Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arsim Halili: Flet z. Avni Biqkaj, poet

| E hene, 23.11.2009, 02:38 PM |


 Avni Biqkaj
Avni Biqkaj
Flet z. Avni Biqkaj, poet

 
POEZIA FRYMËZIM JETE

-Mua inspirimi nuk më mungon për asnjë çast, vet poezinë e kam frymëzim jete, pasi jetoj me poezinë. E them si me shaka, se pikërisht, në momentet kur ndjej lodhje aq të madhe nga angazhimet e shumta që kam në punë dhe në jetën e përditshme, unë çlodhjen e gjej në krijimet e mia. Vendlindja ime zakonisht është frymzimi im më i madh, bukuritë që ka ajo natyrë e stolisur gjithandej me bukuri të papërshkruara për të cilën unë kudo që jam ndiej nostalgji, me një fjalë çdo gjë e bukur që na rrethon më inspiron.

 Kur filluat të merreni me krijimtari letrare?

-Me shkrime kam filluar të merrem që nga klasa e pestë e shkollës fillore dhe që atëherë vazhdimisht kam krijuar, duke mos u ndal për asnjë çast të vetëm.

Pasioni

Në cilin zhanër të krijimtarisë letrare, jeni fokusuar më shumë?

- Të shumtën, të mos them pothuaj tërësisht, jam i përkushtuar në krijimtarinë poetike, pra poezia është pasioni im, përmes të cilës shpreh atë që ndjej në brendinë shpirtërore, kurse herë pas here merrem edhe me krijime në prozë.

Një letërnjoftim i shkurtër

Vij nga fshati Hogosht i Komunës së Dardanës ku kam mbaruar shkollimin fillor, kurse atë të mesëm, drejtimi shëndetësor, e kam mbaruar në Prishtinë ku edhe kam filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi i Stomatologjisë, pa patur mundësinë t'i përfundoj deri në mbarimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë, kurse pas luftës kam mbaruar studimet për Gazetari në Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica” në Prishtinë. Jetoj në Prishtinë me bashkëshorten Linditën dhe vajzat Aurelën, Auronën dhe Anilën, ku edhe punoj në një Institucion Mikro Financiar si Menaxher i Operativës.

Vokacioni juaj i poetik, përqëndrohet herë në poezinë për të rritur dhe herë në poezinë për fëmijë, çka ju shtyn juve që të merreni me këtë sprovë artistike?

- Të them të drejtën me poezinë për fëmijë kam filluar shumë më vonë se sa me atë për të rritur, dhe jam bindur se të krijosh për botën fëmijërore është shumë më sfiduese, po unë i jam qasur edhe kësaj sfide, pasi që përgjithësisht në jetë më pëlqejnë sfidat dhe se përmes krijimeve për më të vegjëlit, edhe pse në masë shumë më të vogël, jam munduar jo vetëm t'i përkushtohem edhe kësaj bote më vete, po edhe të krijoj diçka edukuese për ta, pasi që kjo botë është e ardhmja, pa të cilën as jeta s'do të kishte kuptim.

Mesazhi

A mund të na thoni, cili është mesazhi i artit tuaj poetik?

- Përmes poezisë unë mundohem të jap një mesazh sado simbolik qoftë ai, për botën që na rethon, me qëllim të vetëm që nëpërmjet të lexuarit, sepse vetëm duke lexuar ne arrijmë t'i pasurojmë dijet tona, të jemi sa më shumë të vëmendshëm në edukimin e brezave të ri, që të kemi një qasje sa më njerëzore ndaj njëri-tjetrit, sepse vetëm duke qenë të edukuar e të arsimuar ne mund të japim kontributin tonë në çdo sferë të jetës, jo vetëm për rrethin ku jetojmë, po edhe përgjithësisht për shoqërinë dhe kombin.

Mendoni se krijimet që herë pas herë dalin pa ndonjë kriter vlerësimi të kritikës, po e dëmtojnë imazhine krijimtarisë së mirëfilltë artistike?

-Kjo fatkeqësisht është e vërtetë, pasi që në ditët e sotme, pothuaj çdo gjë po shkon drejt komercializmit dhe krijime të lëmive të ndryshme, jo vetëm artistike, dalin pa ndonjë kriter të mirëfilltë vlerësimi. Kjo rrugë jo vetëm që nuk na shpie askund po na bënë që në këtë kohë, ku edhe ashtu ka përditë e më pak lexues, të dëmtohet në masë bukur të madhe edhe ajo që është krijimtari e mirëfilltë artistike.

Inspirimi

Opinioni juaj, se poetët duhet të krijojnë për të bërë emër, apo për të sjellë vlera te lexuesit?

- Se sa një krijues ia arrin të bëjë emër, kjo pa dyshim se mbetet të shihet pas vlerësimit që do t'i bëhet krijimeve të tij nga ana e lexuesit dhe e kritikës në përgjithësi, por ajo që çdo krijues duhet ta ketë si synim është që përmes veprës që sheh dritën e botimit lexuesit t'i sjellë diçka të mirë, diçka që lexohet dhe çmohet nga ai, sepse lexuesi është ai që jep vlerësimin sa një vepër ka sjellur vlera, nëse ka sjellur, por unë pajtohem me mendimin e shumë krijuesve në zë se edhe lexuesi duhet të jetë në nivel, pra që të jetë në gjendje që përmes të lexuarit të jep një vlerësim sa më të arsyeshëm.

Është e natyrshme se për të krijuar një vepër natyrisht se duhet edhe inspirim, mund të na thoni ju ku gjeni atë frymëzim (inspirim) për të na ofruar këto vepra?

-Mua inspirimi nuk më mungon për asnjë çast, vet poezinë e kam frymëzim jete, pasi jetoj me poezinë. E them si me shaka, se pikërisht, në momentet kur ndjej lodhje aq të madhe nga angazhimet e shumta që kam në punë dhe në jetën e përditshme, unë çlodhjen e gjej në krijimet e mia. Vendlindja ime zakonisht është frymzimi im më i madh, bukuritë që ka ajo natyrë e stolisur gjithandej me bukuri të papërshkruara për të cilën unë kudo që jam ndiej nostalgji, me një fjalë çdo gjë e bukur që na rrethon më inspiron.

Sa është e përballueshme në aspektin material, për të nxjerrë sot një vepër letrare, dhe a ju duket juve se institucionet e neglizhojnë artin letrar në këtë rast?

- Ashtu sikur që çdo gjë është bërë e vështirësuar në kohën në të cilën po jetojmë, duke marrë parasysh dinamizmin e një përditshmërie aq të brishtë, ashtu mund të them se edhe të qesësh në dritë një krijim artistik i çfardo lloji qoftë ai, është bërë bukur e pabërballueshme, duke marrë parasysh se shumë pak, të mos them fare s'ka interesim prej institucioneve gjegjëse për të përkrahur krijuesit, sidomos ata të rinj, e ku kjo fatkeqësisht te një pjesë e krijuesve shfaqet edhe më ndërprerjen e krijimtarisë duke mos parë shtig je të përkrahjeve institucionale.

Ju keni shkruar edhe poezinë për fëmijë, mund të na thoni sa keni mundur të depërtoni në botën e tyre përmes vargut tuaj?

- Kur i jam qasur kësaj bote kam menduar se është shumë më e lehtë të krijosh për më të vegjëlit, por kam kuptuar dhe jam bindur se është e kundërta, pra kjo botë e virgjër, kjo botë që ka gjuhën e vet, lojën e vet dhe gjithçka të veten, të shtyen që në momentin kur vendos t'i qasesh të kesh guximin krijues dhe të dish ta kuptosh brendinë e kësaj bote, në të kundërtën mund të dështosh. Pra, unë jam munduar që të kthehem prapa në këtë botë nëpër të cilën kalojmë të gjithë dhe të provoj të depërtoj nëpërmjet vargut dhe sa ja kam arritur shpresoj ta thonë më së miri vargjet e veprës sime për këtë botë.

Planet

Çka mund të presim nga ana e juaj, në një tëardhmetë afërme?

- Premtoj se nuk do ndalem me kaq, ky është vetëm fillimi për mua. Pas këtyre dy veprave që sapo më kanë dal nga botimi, besoj se shumë shpejt, ndoshta edhe gjatë këtij viti do të dal edhe me dy vepra të tjera, të cilat veçse i kam të gatshme për botim, kurse kam edhe dorëshkrime të tjera të cilat po ashtu, jo larg, shpresoj të shohin dritën e botimit.

Me që jeni nga Anamorava, cili është bashkëpunimi i juaj me krijuesit e këtij rajoni, por edhe më gjerë, me krijues të hapësirave shqiptare?

- Të them të drejtën, pasi që jetoj e punoj në Prishtinë shumë rrallë më bie që të marrë pjesë në manifestime të ndryshme, qofshin ato kulturore apo të ndryshme, kudo që të organizoheshin, e aq më pak në rajonin prej nga vij edhe unë, prandaj mu për këtë shkak, kam edhe shumë pak bashkëpinim me krijuesit nga Anamorava. Kohë pas kohe arrij të lexoj krijime të krijuesve të shumtë nga kjo anë, dhe ate të shumtën nëpërmjet faqeve të ndryshme letrare në internet.

Opinioni i juaj për Luginën e Preshevës?

- Ajo që më bënë të krenohem është se kjo anë, përpos që ka dhënë emra të shumtë në lëmenj të ndryshëm, po ashtu ka edhe emra të shquar të krijimtarisë letrare, dhe se kjo është një mesazh i qartë se kudo që të jemi duhet të japim kontributin tonë. Me këtë Lugina e Preshevës ka treguar dhe vazhdon të tregojë se është një copë dheu i tokës arbërore që kurrë nuk duhet lënë anash nga institucionet tona shtetërore, jo vetëm të Kosovës po edhe të Shqipërisë, pse jo edhe nëpërmjet organizimit të veprimtarive të ndryshme kulturore edhe në këto troje, të cilat kanë dhënë aq shumë dhe që vazhdojnë të japin prore për gjithë kombin.

Mesazhi

Një mesazh drejtuar lexuesve dhe krijuesve drejtuar përmes revistës “Perspektiva”

- Së pari ju përgëzoj juve si revistë bashkë me gjithë stafin në punën që bëni dhe misionin e shenjtë që kryeni nëpërmjet shkrimeve me tema të ndryshme që ju ofroni lexuesve tuaj të shumtë dhe shfrytëzoj rastin që me kënaqësinë më të madhe të përshëndes gjithë lexuesit e revistës suaj, kudo qofshin ata, dhe ju drejtohem me lutjen që të vazhdojnë të lexojnë revistën tuaj edhe në të ardhmen, e cila përherë sjell freski tek lexuesit e shtresave te ndryshme, jo vetëm të Luginës, dhe mbetet si një lidhje e shenjtë mes trojesh etnike shqiptare.

Intervistoi Arsim Halili, gazetar n? revist?n “Perspektiva

9 nëntor 2009