Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Uka: Shko në Shqipëri dhe bleje një grua!

| E shtune, 21.11.2009, 09:54 PM |


Kush është Blerim Uka?

Jam me origjinë nga Malësia. Kam kryer studimet universitare në degën e administrimit të biznesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2008, pas studimeve, jam kthyer në Shqipëri. Një xhaxha i babait, sjell një argument se fisi jonë është në gjak, sipas Kanunit, me një familje tjetër qysh para sistemit komunist. Unë deklarohem haptaz se nuk dua të përfshihem në gjakmarrje dhe vendos të braktis familjen. Shkoj në Kanada dhe martohem me një shoqe që e kam njohur gjatë studimeve në Amerikë. Pas vdekjes së plakut nxitës të konfliktit, në fillim të shtatorit të vitit 2009, marr një letër nga babai me të cilin s’kisha folur qe një vit. Në atë letër babai më informon se e ka mbyllur “konfliktin” pa ndërhyrës siç kisha propozuar unë. Dy javë më vonë, në fund të shtatorit 2009, unë dhe bashkëshortja ime Sophie Savard-Uka shkojmë dhe e takojmë familjen në Shqipëri. Interesi im, në këtë disa shkrime, është të dikutohet për Kanunin : A është Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhje ligjesh apo folklori? A merret si pretekst për të nxitur konflikte? A a favorizon ajo vepër (folklor ose ligje) psikologjinë e konflikteve?

Shko në Shqipëri dhe bleje një grua!

Nga Blerim Uka

Kam studjuar në Amerike në degën e administrimit të biznesit. Njëherë isha në një mbrëmje të organizuar nga universiteti me një kolege kanadeze (Sophie Savard) e cila më vonë u bë gruaja ime. Nuk dua ta lavdëroj këtu por është shumë e dukshme, sportive dhe tërheqëse si femër. Gjatë festës na u bashkangjit në tavolinë një student (si neve) jugosllav.

Sa vazhdonte mbrëmja dhe pirja, vëreja se jugosllavi s’ia ndante sytë shoqes sime. Kur e vërejti Sofia këtë gjë, ma vuri dorën në krah për t’i bërë të ditur se ishim bashkë. Jugosllavi sikur u zhgënjye dhe më tha në anglisht:

- Pse nuk shkon në vendin tënd, në Shqipëri, të blesh një grua ?

Unë nuk ia vura veshin në fillim ndërsa ai vazhdoi me qëllim që ta dëgjonte edhe shoqja ime :

- Gruaja shqiptare të kupton më mirë sesa e huaja sepse ju shqiptarët jeni një popull me zakone të vjetra ? Me dollarë amerikanë, një grua nuk kuston shumë.

Unë u përpoqa ta ndërroja bisedën por jugosllavi nuk m’u nda derisa më tha :

- Shiko në Kanun i ke edhe çmimet për gratë, në monedhën tuaj … në lekë… tregohet edhe sa lekë kushton. .

- Nuk ka më Kanun në Shqipëri, ajo punë ka ndodhur gjatë kohë më parë, si gjakmarrja për shembëll, për të cilën njihet Kanuni – i thashë.

Ai ndërhyri :

- S’është e vërtetë, kam parë një emision televiziv për gjakmarrjen që ndodh në Shqipëri në ditët tona. Nëse ndodh gjakmarrja sipas Kanunit, atëherë shiten edhe gratë sipas Kanunit. Nëse ti nuk shkon të blesh një grua në Shqipëri, do të shkoj unë…- më tha duke qeshur.

Në atë kohë, nuk i dhashë shumë rëndësi asaj bisede. Më vonë, kur u permend Kanuni në shtëpinë time, në një konflikt që doli në sipërfaqe, m’u kujtua biseda me jugosllavin. Në të vërtetë, ajo bisedë m’u kujtua duke e lexuar Kanunin e Lekë Dukagjnit:

***
NYE I NANDBËMBDHETËT.
Çmimi, qi nepej e nepet per gra.

Çmimi, qi nepej per varza a gra, tash 50 vjetë e andej, perbahej prej 50, 100, 200 mije 400 groshësh.
Çmimi i kanus së vonë perbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues.
***

E kuptova se jugosllavi kishte të drejtë. Vetëm do ta korrigjoja në një fyçkël : në Kanun nuk flitet për lekun si monedhë, monedha që përmend Kanuni është groshi.

Për ta konstatuar vetë citatin shkoni në adressën :

http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com

Aty do ta gjeni të botuar Kanunin komplet në një formë shumë të lehtë për ta lexuar. Nëse orientoheni me nene, ky citat ndodhet nëmes neneve §. 44. et §. 45.