Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbën Xhaferi: Po kërkohet zhbërja e Marrëveshjes së Ohrit

| E merkure, 25.11.2009, 08:08 PM |


Flet për "Shqip", politikani dhe intelektuali i njohur

Nga Ylli Pata

Pas vendimit më të fundit të qeverisë maqedonase për heqjen e kombësisë shqiptare nga pasaportat e reja biometrike ka reaguar politikani i njohur dhe intelektuali Arbën Xhaferri. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Shqip" Xhaferri i shikon këto si përpjekje për zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit. Ish-kreu i PDSH-së thekson se "Ndryshimi i formulës në pasaportë ‘nënshtetas i Maqedonisë‘ në ‘nënshtetas maqedonas‘ në fakt ndërhyn në interesin themelor të shqiptarëve: ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Sot Maqedonia nuk rrezikohet nga fqinjët e vet ose nga bashkësitë e tjera etnike, por me projektin e tyre ambicioz që s‘ka kurrfarë gjasash të realizohet dhe gjithmonë do t‘i shterë kapacitetet e tyre kombëtare. Ky proces gjithsesi do t‘i rrisë frustracionet si individuale ashtu edhe kolektive të maqedonasve dhe do të përfundojë ashtu si çdo iluzion: me realizëm..."

Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë maqedonase që në pasaportat e reja të përmendet vetëm kombësia maqedonase?

Së pari, duhet konstatuar, madje jo pa ironi se nami i Marrëveshjes së Ohrit ia ka marrë anën emrit të shtetit, Maqedonisë. Shpeshherë ndodh që diplomatët të harrojnë emrin e shtetit ku shkojnë për të kryer ndonjë mision të natyrës diplomatike. Mjafton që dikush t‘ia përmendë "Marrëveshjen e Ohrit" dhe ai menjëherë rikujtohet ku është duke shkuar dhe me çfarë problemesh do të përballet atje. Aktualisht, kudo në botë kjo marrëveshje ka marrë konotacione të pamerituara pozitive. Kjo është e kuptueshme ngaqë me këtë marrëveshje u ndërpre lufta dhe u vendos një paqe politike, ndërkohë që relacionet ndëretnike vazhdojnë të agravohen. Sot te maqedonasit, kjo marrëveshje, jo vetëm trajtohet si diçka e imponuar nga jashtë, si diçka komplotiste, e kurdisur nga faktorët e brendshëm që i paskan përdorur shqiptarët si instrument për ta destabilizuar shtetin e tyre, të perceptuar si pronë të tyre etnike, por veprojnë gjithnjë e më hapur në anulimin e obligimit për implementim të saj. Te shqiptarët tendenca të këtilla nuk ekzistojnë, ngaqë tërësisht fatin e kësaj marrëveshje ia kanë besuar faktorit ndërkombëtar, i cili me çdo kusht ikën nga variantet ngatërrestare dhe insiston që problemet e kësaj natyre të zgjidhen me kompromis.

A e prek ky vendim Marrëveshjen e Ohrit dhe sa dëmtohet popullsia shqiptare?

Cilat janë ato probleme që dëshmojnë se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por gjithnjë e më shumë acarohen. Maqedonasit synojnë të zvarrisin implementimin për t‘i modifikuar nenet kryesore të saj, ndërkaq shqiptarët insistojnë që ajo të implementohet në tërësi, pos partisë në pushtet e cila përhap vend e pa vend optimizëm dhe kënaqësi.
Ndryshimi i neneve të Marrëveshjes së Ohrit filloi që në vitin 2002 kur koalicioni i ri politik LSDM-BDI e votoi ligjin për dokumentet e udhëtimit ku parashikohej që dokumentet e udhëtimit të nxirren edhe në gjuhën shqipe në bazë të kërkesës së qytetarëve. Me këtë formulë gjuha shqipe filloi të trajtohet jo si gjuhë zyrtare, por si gjuhë fakultative që merr trajta të gjuhës zyrtare me kërkesë të qytetarëve. Siç dihet, këto modifikime ishin shkas për shpërbërjen e Jugosllavisë. Këtë variant pala maqedonase tentoi paraprakisht t‘ia imponojë dy partive tjera që në atë kohë ishin në pushtet, PDSH-së dhe PPD-së. Këtë variant që këto dy parti refuzuan e miratoi BDI-ja që në ditët e para të saj në koalicion me LSDM-në. Nga kjo kohë pala maqedonase vazhdon betejën e saj për modifikimin deri në anulim të Marrëveshjes së Ohrit. E gjithë kjo bëhet për shkak se pala shqiptare arriti që në bisedimet e Ohrit të imponojë vlerësimin se shkaku i luftës duhet kërkuar te shpërputhja ndërmjet përbërjes shumetnike të Maqedonisë me konceptin etnocentrik të Kushtetutës. Të gjitha institucionet maqedonase krijojnë vazhdimisht oponencë kundër implementimit të ndryshimeve të Kushtetutës dhe në shumë pika deri më tani arritën të modifikojnë nenet kryesore të kësaj marrëveshjeje. Këtë tendencë ata e sforcojnë kryesisht në periudhat e koalicionit me BDI-në. Kjo ndodhi për shkak të nevojës së kësaj partie që të çlirohet nga barra e luftës dhe të sillet si subjekt politik i moderuar që nuk përputhet as me motive të luftës dhe as me përmbajtjen programore politike të saj. Duke marrë parasysh këtë, sot jemi para një situate ku të gjitha pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit janë modifikuar duke filluar prej përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe deri te mosrespektimi arrogant i ligjit për amnisti. Gjuha shqipe nuk është në asnjë dimension gjuhë zyrtare ashtu si edhe nuk është arritur pajtimi ndërmjet palëve ndërluftuese. Shteti ashtu si edhe populli maqedonas, në vend të pajtimit gjithnjë e më tepër bëjnë dallime ndërmjet palëve ndërluftuese: luftëtarët maqedonas trajtohen si mbrojtës të rendit kushtetues, ndërkaq shqiptarët si agresorë që kanë hyrë në këtë mesele si mercenarë, kështu që nga Marrëveshja e Ohrit nuk mbeti asgjë thelbësore që do të ishte në funksion të korrigjimit të konceptit etnocentrik të shtetit dhe të bindjes se ai është pronë e një bashkësie etnike, asaj maqedonase. Ky fenomen i posesivizmit manifestohet me përdorimin e nocioneve që jo vetëm shtetin, por të gjitha segmentet e tij e trajtojnë si pronë të një etnikumi: Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, Asociacioni Maqedonas për Historinë e Mjekësisë, Banka Maqedonase, Kinematografia Maqedonase, Kopshti Shtëpiak Maqedonas, Radiotelevizioni Maqedonas, Tribuna Maqedonase e Studentëve, Seksioni Stomatologjik Maqedonas, Organizata Studentore Maqedonase, Filarmonia Maqedonase, Hekurudhat Maqedonase, Lidhja e Grave Maqedonase, Komiteti Maqedonas për Mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, Lidhja e Rinisë Maqedonase, Teatri Popullor Maqedonas, Komiteti Olimpik Maqedonas, Komiteti Kombëtar Maqedonas për Penda të Mëdha, Postat Maqedonase, Sporti Maqedonas, Buletini Maqedonas për Farmakologji, Organizata Maqedonase për Nekrologji, Dializë dhe Transplantim të Organeve Njerëzore, Shoqëria Maqedonase për Mjekësi etj. Emërtime të këtilla ka me mijëra. Në këtë mënyrë synohet që në fazën e parë një nocion gjeografik të etnizohet, pra të maqedonizohet dhe pastaj të përvetësohet çdo gjë që ndërlidhet me nocionin maqedonas. Prandaj ata, në kuadër të një koncepti të idologjizuar etnocentrik nuk mund t‘i lejojmë format e tjera të përdorimit të nocionit maqedon, pos në variantin përvetësues "maqedonas". Në kuadër të këtij ngulmi, fiksacioni irracional, pala maqedonase e përdor këtë nocion vetëm në trajtën posesive, si predikat që nënkupton të drejtën se çdo gjëje që ka ekzistuar dikur, që ekziston sot dhe që do të ekzistojë në të ardhmen detyrimisht duhet t‘u takojë atyre.
Kjo politikë përvetësuese i prish raportet ndërmjet Maqedonisë me shtetet fqinje që jo vetëm që ndërhyn në interesat pragmatike të shqiptarëve, por automatikisht i shpall shqiptarët e Maqedonisë si maqedonas. Kjo bëhet në emër të konceptit qytetar për shtetin që në bisedimet e Ohrit pësoi debakël. Ndryshimi i formulës në pasaportë "nënshtetas i Maqedonisë" në "nënshtetas maqedonas" në fakt ndërhyn në interesin themelor të shqiptarëve: ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar.
Sot Maqedonia nuk rrezikohet nga fqinjët e vet ose nga bashkësitë e tjera etnike, por me projektin e tyre ambicioz që s‘ka kurrfarë gjasash të realizohet dhe gjithmonë do t‘i shterë kapacitetet e tyre kombëtare. Ky proces gjithsesi do t‘i rrisë frustracionet si individuale ashtu edhe kolektive të maqedonasve dhe do të përfundojë ashtu si çdo iluzion: me realizëm.

Cili duhet të jetë reagimi i faktorit shqiptar?

Medikamenti kundër këtij iluzioni është rihapja e kontestit etnik që me shumë dashamirësi shqiptarët tentuan ta mbyllin në bisedimet e Ohrit.
Shqip - Për ZSH: Gjergj Kabashi