Murat Gecaj: I dëgjuari punëtor për lulëzimin e kombit tonë
| E shtune, 28.11.2009, 07:35 PM |
Delegatë në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare: 28 Nëntor 1912"I DËGJUARI PUNËTOR PËR LULËZIMIN E KOMBIT TONË"(Intelektuali e luftëtari Dervish Hima)Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJpublicist e studiues-Tiranë “Jam shërbëtor i përulur i Atdheut, për të cilin punova me penën time në fushën e gazetarisë popullore e të huaj, me xhyrdinë në krahë nëpër katundet e qytetet e Shqipërisë, për të themeluar shkolla e për të përhapur abetare të shqipes, me mauzer në krah e me nxënës shqiptarë të lartë". (Përgjigje e Dervish Himës, dhënë një gazete të kohës )Çdo vit, ku vjen 28 Nëntori, festa e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, brezat e shqiptarëve sjellin në kujtesë ato ditë gjëmimtare të vitit 1912. Se ato janë të paharruara në histori, kur intelektualë e luftëtarë të shquar të Kombit, përfaqësues të popullit tonë, firmosën një Akt të pashembullt e të papërsëritshëm-shpallën njëzëri “mvehtësinë” e atdheut e popullit tonë. Prandaj ata i kujtojmë me nderim dhe përulemi përpara jetës dhe veprës së tyre të ndritur.Këtë herë po shkruajmë disa radhë për njërin nga flamurtarët dhe firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare. 1. I palodhur për çështjen shqiptare
Me pushkë e me penë në dorë, me barut e libra në gji, për lirinë dhe përparimin e popullit,-kjo ishte motoja e jetës së Ibrahim Naxhi Spahiut ose Dervish Himës. Lindi në qytetin e Ohrit, më 1865.Qysh i vogël mbeti jetim, por iu përkushtua dijes. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Selanik dhe Fakultetin e Mjekësisë e vijoi në Stamboll, të cilin ia ndërprenë,pasi e arrestuan si komplotist. Por nuk qëndroi gjatë, pasi e ndihmuan bashkatdhetarët të dilte nga burgu dhe erdhi menjëherë në Shqipëri. Ishte periudha. kur kudo ziente lufta çlirimtare, populli ishte hedhur në kryengritje të armatosur kundër pushtuesve otomanë. Dervish Hima zhvilloi veprimtari të dendur antiosmane në disa krahina, si në Tiranë,Durrës, Elbasan, Dibër dhe në Shqipërinë e Jugut. Qeveritarët osmanë ranë në gjurmët e kësaj propagande të tij për çeshtjen shqiptare, prandaj e ndoqën ta kapnin të gjallë. I detyruar në rrethanat e krijuara, ai shkoi në Rumani, ku u lidh me bashkatdhetarët, anëtarë të shoqërisë së njohur " Drita'', me anën e së cilës dërgoi libra për shkollat shqipe. Pastaj e shohim në Itali, Francë, Belgjikë, Holandë,Turqi e në shtete të ndryshme të Ballkanit. Kudo ishte propagandist i zellshëm i çeshtjes shqiptare, kërkonte lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Vetë botoi artikuj të shumtë në revista e gazeta të kohës dhe u intervistua në shtypin e huaj. Në njërën prej tyre, më 1909, shkrunate : "Shqiptarët mund të qetësoheshin, po qe se në vend të forcës ushtarake, qeveria turke do t'i kushtonte kujdes arsimit të përgjithshëm...". Në vitin 1899 dolën në dritë dy artikuj të Dervish Himës; " Zgjohuni" dhe " Një zë nga burgu", ku u kërkonte popullit dhe atdhetarëve të vërtetë që të ngriheshin në luftë kundër Perandorisë Otomane. Aty ai përmendëte edhe rrezikun e shovinistëve fqinj. Gjithashtu, kërkonte me ngulm çeljen e shkollave shqipe. gjë që do të zgjonte më tej ndërgjegjen kombëtare. Dervish Hima ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, ku dhe mbajti një fjalë të zjarrtë, e cila u botua në gazetën "Bashkimi i Kombit", më 25 mars 1910. Ndër të tjera,aty thoshte: "Në mos e paçim gjuhën tonë, ta dini, vëllezër të dashur, se do të humbim...Ne,të gjithë, që jemi mbledhur këtu, bashkë me atdhetarët tanë shqiptarë, do të mbrojmë shkronjat tona kombëtare, me mish e me shpirt...". Të shumta ishin thirrjet, që atdhetarët shqiptarë u drejtuan Fuqive të Mëdha, ku kërkohej pavarësia e liria e Shqipërisë. Përkrah nënshkrimeve të Ismail Qemalit, Sulejman Delvinës etj., ishte dhe ai i Dervish Himës. Kështu, ai firmosi dhe thirrjen, në emër të popullit shqiptar, "për mbledhjen e një kongresi, që do të shqyrtojë çështjen e krijimit të një shteti autonom shqiptar". 2. Me armë në dorë, për liri e pavarësi Në pragun e shpalljes së Pavarësisë, zhvillonin veprimtarinë e tyre atdhetare disa klube shqiptare jashtë vendit. Përveç klubit të Shkupit, në prill 1912 u formua një klub i ri, në Selanik, me emrin domethënës " Bashkimi". Ai u vu tërësisht në shërbim të çeshtjes shqiptare dhe ndihmoi mjaft në përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip. Nismëtar për këtë klub ishte atdhetari i njohur nga Peja e Kosovës, Sali Gjuka-Dukagjini, tani “Mësues i Popullit”. Së bashku me mikun e bashkëluftatarin e tij, Dervish Hima, arritën që të armatosnin një çetë me studentë të atij qyteti. Në krye të saj, u dalluan si organizatorë e luftëtarë me armë në dorë kundër pushtuesve osmanë, në disa krahina të Shqipërisë së Jugut. Më 21 korrik 1912,Nikollë Kaçorri i shkruante nga Durrësi Sali Nivicës, i cili vepronte në Jug të Shqipërisë: "Prej një letre,që morëm prej Hsan Beut (Prishtinës), na thotë se Dervish Hima, me ca djem si Sali Gjuka etj., patën ikur prej mejtepeve të Selanikut dhe të Stambollit...për të bërë kryengritje...Ka një javë që janë në Korfuz...Ushtria turke po thyhet. Është një mrekulli,që paralajmëron ngadhnjimin tonë kombëtar". Në aktin përfundimtar të Shpalljes së Pavarësisë, me nënshkrimet e 63 delegatëve, pjesëmarrës në Kuvendin historik të 28 Nëntorit 1912, përkrah emrave të I.Qemalit, I.Boletinit, L.Gurakuqit, N.Kaçorrit dhe të patriotëve të tjerë në zë për trimëri, janë dhe firmat e Dervish Himës e Sali Gjukës. Ishin dy luftëtarë të një ideali, njëri nga Dibra e tjetri nga Kosova. 3. Drejtues shtypi dhe përhapës i arsimit shqip Dervish Hima ka edhe një veprimtari të gjerë si publicist dhe përhapës i arsimit shqip. Më 1899, botoi në Romë gazetën " Zëri i Shqipërisë" (shqip e frengjisht). Një vit më vonë nxori në Rumani gazetën "Pavarësia e Shqipërisë" (rumanisht). Ndërsa më pas publikoi në Napoli të Italisë gazetën "Shqipëria". Në tri gjuhë (shqip, turqisht e frengjisht), bashkë me Hilë Mosin, më 1909 botoi gazetën "Shqipëtari". Shihet se çfarë titujsh u kishte venë atdhetari ynë atyre gazetave, që fatkeqësisht nuk patën jetë të gjatë. Në shtator 1908, gazeta "Kombi " shkruante: ''Autoritetet osmane... arrestuan dhe dënuan me vdekje Dervish Himën se, duke qenë mysliman, pati kurajon të quhet shqiptar...".Që në vitin 1908, Dervish Hima lëshoi kushtrimin: ''Çoniu, burra, mos flini! T'i dalim para veprimtarisë rënimtare të armiqve. T'ia fillojmë punës, duke hapur sa më shumë shkolla...Karakterin tonë burrëror, ta stolisim me virtytin e dijenisë". Por nuk bëri vetëm thirrje e nuk u mjaftua duke shkruar në shtyp për nevojën e shkollave shqipe. Ai shkoi nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë e Mat. Atje dërgoi libra shqip, por dhe ndihmoi në çeljen e mbarëvajtjen e shkollave shqipe. Dervish Hima mori pjesë në disa kongrese e kuvende kombëtare, ku u diskutuan çeshtje të rëndësishme për kombin shqiptar, si në Kongresin e Dibrës (1909) etj. Gazetat pasqyruan dhe fjalën e tij në Kongresin II të Manastirit: ''Foli i dëgjuari punëtor për lulëzimin e Kombit tonë, atdhetari i flakët, z.Dervish Hima, drejtor i gazetës "Shqiptari", i dërguar prej shqiptarëve të kryeqytetit dhe si përfaqësues i klubit shqip të Stambollit". Një gazetë e kohës e mori në intervistë Dervish Himën. Një ndër përgjigjet e pyetjeve të bëra ishte: " Jam shërbëtor i përulur i atdheut, për të cilin punova me penën time në fushën e gazetarisë popullore e të huaj, me xhyrdinë në krahë nëpër katundet e qytetet e Shqipërisë, për të themeluar shkolla e për të përhapur abetare të shqipes, me mauzer në krah e me nxënës shqiptarë të lartë, qytetarë prej Shqipërisë së Sipërme e të Poshtme; kemi luftuar kundër atyre, që deshën ta mbysnin gjuhën shqipe e t'i çkombëtarizonin shqiptarët". Është domethënës fakti që, në Kongresin e Elbasanit, u propzua që "Dervish Hima prej Ohri, të caktohet si mbikqyrës për të gjitha shkollat e Shqipërisë". Pasi kishte dhënë aq shumë për Atdheun e shkollën shqipe, në moshën 63-vjeçare, u nda përgjithmonë nga jeta. "Të hënën, më 21 maj, në orën 10.00, pas një lëngimi të gjatë, vdiq veterani plak Dervish Hima,- shkruante gazeta "Zëri i Korçës", më 26 maj 1928.-Vdekja e veteranit u përhap në kryeqytet si vetëtima dhe nuk mbeti njeri pa u pikëlluar...".
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.