Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mirush Kabashi “ Një sukses i aktorëve dhe i Teatrit Kombëtar”

| E merkure, 03.10.2007, 06:39 PM |


Pas suksesit që ka pasur në skenat e disa teatrove shqiptarë dhe botërorë vepra teatrore “Apologjia e vërtetë e Sokratit” shënoi suksesin e saj të radhës në festivalin Teatror në Bullgari ku u shpërblye me kupën e këtij festivali që tashmë njihet për vlerat e tij teatrore. Kjo monodramë e cila ka disa vjet që njihet për suksesin e saj së shpejti do të shënojë edhe shfaqjen e saj të 100, ditë kjo që do të shënojë edhe 10- vjetorin e “Apologjisë së vërtetë të Sokratit”. Kjo vepër është shfaqur si një realizim i regjisorit si dhe rrëfenjasit të vepreës Alfred Bualoti, me interpretimin e shkëlqyer të Mirush Kabashit si Sokrati dhe nga Aurita Agushi nnë rolin e Teodotës. Ka qenë kjo treshja e aktorëve e cila është paraqitur në mënyrë dinjitoze para spektatorëve bullgarë në festivalin e artit skenik ku padyshim që edhe kësaj radhe u pasqyruan vlerat e vërteta të veprës përcjellë kjo nga interpretimi i Mjeshtërit të Madh të Skenës aktorit të Teatrit Kombëtar Mirush Kabashi. Gjatë një prononcimi të tij aktori kryesor në këtë monodramë u shpreh se suksesi i kësaj vepre është edhe i Teatrit Kombëtar. “ Është një sukses i përbashkët i të gjithë komponentëve të shfaqjes por edhe i Teatrit Kombëtar. Sokrati shqiptar së shpejti bën 10 vjeç, që nga viti i mbrapshtë 1997 kur edhe ai u krijua ndërkohë që së shpejti presim shfaqjen e 100 të tij. Në të gjitha aktivitetet ku është paraqitur kjo pjesë teatrore kanë qenë aktivitete të germës A. Më vjen mirë që shfaqja pritet mirë kudo që ajo shfaqet por është edhe suksesi i Teatrit Kombëtar”- u shpreh Kabashi. Ndërkohë që regjisori Esat Teliti ka tre vjet që po punon për një dokumentar që do të realizohet në lidhje me historikun dhe suksesin e kësaj vepre teatrore. Sipas tij ky dokumentar shpresohet që të mbarojë në shfaqjen e 100 –të “Apologjisë së vërtetë të Sokratit”. Ndërkohë që për aktorin Mirush Kabashi ana financiare e ka bërë të sajën që do të thotë se duhet edhe më shumë financim por ai nuk harroi që të fale nderojë edhe sponsorët e kësaj vepre. Pas disa viteve që kjo vepër u realizua u desh Festivali Mesdhetar i Butrintit 2002 që Sokrati të rilinde e të shpërthente në atë kohë në një skenë magjike, ndërtimi i së cilës përkonte me periudhën e veprimtarisë së tij, shekulli i 5-4 p.e.r. Ndërkohë që gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” para se të shkonte të konkurronte në Teatrin Bullgar me veprën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, Mirush Kabashi u shpreh se ishte një kënaqësi e madhe që ata u përzgjodhën që të konkurronin në këtë eveniment teatror por ai ndjente edhe një përgjegjësi të madhe për paraqitjen e kësaj vepre. Monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit” u ngjit në skenën e Teatrit Bullgar në datën 20 shtator ku triumfoi me kupën e festivalit. Premiera e parë e kësaj shfaqje është dhënë në skenën e Teatrit Kombëtar në shtator të vitit 1997, dhe gjatë kësaj kohe është shfaqur mbi 90 herë në skena të ndryshme teatrore në vend dhe në botë. Mbi 20 shfaqje të kësaj monodrame, kanë përfaqësuar për herë të parë Shqipërinë në disa Festivale Teatrore Ndërkombëtare të germës A, si dhe në shumë aktivitet të tjera jashtë vendit ku janë shprehur shumë vlerësime për nivelin e saj artistik. Gjatë pjesëmarrjes në këtë festival roli i aktorëve të trupës shqiptare la mbresa të shumta tek të pranishmit në sallë të cilët u shprehën se ishte një gjë shumë e bukur që në këtë festival merrte pjesë edhe një trupë shqiptare që përcolli para publikut një mesazh të madh për lirinë. Ndërkohë që drejtoresha e Artit në Ministrinë e Kulturës në Bullgari pohoi “ Është një gjë e bukur që në edicionin e 11 të Festivalit tonë marrin pjesë për herë të parë edhe komshinjtë nga Shqipëria, sepse edhe vetë titulli i Festivalit Teatri në Udhëkryq nënkupton vendin tonë të përbashkët në Ballkan. Mendoj që ajo që treguan kolegët tanë nga Tirana ishte një mësim i mirë për lirinë” – pohoi ajo. Materiali i kësaj monodrame është adaptuar vetë nga aktori Mirush Kabashi pas një pune disa vjeçare. 

Metropol