| E hene, 31.12.2007, 12:19 PM |
(1862 - 29 mars 1925)
Atdhetar e demokrat i shquar revolucionar, udhëheqës i lëvizjes për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit.
![]() |
Bajram Curri |
Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit e në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin e Idriz Seferin në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup, duke çliruar nga zgjedha osmane gjithë vilajetin e Kosovës. Pas 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Esat Pashë Toptanit në Durrës.
Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" dhe u bë një nga udhëheqësit e tij kryesore. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe që popullsisë shqiptare në Kosovë t'i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Më 12 dhjetor 1920, i drejtoi Qeverisë sovjetike një promemorie, ku shprehu bindjen se ajo do t'i bënte një vlerësim të drejtë çështjes së kufijve të Shqipërisë. Hyri në lidhje me udhëheqësit e lëvizjeve revolucionare të popujve ballkanikë që vuanin nën zgjedhën e monarkisë serbomadhe. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura. Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes esatiste. Kuptoi shpejt rrezikun që i sillte vendit forcimi i pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij qysh në fillim dhe u radhit në krahun e forcave demokratike që luftonin kundër çifligarëve reaksionarë. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë e Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut dhe forcave reaksionare. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë reaksionare të Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar. Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hapën rrugën fitores së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit. U vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi , më 29 mars.
Wikipedia