Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Disa vërejtje një vepreje me vlerë

| E marte, 01.12.2009, 07:27 PM |


Vështrim kritik                

DISA VËREJTJE NJË VEPREJE ME VLERË

Nga Nuhi  Ismajli                

Me shkrimet e tij të deritashme, veçmas me veprën “Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip” (bot. Logos – A, Shkup – Prishtinë – Tiranë, 2008), pa dyshim, studiuesi Abdullah Hamiti radhitet në radhën e studiuesve më të shquar të poezisë së bejtexhinjve.

Vepra “Nezim Frakulla…” është një studim i rëndësishëm monografik për jetën e veprën letrare të N. Frakullës, por edhe për poezinë e bejtexhinjve në përgjithësi, //ku mendojmë se studiuesi, me studimin e tij, sjell risi dhe rezultate me rëndësi, në radhë të parë, sa i përket trajtimit të problematikës, çështjes së ndikimeve, çështjes së poetikës orientale dhe çështjes së gjuhës së veprave të bejtexhinjve //. Në vepër autori ka botuar edhe dy kopjet e divanit të Nezimit, duke ofruar kështu mundësinë e njohjes, leximit dhe të studimit më të mirë të veprës së këtij autori. Gjithsesi, në veprën e përmendur, rëndësi të veçantë ka kapitulli: Shpjegimi i termonologjisë orientale /mistike, në të cilin është dhënë fjalori i shpjegimeve të fjalëve orientale, i cili, me gjithë mungesën e shpjegimit të disa fjalëve të nevojshme, ofron një ndihmesë të madhe për kuptimin e veprës së Nezimit dhe të bejtexhinjve të tjerë.   

Krahas vlerës së pamohueshme që ka vepra “Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip”, në të  vërehen edhe disa të meta, si: sistemimi jo i mirë i lëndës, përsëritja e mendimeve, shprehja e mendimeve të paqëndrueshme dhe, shpesh, kundërshtimore.

Kështu, çështjes së ndikimeve të ndryshme: letrare, kulturore, fetare, gjuhësore etj., në poezinë e Nezimit dhe të bejtexhinjve të tjerë, në vepër, me të drejtë, i është kushtuar vëmendje e posaçme, me ç’rast janë vënë në dukje veçanti, karakteristika të dalluara të veprës së Nezimit dhe letërsisë së bejtexhinjve, të pavërejtura më parë, në atë masë. Por, në këtë aspekt, ky interesim (mbase i mbështetur në parime fetare, si: “Në islam, në esencë, edhe vetë mësimet zyrtare janë mistike…Islami i cili preferon nënshtrimin total, është i mbështetur në dorëzim të pakushtëzuar dhe të plotë ndaj Zotit ” (f. 61), bëhet i tepërt, kur kaptina të tëra i kushtohen çështjes së dijes për fenë, duke bërë çështjen e përhapjes së dijeve e porosive fetare objekt kryesor të veprës; kur vepra e Nezimit dhe letërsia e bejtexhinjve përgjithësisht trajtohen nga pikëvështrimi fetar, dhe kur çdo elementi letrar të trajtuar i jepet fryma fetare, duke reduktuar në këtë mënyrë tematikën e veprës së Nezimit dhe të të tjerëve në tematikë fetare, duke njëkuptimësuar semantikën e figurave (simboleve) vetëm në kuptimin fetar (me përjashtim të ndonjë rasti dhe përkundër faktit se ndonjë rast përmendet polivaleca kuptimore e gjuhës së Nezimit), duke shprehur ide të çuditshme, absurde, si ideja e vetëshkatërrimit (f.53-55 ), ideja e fatalitetit dhe e nënshtrimit ndaj shtypjes (f. 104 ) etj. 

Ndonëse në vepër theksohet shumë ndikimi i thellë i Nezimit nga letërsia orientale (”…ai nga çdo aspekt është nën ndikim të poezisë orientale-islame(f. 44), ndikimi nga literatura klasike persiane për të cilin ishte model (f. 44), krijimi i Nezimit “nën ndikimin dhe në kuadër të shkollës neopersiane” (f. 43)  etj., në veprën “Nezim Frakulla…”, Nezimi konsiderohet krijues i një rryme të re me tematikë, motive e strukturë të re metrike (“Kur kthehet në Berat, Nezimi…filloi të krijonte poezi në gjuhën shqipe, duke i vënë kështu themelet e një rryme të re, me tematikë, me motive e strukturë të re metrike” (f. 23-24).

Por, kundër një mendimi të tillë, edhe në vetë veprën, shprehet një mendim tjetër, sipas të cilit: “…Nezimi sjell një frymë të re poetike që, megjithatë, në Berat nuk ishte e panjohur, sepse në Berat, në mos shqip, turqisht krijohet edhe para tij dhe aty kishte një traditë të poezisë…” (f. 24) etj.    

Në veprën “Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip” është shprehur mendimi se Nezim Frakulla “i vuri themelet e letërsisë artistike te shqiptarët” (f. 13), dhe mendimi i përsëritur tashmë mjaft në shkrimet për letërsinë e bejtexhinjve se me bejtexhinjtë “nisi të zhvillohej letërsia artistike shqipe, e cila dilte nga rrethi i ngushtë i një letërsie fetare dhe didaskalike e filloi të ngrihej në nivel të një letërsie artistike” (f. 16), duke mohuar vlerën e pamohueshme artistike të poezisë së P. Budit, të P. Bogdanit, të L. Bogdanit, të N. Brankatit, por edhe të krijuesve para tyre, si vlerën e poezisë së Matrëngës, apo të veprës së Buzukut.

Vlera letrare, pra edhe letrarësia e veprave të autorëve shqiptarë, që krijuan para bejtexhinjve, në shkrimet e ndryshme për letërsinë shqipe, si edhe në këtë të tashmin, është mohuar pa kurrfarë baze shkencore, sepse është marrë si shkak prania e problematikës fetare në veprat e autorëve të përmendur. Siç dihet, tema, pra, as tema fetare nuk paracakton letrarësinë apo joletrarësinë e një vepreje. Në anën tjetër, autorët shqiptarë, të cilët shkruajnë para bejtexhinjve, nuk trajtuan vetëm temën fetare në veprat e tyre.

Tani që në veprën Nezim Frakulla…, jo vetëm nuk mohohet, por edhe çmohet lart vlera artistike e poezive fetare të N. Frakullës dhe e bejtexhinjve të tjerë (për Nezimin thuhet se “…krejt talenti e afshi poetik i Nezimit vihet në pah pikërisht me poezitë e tij mistike artistikisht të realizuara, në figuracionin dhe simbolikën e tyre…” (60), kurse për poezinë e tij se “ishte poezi sublime që i reflektonte vlerat e artit poetik islam e të kulturës islame”,f. 14, etj.), nuk dihet se ç’merret për bazë për të mohuar vlerat e mëdha letrare të autorëve shqiptarë të shek. XVI-XVII, të krahasuara edhe me vlerat e mëdha të letërsisë evropiane, siç janë p. sh. poezitë e P. Budit e të P. Bogdanit dhe për të pohuar se N. Frakulla ose bejtexhinjtë përgjithësisht janë themeluesit e letërsisë shqipe.

Në veprën “Nezim Frakulla…” mohohet edhe ekzistenca e mëhershme e identitetit kulturor e gjuhësor të qyteteve shqiptare, ndërsa bejtexhinjtë konsiderohen si themelues dhe krijues të tij. Duke identifikuar të përgjithshmen, universalen me të  veçantën, tipiken, kombëtaren, në vepër thuhet se bejtexhinjtë, përmes idetitetit kulturor islam, krijuan identitetin shqiptar të qyteteve shqiptare (“Ky identitet kulturor-islam i përshkonte pothuaj të gjitha qytetet shqiptare të atëhershme, në të cilët pëer shekuj me radhë mungonte identiteti gjuhësor e kulturor i shqiptarëve, që ishte pasojë e inferioritetit dhe dezintegrimit” , f. 142). 

Letërsia e bejtexhinjve trajtohet si pararendëse e letërsisë romantike, ndonëse letërsia romantike, si letërsi e esencave të identitetit dhe të idealit kombëtar, ishte një  letërsi krejtësisht e kundërt me të, mohimi dhe refuzimi i saj. 

Kështu, në veprën “Nezim Frakulla…” flitet edhe për, siç thuhet, “Poezinë patriotike e shoqërore me karakteristika të romantizmit që flet për vendlindjen për mallin e atdheut…” (f. 114), ndonëse, në letërsinë e bejtexhinjve kurrë nuk e kemi konceptin atdhe, kurse vendlindja e bejtexhinjve nuk mund të barazohet me atdheun e romantikëve, as malli e vuajtja e poezisë së bejtexhinjve me mallin e vuajtjen romantikëve.

Shkaqet sociale të mallit të bejtexhinjve nuk mund të krahasohet me shkaqet atdhetare të mallit të romantikëve, as malli i bejtexhinjve për vendlindjen (p.sh. Beratin),  me mallin e romantikëve për atdheun (Shqipërinë).

Nezimi braktis vendlindjen për të siguruar mirëqenie sociale, romantikët braktisin atdheun ose dëbohen nga revolta e pakënaqësia me realitetin shoqëror, duke kërkuar një ndryshim të tij, ose dëbohen me dhunë nga pushtuesi, për shkak të veprimtarisë së tyre atdhetare, siç ndodh me romantikët shqiptarë.  

Në veprën “Nezim Frakulla…” , në njërën anë ngulmohet për theksimin e ndikimeve të thella të Nezimit dhe të bejtexhinjve të tjerë nga kultura orientale dhe të integrimeve të thella të letërsisë së bejtexhinjve me kulturën orientale, në anën tjetër synohet të theksohet origjinaliteti i veprës së Nezimit (“Nezimi ishte poet origjinal…”, f. 138), kombëtariteti ose lidhja e ngushtë e veprës së tij dhe e bejtexhinjve të tjera me kulturën kombëtare, si dhe vlera e tyre për zhvillimin e saj (“…Nezimi e poetët e tjerë të alhamiados shqiptare janë ata që me krijimet e tyre shqipe e argumentuan manifestimin dhe zhvillimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve” , f.142, etj.).

Elementet e shumta dhe esenciale të ndikimeve nga kultura orientale, si dhe përmasat e mëdha të integrimit e njëjtësimeve të veprës së Nezimit dhe të bejtexhinjve të tjerë me kulturën orientale, e përjashtojnë origjinalitetin krijues dhe lidhjen e ngushtë të tyre me kulturën kombëtare. Elementet e huaja dhe universale nuk përcaktojnë veçantinë e kulturës së një populli, po bota dhe gjuha e tij e veçantë.

Nëse Nezimi mori vargun tetërrokësh dhe u përpoq që poezisë së tij t’i jipte ngjyrë lokale (f. 43), kjo s’ka ndonjë peshë, përballë ndikimeve të mëdha që ka pësuar vepra e tij. Madje, edhe ngjyra lokale e poezisë së Nezimit, është ngjyrë tipike orientale, e kohës dhe e meseve të bejexhinjve.

Poezinë e polemikës me politikanët nuk e bën poezinë e Nezimit gjithsesi patriotike, siç thuhet, f. 24. Poezia patriotike nuk varet vetëm nga polemika e poetit me politikanët, po nga ajo që thuhet për kombin dhe atdheun, në kuadër të saj. Nezimi nuk polemizon me politikanët për çështjen robërisë së atdheut, për pozitën e popullit të robëruar, për rrezikimin e gjuhë dhe të kulturëës shqiptare, për mungesën e arsimit shqip dhe prapambeturinë e shqiptarit, për imponimin dhe praninë aq të madhe të shkollës dhe të botës së pushtuesit në Shqipëri etj.   

Është e çuditshme se si në veprën ”Nezim Frakulla…”, edhe pozitë e Nezimit kushtuar figurave të pushtetit (f.104), konsiderohen poezi patriotike (“…poezitë panegjirike (lavdithurrëse) që Nezimi u kushton Ibrahim pashës dhe Sulejman pashës, mund të futen në kuadër të angazhimit patriotik…”(f.104).

Nëse nuk tradhtohet natyra dhe ideali i vërtetë i artit, poezitë kushtimore e lavdithurëse, për njerëzit e pushtetit (madje edhe për sulltanin!), aq më tepër, në rrethanat e pushtimit të vendit dhe të popullit të poetit, paraqesin një të metë të madhe: dobësinë, servilitetin, nënshtrimin e poetit, (në këtë rast Nezimit si poet), por edhe gabimin e madh të interpretimit të tyre si poezi patriotike.

Sipas interpretimeve të poezive kushtimore të Nezimit, në veprën “Nezim Frakulla…”,  në Shqipëri s’ka pasur robëri e varfëri, po ka qenë parajsë, ku udhëheqësve iu thuret lavdëratë.

Por, sa i paqëndrueshëm është ky mendim dhe parimi i interpretimit të dyfishtë (që nuk mungon në këtë vepër), shihet edhe nga mendimi tjetër, i kundërt me këtë, shprehur, f. 110: “…poezitë që u kushton këtyre dy udhëheqësve lokalë, nuk mund të merren si përshkrim serioz i jetës shoqërore, i organizimit shoqëror, sepse këto janë poezi lavdithurrëse, nuk e paraqesin edhe anën tjetër të medaljes, që s’ka dyshim se do të ishte krejt ndryshe nga ajo që na del në poezitë që Nezimi ua kushton këtyre dy figurave figurave politike vendore.”  

Në veprën “Nezim Frakulla…” janë dhënë mendime e vlerësime të ndryshme (dhe kundërshtimore) për gjuhën e veprës së N. Frakullës dhe të letërsisë së bejtexhinjve , në përgjithësi. Kështu, kemi vlerësimin (e qëndrueshëm) se gjuha e Nezimit “…ishte e stërngarkuar me orientalizma”, të cilat “shfaqnin ambientin kulturor të atëhershëm të popullit tonë, sidomos të rrethit e ambientit të qytetit shqiptar, çfarë ishin Berati, Vlora, Elbasani etj.” (f. 36); mendimin për stërngarkimin e poezisë së Nezimit dhe të alhamiados shqiptare me leksikun oriental islam, “me qëllim të caktuar, pra me funksion poetik” (f.18- 19),  për hir të kërkesave të poetikës orientale; mendimin (e paqëndrueshëm dhe të kundërt me dy të parët) se Nezimi “…aftësitë dhe prirjet krijuese të tij i vuri në shërbim edhe të ruajtjes dhe të kultivimit të gjuhës shqipe…(f. 14). (Si mund të thuhet se Nezimi ka ndihmuar gjuhën shqipe, duke mos kërkuar e imponuar një nivel tjetër, më të lartë gjuhësor, se niveli gjuhësor i masës, po duke përdorur barbarizma në kohën e rrezikimit të shqipes dhe duke braktisur atë për hir të poetikës letrare orientale  ?!); trajtimin e fjalëve orientale në poezinë e Nezimit (dhe në letërsinë e bejtexhinjve), si fjalë terma, siç trajtohen edhe në fjalorin, në fund të veprës (fjalët orientale “nuk duhet marrë thjesht si fjalë leksikore, por më tepër si terma, nocione me kuptim të caktuar teorik e filozofik…” (f. 80) dhe, ç’është edhe më e pazakonshme, trajtimi si terma edhe i figurave (simboleve) të poezisë së Nezimit (“duhet të njihet gjuha mistike dhe zhvillimi i leksikonit të misticizmit, duhet të njihen e të kuptohen nocionet dhe termat e shumtë të përdorur si simbole e figura, që janë të lidhura ngushtë me misticizmin…” (f. 80), d.m.th. trajtimi i figurës në kundërshtim me natyrën e saj polisemike, me mundësitë e saj të shumta kuptimore ose kufizimi semantik i figurës  vetëm në kontekstin e përdorimit fetar.

Duke ia nënshtruar vlerësimit fetar vlerësimin e çdo gjëje, pra edhe vlerësimin e gjuhëve, në vepër janë shprehur edhe pikëpamje e vlerësime fetare për gjuhët, sipas së cilave gjuha kombëtare shqipe injorohet në raport me gjuhët tjera ( “vetë leximi i Kur’anit është akt i shenjtë, veçmas nëse ai lexohet në origjinal arabisht ”, f. 61) etj. 

Në veprën “Nezim Frakulla…”, herë thuhet se poezia e Nezimit ishte një poezi që ka qenë shumë larg bejteve (f.17),”një poezi elitare, e cila iu drejtohej atyre që kishin një farë arsimimi, që kishin mbaruar medrese apo shkolla të tjera” (f.18), “Ishte poezi e qarqeve intelektuale ”, që iu dedikohej “intelektualëve të formuar (f.15),  herë thuhet se Nezimi shkroi  për receptuesit jo aq të arsimuar, për ata që nuk njihnin gjuhët orientale (f.15), se Nezimi dhe bejtexhinjë të tjerë filluan të shkruanin për popullin e tyre (f.15), se Nezimi shkroi poezinë fetare, poezinë më të kërkuar nga masat e gjera (f.76-77), se Nezimi shkroi poezi mistike, e cila i kishte ithtarët e vet në shtresat e gjera (f.130), poezi përmes së cilave ai “donte të formonte e të mbillte te masat mendimin fetar” (f. 78) etj. , pra, shprehen dy mendime të kundërta, të cilat e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ndonësë e pabotuar, pra edhe e pamundshme për t’u përhapur masivisht, dhe e shkruar vetëm për një pjesë të popullit shqiptar, për atë të besimit islam, për poezinë e Nezimit thuhet se “poezia e tij ishte e shpërndarë në të gjitha trojet shqiptare (f.13)... dhe… lexohej me ëndje” (f.14) (receptuesi më i shpeshtë mbase ka qenë dëgjuesi).

Po kështu, për letërsinë e bejtexhinjve, e cila nuk qe e botuar që të kishte mundësi të shihej, letërsi e krijuar nën ndikimin e shkollës së pushtuesit dhe e lidhur ngushtësisht me botën e tij, letërsi, krijuesit e së cilës i kushtuan vjersha sulltanit, figurave të pushtetit, apo shkruan poezi lutje dhe poezi në të cilat paraqesin nënshtrimin ndaj tyre dhe pozitën e robit etj., thuhet se “nuk ishte parë me sy të mirë nga pushtetarët, madje se ajo dhe krijuesit e saj luftoheshin si nxitës të pakënaqësive popullore dhe prishës të rendit e qetësisë. Për këtë arsye shumë krijues të alamiados shqiptare e kanë pësuar keq…” (17),

Rivalitetet personale të krijuesve me njerëzit e pushtetit dhe pësimi i ndonjërit prej tyre, siç është rasti me Nezimin, nuk duhet të keqinterpretohen e t’u jepet një kuptim tjetër, i pavërtetë, si luftë e pushtuesit kundër letërsisë së bejtexhinjve, apo si përndjekje dhe dënim i autorëve për shkak të veprës së tyre. Siç dihet, në kohën e rrezikimit të gjuhës dhe të kulturës kombëtare shqiptare, bejtexhinjtë i ofrohen gjuhës dhe botës së pushtuesit dhe i kontribuojnë  përhapjes së tyre të mëtejme tek shqiptarët. Veprat e bejtexhinjve, duke qenë të krijuara nën ndikimin e shkollës së pushtuesit dhe lidhur ngushtësisht me botën e tij, ishin produkt dhe në shërbim të tij, prandaj pushtuesi s’kishte pse t’i dënonte ato as autorët e tyre.

Autori i veprës “Nezim Frakulla…” ka shfrytëzuar një bibliografi mjaft të pasur, por ka edhe shkrime shumë të rëndësishme, të cilat nuk i ka shfrytëzuar, as përmendur. Disa shkrime shfrytëzohen pak, duke injoruar interpretimet e deritashme të qëndrueshme të poezisë së Nezimit. Etj.

Përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen veprës Nezim Frakulla…, siç u tha që në fillim, ajo ka vlera të mëdha dhe duhet çmuar si një vepër shumë të rëndësishme.