Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Njeriu ka Fëtyrë... por, ka edhe...!

| E shtune, 28.11.2009, 06:50 PM |


NJERIU  KA  FËTYRË… POR,  KA  EDHE…!
 
Nga Fritz RADOVANI

    Njeriu ka Fëtyrë... thomi ne, andej kah Shkodra... por, ka edhe...
    Cipë...,
    Lëkurë...,
    Ka edhe surrat, thonë nga Toskënia...
    Ka edhe me shollë...
    Dhe, kur, i shkyhet sholli, ven gjysma...ose shoje të reja...
    Kur, i shkyhen edhe ata...
    Dikush, i tretë...
    ...Por, ka edhe nga “ata”, që nuk i tresin... por, dalin me shkarpa!
    Sikur, të kërkohej me vue një tikëtë (?), se cila, nga këto terma mendoni se ju, përket ju?
– Jam i sigurtë, se, secili, do të tikonte rreshtin e parë, “? Unë, kam Fëtyrë!”, madje, edhe toskët që Fëtyrës i thonë “surrat”, do të tikonin rreshtin e parë, për mos me ra në “keqkuptimin” e termit nga ndonjë shkodranë, i cili, kujton ende thanjen e të Ndjerit avokat Risto Siliqi, i cili, mbasi u pat zemrue me një përson nga Toskënia, i tha: “Nuk ke faj, jo, se ju, nuk dini çka do me thanë me pasë Fëtyrë...se, ju, asaj që paraqet njeriun ju, i thoni “surrat”...!”.
    Kam njohtë një Burrë të moshuem në Shkoder, në vitin 1955 dhe, kujtoj mirë edhe datën: 16 Dhetor, pikërisht, atë ditë kur të gjithë maturantët e shkollës Pedagogjike u bashkuem me një turmë të pa pame ndonjëherë të popullit të Shkodres, në ndonjë funeral privat si ai i asaj dite të paharrueshme jo, vetëm, për jazin që i kishte ra Qytetit shkretnuem nga vdekja e parakohëshme e Mjekut me duertë e arta, Dr. Federk Shirokës, por, edhe nga vajtimi i Qiellit të Asaj dite që, pat mbulue të gjitha rrugat e skutat në katër anët e Qytetit plak, me lot e vaj të banorve të vet, të cilët e dinin dhe e kuptonin mirë se ke kanë humbë...I pari në rresht mbas arkivolit, ngjitë me zonjën e Tij, ishte vëllai i Mjekut, Dr. Zef Shiroka, por, Ky ishte ndër tre “mjekët” tjerë, nga Ata të cilët, mendonin me sherue ekonominë shqiptare bashkë me Dr. Rrok Gerën dhe Dr. Niko Gurashin, tre ekonomistët ma të mëdhaj që njohti Shteti Shqiptar, posa u pat thëmelue...Dr. Gurashi, pat rrezik dhe u aksidentue nga një motorçikletë, dhe jetoi me pasoja të randa psiqike. Ndërsa, Dr. Rroku dhe Dr. Zefi, kaluen shumë vite mbas 1944 në burgje dhe interrnime, madje, Zefi, deri ditën që i ka vdekë vëllai Dr. Federiku, ishte i interrnuem, por nga turpi sesi do të diskutohej mungesa e Tij, në funeralin e vëllaut, në orën 23.00 të natës së datës 15, kur njerëzit  e pafarë vazhdonin me ruejtë të vdekunin në shtëpinë e Shirokejve në Shkoder, një xhips i sigurimit ndalon tek dera dhe, nga xhipsi del “i liruemi” nga interrnimi, vëllai i Mjekut të porsavdekun, edhe Ky, pak orë ma parë i sjellun nga Tirana, mbasi dëshira e Tij ishte me u vorrue në vorrezat e Rrëmajit, të Qytetit të vendlindjes së vet...mu, në vorrin e daltuem në gurë, nën çinar, ku, besoj, se asht edhe sot!
    Më tregonte një jevk në Shkoder, të cilit, Doktori i kishte shpëtue djalin nga vdekja, me një operacion që i kishte ba në shtëpinë e vet në Tiranë, posa, jevku, kishte mërrijtë aty me djalin e tij gjysëm gjallë...E kishte mbajtë edhe dy ditë mbas operacionit në shtëpi dhe mbasi djali i vogël ishte përmirësue, i ati bashkë me te, ishin nisë për Shkoder...Jevku, në xhep kishte vetëm 150 lekë (të vjetra), pra, vetëm të hollat e biletës së udhtimit dhe, asnjë lekë tjetër, sasi e cila as nuk mund të jepëj për falnderim...për operacionin. Nisët për Shkoder me mendim me shkue ma vonë dhe me e falnderue Doktorin, tek i cili, veç djalit, edhe ky vetë qendroi aty, si një njeri i shtëpisë, me ushqim e fjetje tek koka e të birit të operuem. Dhe, ashtu bani. Mbasi mori rrogën e atij 15 ditëshi, gjeti edhe një krap të mirë dhe u nis në Tiranë. Shkoi dhe priti Doktorin tek dera...
    Sigurisht, dinte orën e këthimit Doktorit nga puna. E pau nga larg në biçikletën e Tij, të vjetër dhe i doli para që ti kujtonte Doktorit se kush ishte. Ai posa u afrue ndaloi, zbriti nga ajo biçikletë rrangalle dhe u përshëndet, tue e pyet fjalën e parë për djalin...Ky, i përgjigjet shkurt dhe mbasi i tregon se i ka sjellë edhe një krap si dhurat, don me futë dorën në xhep me nxjerrë edhe 1500 lekë (të vjetra)... por, Doktori, i shtërngon dorën dhe nuk e lejon me e nxjerrë nga xhepi... tue i thanë: “Mos kalo në marri, krapi mjafton boll, madje, asht shumë edhe ky, por, këte po vjen edhe ti me mue dhe mbasi të pimë nga një gotë raki bashkë, besoj, se piqet në furrë dhe po e hamë bashkë sëpse, ato ditë kur ishe me djalë, nuk mujtëm me u kënaqë me muhabet...”. E kishte marrë në shtëpi dhe janë ulë së bashku...Jevku i kishte pastrue krapin por, kur, ka ardhë koha me e hapë për me i hjekë parën që e idhnon tek koka, atëherë, i kishte tregue së shoqes Doktorit sësi me vëprue tue mos dashtë me ia prekë peshkun mbrendë me duert e tija...
    Posa asht ulë në tavolinë, Doktori i ka hjekë vërejtje: “Po, si, e ke mendue atë marri me futë dorën në xhep tue kenë edhe prej Shkodret, po, a ke harrue se unë jam shkodranë..?”
    Ky, ishte mundue me u justifikue, se, kur, ishe me djalë ishe ngusht me të holla...
    Doktori, i ka pre fjalën... “po, ku, punon ti...ti, je hamall...aq sa merr ti në muej...me mi prue mue, me çka do me u ushqye ti për me ba fëmijë të tjerë...se, ju, përveç hamallekut, nuk dini gja tjeter veç me ba fëmijë...apo, ke dashtë me më qitë faqen e zezë në Shkoder, se, nuk jam tue pasë fëmijë tjerë se më asht dashtë me “pague” operacionin..e nuk kam se çka me hanger...!”
    – U qeshëm me lot kur mi tha Doktori këto fjalë...thonte jevku, por, nuk më shkonte kurr në mend se, mbas një viti, do të qajshe si fëmija kur, mora vesht vdekjen e Tij...
    Anekdotat  për Dr. Shirokën janë një liber me shumë fletë...
    Në vitin 1965, në 10 vjetorin e vdekjes së Tij, pata punue një portret të Doktorit, në telajo pelhure me lapsë, por nuk u ekspozue në ekpozitën vjetore të Shtëpisë së Kulturës, gjoja për një difekt vizatimi të dorës së djathtë...E vërteta, qendronte tek fortuna që po afrohej në 1966, ku, përfundimisht, mu desht me u shkëputë nga ekspozitat, të cilat, nuk pranonin emnin tem... për arësye të “luftës së kllasave”. Ajo vepër përfundoi në Spitalin Civil të Tiranës, ma vonë aty nga 1974, si “dhuratë”, mbasi nuk mund të “paguhej” nga Spitali fatura me emnin tem, pa kalue në komisionin artistik që kryesohej nga “shoku” Foto Stamo, i cili, ka thanë: “Asnjë vizatim i Fritzit të mos ekpozohet ma... dhe, nëse, ai, ju sjellë grafika për ekspozim, veni “etiketën revizioniste me prioritet të artit modern polak” dhe ia tregojmë edhe vendin që meriton, atje...tek i vëllai..!”.
    Këta kujtime mi solli ndër mend fjala “Fëtyrë”...e përcaktueme nga Dr. Zef Shiroka, që, kur, e pyetën nëse, thirre “zotni”, pse ke kenë dikur Minister, apo, ke muejtë me ruejtë Fëtyrën..?
    Ai tha: “Shikoni, asht aq e vështirë fjala “me ruejtë” Fëtyrën sa, as nuk ju shkon nëpër mend se çka kam vuejtë gjithë jetën me u thirrë zotni, mbasi nuk duhen ma shumë se 5 minuta me u quejtë gjithë jetën “horr”...prandej, me pasë Fëtyrë...asht e vështirë fort...!”
    Një e vërtetë e madhe dhe e pakundërshtueshme.
    Shkodra ka pasë dhe me siguri edhe ka prap Burra zotnijë dhe me Fëtyrë..!
    Kam njohtë shumë e shumë prej Tyne që, fatkeqësisht, shumë nuk janë ma, po, Burrnia e Tyne asht e pranishme në jetën dhe në historinë e Shkodres...
    Kam njohtë edhe mjaft nga ata që e kanë përlye përgjithmonë “surratin” me veprat e tyne të paturpëshme por edhe të vazhdueshme deri në motët e shtyme të pleqnisë...
    Brezi i Ri ka shumë nëvojë me ditë për Ata që ishin Burra të vërtetë zotnijë...por, që nuk zehën as në gojë nga askush...ashtu, si ka nëvojë Malësia me njohtë “Lahutën” e At Fishtës, apo Kleri “Letren e hapun” të Don Ndre Zadejës, dergue Cordignanos. Ende sot, nuk di se asht ba një Liber me emnat e të pushkatuemve, të mbytunve në hetuesi, të vdekunve në kampe interrnimi e shfarosje...apo, me emnat e Nderuem të Atyne Shqiptarve që vuejtën nga 25, 30 apo 38 vjet burgje deri tek i Ndjeri Osman Kazazi, që ka mbijetue mbas 43 vjetësh burgje e interrnime...
    Nuk kam ndër mend me vue këtu Emnat e Martirve të Pavdekshëm, mbasi nuk kam edhe arkivin e nëvojshëm për atë qellim por, Kujdes, Kujdes e shumë Kujdes, (e shkrova me shkronjë të madhe) vllazën bashatdhetarë, se, tue harrue fjalën Fëtyrë, harroni edhe se keni “cipë” dhe, tue ndrrue “lëkurën” e, tue dashtë me fshi “surratin”, ajo bahet për pak kohë “shollë” e, kur shkyhet edhe sholli: “Fëtyra bahet Shkarpë”... bash ashtu si i asht ba komunistëve e agjentave të sigurimit që, tue ditë mirë dhe tue pa përditë sesi ka vojtë Populli Shqiptar, zotohën me festue edhe atë që asht sot e ka me kenë gjithmonë në HISTORINE  E  SHQIPNISE:
       DITA MA E ZEZË E POPULLIT MARTIR SHQIPTAR, DITA E 29 NANDORIT 1944.  

    Poulli Shqiptar ka vetëm një FESTË TË VËRTETË, Ate të Flamurit të Skenderbeut,
    AJO  ASHT  FESTA  E  FLAMURIT, ASHT  DITA  E  28 NANDORIT 1912..!
    Lavdi për jetë Martirve dhe Heronjve të Kombit Shqiptar, që vdiqen për Flamur, për Liri dhe Demokraci, tue fillue nga Trojet e Pathyeshme të Maleve të Dedë Gjo’Lulit, Vlona Heroike e Ismail Qemalit e deri tek Ata Burra, që dhanë jetën nën bajonetat e diktaturës komuniste!
    RRNOFTË  SHQIPNIA  DHE   FLAMURI  I  SAJ..!

Melbourne, Nandor 2009.