| E marte, 24.11.2009, 09:00 PM |
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
këtë studim do të japim disa nga rastet drastike dhe disa akte më gjenocidale
që i zbatonte UDB-ja dhe udbashët, e që ishin më të shpeshta ndaj të burgosurve
politikë shqiptarë. Ato dëshmojnë se qëllimi i fundit i tërë kësaj ishte
zhdukja dhe shfarosja fizike e kombëtare e kësaj popullate. Pothuajse të gjitha
rastet e tilla ishin dukuri. Shqiptarët, kudo që ishin dhe kudo që vendoseshin
nëpër burgje, kishin të njëjtin trajtim, posaçërisht nga joshqiptarët.
Aktet
gjenocidale ndaj të burgosurve politikë shqiptarë, nuk janë vetëm të
dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX. Mjerisht, e tërë kjo zgjat me
shekuj, por në forma të tjera, në mënyra e me mynxyra të mbuluara. Kështu,
dhuna mbi popullin shqiptar vijon pandërprerë. Në vitet 1981-1989, rritet
statistika morbide e të burgosurve. Në këto kushte me dhjetëra anëtarë të
organizatave ilegale e kanë pësuar nëpër burgje. Me qindra kanë mbetur invalidë
të përjetshëm, ndërsa me qindra familje janë bërë qytetarë inferiorë, sepse
përmes torturës shpirtërore mbi ta, bëheshin edhe trajtime makabre, deri në
shkallë vdekjeje ose gjymtimit fizik.[1] Fillohej me aktin e
arrestit, të burgimit në hetuesi. Masa që ushtroheshin gjatë kësaj procedure
ishin keqtrajtimet fizike e psikike. Të arrestuarit në këto trajtime e pësonin
aq shumë, saqë edhe dëshmitë më rrëqethëse janë tepër të varfra për ta
pasqyruar tërë gjenocidin që ushtrohej mbi këta patriotë. Pesë dekada të
Jugosllavisë socialiste ishin vite gjahu mbi shqiptarët. Metodat që përdoreshin
nëpër qelitë e burgjeve, me gjasë, nuk mund të hasen as në vendet më raciste në
botë. Por, nuk do të ndalemi në këto. Udbashët udhëhiqeshin me sintagmën e
njohur: “Qëllimi arsyeton mjetin”, andaj për ta ishte i lejueshëm çdo mjet,
vetëm e vetëm që të bënin shpëlarjen e shpirtit e të trurit nga historia dhe
ideologjia. Askund në botë nuk ka ndodhur që policia të shkonte si në teatër
për të ndëshkuar “të planifikuar për krim”.
Aktet
gjenocidale, vetëm se në mënyrë më perfide e në vazhdimësi, u kryen te të
gjithë anëtarët e organizatave ilegale shqiptare që u zbuluan. Pas zbulimit të
Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar, pushteti serbosllav i dënoi udhëheqësit
e tij me pushkatim: Halim Spahiun, Tahir Dedën, Kajtaz Ramadanin, Rexhep
Kabashin, Rifat Krasniqin, ndërsa shumë të tjerë u mbyllën me burgje dhe u
dënuan me vite marramendëse.[2] Një vit më vonë zbulohet
grupi tjetër i po kësaj organizate. Udhëheqësit e tij: Hysni Rudi, Mehmet Bushi
(që të dy oficerë me akademi të mbaruar), Azem Morana, Halim Orana (juristi i
parë në Gjilan), dënohen me pushkatim.[3] Më 26 korrik 1946, nën
udhëheqjen e patriotit Gjon Serreqi, organizata konsolidohet dhe ndërkohë mban
Kongresin e Pestë të NDSH-së në vendin e quajtur Blinajë (Mali i Lipovicës).
Një vit më vonë zbulohet edhe ky aktivitet, shumica e udhëheqjes burgosen.
Gjykimi i tyre mbahet në Gjimnazin e Prishtinës “Sami Frashëri”. Me pushkatim
dënohen: Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku dhe Osman Bunjaku. Prokuror i
krejt kësaj ishte, kush tjetër – Ali Shukrija.[4]
E
frymëzuar nga Gjon Serreqi, më 1948 u formua organizata e re e KNDSH-së, por
edhe kjo u zbulua dhe shumë anëtarë të saj ranë në burg dhe kurrë nuk dolën
prej tij. Më 1950 u zbulua grupi i Metush Krasniqit, patriot i shquar. Në bazë
të aktakuzës nr. 112/62, mësuesi Shaban Shala, në shtator të vitit 1960 formoi
grupin politik me emrin “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”.[5] Kryetar i saj u zgjodh Shaban
Shala.
Më
1958 për herë të parë bie në burg Adem Demaçi,[6] ndërsa gjashtë vjet më
vonë ai formon organizatën ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e
Shqiptarëve”.[7]
Po në këtë periudhë veprojnë dhjetëra grupe politike atdhetare, formale e joformale,
të cilat ishin të liruara nga hipotekat e organizatave të vjetra politike. Në
krye të këtyre grupeve politike, të cilët u burgosën në intervale të ndryshme,
gjatë kësaj periudhe dalloheshin: Kadri Halimi, Hyrie Hana, Ali Aliu, Rexhep
Abdullahu e shumë të tjerë. Zbulohet grupi i Kadri Osmanit “Grupi Revolucionar”
(1969).[8] Për herë të dytë burgoset
Adem Demaçi, zbulohet organizata ilegale e tij dhe bien në burg shumë ilegalë
anembanë Kosovës e jashtë saj.
Me
kohë, armiqtë e përbetuar të shqiptarëve, udbashët, filluan një nga një t’i
zbulonin organizatat ilegale. Nëpër burgjet jugosllave, shqiptarët, të dënuar
politikë, filluan të bëheshin shumicë. Edhe pse pushtetmbajtësit trumbetonin se
shqiptarët, si popull, në këtë shtet qenkan pakicë kombëtare, burgjet e
dëshmonin të kundërtën. Shqiptari, të cilit i ishte suprimuar liria në mënyrë
represive, ishte qenie e shqetësuar. Mirëpo, në të vërtetë të shqetësuar, madje
edhe të mjerë, ishin ata që këtë popull e robëronin. Individi, njësoj si
kolektiviteti, mund të privohet nga liria, që me fjalorin e dhunës do të thotë
se mund të burgoset. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se me burgosjen e qenies
fizike të njeriut, burgosen edhe qenia e tij mendore, ideja dhe vullneti për
liri. I robëruari do të bëjë çmos për t’u çliruar, robëruesi, nuk do të kursejë
asgjë nga arsenali i dhunës për të ruajtur gjendjen robëruese, për ta kufizuar,
për ta ndrydhur e për ta ngulfatur lirinë. Forcë pozitive ishte ajo e popullit
shqiptar dhe e organizatave ilegale që përpiqeshin të liroheshin nga robëria,
por forcë (natyrisht, negative) ishte edhe ajo e shtetit që kufizonte lirin në
çdo shteg. Mirëpo, duke e kufizuar lirinë e popullit liridashës, ata vetë
kufizoheshin, vetëmohoheshin...Këto procese dalëngadalë e asgjësonin fuqinë dhe
forcën e robëruesit. Nëse është kështu, e kështu është, atëherë mund të themi
se populli shqiptar, i “determinuar” si popull i ndarë dhe jo i lirë, doemos
duhet të jetë i lirë. Ndërkohë, ata që s’mund ta mendojnë qenien shqiptare të
lirë, aq më pak të bashkuar, si gjithmonë, do të mundohen me dhunë e me arreste
ta pengojnë lirinë dhe bashkimin e plotë të shqiptarëve në këto troje. Për këtë
arsye përdorën një seri metodash gjenocidale, vetëm e vetëm që ta shkokëlonin
shqiptarin nga gjakimi shumëshekullor.
Vuajtja,
dhembja e individit nuk vinte nga arsyeja vetjake, nuk vinte nga uni i tij, por
nga vuajtja e madhe e vetë popullit shqiptar në përgjithësi, nga oktapodi serbo
– sllav dhe gjenocidi i egër që ushtronin mbi këtë popull. Nëpërmjet akteve
gjenocidale, udbashët zbulonin diçka të tmerrshme e shqetësuese, nëpërmjet
dhunës zbulohet realiteti fizik, etnik, social dhe politik, ndryshe nga
tendenca shfarosëse kombëtare.
Kundër
të burgosurve politikë shqiptarë shumë akte gjenocidale i zbatoi vetë shteti
(kjo do të thotë se gjenocidi ndaj popullit shqiptar ishte i organizuar në
mënyrë institucionale), i zbatuan organet kompetente dhe UDB-ja, që ata i
merrnin në trajtim. Format më të shpeshta të praktikës represive ndaj të
burgosurve politikë shqiptarë kanë qenë:
Transferimi i të burgosurve politikë
shqiptarë nga burgjet e Kosovës
Duke
filluar që nga Sllovenia, Stara Gradishka, Zenica, Sremska Mitrovica, Beogradi,
Nishi, Pozharevci, Idrizova e shumë vende të tjera anembanë ish-Jugosllavisë.
Shqiptarë të dënuar politikë, burgun e vuanin në burgjet më famëkeqe dhe më të
largëta. Kjo ishte forma më barbare, që ndikonte edhe te të burgosurit edhe te
familjet e tyre, si në aspektin e shpenzimeve materiale, ashtu edhe në atë
psikik e fizik të vizitorëve. Ndodhte që, mu për shkak të largësisë, të
burgosurin me muaj (ndonjëherë edhe me vite) të mos e vizitonte askush. Ish i
burgosuri politik, Binak Ulaj, për pesë vjet, sa ka vuajtur burgun, për
shembull, vetëm një herë e kishte vizituar nëna plakë.[9] Ai, duke i parë mundimet e
nënës, kishte kërkuar nga ajo që më të mos e vizitonte. Udhëtimi i largët,
ndërrimi i njëpasnjëshëm i automjeteve (treni, autobusi etj) dhe shkuarja në
një qytet të panjohur, ishte një golgotë e vërtetë, ndërsa kaptinë më vete
ishte edhe vetë akti i vizitës. Ndonëse në shumë burgje, me rregullore vizitat
ishin të parapara të zgjasnin 30 minuta,[10]për shqiptarët ato
shkurtoheshin dhe zhvilloheshin në praninë e gardianit, i cili njëherësh ishte
edhe përgjues. Vizitorët ishin të detyruar të flisnin në gjuhën serbe, kurse
shumë nga ta nuk e dinin këtë gjuhë, andaj detyroheshin që të ktheheshin pa e
parë të burgosurin. Rasti më flagrant ishte kur më 28 janar 1965, Adem Demaçi i
kishte shkuar për vizitë nëna. Ajo, për shkak se nuk e dinte gjuhën serbe, kishte
qenë e detyruar që të kthehej në shtëpi pa e parë kurrë të birin. Pas një kohe
të shkurtër kishte vdekur, duke i thënë së bijës Ajshes “Ç’më vyen më jeta, kur
nuk më lanë ta shoh djalin tim”.[11] Ose në një rast tjetër
sikur donin që grilat e burgut të futeshin edhe në kokën e fëmijës së vogël.
Është ky rasti i bijës së vogël të Hydajet Hysenit, e cila e kishte vizituar
babanë në burgun e Beogradit. Këtyre u ishte lejuar vizita, por vetëm nëpërmjet
grilave, kur ai kishte qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, si pasojë e
torturave. Ai tregon se fare nuk i kujtohet të ketë pasur vizitë. Vajza e vogël
ishte tmerruar. Hydajeti më vonë kishte bërë ankesë dhe kërkesë “që vizitat, së
paku kur vijnë fëmijët, të bëheshin në kushte normale, në dhomën e vizitave të
rregullta”.[12] Mirëpo, kërkesa nuk ishte miratuar. Qëllimi
dihet, ata donin t’i shkatërronin jo vetëm të burgosurit, por edhe të afërmit e
tyre.
Trajtimi i mbyllur
Të
burgosurit shqiptarë, sapo vinin nëpër kazamatet jugosllave, menjëherë i
nënshtroheshin trajtimit të mbyllur, fare nuk kalonin në sektorin e pranimit
(karantina). Kështu shkelej neni 97 i LEASP-it.[13]E tërë kjo kishte për
qëllim presionin e vazhdueshëm kundër bindjeve të tyre politike. “Në funksion
të qëllimeve të synuara ndaj të burgosurve, të vendosur në repartin e mbyllur,
është zbatuar një varg masash të kundërligjshme, të cilat lanë gjurmët e tyre
në shëndetin tonë fizik e psikik,[14] rrëfen Nezir Myrtaj, në
ankesën drejtuar Sekretariatit Federativ të Judikaturës dhe Administratës së Përgjithshme
në Beograd, përmes SHNP-së- Zabella të Pozharevcit.
Ndodhte
që i burgosuri të ishte i sëmurë rëndë, por kjo nuk luante rol, ai edhe në këtë
gjendje shëndetësore mbahej në vetmi, ku mungonte ndihma mjekësore. Ndërkaq,
shumë të burgosur të tjerë, si pasojë e kushteve dhe e presioneve, pësonin
sëmundje të ndryshme fizike e psikike. Si rast më tipik i këtij presioni është
ai i Ibrahim Krasniqit, të cilin pas një kohe nga burgu e nxorën të vdekur. Të
ndjerin deri në fund e kishin mbajtur me këtë trajtim, pa i ofruar as ndihmën
më të vogël mjekësore.[15] Këtë mënyrë të vuajtjes
së burgut e kanë kaluar të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, prandaj
shumë nga ta kanë pësuar trauma psikike. Shumë të burgosur të tjerë janë
operuar për shkak të sëmundjeve që i pësonin në këto biruca. Për sëmundjet e
lehta e të zakonshme, as të mos flitet, ngase është vështirë të gjesh ndonjë të
burgosur politik shqiptar që nuk ka vuajtur nga reuma, nga dëmtimi i të parit,
nga sëmundjet e organeve të tretjes, të frymëmarrjes etj.
“Cimerë” të të burgosurve politikë
shqiptarë edhe kriminelë, psikopatë dhe të sëmurë nga sëmundjet ngjitëse
Akti
tjetër i keqtrajtimit të të burgosurve shqiptarë ishte vendosja e tyre nëpër
qelitë e burgut me persona problematikë, që në të shumtën e rasteve ishin të
sëmurë patologjikë, kriminelë dhe vegla të personelit të burgut. Ata në çdo
kohë kanë qenë të gatshëm që t’i zbatojnë urdhrat e eprorëve të vet. Për këtë
dëshmon rasti i Enver Topallit, i burgosur politik nga Ferizaj, i cili në një intervistë
dhënë gazetës “Zëri”, thotë: “Gjashtë muaj i pata kaluar në qelinë numër 7 të
burgut të Nishit me njëfarë Pavlloviqi, psikopat, i cili në vend të bukës,
hante bërllok, që të bëhej sa më i “fortë” dhe, siç thoshte, ta “çlironte”
Kosovën nga shqiptarët. Atë çdo ditë gardianët e nxisnin që të dëshmonte forcën
e tij prej “boksieri” mbi të burgosurit shqiptarë. Edhe sikur ai të më sulmonte
natën në gjumë, zor se dikush do të kërkonte fajësinë prej tij”.[16] Ose, rasti tjetër, kur në
një ankesë, drejtuar organeve kompetente, Hydajet Hyseni shkruante: “Më marrin
pa kurrfarë arsyeje dhe më dërgojnë në dhomën tjetër, ku ishte një i burgosur
(Bojoviq), që ishte po ashtu i sëmurë psikik, i cili ishte i njohur se
tinëzisht i sulmonte të burgosurit, pa kurrfarë preteksti. Këtë e dinin edhe të
burgosurit, edhe personeli i burgut. E dinin, por ja që unë duhej të vendosesha
pikërisht në dhomën e tij, megjithëse kishte mjaft vende të lira në dhomat e
tjera, madje pikërisht në kohën kur anash më bëheshin kërcënime se, po të mos i
ndryshoja disa qëndrime, se, po të mos i pranoja disa kushte, do të mund të
ndodhte gjithçka me mua. Kështu i thoshin gardianët të burgosurit, për
shembull, mund të më sulmojë e të më vrasë ndonjë psikopat, të cilit s’ke ç’i
bën, e dërgojnë në CZ dhe kaq”.[17] Ndërkaq, Ali Lajqi ishte
keqtrajtuar fizikisht nga një bashkëbisedues i dënuar jopolitik, i quajtur
Apaske. Udhëzimin e gardianit të quajtur Aca e kishin dëgjuar të burgosurit e
tjerë kur i kishte thënë: “Bjeri shuplakë, vetëm mos e përgjak dhe mos i
shkakto lëndime të dukshme”.[18] Nga kjo duket qartë se
çfarë qëllimi kishin gardianët. Ata që i shpëtonin kësaj torture, i
nënshtroheshin metodës tjetër: në qelitë e tyre ua fusnin të burgosurit me
sëmundje ngjitëse,[19] e më vonë për të
burgosurit politikë shqiptarë nuk kujdeseshin fare. Aktorët që i kryenin këto
vepra ishin të stimuluar nga organet e burgut, shpërbleheshin me dalje nga
burgu dhe me shumë benificione të tjera.
Mohimi i së drejtës për ngritje
profesionale, shkencore e kulturore
Ky
ishte akt tjetër gjenocidal që aplikohej te të gjithë të burgosurit politikë
shqiptarë. Në disa burgje ishte rreptësishtë e ndaluar literatura në gjuhën
shqipe, madje edhe lekturat e shkollës fillore ishin të ndaluara. Në shtypin
kosovar ishin të parapaguara gati të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë,
por edhe ai mungonte në intervale mjaft të gjata kohore. Atë që nuk mund ta
bënte censura e shtypit, censura e burgut e aplikonte me përpikëri. Në burgje
nuk mund të depërtonin as kënga, as libri, as fletorja, e në të shumtën as
lapsi për shqiptarët. Ja një dëshmi. Kur Hydajet Hyseni bën ankesë dhe kërkesë
në burgun famëkeq të Beogradit, ai shkruan: “Ndoshta është cikërrimë. Kam
kërkuar nga familja që të më sjellin një laps të thjeshtë, duke menduar se kjo
është e lejueshme, por këtë këtu nuk ma kanë lejuar. Kjo nuk ju duket e
çuditshme dhe e padrejtë. Lapsi nuk është as i rrezikshëm, as i ndaluar.[20]
Punët e rënda në burg vetëm për shqiptarët
Duke
llogaritur se tragjedia mund të ndodhte edhe në repartet e punës, gardianët
kujdeseshin që të burgosurit politikë shqiptarë t’i çonin në vendet më të rënda
e më të rrezikshme të punës. Me një veprim të këtillë shkelej neni 117 i
LESP-it. Kjo padrejtësi bëhej gati ndaj të gjithë burgosurve politikë shqiptarë
edhe pse sipas rregullores thuhej se të dënuarve duhet caktuar puna në
përputhje me aftësitë e tyre psikofizike. Ata kryenin punë të ndryshme, duke
filluar që nga prerja e llamarinës e deri te punët në shkritore, e punë të
tjera, siç ishin ato me kimikate të rrezikshme, pa kurrfarë masash mbrojtëse
për shëndetin e tyre. Po qe se ndodhte që ndonjë i burgosur ta refuzonte punën,
ata pa kurrfarë komenti e hidhnin në izolim dhe e keqtrajtonin rëndë. Ndodhte
shpesh që në vendet e punës, me qëllim të caktuar, nxitej ndonjë konflikt e
atëherë dihej: e pësonin rëndë të burgosurit shqiptar. Statusi i të burgosurit
politik ishte i rregulluar gjithmonë sipas një vije të caktuar politike, andaj
edhe orari i punës ishte i pacaktuar. Ai mund të zgjaste 8-18 orë. Ushqimi nuk bën
as të zihet ngoje, ngase një gjysmë kilogrami bukë assesi nuk ishte e
mjaftueshme për një të burgosur, sidomos kur kihet parasysh puna e rëndë që
bënin ata. Nga ushqimi i dobët, të burgosurit bëheshin kockë e lëkurë. Shpesh
ndodhte që edhe ajo pak bukë që ishte ta vidhnin të tjerët, pasi në mëngjes e
merrje të tërën, për tri shujtat. Edhe pakot që vinin nga shtëpitë, të
burgosurve shpesh nuk u lejoheshin ose nuk ua dorëzonin fare.
Tërë
kjo shkelje të të drejtave njerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë
gardianët i ushtronin me një vrull të paparë. Gjendja dhe pozita e të
burgosurve politikë në burgjet jugosllave përgjithësisht ishte e tmerrshme, por
për shqiptarët edhe më e tmerrshme e më diskriminuese ishin burgjet në Serbi.
Mohimi i shëtitjes, ajrosja e qelisë dhe
pastrimi
Trajtim
antinjerëzor i të burgosurve politikë shqiptarë, pa dyshim është edhe mohimi i
shëtitjes së lirë, ajrosja e qelisë, pastrimi i rrobave, mungesa e ujit të
ngrohtë e shumë të tjera. Të tëra këto në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikonin në
shëndetin e të burgosurve. Të burgosurit politikë shqiptarë ishin të vetmit që
në kushte jonormale (kategoria B me mbikëqyrje të përforcuar), e vuanin pjesën
më të madhe të dënimit, ose tërë dënimin, me burg të mbyllur nëpër qeli të vogla,
që mbanin lagështi, pa ajër të mjaftueshëm, pa dritë natyrore. Në kushte të
këtilla, të mjerueshme, njeriu doemos që do të sëmuret (nëse në të e kalon një
vit pandërprerë). Nga muret e qelive kullonte ujë si në shpellë, të zihej fryma
nga myku, në të njëjtën qeli hanin, pinin, flinin, lëviznin e kryenin shumë
punë të tjera.[21]
Kur të kihen të gjitha këto parasysh, jetën e tmerrshme të të burgosurve e
bënin edhe më të rëndë.
Shëtitja,
si një element i çlodhjes së të burgosurit, që ishte paraparë të zgjaste 15
minuta, shqiptarëve u shkurtohej në 7-8 minuta.[22] Ata kryesisht bënin
llojin e “shëtitjes së vdekur”. Kjo ishte kur i burgosuri shëtiste me duar të
lidhura pas qafe, ngase te gardianët kinse ekzistonte frika për ndonjë sulm
fizik etj. Për ajrosjen e qelisë, ndërkaq, thoshin se ajo u bëka duke u hapur e
duke e mbyllur derën gjatë ditës.
Dënimet me vetmi
Vetëm
për të burgosurit politikë shqiptarë izolimi nuk aplikohej si masë disiplinore,
por trajtohej dënimi. Ata dënoheshin me vetmi pa ndonjë arsye të madhe dhe pa
kurrfarë vendimi zyrtar apo pa ndonjë masë të shqiptuar. Qëndrimi në vetmi
është dënimi më i ashpër që mund të shqiptohet në një SHNP. Kjo kategori e
burgimit është ferri vetë në burg. Prej vitesh, qysh se ranë në burg të
dënuarit e parë politikë shqiptarë, kjo ka qenë thuajse e rezervuar vetëm për
ta. Ata dënoheshin me vetmi e vetëm pse nuk i thyenin bindjet e tyre politike.
Nganjëherë dënoheshin me vetmi (izolim) vetëm pse kërkonin ndihmën mjekësore
ose pse i ndihmonin shokut gjatë komunikimit me gardianët në gjuhën serbe. Ata
dënoheshin pse kërkonin ndonjë sqarim zyrtar, pse shkruanin ankesa ose kërkesa,
pse solidarizoheshin ndër vete (e këto nuk ishin raste të rralla).[23] Shpesh ndodhte (në bazë
të përvojës) që të drejtat e tyre mund t’i realizonin vetëm duke e sakrifikuar
shëndetin e tyre (me grevë urie dhe duke mos e pranuar shëtitjen ditore). Të
gjitha këto fakte dëshmojnë qëllimin thellësisht diskriminues, që si synim
kishte shkatërrimin e shëndetit dhe zhdukjen e tyre fizike, shkatërrimin e
forcës së tyre intelektuale e politike (sepse shumica e të burgosurve politikë
shqiptarë ishin të rinj: nxënës e studentë). Thyerja e tyre morale dhe e
bindjeve të tyre ishte qëllim i fundit. Këtë lloj kategorie të dënimit Adem
Demaçi e vuajti më se një vit, ndërsa shumë të tjerë kaluan muaj e muaj të
tërë.
Distancimi i familjes dhe i të afërmve nga
i burgosuri politik shqiptar
Kjo
ishte një ndër metodat më të tmerrshme që ndikonte në aspektin psikik te të
afërmit dhe te i burgosuri. Ky akt gjenocidal ishte i vjetër sa edhe vetë
Jugosllavia. Më së tepërmi gjeti shprehje gjatë kohës së IB-së dhe pas vitit
1981. Kishte raste kur të burgosurit ishin të detyruar të kërkonin shkurorëzim
nga bashkëshortja dhe anasjelltas. Haptas duhej të distancoheshin nga pikëpamjet
ideologjike e shumë marifetllëqe të tjera. Po këtë fat e pati Adem Demaçi. Kur
më 1964, e arrestuan për herë të dytë, gruan e tij, Xhemajlijen, mësuese,
filluan ta përcillnin spiunët dhe ta keqtrajtonin. Ia ndërruan vendin e punës,
prej mësuese në pastruese të shkollës. Për t’ia lehtësuar gruas jetën tepër të
rëndë e të vështirë, ai më 1967, kërkoi shkurorëzim nga ajo. “Sapo u
shkurorëzova zyrtarisht nga gruaja, atë e kthyen në vendin e mëparshëm të punës
si mësuese dhe më nuk e përcillnin,”[24] rrëfen ai. Këtë “fat” e
pësuan edhe shumë të tjerë.
Pas
vitit 1981 shumë të rinj e të reja mbetën pa u regjistruar në shkolla të mesme
e në fakultete. Për shkak të “diferencimit politik” nga fakultetet dhe nga
shkollat e larta u përjashtuan mijëra veta. Qindra pedagogë e arsimtarë u
pushuan nga puna. Nga ndërmarrjet e institucionet ekonomike u flakën në rrugë
qindra punonjës, pjesëmarrës dhe përkrahës të demonstratave.[25] U godit qenia shqiptare
në tërësi.
Dhuna e drejtpërdrejtë fizike
Si
metodë represive e gjenocidale ndaj të burgosurve politikë shqiptarë është
përdorur edhe dhuna e drejtpërdrejt fizike, pa pasur asnjë arsye ligjore, që
ishte në kundërshtim me nene t 150 dhe 159 të LESP-it.[26] Për më tepër, në këto
raste përdoreshin mjete shtrënguese, poshtëruese, siç janë: shuplaka, goditja
me grushte e shumë poshtëri të tjera. Kësisoj, gardiani i binte shuplakë të
burgosurit për hiçgjë, vetëm e vetëm që t’ia nëpërkëmbte dinjitetin e krenarinë
njerëzore, duke shpresuar se do ta thyenin psikikisht. Shuplaka i jepej të
burgosurit pse ai kërkonte ndihmë mjekësore, pse recitonte poezi me zë të ulët,
apo pse këndonte në heshtje. Më drastikja ishte pse nuk ia plotësonte gardianit
kënaqësinë e epsheve shtazarake. Në disa raste gardiani e vine veten mbi ligjin
e mbi rendin shtëpiak, para të burgosurve politikë shqiptarë manifestonte edhe
instinktet më të ulëta.[27]Këto nuk ishin traste të
rralla. Gardiani e shqelmonte të burgosurin për pikë të qejfit, pa i dhënë
askujt përgjegjësi.
Kushtet e përshtatshme për “vetëvrasje”
Finalja
e të gjitha torturave e të burgosurve politikë shqiptarë ishte akti ndëshkues –
vrasja. Më vonë thoshin se i dënuari paskësh bërë “vetëvrasje”. Këto nuk ishin
asgjë tjetër, pos montime të hapura për asgjësimin fizik të shqiptarëve.
Zakonisht viktimat të kësaj metode janë zgjedhur personat e sëmurë psikikë (që
këtë fazë e kishin arritur në burg, nga torturat e vazhdueshme). Mirëpo, nga
kjo nuk shpëtonin as ata që konsideroheshin të rrezikshëm për shtetin. Raste të
tilla ka mjaft. Të përmendim vetë, dy tre nga lista e gjatë tyre. “Për herën e
tretë Shaban Shala burgoset më 27 shkurt 1962. Dënohet me dy vjet burg. Mirëpo,
pas një amnistie, i ulet dënimi në një vit. Kur familja shkon në burg për at
marrë, më 20 janar të vitit 1963, organet e burgut i njoftojnë të afërmit se i
burgosuri mu atë natë paskësh bërë “vetëvrasje”.[28] Çfarë të shtohet pas
kësaj. A thua populli ishte aq i marrë që t’u besonte këtyre fjalëve boshe të
udbashëve. Ata ishin të vetëdijshëm se ato të quajtura “vetëvrasje” ishin farsë
dhe bëheshin nga torturat gjakatare të xhelatëve të UDB-së dhe se recidivët e
burgosur politikë i konsideronin tepër të rrezikshëm për shtetin serb, prandaj
nuk lejonin që edhe një herë të dilnin jashtë burgut.
Po
kjo lojë u luajt edhe me mësuesin e ri e poetin Fazli Greiçevci. “Udbashët, të
befasuar me krenarinë dhe me qëndrueshmërinë e Fazliut, nevrikosen së tepërmi
dhe ndaj tij fillojnë torturat e pandërprera, me orë të tëra, derisa e bëjnë të
paaftë fizikisht”, shkruan S. Novosella në “Zëri”. Më pastaj vazhdon: “ata edhe
tani mbajnë në kujtesë gushtin e vitit 1964, në burgun e Prishtinë, se çfarë
gjëmë e rënkime lemeritëse lëshonte Fazliu nga torturat çnjerëzore që i bënin
udbashët.[29]Pas
këtyre torturave që i përjetoi, i burgosuri vdiq. “Udbashët” njoftuan se Fazliu
paskësh vdekur nga një sëmundje e rëndë ngjitëse dhe urdhëruan që kurrë të mos
hapej arkivoli. Populli e kuptoi të vërtetën – se nga çfarë “sëmundjeje” kishte
vdekur djali i tyre. Mu për këtë, masat e gjera në këto vite u organizuan më
mirë dhe ia lëkundën themelin kësaj shtëpie të kalbur. Pasojat e keqtrajtimeve
në burgje, të burgosurit politikë shqiptarë i ndienin edhe pas daljes nga
burgu. Nga këto pasoja vdiq edhe Metush Krasniqi, atdhetar i shquar. Ndërkaq
nga dora vrastare e kriminelëve të porositur e pësoi edhe Rexhep Elmazi, e më
vonë edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Më 1984, në mënyrë më barbare
u vranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, martirë të popullit.
[1] Grup
autorësh, Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët – 2, Tiranë 1990. 139
[2] Ramadan Musliu, Vetëripërtritja e totalitarizmit, Tiranë 1998. 59.
[3] Libri i bardhë, Prishtinë 1992, 101.
[4] Intervistë: Rexhep Avdullahu, Përvojë dhe urti politike, Zëri, 19. IX. 1992.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Adil Pireva, Nismëtar i themelimit të një organizate politike, Zëri, nr. 1479, 1993.
[8] Fahrudin Radoniçiq, Adem Demaçi, ispovjest, Zagreb 1991, 16.
[9] Adil Pireva, Shaban Shala në 60 – vjetorin e lindjes dhe 30
vjetorin e rënies, Zëri, 13 shkurt 1993.
[10]
Deklaratë e Binak Ulajt dhënë më 31 dhjetor 1993, në Prishtinë.
[11]
Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së SHNP-së, Nish, për Drejtorin, 13 prill 1983, Nish.
[12]
Fahrudin Radonçiq, vepër e cituar, 30.
[13]
Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së Qarkut – Beograd, 3 gusht, 1983, Beograd.
[14]
Merxhan Abdyli, Fjala e lirë e njerëzve të mbyllur, vazhdim i 19, Rilindja, Tiranë 1993.
[15]
Ankesë e Nezir Idriz Myrtajt, drejtuar Sekretariatit Federativ të
Jurispondencës dhe Administratës së Përgjithshme në Beograd.
[16]
Merxhan Abdyli, Fjala e lirë....Po aty.
[17]
Intervistë: Enver Topalli, Nëpër burgje drejt lirisë, Zëri, 25 maj 1992.
[18]
Hydajet Hyseni, Ankesë drejtuar Drejtorisë së burgut – Nish, 19 maj 1987.
[19] Nezir Myrtaj, Kërkesë Sekretariatit Federativ të Jurispondencës së Përgjithshme në Beograd, 20 prill 1990, Zabella, Pozharevc.
[20] Po
aty.
[21]
Hydajet Hyseni, Kërkesë Drejtorisë së burgut, Beograd, 3 gusht 1983.
[22] Po aty.
[23] Si në 51.
[24] Sami
M. Kurteshi, Ankesë Sekretariatit Federativ të Jurispondencës së Përgjithshme – Beograd, 1 maj 1990, Zabella, Pozharevc.
[25]
Merxhan Avdyli, Fjala e lirë...Po aty. 1993 (vazhdim I 19)
[26] Po
aty, vazhdimi i 20 (Rilindja), Tiranë 1993.
[27]
Shaban Shala, Aktakuza nr. 112/62 prill 1962, Gjykata e Qarkut, Prishtinë.
[28]
Selatin Novosella, Dëshmi të një kohe, Zëri, 1992.
[29]
Aktakuza, nr. 112/62. Gjykata e qarkut – Prishtinë.