Naser Aliu: Historia e Damunit
| E merkure, 02.12.2009, 07:44 PM |
Historia e DamunitNga Naser AliuMos pyetni pse quhej Damun. Nuk dihet. Atëherë tingëllonte emër normal, tani duket i çuditshëm, me një etimologji shumë trishtuese. Për këtë njeri të mjerë dhe të pafat nuk kam menduar së paku njëzet vjet, edhe pse më kishte traumatizuar si fëmijë nëntë vjeçar.Tash u krijuan skena identike dhe ja më shfaqet Damuni i gjorë para syve: trupmadh, hundëshqiponjë, me ballin e madh. Në fytyrë dukej si Brezhnjevi, i mungoni vetëm flokët e dendura të tij. Damuni ishte fqinji jonë për të cilin u tha në lagje se ishte "trenu" (ishte çmendur).Para sëmundjes sillej mirë me ne. Tani kur luanim top fshihej diku në kopsht dhe na e merrte topin, që binte vazhdimisht në kopshtin e tij dhe, me atë top, luanin pastaj fëmijët e tij. Një ditë na ra topi mu aty, ku kishte mbjellë perime. Ai vrapoi pas nesh duke sharë dhe bërtiti: " Edhe ni herë, ku'me jav'shkul dhamtë nja nga nja!". Dhe na e sekuestroi topin përsëri. 'Ndoshta na tha për dhëmbët', menduam ne, se kishte rastësisht darët në dorë, por këtë nuk e kuptuam kurrë. Zgjati një muaj derisa blemë topin e ri.Në lagje flitej se Damunin e kishin dërguar në çmendinë. Ndaj morëm topin e ri dhe... përsëri në rrugë. Topi si dreq top që ishte, ra përsëri në kopshtin e tij dhe mu mbi specat që sapo kishin luluar.Damuni u hodh nga dritarja e katit përdhes si një leopard, kërceu rrethojën sikur të mos ishte fare dhe vrapoi pas nesh duke bërtitur: " Ah, nalnu bre, pa jav'rep lëkurën nuk e la!"Ne ikëm. Hera e tretë dhe e fundit ndodhi diku pas një muaji. Përsëri flitej se ai kishte shkuar në spital. Më shumë se një javë nuk u kthye. Ne menduam se nuk kthehet më. Të rriturit thoshin: "Sigurisht po ia "djegin nervat" në spital dhe kthehet prapa i qetë dhe i butë si një lope"!Edhe pse kujdeseshim të mos binte topi atje, e godet Agroni dhe topi... Përsëri brenda! Tani jo mbi speca, por diku ndërmjet domateve të kuqe. U afruam pranë rrethojës për të shikuar topin, kur befasisht u shfaq Damuni pas një peme të vogël me plot gjethe.Gjashtë shokët ikën në të gjitha drejtimet, unë mbeta i shtangur ballë për ballë me të. Ndërmjet rrethojës pash sytë e tij të kuq, të hapur deri te vetullat.Nuk di pse u ndala. Ndoshta pse sytë e tij m´u dukën aq të mëdhenj, sa më shtangën në vend.Akoma pa mbyllur gojën, kërceu rrufeshëm mbi rrethojë dhe më mori me vete duke më bartur nën sqetull si një qengj.As nuk u përpoqa t´i ikë nga duart. Ashtu si gjendesha në sqetullën e tij, vështroja rrugën nga lart se ku më çonte dhe u ndal pas shtëpisë duke u ulur mbi një cung. Pranë cungut një sëpat akoma me gjak, dhe koka e pulës me njërin sy të mbyllur, tjetri nuk shihej.Nëna thoshte, kur vdesin njerëzit e u mbeten sytë hapur, atëherë u kanë mbetur shumë dëshira të parealizuara. Kur pashë kokën e pulës ashtu, m´u kujtuan fjalët e nënës dhe mendova, paska shkuar e lumtur pula! Mua sigurisht do të më kishin mbetur sytë e hapur!"Dreç biri i dreçit, ap'po do ta pres krytë apo do me të tredhë..." Me njërën dorë m´i tërhiqte flokët duke më parë në sy, me tjetrën më shtrëngonte drejt trupit të tij dhe përsëriste: zgjidh, cilën do me rujt: krytë apo bolet?Dhëmbët i kishte gati katran të zi. Tre i mungoni para. I mbylla sytë nga trishtimi dhe thashë me vete: Më mirë të vendosë ai. Kisha frikë nga sëpata që e kishte afër dhe ndjeja rrahjet e zemrës deri në fyt.E pashë edhe kokën time pranë asaj të pulës. U trishtova dhe sinqerisht nuk pëlqente as dënimi i parë, as i dyti. Derisa sa ai po përsëriste se cilin dënim parapëlqeja, u fut im atë brenda dhe më shkoqi nga duart e tija. Shpëtova, thashë me vete. Më mirë paramendoja një kortezh pas, se sa të shkoja në shkollë i tredhur. Damuni e konsideronte krejt lagjen të sëmurë, por jo veten! Kur njerëzit i thoshin se ishte i sëmurë, ai nuk e pranonte.Nuk më dhemb askund, thoshte ai.Edhe një gjë vlen të tregohet: javët e para kur qe çmendur Damuni u përhap saora në lagje. Çdo shtëpi i tërhoqi vërejtjen fëmijëve të ruhen prej tij, sepse "edhe nëse e vret ndonjë, ai nuk burgoset, por dërgohet në spital", - thoshin të rriturit.Mirëpo, ne si fëmijë edhe krenoheshim me Damunin. Ishte një lloj pasurie dhe sigurie të posedohet një Damun: fëmijët e lagjes tjetër që më parë vinin te ne e nuk na linin të qetë, tani kishin frikë nga Damuni jonë!Në fillim gruaja e tij për të krijuar përshtypje se sjellja e burrit ishte krejt normale, fliste edhe ajo vet me vete duke ujitur specat: "Oh, sot kam parë ëndrra të çuditshme, - thoshte ajo, kur ishim ne afër. Dhe vazhdonte të flasë gati si burri i saj, të këndonte apo të fishkëllente, madje zonja Damun nisi dikur na e shante nënën si burri i saj.Për ta krijuar përshtypjen e normales, kështu sillej edhe vëllai i vet në fillim. "Po dëgjoj zëra, - thoshte ai, Zoti më ka dhënë aftësi të komunikoj me botën tjetër". Lagjja nisi të mendojë se ishin çmendur që të tre, dhe brengosej për fatin e fëmijëve të Damunit.Dikur nusja e tij nuk fliste më me vetveten, por këndonte vetëm me zë të ulët: "o moj e mira mori nëpër therra!", ndërkaq vëllai e dërgonte dhe e merrte nga spitali psikiatrik dhe nuk komunikonte më me botën tjetër.Pse kjo histori kaq private dhe kaq intime? Ja e vërteta: kurrë në jetë nuk kisha menduar se Damuni, i para disa dekadave kishte plotësuar të gjitha kushtet, (pa përjashtim, të gjitha kushtet!) për tu bërë kryeministër në vitin 2009. Madje kryeministër në një vend demokratik.I mjeri Damun i fëmijërisë sime, vdiq pa pozitë, edhe pse i paska patur të gjitha cilësitë e nevojshme për kryeministër ballkanik! Çfarë humbje tragjike për Ballkanin, që nuk din t´i shfrytëzojë resurset e veta njerëzore!
U botua në gazetën "Shekulli"
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.