Pëllumb Xhufi: Milan Shuflaj, si e shpëtoi historinë shqiptare
| E marte, 24.11.2009, 07:51 PM |
Milan Shuflaj, si e shpëtoi historinë shqiptareNga Pëllumb XhufiNë agim të kohëve moderne, shqiptarët dhe historia e tyre “u zbuluan” si rastësisht nga udhëtarë e studiues të huaj, të cilët u ndeshën me këtë popull gjatë kërkimeve të tyre për popuj të tjerë fqinj, grekët e sllavët. Ky kontakt i tyre me shqiptarët ndodhi në periferi ose jashtë habitatit historik të tyre, në Dalmaci apo në Greqi, ku gjatë mesjetës ishin krijuar ngulime masive shqiptare. Nga këta shqiptarë “të periferisë” apo të diasporës morën shkas sprovat e para albanologjike të studiuesve si Pouqueville, Fallmerayer, Hahn, Sathas, Hopf, Miller, Reinhold, Evans etj. Edhe vetë Shuflaj ndeshi rastësisht në faktorin shqiptar ndërsa hulumtonte për të tjera qëllime në arkivat e qyteteve dalmate. Por ndryshe nga të tjerët, tek Shuflaj ky “takim” rastësor ndezi një kuriozitet e një pasion të tillë, që pushtoi krejt qënien e tij shkencore. Siç rrëfehej ai vetë, “historia shqiptare, me misteret e saj, ushtron tek studiuesi një forcë manjetike të jashtëzakonshme”. Dhe me një ndjenjë e bindje të tillë, Shuflaj iu vu punës për të zbuluar rropullitë e historisë shqiptare, që kishte mjaft gjymtyrë të shpërndara gjithandej në Ballkan, por që kishte edhe trupin e saj në trevat e Ilirisë së dikurshme të jugut. Në këtë mënyrë, Shuflaj u bë zëdhënësi më autoritar i historisë së shqiptarëve, pikërisht në kohën kur shumëkush përpiqej t’i tregonte ata si një popull pa histori. Dhe ishin kohët (vitet 1910-1930) kur në rend të ditës ishte krijimi dhe konsolidimi i shtetit të shqiptarëve dhe kur këtë shtet shumëkush përpiqej ta privonte nga e drejta historike, akoma më përpara se ta privonte nga territoret e veta.Shuflaj është emancipuesi i madh i historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve. Sigurisht, edhe të tjerë para tij në mënyrë të pashmangshme ishin ndeshur nëpërmjet burimeve historike me këtë popull. Por ata nuk shkuan deri aty sa ta trajtonin në mënyrë të pavarur historinë e tij. Në rastin më të mirë ata e kishin trajtuar atë si një histori “kolaterale”, si pjesë e historive të të tjerëve. Le të kujtojmë me këtë rast një emër të madh, balkanologun e shquar K. Jireçek, mik e koleg i Shuflajt, me kontribute të mëdha edhe në historiografinë shqiptare: e pra, edhe Jireçek nuk mundi t’i shmangej një vizioni sllavocentrik, apo serbocentrik të historisë ballkanike, kur e përfshiu historinë mesjetare të shqiptarëve në atë të serbëve (Geschichte der Serben), apo edhe në atë të Bullgarëve (Geschichte der Bulgaren). I njëjti vizion, që i shihte proceset historike ballkanike në varësi të të ashtuquajturave “protokombe”, e shtynte edhe një tjetër historian me kontribute të mëdha në historinë e Shqipërisë, K. Hopf, të përfshinte copëza të historisë mesjetare shqiptare në atë të grekërve (Geschichte Griechenlands vom Beginn des Mittelalters bis auf unsere Zeit). E pra, në krahasim me ta, Shuflaj i bëri shqiptarët dhe historinë e tyre objektin parësor të hulumtimeve të tij, i bindur për vendin e rolin e tyre si faktor “princeps” në proceset historike të krejt rajonit ballkanik e të pellgut adriatik.RevolucioniFaktori “Shuflaj” solli një revolucion të vërtetë në historiografinë mbi Shqipërinë e shqiptarët. Nën lentën e analizave të tij skrupuloze, bazuar në një lëndë dokumentare të dorës së parë zbuluar më së shumti nga ai vetë në arkivat e Dalmacisë e të Italisë, shqiptarët nuk rezultonin më një popull fosil, jo një materie njerëzore e vjetër dhe e ngurtësuar, por një qelizë jashtëzakonisht dinamike, forca e fuqia e së cilës qëndronte sa në lashtësinë e këtij populli, aq edhe në mekanizma biologjikë krejt specifikë të tij, që e lejonin të shfaqej e të rishfaqej në histori me një vitalitet imponues (palingenesis ). Si askush tjetër përpara, por edhe pas tij, M. Shuflaj iu vu punës për të zbuluar “mekanizmat biologjikë”, të cilët e bënin popullin shqiptar që, ashtu si Foenix-i i mitologjisë, të humbte e të rishfaqej përgjatë historisë me një energji, që për shumëkënd mbetej e pashpjegueshme. Në rend të parë ai vinte lashtësinë, që i jepte popullit shqiptar një strukturë e mpiksje të tillë etno-kulturore, thelbin e së cilës nuk mundën ta zhbëjnë përzjerjet e mbivendosjet e mëvonshme. Shekujt IV-XI, shekujt e errët të përmbysjeve sociale e etnike gjetkë në Ballkan, për trevat e Ilirisë së Jugut ishin për Shuflajn shekujt e një beteje titanike për mbijetesë të farës së vjetër ilire. Si askush tjetër, para e pas tij, Shuflaj arriti ta skalisë në mënyrë lapidare kapërcimin e epokës së “errët” të mesjetës dhe daljen e shqiptarëve, në shek. XI, në horizontet e historisë së shkruar: “Prej kaosit etnik të Ballkanit, të mbuluar nën hijen politike të Bizantit, dallohet dhe hyn në histori një popull jashtëzakonisht interesant: baza etnike e këtij populli në kohë të vjetër ishte një faktor i fuqishëm i historisë, i cili njihej me emrin ilir”. Shqiptarët, pra, një popull i vjetër, por aspak një popull fosil, siç mund të ishin Baskët. Shqiptarët, thotë Shuflaj, nuk përfaqësojnë një gjendje të vjetër, të ngurtësuar, por një shfaqje palingenetike në ontogoninë e tyre si popull: shqiptarët ishin për Shuflajn një qelizë e gjallë. Një qelizë e gjallë, që larg së qeni një faktor periferik, përfaqësonin, në të kundërtën, faktorin qëndror të historisë së Ballkanit: “Shqipëria mesjetare ështe monada ku si në një pasqyrë mund të shihen shtresëzimet e gjithë kozmosit ballkanik”. Ky vështrim albanocentrik, që u kthye në kredon e tij shkencore, e shtyu Shuflajn të futej në brendësitë, në të panjohurat e historisë së shqiptarëve, me bindjen jo të pabazë se zbulimi i mistereve shqiptare do të thonte edhe zbulim e shumë mistereve ballkanike. Universi shqiptar ishte, sipas tij, katalizatori i historive, gjuhëve e kulturave ballkanike. Albanologë të njohur, nga Thunman, Fallmerayer, Hopf, Hahn, e deri te Jireçek, mbi bazë të burimeve të njohura historike, ishin kufizuar të bënin një rreshtim të fakteve nga historia politike e shqiptarëve, në dritën e marrëdhënieve me faktorët e huaj: bizantinë, anzhuinë, serbë, venedikas apo bullgarë. Në këtë optikë, që gjithsesi i shihte shqiptarët në marrëdhënie e në varësi të vullneteve e të pushteteve të huaja, ajo çka i bënte interesantë shqiptarët dhe Shqipërinë mesjetare, ishte pozicioni i veçantë gjeostrategjik i vendit të tyre, që përcaktonte edhe atë mbivendosje të madhe ngjarjesh e pushtimesh të vendit. Për rrjedhojë, katërkëndëshi Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë, i konsideruar si “Shqipëria politike” e mesjetës dhe “rregullatori i marrëdhënieve Lindje-Perëndim” në mesjetë, ishte edhe objekti kryesor i studimeve të tyre. Për qëllime studimi, edhe Shuflaj e quan katërkëndëshin në fjalë si vatrën e historisë politike të Shqipërisë mesjetare. Por ai nuk harron të precizojë, se Shqipëria është para së gjithash një kuptim etnik e gjeografik, dhe: “Sa herë që Shqipëria u organizua politikisht, si me Topiajt, në shek. XIV, me Kastriotët në shek. XV apo edhe me shtetin modern në 1913, ky kuptim u bë shumë i vogël, u përmblodh porsi iriqi”. Shqipëria reale, pra, shtrihej përtej katërkëndëshit virtual Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë, duke përfshirë Epirin, në jug, dhe Dioklenë (Zetën) në veri. Kjo e fundit, Zeta apo Mali i Zi, ishte sipas Shuflajt, një fëmijë i paarrirë i Shqipërisë: “Zeta dhe Shqipëria e Veriut”, shkruan ai, “paraqesnin në mesjetë një fizionomi biologjike të vetme: ishin të lidhura pazgjidhmërisht me një truall të njëjtë plastik, me një gjak të njëjtë ilir, e me të njëjtat fate historike”.Edhe në këtë kuptim, Shuflaj u shfaq si një studiues inovator. Larg së bëri thjesht historinë e ngjarjeve e të fakteve politike, ai thellohet në faktorët ekonomikë, socialë, kulturorë e fetarë. Historia e Shuflajt është një histori e qytetërimit mesjetar shqiptar. Kundrejt një historie, deri atëherë të trajtuar si një histori “anonime” e një entiteti “enigmë”, e një populli malesh e të lidhur pas një jete baritore, Shuflaj mori dhe analizoi në të gjithë komponentët e vet qytetet e shoqërinë qytetare shqiptare, duke e nxjerrë historinë e Shqipërisë në horizontet e një historie të vërtetë evropiane.ZbulimetPër herë të parë ai i ktheu historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve qytetin, deri atëherë të konsideruar një mish të huaj në trupin shqiptar, por që ai e zbuloi si fotoelementin bazë ku u realizuan sintezat e mëdha politike, ekonomike, shoqërore, kulturore të historisë mesjetare shqiptare. Mbetet sot e gjithë ditën e pakonkurueshme analiza e tij për qytetet e Shqipërisë, “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters”. Një analizë që ndjek më së pari ndryshimin morfologjik të qyteteve, si Shkodra, Tivari, Ulqini, Prizreni, Durrësi, Vlora, Drishti, Shasi, etj., nga koha antike deri në pushtimin osman. Por që sigurisht ndalet gjatë në zhvillimet e këtyre qyteteve gjatë mesjetës, duke zbuluar më së pari mekanizmat e brendshëm që i gjallonin ata: Shuflaj jep i pari një listë të zanateve, që ushtroheshin në qytetet tona mesjetare dhe që sollën në një specializim historik të tyre në prodhimin e anijeve (Ulqini, Durrësi e Vlora), të kripës, të verës e lëkurëve (Vlora, Shkodra e Durrësi), të mëndafshit (Shkodra, Prizreni e Berati), të prodhimit të armëve e përpunimit të metaleve të çmuara (Prizreni, Durrësi e Shkodra). Sejcila nga këto qytete kishte krijuar tregjet e veta tradicionale, brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer kështu veten në një faktor ngjizës, me rrezatim kombëtar e ballkaniko-adriatik në proceset historike. Shuflaj e gjen me vend të nënvizojë se mjaft nga këto qytete, por edhe të tjera përndryshe të panjohura, shquheshin si prodhues të fakteve të rëndësishme kulturore: aty kishte shkolla ku studjohej latinishtja e greqishtja bizantine ( në vitet 1270 një françeskan nga Durrësi, Nikolla, ishte njohësi më i mirë i kësaj të fundit, aq sa Papa Inocent IV e mori në kurinë e tij dhe e caktoi negociator në bisedimet me Perandorin e me Patrikun e Kostantinopojës). Në Shkodër, Tivar, Durrës e gjetkë kishte shkolla filozofie, ku studjohej Donati e Katoni. Nga këto shkolla, thotë Shuflaj, shpërndaheshin flukset kulturore evropiane, me eposin e mbretit Artur apo me Këngët e Rolandit. Në këto shkolla formoheshin ata mësues, mjekë, noterë, arqitektë, muratorë, piktorë, gurëgdhendës (taiapietra), muzikantë, filozofë nga Shkodra, Drishti, Tivari, Durrësi, Berati, Prizreni, që Shuflaj i qëmton dhe i gjen të veprojnë në Raguzë e Kotorr, në Venedik apo në Padova. Prej analizave të tij skalitet edhe profili i qyteteve më të vogla, ai i të ashtuquajturave “republika kishtare”, siç ishin Drishti apo Shasi, që veç të tjerash prodhonin pa hesap priftërinj, të cilët mandej shërbenin në qytetet e Dalmacisë apo të Italisë, shpesh herë duke kapur edhe poste të larta në hierarkinë kishtare. Shuflaj është autori që më së pari e më së shumti u muar me organizimin e jetës së qytetit mesjetar në Shqipëri. Kjo fillonte me zgjedhjen periodike të organeve drejtuese të komunës, të priorëve, të gjykatësve, të noterëve, të komandantit të policisë bashkiake, të komandantit të flotës, të drejtuesve të doganave, të mbikqyrësve të tregut, etj. Sipas Shuflajt, e gjithë jeta e qytetit, marrëdhëniet e tij të brendshme e të jashtme, mbështeteshin në zakonet e vjetra, më tej në ligjin pozitiv, të përfaqësuar nga privilegjet e dipllomat e perandorëve bizantinë (për qytete si Berati, Janina, Kanina, Shkupi, Prizreni e Kruja) por edhe në formën më të lartë të ligjit pozitiv, në statutet. Shuflaj, i cili zbuloi e botoi ai vetë Statutet e Drishtit, paralajmëroi për ekzistencën e statuteve të qyteteve të tjera shqiptare, si Durrësi e Shkodra. Zbulimi së fundi i Statuteve të Shkodrës, konfirmon plotësisht tezën e mbrojtur në vazhdimësi nga Shuflaj, sipas të cilit qytetet shqiptare rënditen në mesjetë në radhën e qyteteve më të përparuara evropiane.Duke zbuluar e duke i kthyer dimensionin “qytet” historisë mesjetare të Shqipërisë, Shuflaj zgjidhi “enigmën” më të madhe të historiografisë mbi shqiptarët, që deri atëherë i kishte konsideruar këta si një popull pa referenca të qëndrueshme, si një popull në lëvizje e kërkim të vazhdueshëm të atdheut të tij. Sipas Shuflajt, vetë qyteti ishte shprehje e një hinterlandi dhe e një shoqërie bujqësore, që vazhdimisht e ushqente atë me lëndë njerëzore, me produkte e me elemente kulturorë e jetësorë. Raportet midis qytetit dhe hinterlandit bujqësor, midis fisnikërisë së tokës dhe institucioneve komunale të qytetit, raportet midis malit e fushës, që deri atëherë ishin trajtuar si një raport armiqësor e traumatik deri edhe mes “të huajsh”, Shuflaj i trajtoi si marrëdhënie normale mes komponentëve të ndryshëm të së njëjtës shoqëri shqiptare, në dinamikë e zhvillim të përhershëm. Marrëdhëniet fshat-qytet janë, sipas tij, njëra nga “konstantet kryesore biologjike” të historisë së shqiptarëve. Konstantja tjetër e rëndësishme ishte marrëdhënia, edhe ajo normale, midis malit dhe fushës, që kushtëzohej nga zhvendosjet e tufave të bagëtive e të bashkësive blegtorale nga kullotat verore (mal), në ato dimërore (fushë). Një lëvizje e tillë nga mali në fushë e anasjelltas, karakterizonte edhe kohët e anomalive e të pasigurive të mëdha politike, duke u kthyer në një faktor të përhershëm të mbijetesës së racës shqiptare. Gjithsesi, qoftë e shkaktuar nga nevojat e jetës blegtorale apo nga pasiguria politike, një dinamikë e tillë bëri, sipas Shuflajt, që edhe në malësitë shqiptare të depërtonin institucionet politike, juridike e shoqërore të një jete të zhvilluar, institucionet bizantine, anzhuine apo napoletane. Vetë krerët e dikurshëm të fiseve, u shndërruan me kohë në sebastë apo kontë, pra në ingranazhe të sistemit feudal që drejtohej nga Kostantinopoja apo nga Napoli, dhe jo rrallë herë këta shkriheshin në fisnikërinë e qyteteve apo përfundonin si gjeneralë e nëpunës të lartë perandorakë. Nga ana tjetër, ky raport i ngushtë organik mes malësisë, fushës dhe vetë qytetit, bëri që edhe në jetën e fshatit bujqësor e të qytetit të depërtonin institucione, praktika e stile jetese karakteristike për popullsinë e zonave malore, siç ishte institucioni i besës apo vetë zakoni i gjakmarrjes (urasba), që gjejnë pasqyrim deri edhe në nene të veçantë të Statuteve të Shkodrës.RëndësiaE pra, në kohë të ndryshme, studiues të huaj deshën të besojnë se zhvendosja nga mali në fushë e anasjelltas, e shkaktuar nga tranzumanca, nga luftërat e ndryshme apo nga rritja demografike, përbënte karakteristikës kryesore të jetesës së racës shqiptare. Në kohë me ndjeshmëri të lartë politike, siç ishte ajo e Kongresit të Berlinit në 1878, ajo e Paqes së Versajës në 1919 apo edhe koha e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare në Kosovë e në Maqedoni në këta dhjetëvjeçarë të fundit, teza e gjoja “nomadizmit” shqiptar, u transformua në një aksiomë ideologjike, për të bindur botën e qytetëruar se shqiptarët, popull malësor për definicion, e paskan fituar habitatin e sotëm me anë të një “eksplozioni” dhe ekspansioni të programuar demografik e territorial, duke pushtuar, gjoja, tokat e të tjerëve, nëpërmjet dhunës ose, në një mënyrë më moderne, duke rivendikuar të drejtat e njeriut, që rrjedhin nga kartat e konventat ndërkombëtare. Të drejta, që sipas dikujt, shqiptarët as edhe i meritojnë. E pra, kundrejt qëndrimeve të tilla me sfond politik e deri racist, Shuflaj solli një trajtim të mirëfilltë shkencor, aq shkencor saqë të përdorte deri edhe një fjalor tipik të shkencave të sakta, kur thoshte se dukuri të tilla, siç ishin lëvizjet fshat-qytet, apo mal-fushë, përfaqësonin një “konstante biologjike” të realitetit shqiptar. Ndërhyrja shpëtimtare, plot autoritet e kompetencë, por edhe e guximshme e Shuflajt në debatin mbi vendin dhe rolin e shqiptarëve, bëri që t’u hiqej guri i themelit tezave të mësipërme, me prapavijë të qartë politike e antishqiptare, që deri atëherë kishin kontaminuar studimet albanologjike. Ndaj edhe dikush nuk ja fali një guxim të tillë.
Milosao - Gazeta Shqiptare
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.