Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Mateli: Në ditët e Panairit Klik Ekspo Group në mjediset e Pallatit të Kongresit, në Tiranë

| E marte, 01.12.2009, 08:25 PM |


Në ditët e Panairit Klik Ekspo Group në mjediset e Pallatit të Kongresit, në Tiranë


Nga Kujtim Mateli


Panairi Klik Ekspo Group hyri në ditën e tij të katërt. Jehona e tij ka qenë tepër e madhe. Janë sensibilizuar firma të shumta që kërkojnë të bashkëpunojnë midis tyre. Është një rast i veçantë që i jepet cilitdo që interesohet për të zgjeruar aktivitetin e tij apo dhe të nisë një aktivitet të ri. Një numër i lartë vizitorësh shprehnin interesin e tyre dhe ishin të kënaqur për atë çfarë ofronte ky Panair. Kushtet mjaft të mira të krijuara nga drejtuesit e këtij Panairi për ekspozimin e bizneseve dhe numri i lartë i vizitorëve janë një tregues i mjaftueshëm për ta klasifikuar Panairin e sivjetshëm si një nga më të suksesshmit.
Të tërheqin vëmendjen pjesëmarrja e bizneseve dhe kultura e re që po krijohet edhe në vendin tonë që nëpërmjet këtyre veprimtarive të hapin udhë dhe horizonte të reja për të hyrë në hapësirat e bisnesit në mënyrë të sigurt.


I tillë është biznesmeni Aristidh Dimo që prej vitesh bashkëpunon me një firmë bullgare në prodhimin e dyerve te brendëshme. Edhe këtë vit e gjejmë Zotin Dimo tek stenda e tij duke reklamuar para vizitorëve të shumtë këtë prodhim mjaft të leverdishëm nga ana ekonomike dhe që është shtrirë ndjeshëm në vendin tonë.
-Zoti Dimo, çfarë të reje solli për ju ky Panair?
- Është tepër i veçantë. Panairi i sivjetshëm  i ka shtuar urat e miqësisë midis vendeve të rajonit tonë , por edhe më gjerë. Një numër i lartë firmash nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe vendet europiane kanë ekspozuar prodhimet e tyre.  Ja p.sh. “Eurostill” është një firmë gjermane që e ka një filial të saj në Bullgari. Këtu, në këtë panair, kam ardhur me disa nga drejtuesit kryesorë bullgarë që interesohen për ta zgjeruar aktivitetin e tyre në të gjithë hapësirën shqiptare. Siç duket edhe nëpërmjet ekspozimit të prodhimeve tona në këtë panair do të kemi vërtet rezultate.
Ndahemi me Z. Dhimo dhe me drejtuesit e tjerë të firmës bullgare duke iu uruar mbarësi në punën e tyre.


Në stendat e Panairit ku janë ekspozuar  prodhimet e shqiptarëve nga Kosova.
Ky vit pati interes të veçantë edhe për prodhuesit kosovarë. Ata janë të shumtë dhe ndihen si në shtëpinë e tyre. Janë disa firma që kanë shfaqur interes të paraqesin prodhimet dhe aktivitetin e tyre në këtë Panair.
Në njerën nga stendat kosovare është dhe ajo që mban emrin e qytetit të Ferizajt.
Takojmë drejtuesin e kësaj stende që është një nga drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes IMK (Industria Metalike e Kosovës) me qendër në Ferizaj. Ky është zoti Arment Merovci.
Biseda me zotin Merovci është e këndëshme dhe kjo edhe për faktin se jemi kaq pranë me njerin-tjetrin dhe historia na rezervoi fatin që të punonim dhe jetonim të ndarë, si dy popuj të ndryshëm. Ndaj kur takojmë dhe bisedojmë me shqiptarët e Kosovës nuk na besohet që erdhi dhe momenti historik që të punojmë bashkarisht dhe të mendojmë për njeri-tjetrin ashtu siç mendojmë edhe për veten tonë.
-Zoti Merovci, si ju duken kushtet në këtë Panair?
-Janë shumë të mira. Organizimi është i një niveli shumë të lartë dhe ka krijuar një atmosferë të ngrohtë për bizneset e pranishme. Kështu nuk më duket vetëm mua. E thonë të gjithë.
-Na thoni diçka për ndërmarrjen tuaj?
- IMK (Industria Metalike e Kosovës) me qendër në Ferizaj, është një nga ndërmarrjet më të mëdha prodhuese në Kosovë, si për kapacitet ashtu dhe për nga asortimenti. Në fillim të aktivitetit prodhues në vitin 1972 vëllimi i prodhimit ishte 60.000 ton në vit, ndërsa në vitin 1980 arriti në 70.000 ton në vit.
- Cili ka qenë tregu i prodhimeve tuaja?
- Deri në vitin 1990 ndërrmarrja ka qenë një eksportues i sukseshëm në SHBA, Gjermani, Itali, Poloni, Turqi, Greqi, Shqipëri, Bullgari, në ish- Republikën Socialiste Sovjetike dhe në ish- Jugosllavi.
Ndahemi miqësisht me zotin Merovci, sikur të ishim të njohur prej kohësh dhe shkojmë në një tjetër stendë të prodhimeve kosovare. Është stenda e qytetit të Gjilanit. Këtu bisedojmë me zotin Haki Xhelili. Është një burrë rreth të 50-tave. Fjalë ëmbël si të gjithë shqiptarët e Kosovës. Në stendën e tij paraqiten prodhimet e fabrikës “Progresi” e cila operon në tregun e kabllove elektrike.
- Çfarë përshtypjesh ju bëri ky panair?
-Organizimi. Ka një organizim që shkon deri në përsosmëri. Kur të shkojmë në Kosovë do ta përcjellim tek të gjithë shqiptarët e Kosovës këtë frymë gjë gjetëm këtu dhe që u reflektua edhe tek drejtuesit e këtij Panairi.
-A mund të na thoni diçka konkrete për prodhimet e firmës “Progresi”?
- “Progresi” është fabrikë e prodhimit të kabllove elektike në pronësi 100% private dhe është në pronësi të z. Hevzi Xhelili. Kjo fabrikë e filloi jetën e saj që nga viti 1991 dhe atëhere merrej kryesisht me tregti, por prodhonte edhe kabllo dhe materiale të tjera elektrike. Që nga viti 2005 kompania kaloi në prodhim të gjerë dhe iu kushtua kryesisht prodhimit të kabllove.
I urojmë punë të mbarë zotit Haki dhe rishtazi të takohemi së shpejti.
Më tej një tjetër firmë e Kosovës kishte ekspozuar produktet e saj. Kjo ishte firma “Vinex” me drejtor zotin Isuf Zuka e cila operon në Vitia të Kosovës..
Bisedojmë me zotin Basri Shabani.
- A mund të thoni përshtypjet tuaja nga ky panair?
- Jemi shumë të kënaqur. Ka një organizim të lartë dhe ne jemi ndjerë mirë në këto ditë të Panairit. Bile duhej të kishim qenë prezent më parë këtu në Shqipëri me prodhimet tona.
-Çfarë synoni në të ardhmen?
- Besoj se në një të ardhme shumë të afërt do të jemi të pranishëm me prodhimet tona. Ka një klimë të përshtatshme dhe që na bën optimist se do të kemi një të ardhme të shkëlqyer me bizneset tona në tregun shqiptar. Ky panair nuk po na integron  vetëm me tregun shqiptar, por edhe me biznese të ndryshme nga vende të tjera që marrrin pjesë në këtë panair dhe që kanë treguar kujdes për prodhimet tona.


Një emigrant i sapokthyer me produktet e tij në Panair.

Një vend të rëndësishëm zenë në këtë Panair dhe firmat shqiptare që janë më të shumta se çdo vit tjetër. E tillë është edhe firma “LF INFISSI”  Është një firmë që është e hapur këtë vit dhe që kërkon që të depërtojë menjëherë me prodhimet e saj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tregjet europiane. Zoti Fitim Lika është optimist për këtë dhe ja se çfarë na tregon ai.
“Kemi punuar për 14 vjet në Itali si emigrant dhe vendosëm që të ktheheshim në Shqipëri këtë vit. Po nuk qëndruam duarkryq. Hapëm një linjë të prodhimit të grilave perciane të aluminit. Është një paketë komplet që përbëhet nga tetë linja të ndryshme dhe në 2010 do të shtojmë dhe dy linja të tjera.”

-Përse klienti do të zgjedhë për të blerë prodhimet tuaja?
-Prodhimet tona janë të përshtatshme për ndriçim të butë në të njënjtën kohë ventilazione. Një zgjidhje efektive për të gjithë ata që kërkojnë ekuilibër midis bukurisë, çmimit dhe cilësisë. Modelet tona klasike ose moderne me një kornizë kryesore i japin hijeshi shtëpisë ku banojmë. Edhe aksesorët që përdoren janë të studiuar për të duruar për një kohë të gjatë. Mendojmë që të kapim dhe tregun europian. Për këtë kemi besim sepse prodhimet tona janë me cilësi të lartë.
Ndahemi me zotin Lika duke i uruar që të depërtojë sa më shpejtë në tregun vendas dhe atë të huaj dhe le të bëhet shembull për të gjithë emigrantët e tjerë që kërkojnë të investojnë në atdheun e tyre.


Një tjetër firmë shqiptare “EL-FREDI-SHOP”e cila tregton pjesë elektronike kishte vizitorë të interesuar për prodhimet e saj. Bisedojmë me zotin Alfred Kasmi dhe ai ishte optimist për kapërcimin e pengesave që dalin në rrugën e biznesit. Ja se çfarë na thotë për përshtypjet e këtyre tre ditëve të Panairit dhe për klientët që i janë drejtuar stendës së tij.
“ Efekti i Panaireve nuk është i menjëhershëm. Njerëzit interesohen, pyesin dhe më vonë na drejtohen përsëri. Po edhe ne nuk i harrojmë klientët që na janë drejtuar. Komunikojmë vazhdimisht me ta gjersa arrijmë një marrëveshje. Produktet tonë janë pjesë e shumë lokaleve, diskove e pubeve  në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.”


“TAL  CONSTRUZIONI” ka tërhequr mjaft vëmendjen e vizitorëve. Andrea Serusi është përfaqësuesi i firmës italiane.
 Ornela Haxhiri administratorja e kësaj firme na tregon:
“Sektorët tanë më të rëndësishëm kanë të bëjnë me Projektimin, Konstruksionin dhe  Montimin e Ndërtesave Industriale. Falë zyrave teknike të menaxhuara nga inxhinierë të specializuar në projektimin e strukturave në çelik dhe programeve të një cilësie të lartë, jemi shtrirë në shumë sektorë në vendin tonë dhe po kërkojmë të shtrihemi në rajon dhe më gjerë.


Një tjetër firmë italiane është dhe “Sergio Romano” e cila është prezente në tregun europian që nga viti 1962. Për herë të parë në Shqipëri prodhimet e saj u ekspozuan në dyqanet “Deni Style”. Zhvillojmë një bisedë me përfaqësuesin e kësaj firme në vendin tonë z. Elvis Hotova dhe mësojmë se prodhimet e kësaj firme janë tepër të  kërkuara. Operojmë kryesisht me prodhime lëkure dhe këpuce dhe çdo vit e kemi zgjeruar tregun e shitjeve.


“Artek Door” është një firmë kanadeze. Ajo prodhon dyer të blinduara dhe është me qendër në Toronto. Bisedojmë me përfaqësuesin e saj në Shqipëri zotin Tonin Ndoja.
-Na thoni diçka për interesimin e firmës “Artek Door” në tregun shqiptar?
- Ka vite që kjo firmë ka qenë e interesuar për të depërtuar në tregun shqiptar. Tani janë krijuar kushte më të mira për biznesin se më parë. Kështu pronarët e kësaj firme kanë vendosur që sa më shpejt, ndoshta që në fillim të vitit të ardhshëm, të kemi edhe një filial në Shqipëri. Për këtë jemi të sigurt se do të kemi rezultate në tregun tonë dhe në një të ardhme duke përdorur me efikasitet Panairin Klik Ekspo Group të viteve të ardhshëm, besoj se do t`ja arrijmë qëllimit që të kemi një shtrirje sa më të gjerë.
  Largohemi nga ky Panair që karakterizohet nga një gjallëri e jashtëzakonshme
Numri kaq i madh i firmave shqiptare dhe të huaja që marrin pjesë në këtë Panair, organizuar nga  Klik Ekspo Group tregon rritjen e mundësive që kanë vendet e ndryshme të rajonit dhe më gjerë për të komunikuar me njeri-tjetrin. Ky Panair u krijoi hapësira, dimensione dhe mundësi të reja bizneseve të vendeve pjesëmarrëse.