjesë nga vetja./ Vijnë e m’i marrin dy
engjëj të bardhë,/ Vijnë të heshtur e ikin të heshtur,/ Sikur mbartin mbi
vete,/ Një Krisht të vrarë.” (Ikjet e bukura).
Nëpërmjet emocionit që trasmeton
fjala e tij dhe shtresimeve të saj të shumfishta, poeti mobilizon përkufizimet
e dhuntisë me një mendim joshës, që nuk mund ta konsumojë substancën veçse, mbi
djegje dhe tingull, mbi zjarre dhe këmbana. Ajo që më impresionon më shumë në
këto poema, është mënyra me të cilën, Nuri Plaku, di ta dëgjojë tingullin, ta
interpretojë dhe ta transmetojë atë tek lexuesi, me mjeshtri artistike, në
rendin e tij, edhe përtejë fjalëve: “Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh/
Fshehur nën krahët e zogjve,/ Të më çojë/ Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash./
Do të shqyej brinjën time nga trupi/ Ta mbjell atje,/ Të mbijë prej saj/ Një
bisk i bukur gruaje./ E do të pres,/ I përgjëruar mbi të,/ Deri sa të çeli/
Trëndafili i kuq/ I vdekjes sime.” (Brinja e mbjellë)
Dashuria është motivi kryesor që zotëron
në këtë vëllim, zambaku i përgjakur i këtyre poemave që zhuriten së bashku me
zemrën e atij që i lind, në një hi fjalësh shpëtimtare për të arritur deri tek
ne: “Do të vizatojmë/ Sërish e sërish/ Hieroglifet tona të pathëna/ Në hirin e
fjetur të një vatre./ Pastaj do të na ndizen vetiu/ Dy zjarre të vegjël në
buzë./ Tek zjarri im/ Do të ngrohesh ti./ Tek zjarri yt/ Do të ngrohem unë./
Veç përmidis/ Do digjet një lumë.” (Gjëagjëza e puthjes). Poezia e Nuri
Plakut është një poezi që lind poezi. Ajo, ka të njëjtin tingull për të gjithë,
ashtu si dhe këmbanat. Por jo edhe të njëjtin kuptim. Kështu, syri dhe loti në
heshtje murosen, për t’i dëgjuar përmes tyre avujt e nxehtë të gurit, që
fshihen “Në dhera burrash të tretur”. Teksa “Plakat ruajnë, të lidhur/ Në cepat
e shamive,/ Një grusht vajzërie të djegur.” (Gratë e plakura). P. S.:
Mihai Antonescu është poet, eseist dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Rumanisë. Reçensionin e shqipëroi nga rumanishtja: A. Voka
FURTUNA BLU
Poezia e Nuri Plakut dallon për
prirjen elegante të një lirizmi meditativ. Animizimi i botës sendore,
atmosferës, peisazheve të brendshme e të jashtme, krijojnë një harmoni
psikospektive, një vështrim të kthjelltë të dukurisë së përshkënditur nga
vetëdija artistike. Metafizika e përfytyrimit përcillet me detaje dhe metafora
elegante, të pa rënduara, duke i hapur udhë gjendjes emocionale, të ngjashme me
bojërat e freskëta në një telajo. Vetë korniza e poezisë së Nuri Plakut, synon
të ngërthejë në vetvete lëndën e papeshë e të pezullt të materies poetike, të
ngjashme me konturet befasuese të muzgjeve dhe agimeve. Transparenca e
kontrasteve të kësaj poezie e bën të dallueshëm objektin e përjetimit, duke i
dhënë një aftësi magjike për të hyrë në lidhje referenciale me idetë. Botëra të
tëra asociative tkurren dhe shpërthejnë prej një detaji të brishtë. Këto janë
këllëfë mikroskopikë të mbarsur me makrobotëra, me kohën, historinë dhe
hapësirat shtegëtare të përmasës së shpirtit njerëzor, i cili gjendet në
metamorfozë të përjetshme, në mahni e pikëllim të përjetshëm nga një stad
embrional, gjer në një baticë magmatike të përbotshme. Nuri Plaku ka arritur me
këtë libër të na lërë një sistem shenjash vetjake – vektorë që orientojnë
shpirtin njerëzor midis kaosit të kohës, historisë dhe civilizimeve. Është një
shenjë autentike në poezinë shqipe, e cila do të lërë gjurmën e saj në qelqet e
bashkëkohësisë sonë, një ideogramë, një hieroglif tepër intim në peisazhin tonë
poetik. (Agron Tufa)
PESHA E FJALËS POET
Vjen një poet. Është fjalë me peshë të rëndë emri poet.
Por Nuri Plaku e mban mbi supet e tij që me librin e parë. Ai nuk ka shpejtuar
të botojë shpejt e shpejt libra me vjersha, që ta quanin të tjetët “poet”, pasi
ia njihte peshën kësaj fjale. Dhe tani, si ai që stërvitet për të ngritur
pesha, erdhi me librin e tij pas shumë fletoreve të shkruara me vargje, të
grisura dhe të rishkruara. Ndaj para nesh del një poet i vërtetë me zërin e vet
në poezi, sjell njerëzit dhe natyrën ku jeton, sjell buzëqeshjet dhe rënkimet e
tyre në këtë shoqëri plot shpresa, dëshpërime dhe ankthe. i sjell përmes një
figuracioni konkret me kontraste idesh dhe mendimesh, që në përplasje e sipër
nxjerrin tinguj të papritur deri në paradoks. Dhe këta tinguj nuk vijnë nga
libri prej letre, por nga libri prej bari dhe dheu, nga libri i natyrës, që
lexohet pa syze. Mik i një poeti tjetër me origjinalitet të veçantë i njohur me
emrin Sherif BALI, ai kërkon me këmbëngulje të formojë dhe të përsosë fytyrën e
tij për t’u thënë njerëzve: “jam unë”. Dhe këtë “unë” do ta gjeni: Çajeni mes
për mes ulurimën time/ Si një boçe pishe,/ Do të gjeni brenda teje/ Bërthamat e
ngrohta të jetës/ Tek buisin/ Tek plasariten/ Tek mbijnë. (Dritëro Agolli,
Fragment nga pasthënia e vëllimit të parë poetik të Nuri Plakut, “Brezi i
humbur”, Tiranë, 1999)
JETA DHE KUJTESA POETIKE SI
RIKRIJIM I
Lirika është poezia e poezisë,
është intimiteti dhe delikatesa, shpirtëzimi i paskajshëm i botës, është
vetëdija e krijimit dhe afirmimit të personalitetit. Të duket si një paradoks,
por poezia moderne e vërtetë mund të jetë e tillë kryesisht nga lirika.
Formalizmi modernist e ka shmangur lirikën nga graviteti qendror letrar duke
krijuar shfaqjen e përjashtimit të poezisë nga vet poezia. Në botimet e sotme
të rrëmujshme dhe hiperbolike ku epigonizmi me imitimin bëjnë kërdinë, shtegu i
lirikës është i vetmi që krijon ndjesinë e hapësirave të mëdha kohore dhe
gjeografike. Kështu lirika është provë për poezinë ashtu si e vërteta është e
kundërta e alibisë. Pikërisht ky është shtegu që kalon lirshëm Nuri Plaku.
Parabola e lirikave të këtij vëllimi është njëherazi konceptim real dhe refleks
i estetikës së krijimit. Kjo duket tek motivet e trajtuara të cilat burojnë nga
jeta dhe vijnë nëpërmjet kujtesës poetike si rikrijim i saj... Nga gjithë
denduria e imazheve të ditës, nga intensiteti i ngjarjeve dhe i njerëzve
protagonistë, në jetën e vet Nuri Plaku kërkon të shohë më qartë kuptimin, të
perëndishmen e “mëkateve të bardha”, eufemizmën që përdor për vijën e dhimbjes
që lë dashuria lundruese e ujrave të ëmbla apo kripësisë së deteve të paanë.
Nuri Plaku bën një poezi të organizuar, ashtu si vet sintaksa është riorganizim
i gjuhës. E ndjen që autori artikulon jetën për ta pasqyruar atë nëpërmjet një
figuracioni konkret dhe funksional. Vargjet dhe madje edhe rimat kanë një liri
të natyrshme të të shprehurit dhe një ngjizje të vetëdijshme të krijimit. Vetë
libri është autografi më i mirë i Nuriut. Dhe ky sukses i merituar mua më gëzon
sinqerisht. (Dr. Moikom Zeqo, 2008)
MENDIME DHE EMOCIONE FISNIKE
Të kam lexuar herë pas here në
shtyp, jo vetëm si një zë që vije nga anët tona, por sepse më tërhiqte poezia
jote për vlerat e saj të mirëfillta. Nuk të bëj kompliment në qoftë se të them
se nga brezat e rinj të krijuesve të Myzeqesë ti je poeti më përfaqësues dhe
kjo s’ka si të mos më gëzoi e mos më bëjë të të përgëzoj për këtë kuotë në të
cilën ke arritur me vargun tënd të bukur. Leximi i vëllimit ishte sa verifikim
i mbresave të kaluara, aq dhe konsolidim i bindjes, se je poet i vërtetë. Dhe
të jesh i tillë, s’është gjë e vogël e aq më tepër e zakonshme. Është pra
përtej të zakonshmes, përtej faktit të rëndomtë, kur në kohën tonë, shkruajnë
me mijra, por të pakët janë ata që ju këndon shpirti siç je ti. Këngët e tua
janë të ndjera, të natyrshme, në të shumtën e rasteve të vetvetishme, pa poza,
gurgullima të një zemre të trazuar që e kthyer në fjalë, i përcjell lexuesit
mendime dhe emocione fisnike. Ke një perceptim të freskët të botës, të
njerëzve, të sendeve, një perceptim poetik të situatave, një përfytyrim me
figura origjinale dhe here/herë befasuese. Uni yt lirik, që i kalon caqet e
veta, bart një botë të pasur shpirtërore. Në rastin më të mirë poezia jote
përshkohet nga dashuria, nga malli, nga nostalgjia që zakonisht t’i ndjell
fëmijëria dhe rinia e parë. Është fusha e Myzeqesë, janë hapsirat e saj,
sidomos ud hët, që i ke kthyer në leitmotiv, që e bëjnë poezinë tënde të ketë
një sekret të gjallë jetësor. Ndoshta ky është djepi i vërtetë i poezisë sate,
prej të cilit ti nuk duhet të lëvizësh, në udhën e gjatë të jetës që ke përpara
Mosha ime është e prirur të japë këshilla, por nga gjithë sa lexova, kuptova se
ti e ke fituar pjekurinë e vërtete të artit. (Prof. dr. Nasho Jorgaqi,
10 janar 2009)
BIBLIOGRAFI
Nuri Plaku njihet si poet, eseist dhe muzeograf. Është një ndër
poetët e njohur të brezit të vet shqiptar. U lind më 10 dhjetor të vitit 1954
në Marinez të Fierit. Arsimin 8 vjeçar e kreu në fshatin e lindjes, atë të
mesmin në gjimnazin e Patosit, për të kryer më vonë perfeksionimet profesionale
në fushë të prodhimeve të naftës dhe gazit. Arsimin e lartë e kreu në Fakultetin
e Shkencave Humane, në degët Gjuhë/ Letërsi Shqipe dhe Histori/Gjeografi, në
Universitetin e Elbasanit. Ka punuar për një kohë të gjatë gjeolog në kantjeret
e nxjerjes së naftës dhe gazit në Marinez, Cakran dhe Patos. Eshtë i martuar
dhe ka 2 fëmijë. Nga viti 1981 jeton dhe krijon qytetin e Fierit, duke ushtruar
profesionin specialist i pavjonit të historisë në Muzeun Historik të qytetit.
Me krijimtari letrare është marrë që në bangat e shkollës së mesme. Eshtë
prezantuar në organe të ndryshme të shtypit publicistik dhe letrar të kohës, si
dhe në antologjinë poetike Tempulli i fjalës (Bukuresht, 2009). Bibliografi
letrare: Brezi i humbur (poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999),
Prangat e zogjve (poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999), Dhimbja e
lisave (poezi, Shtëpia Botuese Toena, Tiranë, 2002), Kuajt
mbretërorë (poemë për fëmijë, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2003),
Qyteti pa statuja (ese, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2004), Furtuna blu
(poezi, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2006), Jaka prej bryme (poezi, Shtëpia
Botuese GlobusR, Tiranë, 2008, Gjeometria poetike (studim për poezinë e Moikom
Zeqos, Tiranë, 2009), Lacrima lunii/ Loti i hënës (vëllim bilingv, Bukuresht, 2009), Kujtesa e humbur (kritika dhe studime letrare, Tiranë,
2009).