Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Midis ndjenjës dhe përsiatjes (Poezia e Mexhid Mehmetit)

| E diele, 29.11.2009, 08:30 PM |


MIDIS NDJENJËS DHE PËRSIATJES

(Poezia e Mexhid Mehmetit)*

Nga Prend BUZHALA

Tash e ke përpara Librin e Përzgjedhur, një si antologji e krijimtarisë poetike të Mexhid Mehmetit, prej librit të parë "Klithje e përmallim" (1977) e deri te libri i fundit, "Pikë në zemër" (2005). Librat e tillë bëjnë rekapi-tullimin e krijimtarisë së një autori: ja, kjo është paja e kurorës artistike, që përcakton e fikson tri dekada krijue-se. Së këndejmi, ka rëndësinë e vet parimi kronologjik i përzgjedhjes, për t'i parë tiparet krijuese veç e veç, që po i përkufizojmë në dy etapa krijuese. Rekapitullimi, në këtë rast, është edhe reprezentues me për/masat e kërkuara estetike e historiko-letrare; kritika letrare kërkon kategoritë e vlerave cilësore estetike (të secilës poezi të përzgje-dhur), kurse përzgjedhësi që merr rolin e historianit letrar, bën përfaqësimin e paraqitjes së situatës letrare tash dhe këtu. Së këndejmi, leximi ynë del jashtë kësaj përzgje-dhjeje për ta parë në një dritë tjetër reprezentimi, rekapi-tullimi e (ri)vlerësimi këtë krijimtari, ku ndërveprimi i për-qasjes kritikë letrare - histori e letërsisë - estetikë receptu-ese nënvizohet më fort, për t'i zgjeruar, pse jo, mundësitë e interpretimit të kësaj krijimtarie.

Në hyrje/

Forma dhe norma, paradigma e prirje estetike

Me të gjitha këto çështje që u përmendën më lart, poezia e Mexhid Mehmetit i ruan edhe “distancat histori-ke”, nga njëra anë, edhe vazhdimësinë e këtyre prirjeve, nga ana tjetër; si me librat e tij, pra me tekstet moderne, si me kontekstet në të cilat shkroi ai. E, po qe se “horizonti i pritjes e i receptimit” (Hans R. Jaus) është ajo hapësirë që mbushullohet me formimin kulturor, me sfondin shoqëror si të autorit si të lexuesit; atëherë gjithsesi, edhe autori, edhe lexuesi do të jenë pjellë e atyre rrethanave kulturore, pjellë e lekturës, ideologjisë, përvojave dhe kulturës në ato rrethana.

Mexhid Mehmeti deri më tash e ka sprovuar penën e tij në shumicën e zhanreve letrare. Ashtu sikundër në librat e tregimeve “Lumja” (1982), “Puthja vrastare” (2003), në dy novelat e vëllimit “Hija e korbit” (2005) dhe në tetralogjinë dramaturgjike “Monstrumiada” (1998), në të cilat mbizotërojnë e çuditshmja, arealja, fantastikja apo çrëndomtësimi në gërshet me kohë-hapësirat konkrete jetësore; po ky procedimor i pleks shenjat e përbashkëta të tekstit letrar, ashtu sikundër i vë në gërshet edhe struk-turat e përbashkëta tematike e ideore në romanet “Shtatë ditë pas vdekjes” (2006) dhe “Furtuna” (2007). Ai shkroi dhe poemën për fëmijë “Pallati me yje” (2006).

Poezia është shprehje e ndjeshmërisë dhe e përje-timeve. E tillë është ajo edhe kur ndjek një poetikë konfe-sionale a të vetërrëfimit. A ofron koha e sotme ndjenjë dhe përjetim për lirikën? Të duket sikur Mexhid Mehmeti, që nga libri i parë “Klithje e përmallim” (1977, Preshevë), të botuar para 30 vjetësh, nuk dëshiron t’i reshtet as ta dëbojë këtë këndim metaforik të ndjenjës dhe përmallimit edhe në librat tjerë poetikë: “Frymëmarrje” (1984, Shkup) dhe në librat e botuar në Prishtinë - Peizazh i ngrirë” (1994), “Presheva” (poemë, 1998), “Rikthim dhembjeje” (1998), dhe “Pikë në zemër (2005). Jehona e këtij përmallimi dhe e kësaj klithjeje dëgjohet edhe nëpër librat tjerë poetikë, me tone gjithsesi të zbutura, të disiplinuara, të ngarkuara me barrën e kuptimeve figurative të fjalës e, kund e kund, edhe të shumësisë kuptimore. E pra, nuk dëshiron t’u reshtet atyre gjendjeve shpirtërore që japin çastin e paharruar të një përjetimi lirik, për ta jetuar edhe njëherë me tërë qenien atë përjetim të gëzuar a të hidhur; nga njëra anë. Kurse, nga ana tjetër, lirika e tij, duke qenë gjithnjë kërkimtare e thelbeve të vetvetes e të ekzisten-cës, e meditimit dhe e refleksioneve mbi të panjohurën, mbi shpërndërrimet e vazhdueshme tek qenia njerëzore nëpër kohë, herë me ton të butë e mallëngjyes e herë me ton ca më ekspresiv, më të ashpër, më të stuhishëm, me ndeshje të ashpra meditimesh e emocionesh, pikëpa-mjesh e reflektimesh, kohësh e dëshmish; poeti M. Mehmeti ka rendur së bashku me poezinë e tij, ashtu sikundër thotë te poema “Presheva:

            Ishim dëshmitarë

            të demonstratave

            të  1968 – ës

            kremtimit

            të 500 vjetorit

            të Skënderbeut

            100 vjetorit

            të Lidhjes së Prizrenit

           

            Ishim dëshmitarë

            të hapjes së Universitetit

            dhe të vrapimit tonë

            pas hapit të humbur

            kah Diellnia...

 

Sepse bota e sotme na është kaq e kaq dinamike, e cila, në këtë vrap të marrë, na bëhet aq e aq absurde, e pa-kuptimtë, madje qesharake, parodi e kënduar për vet-veten, diskurs përtallës i një bote shurdhamane e mospër-fillëse, ndërkohë që poeti e ndien se fjalët i shkojnë dëm, ndjenja e përjetimi arratisen dikah… e poezia, nuk ka si të mos e kundërshtojë një gjendje të tillë, të mos e shfaqë e shpërfaqë mohimin, metaforën e refuzimit, lirikën e kun-dërshtimit e të mospranimit. Atëherë poezia thur shenjat e saj të përsiatjeve, bëhet më meditative, që, kundruall rea-litetit “objektiv”, çuditërisht e paradoksalisht, zhvishet nga metafora dhe nga përmasa e përjetimit. Porse Teodor Adorno do të thoshte: “ Përvoja artistike bëhet autonome vetëm atëherë kur e hedh poshtë përjetimin. Rruga që të shpie te kjo gjë, i bie nëpërmes mospërfilljes, kurse eman-cipimi i artit i shpërfill produktet pornografike, kënaqësitë boshe…por, nëse e heqim a nuk e pranojmë secilën gjur-më përjetimi e ndjesie, aty për aty do të na imponohet pyetja: atëherë përse përgjithësisht ekzistuaka vepra artistike? Në të vërtetë, në veprat artistike, do të dilte sikur aq më pak ta përjetojmë, aq më mirë e kuptojmë.”

Është thënë: poezia mbushullon, por edhe kërkon të mbushullohet, është sendërtuese, porse kërkon edhe të sendërtohet. Prandaj, nuk ka se si të mos lindin konflikte e mosmarrëveshje në marrëdhëniet e komunikimit lexues-poezi. Sepse poezia sikur shkon kah një lexues i zgje-dhur, sikur e kërkon këtë lexues elitar, tek i ka shpallur fa-qe botës elitizmin estetik, rrymat avangarde, moderne e postmoderne, intelektualizimin e këngës lirike, kurse her-metizmin poetik e ka shpallur si normë të sajën. Të mos harrojmë: hermetizmi i viteve ’70 e këndej u mor si “nor-më” letrare, duke i thurë edhe “format” e veta me diskur-sin e saj sugjestiv, alegorizues, asociativ, pikërisht për shkak të censurës ideologjike që ekzistonte këndej. Ndër-kohë që e ruajti edhe sot elitizmin aristokratik të thënies. Sikur poezia ngadalë po heq dorë nga publiku e që  për-bën një fenomen socioletrar. Nëse lexuesi bashkëkohor ngreh shpesh akuza kundruall poezisë moderne për shkak të paqartësisë së saj, për shkak se folësi lirik krus-pulloset, rrudhet e struket në vetvete, për shkak të reduk-timit e të pakësimit të forcës së komunikimit poetik me lexuesin apo për shkak se kjo poezi nuk merr parasysh se kujt i drejtohet; atëherë është obligim i kritikut e i leximit kritik që ta qartësojnë këtë hermetizëm a paqartësi, t’i gjejnë e t’i përkufizojnë vetë burimet e qenësisë e të qeni-esimit të aktit poetik, t’i zhdrivillojnë e t’i mënjanojnë mje-gullnajat e bashkat e këtyre mjegullave nga konfuzionet dhe jo t’i mistifikojnë ato. Më saktësisht, ta veçojnë, ta vënë re, ta shquajnë e ta përdallojnë paqartësinë nga urtia e thellë, të pakuptueshmen nga të folurit përçart, dis-kursin e mençurisë së fshehur nga kalamburet boshe, apo shumësinë semantike nga ekzibicionizmi i pacak me figu-ra poetike. Në “horizontet e pritjes a të receptimit”, leximi kritik merr parasysh atë trikotominë e njohur autori-vepra-lexuesi, apo, sikundër thuhet në teorinë tradicionale të kri-tikës: për të qenë urë midis lexuesit dhe veprës.

            E në këto shtegtime kohësh e këndimesh lirike, poezia e Mexhid Mehmetit jo vetëm që i ngërthen këto paradigma e prirje estetike, por te kjo lirikë s’ka se si të mos ndjehet edhe toni dëshpërues, njajo drithërimë dile-mash që zgjohet tek individi që i ka përjetuar aq kohë thyerjesh të shumta deri te atmosfera dëshpëruese e tinë-zare e para/luftës dhe e pasluftës. Por pa marrë parasysh këtë disponim të tri dekadave të gjata të krijimtarisë poe-tike, Mehmeti e shquan kudo, në të gjashtë librat e tij poe-tikë, vetëdijen hyjnore për përkatësinë nacionale apo atë individuale, të vetvetes; kundruall një situate klaustrofo-bike:

 

            Gjithëçka nis e mbaron

            Në atë pikë

            Që harroi

            Të shënohet në histori

            (libri i parë, fq. 10) apo

 

 

            Fjala ndjek fjalën

            Pikë në zemër

            Dhembjen shton përherë

            Dhe ther

            Ther...

            (libri i fundit, fq. 63)

 

Prandaj ka aq shumë vetmi e heshtje, harresë e zhgë-njime, vetëpësime e çmësime historike, abortime kohësh, peizazhe të ngrira e rikthime të pafund kah dhembja.

Të mos e lëmë jashtë vëmendjes: kur Mehmeti po e botonte librin e parë të poezive ”Klithje e përmallim” në Preshevë e jo në qendrën kryesore kulturore, në Prish-tinë; poezia e viteve '70 në Kosovë po shfaqej me plura-lizmin e saj kulturor, estetik e stilistik, me ndërlidhjet që i kishte vënë me përvojat moderne botërore, me prirjen për të kënduar me një ligjërim shumëplanësh figurativ; me kërkimin e formave të përkryera poetike, të lirshme, po duke kërkuar gjithnjë ritme të reja poetike e me prirjen për ta intelektualizuar mesazhin poetik; me prirjen e shndë-rruar në sistem këngëtimi për të kërkuar anët e kundërta, botën e kontrastuar që del nga një negacion i brendshëm. Te libri “Rikthim në dhembje”, 1998, Mehmeti i prin librit me vargjet e ngritura më vonë në sistem: “Sa shpesh na shkuan ardhjet/ e na erdhën shkuarjet”, porse duke nxitur të bukurën gjithnjë në këtë kontrastim të gjerë sistematik, të cilës i kundërqëndron e keqja (kujto “Bukuruia e zezë” të Beqir Misliut” apo “Dhimbë e bukur” të Ali Podrimjes, por edhe “Peizazh i ngrirë” a “Pikë në zemër” të Mexhid Mehmetit). Do të thotë, se këto prirje e veçanti vazhdojnë edhe sot me thurje e përthyerje gjithnjë të përtëritura kën-gëtimi. Ndryshe, kushtesat me dialogë të tillë lirikë, lexo-hen si kujtesë poetike, nga njëra anë, lexohen edhe si prirje e kronistit lirik të së përditshmes, nga ana tjetër. Në kohët e sotme të erës së globalizmit, poeti dëshiron ta bartë në mënyrën e tij inspirimin platonik të lirikës meta-fizike. Dhe në këtë kontekst fryma poetike/ shpirti lirik, vjen si një "dokument" që ligjëron për iluzionin e Artit e për Iluzionin e Jetës. Dhe diku tjetër poeti shfaq tonin autoironik, kund e kund lirika e dy librave të fundit nga pak tingëllon si një ton grotesk ndaj vetvetes, kohës dhe rre-thit, ndaj ekzistencës. Diku tjetër, tek poezitë mbi dashu-rinë, pos ndjenjës orfeike të përjetimit të saj, këto tone ja-pin melosin e një ndjenje të ngrirë, të një peizazhi të ngri-rë, të zbrazët, si vetmia që këndohej në fillim, a si heshtja që vjen mu në zemrën e kohës sonë. Po ky melos, i rikën-duar shpesh e shpesh, shprehet me semantema metafo-rike të elegjiakes, tragjikes a groteskut. Mandej kemi de-përtimin kah irracionalja apo rezinjata refleksive-medi-tative, kah kategoritë tjera, si bizarja apo trauma kolektive a shokantja, kah metaforika sistemore e përkufizuar si pikë e ngrirë, peizazh i ngrirë, ku nuk lëvizin as historia as e vërteta apo kah shkrimi poetik që i jepet lexuesit si do-kument i panjohur, si dokument i frymës lirike, a i shpirtit lirik. Vrujojnë nëpër cikle e libra, nëpër tërësi poetike a po-ezi që lexohen veç e veç nyjat e shumta intertekstuale, asociacione, citime e vetëcitime të zërit poetik. Libri: cikli, tërësia poetike a poezia e vënë në disa kontekste struk-turimi, bëhen forma dhe norma të standardizuara të ko-hës. Kurse poeti përmallohet edhe njëherë, përreth tri dekada, me të dashurit e tij, me drurët, zogjtë e natyrën, me të kaluarën e vitet që rrjedhin, me kohën që rrjedh pakuptueshëm, me miqtë e tij krijues, me dëshmorë e figura të shquara historike... si një paradoks absurdi, e kund e kund, i vijnë edhe vizionet për Të Ardhmen. E, ky përmallim le të lexohet si një Imazh Parajsor: sepse poe-tët e ndiejnë nevojën a kërkesën e brendshme për t’i este-tizuar gjërat, ashtu sikundër ndiejnë nevojë për t’i parë ndryshe edhe amshimin e dashurisë, bukurinë e jetës, largësitë e pamatshme… Ajo që është e largët (në kohë-hapësirë), ajo është më e bukur; kurse ajo që e përje-tojmë në çastin e të tashmes, është aq e egër, e hidhur, është ndjenjë aq e zbrazët… Poeti dëshiron të arratiset diku. “Poeti është një emigrant i përjetshëm”, thotë Cveta-jeva. Porse poeti emigron, ku tjetër, pos në universin e së bukurës.

            Një lexim i plotë, i të gjashtë librave poetikë të këtij autori, nxjerr në pah dy etapa krijuese, dy kategori komu-nikimi. Nëse në dy librat e parë (1977-1987), ky krijues ndjek një komunikim të brendshëm, që i drejtohet Vet-vetes, Subjektit e që përkufizohet me lirizmin subjektiv; në librat tjerë hetohet një thyerje e këtij komunikimi; vjen një komunikim poetik më kursimtar, më i matur, më i për-mbajtur, - një lirikë e një niveli më të lartë, lirikë e Tekstit Figurativ, e Tekstit Abstragues.

 

Diskursi i klithmës/

“Klithje e përmallim”

Poet që ka shkruar e botuar që nga vitet ’60 të shekullit XX, Mexhid Mehmeti, kur botoi librin e parë poe-tik, “Klithje e përmallim” para 30 vjetësh; tashmë i kishte përvetësuar përvojat e reja poetike e estetike të vargut të shkurtër, të distikëve modernë lirikë, të dendësisë së thë-nies lirike, të perceptimeve të lira të teknikës ca të ndër-likuar të kodit tematik e të figuracionit poetik, të forcës së sintezave e të përgjithësimeve poetike, të krijimit të struk-turave zhanrore të ciklit e të tërësisë poetike, të sonetit, rubairave a të tipave ligjërimorë (toni i vajit popullor, toni balador e elegjiak, gnomat lirike, lirikat përkushtimore etj). Ndonëse titulli “Klithje e përmallim” zgjon asociacione të komunikimit ca romantik, sentimental e të ndjeshëm të poezisë së klithmave e përjetimeve “të tejkaluara” subjek-tive; megjithatë klithma e përmallimi arrijnë të nyjëtohen e të bëhen shenja të përfaqësimit të tekstit poetik me nyjë-zime moderne. Po ashtu, edhe strukturimi i librit dhe rrjeti i lirë i asociacioneve lirike të flet për diçka tjetër. I struk-turuar në ciklet “Në lëkurë e jashtë saj” (lirizëm meditativ-subjektiv në kërkim të kuptimeve të fenomeneve të botës njerëzore, me rrezatime të kujtesës kombëtare e sociale), “Kur flet shpirti” (në kërkim të programit vetanak poetik e të Unit të tij njerëzor-krijues), “Vargje që s’munda t’u jap fund” (lirika të temëkëndimeve të dashurisë), “Përkush-time” (lirika përkushtimore), “Endacaku i rrugëve” (kurorë sonetesh, biolirikë) dhe “Shtigjeve të ditëve” (rubaira), të duket sikur ky zë përmallimi, kjo klithmë a ky ton elegjiak gjithnjë dalin në variacione të shumta të tisit të dhembjes a të tragjedive të shumta individuale, familjare apo kom-bëtare. Le të ndalemi për një çast se çka shënjon klithma në simbologjinë (J. Chevalier) e në mitologjinë botërore: nga këndshikimi i religjioneve dhe të traditave gojore klith-ma tregon diçka të kobshme, një vdekje të dhembshme, tragjedi, masakër, plasje sherri. Tregon një luftë, vajtim, të qarë, vaj, lutje, gërthitje. Pikësynon një kërkesë me zë të lartë. Le t’i kujtojmë, me këtë rast, këngët tona të vajtimit. Klithma e kobshme që të mpin si gur, ekziston në të gjitha traditat e popujve. Klithma lufte apo për të vrarët dëgjohen te Iliada e Homerit, apo te shkrimtarët antikë greko-romakë, kur luftëtarët lëshojnë klithma para se të mësyjnë armikun, në Kur’an klithma identifikohet me përmbytjen, kataklizmin, kurse në Bibël klithma shfaqet si zemërim hyjnor që gjykon e bie mbi mosbesimtarët, mëkatarët dhe tiranët. Ekziston klithma e dhimbjes që të ther, ashtu si ekzistojnë edhe klithma gëzimi a kremteje. Porse klithma e Mexhid Mehmetit qëndron në vazhdën e tipikes së këty-re traditave gojore a të literaturës botërore: e motivuar nga tragjedia familjare e Ridvon Shabanit, gruas së tij Mevludes dhe bijve të tyre, Arburimit e Mërgimit, nga fshati Miratovc afër Preshevës që një natë me shi u do-gjën në zjarrin që u shkaktua në ndërtesën ku banonin në Kopenhagen të Danimarkës. Ishin vitet ’70... “Klithje e përmallim” quhet edhe tërësia poetike a poema, e ndarë në shtatë pjesë e që i kushtohet kësaj tragjedie. Pra, poe-zia motivohet nga konteksti konkret i një ngjarjeje tragjike të një familjeje shqiptare në mërgim, kurse referencat e tekstit zgjerohen më tutje. Në poemë folësi lirik thur tek-stin e anamnezës personale e kolektive; i evokon këtë ngjarje, nëpërmes një paralelizmi lirik figurativ: peizazhi i jashtëm shënjon përjetimet e brendshme të poetit; vjeshta është e vdekur e me gjethe të zverdhura, përkujtimi zgjon dhimbje e mall, vetmia e folësit lirik shoqërohet me shi, me trishtim e me rrapëllima llamarinash të dritareve, të cilit i dalin në vegimin me shi rrugët e gjata të mërgim-tarëve. Klithmat shtohen dramatikisht:

 zjarri në shi

            vdekjet po i radhit

            para madhni së kobit të vet

            e vaji i trishtimit

            po shpërthen kupën e qiellit

            mallkon shan e truan

            fat dreq e perëndi

 

Shenjat e interpunksionit hiqen, si në të gjitha krijimet tjera të këtij autori, në mënyrë që poezia të lexohet sema-ntikisht e figurativisht si zhanër i lirë, ashtu sikundër lexo-het lirshëm edhe nga ana ligjërimore. Poema shkruhet si komunikim i fatkobit kolektiv. Kurse mesazhi i folësit lirik nganjëherë merr konotacione të skajshme qortuese e revoltuese:


            se dru për arkivole

            kemi edhe këtu


As kur i bie në fund këtij këngëvajtimi, folësi lirik nuk gjen ngushëllim, pos porosisë që e ka “të vetmin mjet” në dorën e tij. Klithma është pjesë e amshueshme e qenies njerëzore. Kurse Mehmeti kësaj klithme do t’i kthehet edhe në librat tjerë: poezia “Klithjet” në librin “Frymëma-rrje”; poezitë mes “Klithjeve” dhe “Anatomi e dhembjes” në librin “Peizazh i ngrirë”; disa poezi të ciklit “Nositçe” nga libri i fundit”; duke u dhuruar këtyre poezive shtresë-zime të reja thënies poetike, duke ia dhënë intonimin poe-tik të ironisë, po edhe të patetikës së kontrolluar. Kjo poe-më hap ciklin e katërt, “Përkushtime”, në të cilën poeti krijon edhe lirika të tjera përkushtimore për krijues, miq e për nënën e tij, por më pak të realizuara artistikisht.

Ndryshe, libri hapet me poezinë “Rrugë e gjatë”. Aty ligjëron folësi lirik që i drejtohet një Vete të Dytë: “rrugë e gjatë/ deri në ty.” Kjo Vete e Dytë depersonalizohet/ shpërndërrohet si Vete e Përgjithshme. Aty nyjëtohen for-mulimet e poezisë me temë-simbolet: rruga, ylberi, pritja dhe durimi. Poezia ka gjashtë vargje. Poeti është në kër-kim. Nga kjo distancë kohore prej tri dekadash, ani se në moshë të shtyrë, poeti nuk resht së kërkuari. “Teksti nuk pran”, do të thoshte Ali Podrimja. Kërkimi nuk merr fund asnjëherë. Vetë simbolika e rrugës zgjon asociacionin e kërkimit të një gjëje, të të vërtetës, të qetësisë personale a shpirtërore, të përjetësisë a të zbulimit të të panjo-hurave, enigmave. Nga ky ideal kërkimi a nga kjo Rrugë e Idealeve kërkuese, poeti nuk u shkëput asnjëherë. Në librin e dytë, “Frymëmarrje”, një cikël i tërë mban titullin “Rrugë e padukshme”, ky Ideal mëton ta bëjë shtegtimin e tij nga ylli në yll, nga zemra në zemër. Në librin e katërt, “Rikthim dhembjeje” 1998), prin poezia “Rrugëtim”, e cila poetikisht sintetizon ato dekada thyerjesh të rënda soci-ale, kombëtare e kohore: “Udhë e udhë e udhë”. Tashmë ligjërimin poetik e mbulojnë “kotësitë biblike”, “fjalëkotat”, “kumti i vdekjes”, kurse në përqasje kontraktuese vihen paqësorja dhe qefini dhe kohët: “shpesh na shkojnë ardh-jet/ e na erdhën shkuarjet”.

            E pra, po u vështrua këto poezi prijëse të librave, në përqasje edhe me poemën e mësipërme, atëherë na dalin dy parime të lirikës, mbi të cilat Mehmeti e për-qendron këngëtimin e tij deri te libri i fundit: të lirikës si zhanër që paraqet ekspresionin personal të ndjenjave të poetit e që flet në emrin e tij, nëpërmes një Uni lirik; si dhe të prirjes për ta intelektualizuar, modernizuar e për ta ngritur në shkallë më të lartë meditimin lirik. Duke u gjendur në këtë mes konceptimesh kaq kundërthënëse, Mehmeti sikur e ka gjetur drejtpeshimin midis emocionit dhe përsiatjeve, midis përjetimit dhe meditimit. Porse ai gjithnjë e mban anën e artit, sepse leximi i poezisë nga receptuesi i saj kërkon më shumë thellësi meditimi e për-siatjeje, më shumë këmbëngulje për ta zbërthyer ligjëri-min e saj të figurshëm a kuptimet e semantemat e saj simbolike-metaforike.

            Me konceptime të tilla tematike e figurative thuren e endëzohen edhe tri ciklet e para të këtij libri: “Në lëkurë e jashtë saj”, “Kur flet shpirti” dhe “Vargje që s’munda t’u jap fund”. Te poezia “Në lëkurë të huaj”, lëkura del si she-një simbolike e forcave diabolike, e forcave të errëta që e banojnë trupin e të ligut: “Në lëkurë të huaj/ nuk të djeg zjarri/ nuk të njeh djalli”. E rikrijuar nga mitologjia popu-llore shqiptare, kjo figurë lexohet si asociacion i indife-rencës njerëzore, ndërkohë që poeti do të jepet pas kër-kimit të figurave të empatisë e të komunikimit empatik (të prekesh nga emocionet e hallet e Tjetrit, të identifikohesh me to, t’i pranosh hallet e Tjetrit) si te poezia “Më duhen një palë shkallë”: “të ngjitem në zemrën e secilit njeri/ të dashuroj/ pa nda”. Nuk është e habitshme, prandaj, pse Mexhid Mehmeti reshtet nga thënia ironike, e qetëson dis-kursin e ashpër, i cili do të shquhet më theksueshëm në librat e fazës së dytë.

 

Midis emocionit dhe meditimit/

“Frymëmarrje”

          
            Me librin e dytë poeti u duk pas dhjetë vjetësh. Tërësia poetike “Frymëmarrje”, në bazë të së cilës është pagëzuar edhe libri i dytë, përbëhet prej nëntë pjesësh të ndarë me numra. Tashmë poeti ka arritur ta qetësojë folë-sin e tij lirik, komunikimi poetik vjen më i përkorë e më i zbutur, lirizmi vjen më i theksuar, prurjet e frazës janë më asociative, janë më polisemantike. Ende Subjekti Poetik është i ndrydhur, ai ende gjendet në kërkim të frymëma-rrjes më të lirshme, afshit më pasionant, gjallërisë...

 

            I dua gjërat

            që u ngjajnë ëndrrave

            shiut erërave lojës

            gjërat që i pata

            e që nuk i pata kurrë

            po që janë  pjesë e shpirtit

            dhe e përditshmërisë sime

 

Folësi lirik nuk është i çliruar nga barra e emocionit dhe shqetësimeve që i bart më vete. Edhe kur nuk e lënë të qetë ky trazim a kjo andrallë, tjetra telendisje a njajo bezdi, akëcila merakosje a turbullirë, ankth a rrëmujë emocionale; ky folës di ta krijojë sistemin e shenjave dhe strukturimin e thënieve lirike, ta gjejë Pikën e Arkimedit, di ta gjejë urtinë e përvojës së hidhur, mbi të cilën do të mbështetet, edhe pas gjithë këtyre rrëzimeve, pësimeve e përvojave: “guri i bardhë maje shkallës/...pas një rrëzimi mbi të si fëmijë/... e dua sa bukën e sa fëmijërinë/ se ai më fali shumë ngritje e rritje.”

            Edhe kjo tërësi poetike, së bashku me ciklet “Rrugë e padukshme”, “Përrallë”, “Vera e ikur së bashku me të” dhe “Oaza e vetmisë”, kërkon një frymëmarrje më të gjerë, më të lirshme, të hartës së aluzioneve seman-tike. Kjo lirikë tashmë kërkon ta ketë zërin e vet në kua-drin e gjerë të poezisë shqipe të Kosovës së atyre viteve. Ndryshe, kjo poezi as nuk del jashtë atyre rrjedhave. Në dy ciklet e para, “Rrugë padukshme” e “Përrallë”, ai e shpall programin e tij poetik, te poezitë “Kënga ime”, “Me erërat bëhem një”, “Poeti i sëmurë”, “Në dhomën time” dhe “Kalim nëpër udhëkryqe. Nëse ai e identifikon këngën e tij me shpirtin e dehur, poeti nuk ka bërë kurrfarë më-kati; veçse i ka dhënë zë një miti të lashtë për prejardhjen hyjnore të këngës, ashtu sikundër e konceptonin indasit e moçëm frymëzimin si “dehje e kthjelltë”. Struktura lirike e poezisë “Përrallë” “rrëfehet” në katër vargje: “na ishte një zemër nga jashtë e përgjakur/ na ishte një përrallë ashtu si nuk ishte/ secili njeri hije të vet kishte/ atëherë kur na ishte”. Poeti tashmë i kishte kërkuar kikat e veta të identi-tetit të tij poetik, personal, njerëzor e nacional: subjekti personal identifikohet me Objektin e vet, me Këngën, Të kaluarën, Hijen (shenjë e gjallimit të dallueshëm mbi dhe). Porse në shpirtin e poetit diçka zë e bëhet copë e grimë: vlerat ideale që i identifikon kënga, më nuk i pranon rrethi shoqëror; lexues-marrës-receptues të këtyre vlerave idea-le ka gjithnjë e më pak, ndërkohë që poezia zë e i përqen-dron gjithnjë e më thellueshëm kodet e saj ligjërimore e motivore, kodet e saj ideore e tematike. Te poeti pëlcasin tekstet poetike të protestës, mospëlqimit, tekstet lirike të skepticizmit lirik. Prandaj kjo përditshmëri i ngjet një “Pas-dite monotone”, është si një “Vjeshtë pa kuptim”, një “Bra-ktisje”, një “Parandjenjë”, një “Klithje”, ashtu sikundër i mbajnë këta tituj disa nga poezitë e këtij libri, apo poezitë e ciklit “Përrallë”, në të cilat poeti shfaq interesin e tij për aritminë e vargut, për konotacionet e sforcuara, kund e kund për prirjet groteske-kritike ndaj dukurive të jetës. Tashmë nëpër rrugët e poezive vijnë e ligjërojnë macet e zeza (simbole të fatkobit e të parandjenjës së trishtë, ndërkohë që bota e virgjër është shprishur); në tekstin e vizionit poetik duken shtëpi me prag të djegur, me oxhak të rrënuar e me zot shtëpie të brengosur (vlerat tradici-onale janë shembur përdhe); çasti i të tashmes është i pa-shërueshëm, i tjetërsueshëm, i mbushur me vetminë e dhomës, kundruall një kohe të virgjërisë natyrore (poezia “Në dhomën time”) etj. Duke i përqasur pranë e pranë butësinë (tërësia poetike “Frymëmarrje”) e ashpërsinë (cikli “Përrallë”), duke i kënduar njënjëshëm ndjenjën elegjiake dhe ndjenjën e protestës; ironia poetike, kësaj radhe, miqësohet me idealet aristokratike të vlerave të së shkuarës (“secili njeri hije të vet kishte/ atëherë kur na ishte”), për t’i kundërqëndruar një situate vetmie (tërësia poetike “Oazë vetmie”), një situate të ndryshuar e vlerash të tjetërsuara (“në dhomën time/ jemi vetëm unë e zogu, dy zemra metali”). Porse, edhe në këso çastesh, drama jetësore e kësaj hapësire, ani se nuk do e nuk do të shkë-putet nga aventura e re dhe aq e ndërliqshme “epike”: aty, në komunikimin e vegimeve poetike, përsëri duket “njeriu i jashtëzakonshëm” që nuk dëshiron t’i ripërtërijë dramat e së kaluarës (poezitë “I panjohuri”, “Ti je ai njeri”). Tani Subjekti poetik është në pritje të të ndodhurës! Parandje-një anticipuese arti, apo jo!

            E pra, poeti përsëri “tërhiqet” në vetminë e tij kriju-ese edhe për një dekadë; nuk u duk me libra poezish deri në vitin 1994! Me këtë rast duam të theksojmë se sa jo seriozisht shkruhej për librat e parë të poetëve të atyre viteve, vetëm pse autori nuk iu takonte “qarqeve”, “qer-thujve” apo rretheve artistike “të kryeqendrës”, sikundër i ka ndodhur, ndër të tjerë, edhe Mexhid Mehmetit nga shkrimet e pakta të asaj kohe, kur pretendohej se ekzis-tonin disa kategori kritikësh e kritikash letrare. Kurse Pre-sheva i kishte dhënë e po i jepte autorët e vet letërsisë shqipe! Madje, ky mistifikim vinte mu nga penat që duhej të ishin serioze në trajtimin e fenomeneve të tilla në artin poetik, kur poezia e librit të parë të Mehmetit thuhej se është “frymëzim çasti”; apo cilësimi si “vjersha sentime-ntaliste e personale. Nuk e kanë forcën e përgjithësimit artistik. Triviale e të tejkaluara në poezi”; duke mos u thelluar fare në leximin e poezisë e duke “u mashtruar” nga një lexim i përciptë a nga titulli i librit “Klithje e përma-llim”; apo një cilësim paksa më i avancuar, me cilësimin si “pak poezi, pak improvizim”! Me këso vlerësimesh, me kërkesat “për një art më interesant”, “ më të figurshëm”, “me sistem” etj, merreshin edhe kritikët tjerë, që misti-fikuan e po e mistifikojnë ende artin poetik, sepse më nuk iu interesojnë rrjedhat dhe fenomenet e reja letrare; dhe të cilët tashmë sillen me injorim ndaj vlerave të mirëfillta letrare, duke u preokupuar shumë me vetveten e me prestigjin e tyre pushtetor apo autoritativ! Në vend që edhe tani t’i identifikojnë jovlerat, krijimet estetikisht të dyshimta, apo anakronike! Ani se konsiderata për këta studiues e autorë është e ligjshme! Qeniet njerëzore lindin dhe vdesin pa qenë të përsosur pafundësisht. Nuk ka as art personal, të përsosur pafundësisht. Ka edhe te poezia e Mexhid Mehmetit lirika a vargje të tepërta, të përcipta, të pagdhendura sa duhet, ani se poeti pikësynon thënien e kursyer. Ka edhe vargje “të tejkaluara”, ashtu sikundër këso vargjesh shkruajnë edhe poetët më të shquar shqip-tarë; ka edhe motive të pagjetura, ani se këso motivesh “të lehta” shkruajnë edhe poetët e afirmuar që kanë dhjetëra libra poezish. Sepse, te e fundit, arti i amshue-shëm poetik nuk e njeh emocionin “e tejkaluar” apo “të vjetruar”! Emocioni kurrë nuk është i huaj për artin, kurrë nuk mplaket. Një çast dëshpërimi, një ndjenjë pikëllimi, një mosmarrëveshje a konflikt me kohën, pse jo, na dalin si poezi edhe te M. Mehmeti, si emocione a disponime universale, të përjetshme, jashtëkohore. Kurse Koha qën-dron brenda njeriut, brenda krijuesit; është një kohë shpir-tërore ajo që reflektohet e thuret brenda poezisë. E pra, a nuk na dalka se poezinë e drejton vetë krijuesi e jo do ide-ologji oficiele që kërkuakan “sistem”!        Të dy librat e parë përmbyllin një fazë krijuese të poetit Mexhid Mehmeti. Kritika letrare e kohës nuk e kishte përkëdhelur këtë poet, po ishte sjellë jo dashamirësisht me librat e tij poetikë. Du-ke i përkëdhelur një “qark” poetësh, ajo kritikë ka treguar se nuk kishte pasur të drejtë: poetët e përkëdhelur, për dekada të tëra, kanë bredhur rrotull e rrotull një “qarku” letrar figurash, strukturash poetike, kodesh ligjërimore e tematike; nuk kanë mundur të sjellin më as freski, as ino-vacione, as vlera “të jashtëzakonshme” në poezinë shqi-pe.

Teksti i shprishjes së iluzioneve/

 “Peizazh i ngrirë”


            Ndërsa Mexhid Mehmeti nuk ndalet: në vitet e rën-da të regjimit serb, ai vjen me librin e tretë poetik, “Pei-zazh i ngrirë”, për të cilin kritika letrare zë të shkruajë e të sillet ndryshe; sepse më as vlerësimi, as botimi e as shkri-mi nuk ishin monopol i Partisë-shtet, sikundër kishte ndo-dhur deri më 1990, me kritikën oficiele e me librin oficiel letrar. Vitet e pushtimit të egër serb sollën thëllimin e aca-rin e dhunës pushtuese. Sollën zymtësi e shkreti në të gjitha poret e jetës; ekzistenca jonë na u soll në zgripin e saj. Porse në ato vite ndodhi edhe një “fenomen” tjetër: i krijimit të “lirisë së brendshme”, kur më nuk kishte përkulje para censurës, pushtetarit a zyrtarit; rrathët e ekzorcizmit shtetëror kishin plasur: “Ne të gjithë Bashkë frymojmë/ Edhe nga brenda/ Lirinë përjetojmë”. Tashmë poeti Me-xhid Mehmeti na e sjell në tryezën e leximit një peizazh/ pamje me skena trishtimi, mërzie e ngrice. Vjen një tjetër komunikim vetërealizimesh e transformimesh të brend-shme; një tjetër mozaik-diskurs i referencave kohore e i autoreferencave; një përhapje e rrezatim tjetër frazash e vizionesh; një kolazh tjetër i thënies lirike, me atribute të estetizimit të objektit poetik; një kërkim për ta stabilizuar Subjektin Lirik.

Një peizazh, tradicionalisht, ngjall ndjenjën e paqë-simit e të qetësisë. Porse pena e Mexhidit dëshiron ta shprishë këtë iluzion mashtrues: nuk ka qetësi!

            Drejt Horizontit të Kristaltë ecje

            Unë mbetesha larg e më larg teje (...)

            Si Re e Zezë Breshri u shfaq bajlozi

            Të rrëmbeu pamëshirshëm

            Si në këngën e Gjergjelezalisë


Peizazhi me pamjet poetike tashmë e thur dhe e endëzon një tipologji të tërë të peizazhit modern poetik, me “vizione deprimuese”, si e tipologjizon Verharen peizazhin modern. Është një peizazh elegjiak: “Paradoksale”, “Punë Sizifi”, “”Anatomi e dhembjes”, “Çast dëshpërimi”, “Kopsht i çuditshëm”, ashtu sikundër titullohen shumë poezi. Vetë peizazhi i tillë i ngrirë, zgjon asociacione të një jete që nuk lëviz, që nuk gjëllin, që nuk merr frymë. E si të marrë fry-më njeriu në hapësirat e peizazhit të tillë?

 
            Mbështet ballin në xhamin e ftohtë

            Ngul sytë në peizazhin përtej rrugës (...)

            Nga larg heton errësirën e (pa)prekur

            Dhembin e qenit të çartur


Peizazhi poetik këtu shënjon qenien antropologjike dhe topografike, dhe, njëkohësisht, edhe kategorinë motivore të kohëhapësirës së viteve ’90, kur edhe njëherë krijuesi mbyllet në vetmi. Është një peizazh tragjik. Hapësirat, së brendshmi e së jashtmi, janë të ngushtuara, të akullta. Së brendshmi, “pikturohet” natyra e vdekur, një situatë tipike klaustrofobike: kush do të dëgjojë për ne? Së jashtmi, errësira dhe ftohtësia këndohen si mallkim mbikohor që nuk i shqitet qenies sonë. Aty, brenda një hapësire të ngrysur, ndodhin drama e tragjedi të panumërta njerëzore e kolektive.

Nëse poeti shprish iluzionet e pamjeve të push-tuesit, nga ana tjetër në poezinë e Mexhidit thuren edhe dy nivele të tjera tekstore: endëzimet e iluzioneve të kën-gëtimit, nga njëra anë dhe shtresimet e vetënjohjes poe-tike, nga ana tjetër, që mund të përkufizohet si iluzion jetësor! Kështu, strukturimi i librit në tri cikle: “Baladë shqiptare” (poezi atdhedashurie), “Anatomi e dhembjes” (poezi refleksive) dhe “Lojë e vonuar” (lirika të dashurisë), pikësynon kohezionin e brendshëm të librit. Studiuesi e krijuesi letrar, Agim Vinca, vlerëson: “Në krahasim me krijimet e hershme të M. Mehmetit, në vjershat e këtij vëlli-mi vërehet një pjekuri më e madhe krijuese dhe një shka-thtësi më e madhe shprehëse. Poeti tani sikur i para-shtron vetes kërkesa më të larta estetike, kurse tekstin e punon më shumë. Mu për këtë mund të thuhet se nga pikëpamja ndjenjore teksti poetik i Mhemetit tani është më i apsur e më i gjerë; në pikëpamje gjuhësore ai synon të jetë më i saktë e më konciz, kurse në pikëpamje figurative më i zhdërvjelltë e më sugjestiv. Në vjershat më të mira, madje, edhe e arrin këtë.” Ani se gjuha hap e krijon mundësitë e zbërthimit të enigmave jetësore, të fshehtë-sive të rruzullit tokësor a të rruzullimit përgjithësisht, mun-dësitë e realizimit të qenies sonë si njeri, megjithatë “gjuha nuk është shifër, shkrim i shifruar” (F. G. Jünger). Të paktën, poeti e fton lexuesin ta shijojë fjalën poetike, të marrë pjesë në kënaqësinë e leximit, “në kënaqësinë e gostisë së gjuhës” (R. Bart). Në ciklin “Baladë shqiptare”, tek i këndon atdhedashurisë, identitetit nacional, rrënjëve të veta etnike; nuk është e habitshme pse temëkëndimet e tilla strukturohen me ngjyra më dramatike, kurse trajta e monologut poetik del tejet më i tendosur, më i nderë dhe, gjithsesi, më i shpalosur (poezitë “Baladë shqiptare”, “Si arrite në Vlorë”, “Ëndrrës sime ju shoh”, “Reinkarnim”). Që në poezinë e parë të këtij cikli, “Si t’ia bëjmë historisë”, subjekti lirik e shtron pyetjen po aq dramatike, e cila, në mënyrë dinamike e provokon situatën statike të kodeksit etik të përditshmërisë sonë statike:


Ç’t’i bëjmë historisë

Pyeta gjakun në mur


E pra, poeti dialogon dhe gjakon t’iu kthehet burimeve prej nga vjen zëri që na jep emër. Së andejmi edhe pret përgjigje. Referencat lirike shkojnë më tutje: ne jemi aq të humbur e aq të strukur diku në një ngushticë kasolleje, porse ky kërkim i ankthshëm nuk kishte të ndalur; aq i mundimshëm, i lodhshëm e i parehatshëm është ky gjur-mim e kjo ecje. Mesazhet e ecjes dhe gjurmimit, nëpër-mes gjurmëve së kaluarës, duhet të jenë me kahe verti-kale kah e sotmja, drejt vetëdijes, reinkarnimit (poezia “Të gjetur”, “Reinkarnim”).

Libri i Ferrit/

“Rikthim dhembjeje”


            Në librin e katërt poetik, “Rikthim dhembjeje”, poeti na shfaqet me pjekuri më të plotë në metodologjinë e tij krijuese, i përsos e i ndërlidh edhe më shumë modelet, mesazhet e preokupimet e tij stilistike e tematike. Në të pesë ciklet e këtij libri (“Natë e gjatë”, “Rikthim dhem-bjeje”, “Takim përtej harrimit”, “Orët e hiçit” dhe “ndalje kohe”), poeti përpiqet ta gjurmojë, ta gjejë e të vë dialog me kohën e tij, me atdheun, me origjinën dheme dashu-rinë e tij, dhe, më në fund, ta endëzojë poetikisht gjykimin e vlerësimin vetanak për të gjitha këto. Të gjitha këto pun-kte këndimi, janë punkte enigmash, aq të domosdoshme, të ekzistencës e të gjallimit personal e nacional. Folësi lirik është më i stabilizuar. Mehmeti e ndien, se forca e ligjërimit dhe e fjalës së shkruar u ka shkaktuar poetëve përherë aq vuajtje e telashe. E ndien se sa forcë vullka-nike ka fjala, cila është fuqia e mesazheve dhe kodeve të saj, se sa vullkane zgjohen brenda krijuesit për t’iu dhënë përgjigje konflikteve të kohës. Sa do që pikësynon tërë-sinë e strukturuar të librit, ai e ndien se Fjala është vetëm një fragment i paraqitjes së enigmave të kohës e të ekzis-tencës; se fjala është vetëm një refleks jo i plotë i jetës e i shenjave të saj; se qenia njerëzore ende është e pafuqi-shme ta arrijë plotninë e identifikimit me mundësitë që t’i ofron fjala:


Ende nuk po e kuptoj:

Çka i duhet vullkanit

Çka i duhet fjalës


Titujt e cikleve janë sinonime të një kohe të ngurosur, sinonime të së keqes që e ka kapluar qenien tonë. Poetit s’i mbetet gjë tjetër, pos ta lexojë Librin e Ferrit, çfarë ishte ai vit i rëndë i 1998-ës, kur u botua libri. Subjekti lirik goditet nga shumë anë prej këtyre forcave të destrukcionit njerëzor e kohor. Duke kërkuar ndryshimet, ai kërkon “gjak të ri” (poezia “Në shpatull të këndezit”). Kujtesa e poetit do t’i regjistrojë si tragjikën, ashtu edhe historinë, por ai ligjëron edhe për fallin kombëtar, për cirkun e iluzionet kolektive: rrëfimet e mbrapshta për pushtimin e Olimptit të paqenë, kaosi i dhunshëm kombëtar i paraqitur si kërkim paqeje e parajse,  kujdestarët e patriotizmit të rremë që na e servojnë ëndrrën boshe për paqen, hafije-llëku i hapët e tinzar për një copë karrige, imituesit e ver-bër të Evropës, bashibuzukët anadollakë… kur para syve tanë po ndodhte ekspozita e tmerrit (poezia “Ekspozitë tmerri”). Kjo kohë e “rikthimit të dhembjes” bëhet obsesion tematik i poezisë së M. Mehmetit.

            Kurse kjo poetikë e plotnisë vërehet edhe në ruaj-tjen e ndërlidhjeve me librat pararendës. Të tilla janë poe-zitë e dashurisë dhe ciklet e tëra që poeti ia kushton asaj. Dashuria si burim shqetësimesh të folësit lirik, apo si forcë shpëtimtare që e lartëson qenien njerëzore; regjistri i pasur lirik i lartësimit e i sublimimit të objektit erotik, si ndjejnë kurrë e harxhuar, zënë e këndohen që nga cikli “Vargje që s’munda t’u jap fund” (lartësimi i ndjenjës së dashurisë si përmallim, përjetim ekstatik i saj) të përmble-dhjes “Klithje e përmallim”; ciklet “Vera e ikur së bashku me të” dhe “Oazë vetmie” (identifikimi me të bukurën, ero-tiken, ëndërrimin dashuror, kalueshmërinë e jetës kund-ruall kujtimeve të dashurisë) të librit “Frymëmarrje”; cikli “Lojë e vonuar” (zbulimi i situatave enigmatike të kësaj ndjenje, zbulimet e mistereve të përjetimit, i relacioneve në mes dy subjekteve që dashurohen etj) i librit “Peizazh i ngrirë”; cikli “Ndalje kohe” i librit “Rikthim dhembjeje” dhe cikli “Nositçe” (një përjetim sublim i sakrificës për dashu-rinë) te libri i fundit, “Pikë në zemër”. Ndjenja e fisnikërimit dhe burimet e shqetësimit poetik, kur e kur, te këto kriji-me, shndërrohen në shenja që mund të lexohen edhe ndryshe, kur ajo ndjenjë profanizohet apo rrëgjohet, mund të lexohen edhe si simbolikë e vetmisë së kërkuar gjakue-shëm, ashtu sikundër këtë ideal asketik të moçëm mund ta lexojmë edhe si lekturë psikologjike mbi dashurinë, në variacione të shumta. Ndërkaq, poeti është në kërkim të strukturave moderne të këndimit të erotikes për të depër-tuar sa më drejtpërdrejt në emocionin e dashurisë: të dis-kursit pa patosin sentimental, të distancës moderne lirike kundruall objektit të këngëtimit, të vargut gjithnjë e më elastik, më dinamik e më të përshtatshëm, të fjalorit bash-këkohor poetik. Aty, ky emocion e strukturimet e tilla, i japin zë forcës hyjnore të këtij pasioni, të kënaqësive që burojnë nga kjo ndjenjë. Në fund, do theksuar se shenjat figurative tekstore të autoreferencave, të metatekstit, të rrjeteve tekstore-tematike, të intelektualizmit të frazës, të shtresëzimit e të procedimorit-kolazh të lirikës, të esteti-zmit të thënies, dalin si veçori të stabilizimit poetik të këtij libri.


Shenja e burimeve/

“Presheva”


            Porse Mexhid Mehmeti, aq sa e ndien veten të afërt me ndjenjën intime e me botën e tij të brendshme, po kështu e ndien veten kur shkruan për vendlindjen e tij, për Preshevën, sikundër është poema “Presheva”. Pikë-risht në këso rastesh ai qëndron më pranë burimeve të kërkuara të rrënjëve të tij, më afër qenies së identitetit jetësor e kolektiv, më afër fjalës e qenësisë së të men-duarit. Dhe, mu me shenjën e këtyre burimeve ai lufton që para botës të dalë me letërnjoftimin e tij historik e bashkë-kohor:


për letërnjoftimin vetjak

në kërthizë kohe


Poema ndahet në 55 copëza a pjesë. Për nga forma poe-tike, ajo është një poemë-sintezë që i këndon të kaluarës e të sotmes së Preshevës, mitologjisë dhe ëndrrave kolektive për të, zërit epik të lahutës dhe rezistencës së këtyre anëve nëpërmes krismave të pushkës. Këndimi estetik i peizazhit shkon deri në kufi të një ekopoetike, kurse ligjërimi për topografinë deri te një topopoetikë. Në poetikë të tillë ngrihen edhe diskursi i poemës për antro-pografinë e Preshevës, memoria e saj kolektive-nacio-nale, kronikat e kësaj memorie, epika e lirika e saj, meta-forat e dashurive të përgjakura, mërgimet, eksodet, idilat e nostalgjia për të. Aty këndohen, sintetizohen e struktu-rohen baladat (si ajo për Hasan Agën e Çikën Potureshë); për kryqëzimin historik a “trekëndëshin magjik”, ku nde-shen qytetërimet, dekori oriental e ai ballkanik, kontaktet e shtresave e të nënshtresave ilire-shqiptare me ato anado-llake; socialiteti, gjakmarrjet, lashtësia e deri tek ndarjet e copëtimet e dhembshme. Madje, copëtimet, tek shkojnë edhe përtej çdo arsyeje njerëzore, poeti, nëpërmes një diskursi këlthitës, e bën copë e grimë këtë absurd mbi absurde:

O

gjithçka do të duroj

vetëm qiellin

mos ma ndani

në katror

 
Ndërkaq, diskursi i poemës, më shumë është paraqitës, më tutje ekstatik, mandej lutjesor e himnizues, kund e kund vajtimtar, por pa patosin romantik a neoromantik. Kurse kryeformulë e krijuesit mbetet pjesa e fundit, e veçuar edhe grafikisht me shkronja të mëdha:

O

gjithë jeta

të qoftë falë

Preshevë

 

Një “O” e përsëritur herë mbas here, këtu ka rolin fono-stilistik të një identifikimi të plotë në mes subjektit poetik dhe objektit të këngëtimit. E shkruar që më 1978, poema për Preshevën mbetet e papërfunduar, mbetet si një mall që nuk shuhet kurrë; asnjëherë poeti t’i bjerë në fund asaj. Nëse dikur ajo u shkrua “në shenjë dashurie për Pre-shevën”, ajo sot lexohet në një kontekst tjetër të paradig-mave aktualizuese shqiptare. Në poemë folësi lirik është vetë autori, kurse ai i drejtohet një Vete të Dytë/ Preshe-vës, që antropomorfizohet, kurse diskursi i tillë ngrihet në një antropoetikë të llojit të vet.


Bashkësia e komunikimit idealitet-realitet/

“Pikë në zemër”

 
            Poezia krijohet në heshtje. Krijohet në vetmi, në zjarrminë krijuese. Heshtja është krijuese. Poezia është edhe art i heshtjes. Arti i situatës personale të pa zhurm-shme, të qetë. E retiçencës së thënies. Poetikë e thënies së urtë, e thurjes heshturazi, qetësisht. Dhe kjo heshtje, urti, qetësi, bëhet univers i krijuesit:


Gjuha kur të lidhet

Heshtja bëhet mbret

Me këto dy vargje e nis M. Mehmeti librin e fundit poetik, “Peizazh i ngrirë”. Poeti e ka ndjekur një parim të krye-hershëm krijues: që në ballë të secilit libër ta vë një poezi, një metapoezi a kryekëngë, që e thur poetikën për vet-veten... Edhe njëherë poeti bie ngushtë me fjalën, gjithnjë në kuptimin e forcës së saj vullkanike krijuese, siç e tho-shte më parë. Libri është shkruar në rrethana të reja, të ndryshuara historike, pas luftës. E kush tha se poeti nuk i ndien ndryshimet? Ai, madje, i parandien ato. Në situatat e ndryshuara poeti e ruan tensionin shpirtëror, të bren-dshëm, kur “gjuha të lidhet”. Ky tension që pëlcet në heshtje, kërkon të shpërthejë, të organizohet brenda kao-sit të thënies së çorganizuar, të komunikojë, të vë dialog. Nëse poezia e viteve ’70 “shtrëngohej” të jetë sa më e mbyllur me hermetizmin e saj lirik, si vlerë estetike, nga njëra anë dhe si pasojë e rrethanave të censurës, nga ana tjetër, nëse poezia ndiqte rrymat avangarde, moderne e postmoderne; Mexhid Mehmeti, në fazën e dytë të krijimtarisë së tij, megjithatë, e stis, e përzgjedh, e krijon dhe e përpunon thënien e komunikueshme, sa do që e ruan diskursin e saj sugjestiv, alegorizues, asociativ, apo elitizmin aristokratik të thënies. Gjithnjë në vazhdën e këtyre konceptimeve, leksema metaforike e stilistike heshtje qëndron në ciklin ballor të librit: “Heshtja peng”. Edhe “pas luftës” poezia nuk resht së paraqituri anën e errtë të kohëve, ndjeshmërinë tragjike të përjetimeve dhe pamjeve. Kurse libri i fundit nxit të meditosh edhe për strukturat e deritashme të ngritura në opusin poetik të këtij autori; një si rekonstruktim antropologjik të botës dhe qenies njerëzore; apo një si frymë sintetizuese të poetit që e merr rolin e demiurgut në art dhe në jetë. Çfarë pas-ka ndodhur tani? “Mos i preni lisat” (trimat a burrat e shtë-pisë), thotë i ngrysur, i tëri i kapluar nga dhembja. Tutje i del përpara një “Shtëpi e nëmur”, një mallkim kohësh, posi mëkati biblik, i bartur edhe në të sotmen. Prandaj poeti krijon në heshtje, nuk flet me zë të lartë, as me fjalë të mëdha. Sado që hetohen ndryshime në të dy “fazat” krijuese, megjithatë poezia e M. Mehmetit e ka ruajtur prirjen e tij të kryehershme që nga libri i parë, atë amzën e paraformës së këngës, atë arketipin e para/këngës - parë/këngës, atë formën intiuitve krijuese:


            Në vend të kokës

            fjalën dua ta var

 
Aq shumë përkulje vetëmohuese, hyjnore, ka poeti ndaj fjalës, sa atë e çmon më shumë se kokën! Dhe akti i tillë “i varjes”, shënjon edhe protestën e skajshme kundruall një realiteti-kaos, ku thuren drama të panumërta tragjike. “Përjetimi subjektiv nuk mund të rrëfehet”, thotë diku një urtak. Pikërisht këtu qëndron ai tensioni i brendshëm, sfili-tës, i krijuesit: si ta zësh me anë të thënies poetike të pathënën që të torturon kundruall këtij përjetimi? Kurse ky përjetim i shfaqur në poezi, është jehonë e të pathënës. E pra, poezia pikësynon  ta shprehë të brendshmen, subjek-tiven, të pathënën.

            Ndërkaq, të gjashtë ciklet tjera, “Në emër të jetës”, “Himnizim”, “Krismë”, “Pikë në zemër”, Dhembjet që dhembin”, “Nositçe”, nuk thonë diçka “tjetër”, përpos që pikësynojnë ta shfaqin konceptin e poetit për poezinë si urti e heshtur, si shteg për të depërtuar kah individualja, kah identiteti, kah idealiteti, kah realiteti. E pra, individi/-folësi lirik, Identiteti, Idealiteti dhe Realiteti ngadalë shndë-rrohen në kategori estetike, në shenja të shkrimit poetik. Vetë arti, duke i thurë të kundërtat, krijon një bashkësi të re komunikimi, bashkëkomunikimin idealistet/realitet:


Në emër të jetës

Nuk vdiset i gjallë (...)

 

Në emër të jetës

Nuk jetohet i vdekur

 

            Më tutje, këtë dikotomi urtake idealitet/realitet, dëshiron ta sprovojë te poezia poezia “Himnizim”, ashtu si titullohet edhe një cikël poezish:


            Trimat kur zgjohen

            Vrasin e vrasin ujq


Sa do që, në këtë rast, shenjat poetike-motivore “trimëri”, “ujk”, mund t’i lexojmë edhe jashtë “himnizimit”, një si ironizim latent; megjithatë, e tëra kjo na është vetëm një prolog për të hyrë te një kohë e madhe (cikli “Krismë”), te prolegomena e madhe artistike, në të cilin lufta çlirimtare, polemi shqiptar dhe protagonistët e saj metaforizohen/-himnizohen “të agimtë”. Aty janë “kasnecët e lirisë”, aty janë djemtë e luftës, jasharët e Adem Jashari. Aty thuret poetika e sintezës dhe e përvojës historike me sintezën e përvojës krijuese në vetë aktin artistik. Aty thuren shenjat e ambientit të luftës në kontekstin e përtashëm, të lirisë (“Tash për ty/ Vaji n’këngë/ Përtërihet”), aty e ngërthen, brenda vargut, esencën e heroikes dhe të luftës, esencë e kënduar poetikisht në trajtë të kultivuar të artit. E veshur me shenjat simbolike, eliptike, figurative e urtake,- kjo është ajo sfida e madhe e krijuesit përballë heroikes e tragjikes, përballë  ritmit të së madhërishmes, për t’i arti-kuluar e nyjëtuar fuqishëm gjëmimet e oshtimat e shpirtit, ashtu sikundër kanë ndodhur ato në betejë. Aty vihen në gërshet tonet elegjiak e ato të baladës, të shkrira në për-masat e Atdheut duke u kënduar me frymë tirteiane e homerike, tek e derdh artin poetik e fisnik në portretizimin e heronjve e të luftëtarëve.

            Libri i fundit është një dëshmi tjetër, se M. Meh-meti krijon vetëm kur ka çka të thotë. Duke i përvetësuar trajtat bashkëkohore të këndimit, poeti na sugjeron se poezi e vërtetë është ajo që i përmbahet thënies së reduktuar, të kursyer, të ngjeshur, thënies që e kërkon vetëm esencën e gjërave. Ani s poezia i “kolonizon” të gjitha kohët, skajet e hapësirat: të djeshmen, të sotmen e të ardhmen, kohët e hapësirat e kësobotshme e të përtej-botshme, kohë/hapësirat eternale/ shpirtërore e ato të së përditshmes banale. Kurse librat poetikë të Mexhid Meh-metit më së shumti këndojnë për esencat e dilemat e kësaj kohe. Përgjithësisht: për situatën epokale të njeriut modern.

Në dalje/

Poetika e reprezentimit


            Po sa t’iu biesh në fund së lexuari librave poetikë të Mexhid Mehmetit (1948), përsëri do të gjendesh para shumë telashesh, para leximesh jo të pakta e ripozici-nonimesh receptuese të artit letrar, konkretizimesh të strukturës së tekstit poetik e përqasjesh të horizontit të autorit me ato të receptuesve-lexuesve-kritikëve, që i janë bërë poezisë së këtij autori; gjendesh para nyjash ende të pazgjidhura të konteksteve historiko-letrare, në të cilat janë themeluar, formuar, zhvilluar, shtrirë e zgjeruar for-macionet stilistike, drejtimet letrare, rrymat a prirjet letrare që e kanë karakterizuar poezinë shqipe të Kosovës prej viteve ’70 të shekullit të kaluar e këndej. Në këtë rast, leximi i tërësishëm i krijimtarisë poetike të një autori, si opera omnia, të detyron të gjendesh përballë shumëpla-nësisë a statusit të formave e strukturave lirike zhanrore, nga njëra anë, si dhe të statusit të tipologjisë ligjërimore, të kodeve tekstore, tematike e figurative të kësaj krijim-tarie, nga ana tjetër. E prapë, shumëçka mbetet e pavle-rësuar, e painterpretuar, e pastudiuar.

            Përpara e ke diagramin në ngritje të një përvoje letrare, në këtë rast, e ke poetikën e pjekurisë artistike e përvojës lirike të këndimit, të tekstit e të të menduarit. Te kjo përzgjedhje-sintenzë, qëndrojnë Autori e Lexuesi, në skajet e të njëjtës peshore: aty ku konvergjojnë, takohen e puqen përvojat jetësore nga njëra anë; ke të bësh me leximin nga libri në libër, për ta përvijuar të plotë hartën tridekadëshe poetike, për t’i nxjerrë, së këndejmi, veçoritë dalluese, distinktive, të kësaj poezie dhe për ta vendosur atë në kuadrin e Poezisë Bashkëkohore Shqipe. Rivlerë-sim, rekapitullim? E po, kjo do të thotë se je përsëritës i historisë, se ke ngelë prapa, se diçka e rëndë ka ndodhur me kohë/hapësirën tonë, se tani, ja, së paku erdhi një epokë e çlirimit të brendshëm... rivlerësimesh, rekapitu-llimesh, hierarki vlerash. Përnjëherë u gjendën para trye-zës së letërsisë autorë klasikë e shkrimtarë, klasikë të ndaluar e shkrimtarë që kishin botuar nën sistemet komu-niste në Kosovë e në Shqipëri, autorë disidentë të djathtë e të majtë. E tani, Tryeza e sotme letrare ka monografi studimore letrare, vëllime kritikash letrare, qindra e mijëra shkrime (ri)vlerësuese, antologji letrare... po ende histori-në e letërsisë shqipe na e shkruajnë të huajt. E po, erdh një epokë kur më nuk jemi "Shtëpi e nëmur" e shprishur dhe e sëmurë, si do të thoshte ky poet. Dhe tani, të gjithë së bashku, e krijojmë Diellin Tonë, dimë ta rekapitullojmë të kaluarën e të tashmen:

Po të jetonim në kohë

ndryshe do të ishte bota


E deri këtu, gjithsesi, erdhëm nëpërmes dimrash gjithë brymë e thëllim, nëpërmes dështimesh, kurse tani poeti mund ta bëjë ftesën e tij solemne poetike: "Mitet do të ruhen/ Për një mot tjetër/ Pasardhësit tanë/ Do ta quajnë përjetësi". A kemi mësuar nga gabimet?... Poeti ka të drejtë t'i ri/këndojë përsëri dyshimet e veta, diçka përsëri mbetet peng te zemra e krijuesit, përsëri na vijnë përpla-sje të reja:

Plepat shtohen e rrënohen

Rrënohen e prapë shtohen

Dhe nuk prajnë furtunat

Në mendjen time të brishtë

Me heshtjen peng në zemër


            Ndonëse për dy dekada rresht, nën regjimin ser-bokomunist Mexhid Mehmeti kishte arritur të botonte vetëm dy përmbledhje poezish dhe një përmbledhje tregi-mesh; e që po e përkufizojmë si fazë të parë krijuese të autorit; shpërthimet e tij krijuese i pati pas vitit 1994, kur e botoi librin e tretë të poezive, "Peizazh i ngrirë". Letërsia shqipe e Kosovës, gjatë viteve '70-'80, i kishte klasikët e vet të letrave. Por i ka edhe shkrimtarët e vet. Mexhid Mehmeti nuk synoi të bëhej "klasik", por synonte të jepte nga vetja vlerat më të mira... të cilat patën mundësi të shfaqen vetëm në dekadën e fundit të shekullit XXI, me vrulle krijuese të reja. Do të thoshim, është renesanca e krijimtarisë së tij letrare, kur shkrimtari arrin të marrë edhe çmime letrare, me romanin "Shtatë ditë pas vdekjes". E pra, ai po e përjeton këtë renesancë në kohën e rekapi-tullimeve historike, kohë e rivlerësimeve, e kategorizi-meve për t'i rivendosur vlerat aty ku e kanë vendin.

Prishtinë, dhjetor 2007

*Megjithëse i dedikohet këtij botimi përzgjedhës, shkrimi është bërë në bazë të vëllimeve poetike të botuara më parë nga ky autor.