Tragjedia e Ballkanit - Poezi nga Jusuf Zenunaj
| E marte, 01.12.2009, 07:59 PM |
Jusuf Zenunaj
Tragjedia e Ballkanit
Evropa në trupin e saj
dhëmbin skllav e duron,
lumë gjaku shtratin rrit
bota përreth mbyll sytê
pa u ndarë dita me natë
ndërrohen kryelugatë.
Tragjedia e Ballkanit
nesër shndërrohet në përrallë
kur u pushtua gjithësia;
kush do të bësojë vallë
se njerëzit në shekullin njëzet
që të mbesin të gjallë
në zëmër të Ballkanit
hëngrën edhe bar?!!
Klithmë e këngë
(Dhjetra dëshmorëve, që u vranë më 1945 brenda një natë, në kullën e Popit të Istogut)
Në të njëjtën kohë
në të njëjtin vend
lart ngrihej dolli
poshtë lëshohej gjëmë.
Nën dritë të llampës
përreth me bajoneta
në derë të mullirit
fundin e kishte jeta.
Rafalet klithmat i mundnin
gjaku atë natë
rrjedhën ia ndërroi lumit…
Urimi për lindjen e dytë
(Dëshmorit Naser Selimit)
Fyellashtin era e fryn
gjethet vjeshtake ia ndërrojnë melodinë
si zogjtë e plagosur mbi të vrarin bien
dasmorët humbën hapiin për valle
dhëndrit homazhe i bëjnë ndër varre
nusja pa duvak përbri vjerrës rri
si shqiponjë malesh
trupin e dëshmorit me flamur e mbulon
për Lindjen e Dytë e uron !
Rruga jonë
(Kushtuar një mikut tim tiranas)
Dy sy,
një fytyrë
me ëndërr në diell;
unë në terr,
ti me hënë
rrugë të gjatë bëmë,
hapi midis nesh
në fund të shekullit njëzet
prapë matet me jetë.
Në vendlindje
Edhe hapit të lodhur i ka hije
pritja e lirisë para plumbit është madhështi,
varret në vendlindje
më shumë se lulet në mërgim kanë bukuri,
edhe në shkrepa
gjuha e nënës mbjell dashuri.
Rugova
Vetulla e Rrafshit të Dukagjinit
ballë i Siparuntit plak,
shqiponjat në Grykë ditë e natë
djepat i tundnin në shtrëngatë,
kur e niste vajin qyqja
skifterët e jepnin kushtrimin,
Rugova ushtonte
flakë lëshonte Dukagjini…
Poezi nga përmbledhja : «Klithmë e këngë» (Tiranë 1996)
Nga Jusuf Zenunaj
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.