| E merkure, 02.12.2009, 07:57 PM |
NGA DËSHMIA
TE POEZIA
Ali
Podrimja: “Libri mbi të qenit” (poezi), botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë,
2009
Nga Ahmet Selmani
a)
Nocioni
i angazhimit
Vetë
titulli i vëllimit poetik “Libri mbi të qenit” i Ali Podrimjes krijon
kontekstin e dëshmisë ekzistenciale në kuptimin e një angazhimi të veçantë krijues.
Si i tillë ai shfaq nevojën e brendshme për të reaguar ndaj ngjarjeve dhe
dukurive që janë zhvilluar përpara syve të tij në një kohë të caktuar. Sado që
në rrafshin formal ky titull duket paksa sfidues, ditor, ngaqë a priori nuk të lë shumë mundësi për përjetime
të drejtpërdrejta poetike, siç ndodh zakonisht, në thelbin e vet ai ndryshon
krejtësisht, sepse materia krijuese e mëtejme mbarështrohet në një strukturë
shumë të ndërlikuar. Siç mund të kuptohet, brenda vetes ajo ngërthen gjithçka që
është nevojshme dhe funksionale për një poezi në kuptimin e plotë të kësaj
fjale. Pra, gjithë ecurinë e tij autori qëllimisht e paralajmëron si libër dhe
si dëshmi, jo për ta dhunuar konceptin e poezisë, por për ta harmonizuar në një
trajtë më të afërt për lexuesin. Duket qartazi se e gjithë kjo pastaj
transformohet natyrshëm, kalon pothuajse pa u hetuar nga kuptimi real-jetësor në
atë imagjiantiv-poetik. Kështu, logjikisht del se dëshmia reale e Ali Podrimjes
modifikohet në dëshmi poetike, duke kapërcyer çdo kufij ngushtues dhe duke arritur
te një metaforë e vërtetë krijuese, e cila të fut në brendësinë e vet dhe të
ofron atë që përputhet me realitetin që na rrethon, por edhe me ndjeshmërinë që
na ngjallet për të gjitha ndodhitë kolektive. Prandaj koncepti i angazhimit të
tij sado që të jetë njerëzor, moral, kolektiv, patriotik, prapëseprapë
sublimohet brenda kuptimit themelor të tij, domethënë atij krijues e artistik.
Qysh në fillim autori thotë:
Librin mbi
të qenit e shkruaj
në shkretëtirën
gllabëruese
ku guri
pikon gjak dhe e uroj
për fuqinë
që ma fal
Kjo ndodh
për shkak se dëshmia e tij është truallsore, e drejtpërdrejtë, e përjetuar, e gjallë.
Dhe si rezultat i kësaj ajo identifikohet vetvetishëm, për arsye se shfaqet me kontekstin
e vet gjeografik dhe historik, por edhe mishërohet thellë me kohën dhe hapësirën
gjegjëse. E gjithë kjo bëhet në emër të lirisë ekzistenciale dhe jetësore, si
një synim legjitim për të mbetur dëshmi e pakontestueshme dhe për ta thënë të vërtetën
jashtëzakonisht tragjike. Prandaj autori shprehet zëshëm dhe fare prerazi:
Dëshmoj se
kam të drejtë të jetoj
Përfytyrimi
i këtillë na shpie përpara gjyqit të historisë, ku gjërat fillojnë të vihen në
vendin e tyre të merituar. Duke u mbështetur në këtë të drejtë themelore të
patjetërsueshme, autori bëhet metaforë e gjallë e realitetit paradoksal, bart
kuptimin e dhimbshëm dhe tragjik të tij, duke krijuar ndjeshmërinë e theksuar njerëzore
ndaj asaj që është jetë personale dhe etnike njëkohësisht.
b)
Toposi
etnik
Gjithçka që
trajtohet në “Librin mbi të qenit” të Ali Podrimjes kryekëput sillet brenda
toposit etnik, si rrafsh i parapëlqyer dhe i zgjedhur i tij, sepse thjesht është
një tokësi e përshtatshme për të rendur me intuitën dhe imagjinatën e tij
krijuese, është një marrëdhënie e natyrshme ontologjike, një kryefrymëzim dhe
kryeangazhim, ose një fillim dhe mbarim, një e kaluar dhe e tashme, një zhgënjim
dhe shpresë, një ëndërr dhe realitet. Kërkimi ngulmues i vetvetes si subjekt vëzhgues
ose si bartës i drejtpërdrejtë nëpër kohë dhe hapësirë, është njëherësh edhe kërkim
i etnisë së nëpërkëmbur, zbulim dhe rizbulim i përmasave tragjike të saj, për
shkak se është i ndërgjegjshëm përpara situatës në të cilën ndodhet. Rendja e
tij nuk është thjesht vetëm një përshkim drejt vijës horizontale për t’i kapur
disa dëshmi që e karakterizojnë atë brenda një periudhe kohore të caktuar, por
aq më tepër është edhe një rendje drejt vijës vertikale, e cila shpie pingulthi
nga thellësitë shpirtërore si një dëshmi e paluhatshme dhe më e besueshme e
dramës tronditëse që ka ndodhur brenda realitetit shqiptar. Në radhë të parë kjo
është ballafaqim me të keqen, luftë e vazhdueshme për ta përkufizuar sipas këndvështrimit
artistik, është vetëflijim i pashoq para të vërtetës së shtrembëruar, synim
largpamës për t’i dhënë kuptimin e duhur asaj që ekziston brenda qenies sonë. Gjersa
i lexojmë këto poezi, fitohet përshtypja sikur në këtë fatalitet tragjik që
parakalon në mënyrë të hapur para syve të poetit dëshmitar, liria dhe qetësia
janë ëndrra krejtësisht të
Zoti nuk u
kishte falur as barë
vetëm
gjarpërinj
e gurë
Por ata
kishin diçka
që kurrë
s’mundi t’ua zbulojë i Madhi
jetonin
gjatë
Veçse kjo
jetëgjatësi është e pazakontë, ka domethënie mbijetuese, karakterizohet me
ngritje dhe rënie të dhimbshme, të cilat shfaqen me gjithë peshën e tyre
psikologjike dhe fizike. Kjo është pamja reale dhe poetike njëkohësisht,
pleksja e së cilës bëhet me një ndjenjë të fortë dhe me një vizion shumë të
qartë përpara lexuesit. Duke mbrojtur qenien e vet individuale dhe kolektive,
ai mbron të vërtetën e përgjithshme, përcjell një kumt hyjnor para lexuesit,
duke i bërë me dije se ligjet e absurdit tragjik, të zhbërjes kolektive të një
populli, përbuzjes primitive të tij etj., nuk i ka krijuar asnjë forcë e mbinatyrshme,
por pikërisht njeriu në kuptimin hobsian. Ndaj poezia e A. Podrimjes duke u
shfaqur si dëshmi artistike, ajo bëhet edhe çmistifikuese e realitetit të gënjeshtërt,
fakt shpirtëror dhe fizik, sepse realiteti i përjetuar nga shqiptarët ende është
i freskët dhe kullon gjak. Dhe, kush mund t’i ngushëllojë më mirë përjetuesit e
saj, përveç poezisë së këtij autori i cili është i mishëruar aq thellë? Pra,
pikërisht kjo poezi është klithmë burimore dhe e çiltër, që shkundullon vetëdijen
dhe ndërgjegjen e lexuesve, të cilët s’kanë si të mos e përjetojnë me ndjeshmëri
artistike.
c) Dinamika figurative
Teksa e
lexojmë këtë vëllim poetik të A. Podrimjes, gjithsesi na bën përshtypje edhe
struktura figurative që krijon autori për ta ngritur ligjërimin e tij si një
mjet i domosdoshëm komunikues. Sido që ta shikojmë, fare lehtë mund të thuhet
se nëpërmjet tekstit ai e krijon edhe kontekstin, pra brendësinë dhe jashtësinë,
të dukshem dhe të padukshmen, ku figurat poetike gjithnjë shfaqen me një dinamikë
të veçantë, inkorporohen në mënyrë të natyrshme brenda poezive, bashkërenditen
si një tërësi domethënëse, herë qëndrojnë në mënyrë vetanake e mbizotëruese, e
herë kombinohen me figura të tjera, për t’i dhënë tekstit poetik fuqi më të
madhe në aspektin e perceptimit të tij. Realisht, në këtë brumë figurativ gjejmë
simbole të shumta, metafora të ndryshme, alegori specifike etj., të cilat
vetvetiu sintetizohen në suaza të strukturës ligjëruese dhe rrezatojnë kuptime
të rrokshme. Prandaj, është shumë e qartë se A. Podrimja kështu ndërton një bashkëbisedim
jashtëzakonisht të ngjeshur figurativ, të latuar e të kontrolluar me kujdes,
vetëm e vetëm që teksti poetik të dalë sa më i kursyer dhe sa më lakonik.
ç) Fizionomia poetike
Gjithsesi,
në fund vlen të theksohet fakti se Ali Podrimja edhe me përmbledhjen poetike
“Libri mbi të qenit” komunikon në mënyrë fare të natyrshme jo vetëm me
realitetin tonë tragjik, por edhe me lexuesin i cili tashmë është mësuar me
gjuhën artistike të tij. Me këtë ai niset nga dëshmia, por arrin te poezia. Ky është
synimi dhe vizioni artistik i tij. Ai i ka dhënë një fizionomi të qartë poezisë
bashkëkohore shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të larta jo vetëm
ballkanike, por edhe më gjerë. Me lëndën e saj tepër burimore, gjuhën shumë të
ngjeshur, figuracionin e përsosur, frymën bashkëbiseduese etj., kjo poezi