Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Humbja e zgjedhjeve nga mjeranët e Presidentit tonë të ndjerë

| E hene, 23.11.2009, 06:57 PM |


HUMBJA E ZGJEDHJEVE NGA MJERANËT E PRESIDENTIT TONË TË NDJERË

Nga Halit Bogaj

Përçarjet e mëdha në LDK dhe lufta aq e egër për pushtet brenda saj, treguan haptazi se njerëzit më të afërt të presidentit tonë karizmatik nuk paskan qenë askush tjetër përveç persona me maska të cilat i hoqën akoma pa u bërë një vit nga vdekja e liderit tonë të madh.

Unë si adhurues i flaktë i presidentit tonë të shenjtë tanimë e ndiej veten të dëshpëruar me të gjitha ato që po ndodhin në LDK-në postrugoviane kur’’njerëzit e tij’’ vërtet paskan qenë më së paku të tij!Si të shpiegohet ndryshe e tërë ajo që ndodhi atë ditë të kobshme kur u krijua një rrëmujë e tillë të cilën nuk do ta shihnim as në ëndërr, e lëre më të  ndodhte para syve tanë dhe para mbarë opinionit vendës dhe ndërkombëtar. Bijt  e çoroditur të  DR. Rugovës as që e kthenin kokën kah varri dhe porositë e tij rreth detyrës kryesore të krijimit të shtetit të  Kosovës! Të gjithë ata që ishin në atë sallë, u lidhën në atë inatin tonë të mbrapshtë tradicional për të mos lëshuar pe dhe për të prishur gjithçka që me aq mund e krijoi udhërrëfyesi ynë historik!

Për të  qenë ironia më e madhe , ata thirreshin në vlerat rugoviane, duke menduar se do t’ na mashtronin të  gjithë neve që në LDK kemi hyrë vetëm për shkak të emrit të tij me të cilin  është  e lidhur epoka më e rëndësishme e Kosovës sonë të lirë. Të gjithë ata që thirren sot në emrin e Rugovës, kurse veprojnë jashtë rrugës së tij, janë mjeranë të vërtetë ngase i shkelin dëshirat e tij që populli dhe partia e tij të ishin sa më unikë. Ai punoi për unitet të madh, duke i futur edhe kundërshtarët e tij në Grupin e unitetit i cili  vazhdoi funksionimin pas vdekjes së tij.

Atë ditë kur u shpartallua LDK-ja, me një  debilizëm të paparë u ngrit një mistrec me emrin Eqrem Kryeziu i cili  e akuzonte  Dacin për veprime kinse jo korrekte, duke harruar ai i gjorë/Eqremi/ se po të jepte dorëheqje të menjëhersghme nuk do të ndodhnin të gjitha ato ndyrësi, e që janë të lidhura me fatkeqësinë e të gjithë neve. Unë nuk po arsyetoj aspak as Dacin  dhe taborin e tij, por një injorancë e tillë aq flagrante nga i ashtuquajturi’’Krahu  i  Sejdiut’’, shihej, siç  thonë, edhe nga aeroplani, kurse Eqrem Kryeziu  vetëm qeshte dhe buzëqeshte si debil, pa e parë dhe pa u skuqur  fare se çka kishte shkaktuar me veprimet e veta djallëzore të cilat nuk  guxonte t’ia bënte këtij populli i cili ia kishte dhënë votëbesimin. Këtë nuk do t’ ia falim asnjëherë dhe njëmend u pa se lideri ynë kishte qenë në zaval të madh ‘’nga bijt e tij të çoroditur’’edhe sa kishte qenë gjallë. Për hir të interesave të tyre personale  e rrezikonin edhe atë që e kishim arritur me sakrifica aq të mëdha.

Mjerisht që jemi dëshmitarë të atyre skenave negative dhe rrjedhave që  ndodhën, por mbase presidenti do të ketë qenë i lumtur në varrin e tij  që nuk i mkkishte parë ata që i  dolën ndoresh.!Ata ia lëkundën edhe eshtrat në varr dhe shyqyr Zotit që nuk jemi pjesë e tyre dhe nën lëkurën e tyre kur  sot flasin dhe përpiqen të na shesin dushk për gogla!Ata mjeranë të llojit të vetë nuk kishin fare turp për lëkundjet tektonike që i  shkaktuan në  LDK, në të  cilën paskan kullotur vetëm falë presidentit!

Ndaj edhe kësaj radhe i humbën zgjedhjet në mënyrë katastrofale dhe do t’i humbin edhe herave të tjera ngase sherret e tyre të mëdha ishin dhe janë shumë transparente.