Edison Ypi: Ismailroman
| E merkure, 18.11.2009, 08:37 PM |
IsmailromanNga Edison Ypi Sapo e merr dhe nis e shfleton, ndjen menjëherë se në dorë ke diçka shumë më tepër se libër - një kadarelibër diçka shumë më tepër se roman - një ismailroman.Është “E penguara”, perla e fundit dalë nga dora e Mjeshtrit.Nuk kuptova nëse e lexova apo e piva. Sidoqoftë, edhe nëse e lexova edhe nëse e përpiva, me një frymë e lexova, me një të kthyer e rrëkëlleva.Nuk ishte lexim. Ishte, ekstazë, ishte delir, ishte fërgëllimë.“E penguara”, apo Ismailromani, kjo rrëqethje estetike e pashoqe, më e bukur se e dobishme dhe më e dobishme se e bukur, nuk mund të ishte ndryshe.“E penguara” është një libër pafundësisht i bukur dhe pambarimisht prekës. Totalisht koherent sa i përket zhvillimit të ngjarjeve. Përsosmërisht simetrik si i ndërtuar në kompjuter, megjithëse thurur me shpirt dhe zemër. Kryekrejt integral në pikëpamje të interaktivitetit të pjesëve, fakteve, dromcave, rrethanave.Ismailromani “E penguara” është një konstruksion madhështor si një grataçiel. I përpiktë si një kronometër. Uluritës si një turbinë. Klithës si një sirenë.Por “E penguara” është edhe më tepër se sa më sipër.“E penguara” është një Katedrale qiellore. Një katedrale e paprekshme dhe e pa shkatërrueshme si diamanti. E pandryshkshme dhe e pavjetërueshme si ari. Ndërtuar me mure të qelqta, me tjegulla kristali, me sheshe të gjera, parcela të blerta, portale gjigande, harqe madhështore, kupola me afreske, altarw të praruar, kambanë bronzi, kambanare e lartë, ikona të trishta, dhe ah, Murgeshë brenda.“E penguara” është një galaktikë, yjtë e ndritshëm dhe qiejt e zymtë të së cilës nuk mund të vështrohen ndryshe veçse me sy të lagur.Murgu e ka gdhendur atë galaktikë dhimbjesh dhe rënkimesh në të gjitha hollësitë e tyre. Në një mënyrë të paparë, të padëgjuar, të pa filmuar, të pashkruar, kurrë më parë. Duke arritur të pamundurën; harmonizimin e përsosur të rrëqethjeve estetike fiksionare me rrjedhën prozaike të jetës. Duke i bërë ata, fiksionin dhe realitetin, të jenë gjithaq të besueshëm, sa njëri edhe tjetri, në një zëvendësim reciprok marramendës mes të dyve.“E penguara” është shembull i përsosur i harmonisë kohë-hapësirë. I secilës veç e veç dhe i të dyjave bashkë.Si e tillë, “E penguara” është një strukturë shprehëse e harmonisë së hapësirës. E marrëdhënies së grimcës me të tërën. Ku grimca dhe “e tëra” alternohen aq magjishëm, duke u bërë, her’ “e tëra” grimcë, dhe her’ grimca “e tërë”.“E penguara”, që do t’u kishte vlejtur njëlloj, si atyre që s’janë më, atyre që janë dhe atyre që do jenë, ka gjithashtu një kuptim dhe vlerë të padyshimtë eternale.Por, përtej mahnitjes estetike, pabesueshmërisë së inginieringut të hatashëm të thurjes, këmbana gjëmimtare e katedrales madhështore të ismailromanit, kumbon për tjetër gjë.Shqiptarët e sotëm po pasurohen. Po, por pse s’po ndjehen të lumtur?! Po hanë e po pinë, po vishen e po mbathen, por pse as po ngopen, as etja po u shuhet?! Po janë oratorë, po flasin bukur, me fjalë dhe fraza të zgjedhura, por pse edhe fjalët edhe frazat edhe oratoritë u mbeten pezull në tavan me të vetmit dëgjues muret?! Shkruajnë libra, i promovojnë ato libra nëpër ceremonira me Coca-Cola dhe kikirika, por pse, pse s’i zë njeri me dorë ato kryevepra, dhe autori i zhurmshëm i promovimeve me kikirika, nga zori, ua dhuron miqve ato libra?! Shkollohen nëpër universitete, thonë “jam intelektual”, por pse tyça se tyça, gjydyryma se gjydyryma mbeten, dhe zënë e dridhen kur s’kuptojnë ca gjëra fare të thjeshta, dhe nuk thonë dot as dy fjalë për të shprehur ca gjëra të tjera edhe më të thjeshta?! Bombardohen pa mëshirë ditë e natë me filma nga e kaluara bërë nga plehra regjisorë, bastardë skenaristë, krimba aktorë, por pse për qamet s’po kuptojnë se po mbeten skllevër të propagandës së larvave komuniste?! Mezi presin të votojnë për partinë e zemrës, bëjnë dhe u bëhet propagandë, ndjekin me kujdes të madh numërimin e votave, por pse mbeten të habitur kur rezultati i zgjedhjeve që aq me ankth e patën pritur del gjithmonë i përmbysur? Udhëtojnë afër dhe larg, me makina, tragete, aviona, dhe shpenzojnë shumë për karburant dhe bileta, por a s’më thua, pse s’ndjehen që s’ndjehen të lirë?! Ë, pse ndodhin të gjitha këto?!Për këto e të tjera mynxyra, përgjigjen dhe përgjigjet i ka të tëra tek “E penguara”.Këmbana “E penguara”, kambana e madhe mbi kumbanaren e lartë që dëgjohet larg, ku veshët mezi dëgjojnë, sytë mezi shohin, shqisat janë mpirë, gjymtyrët janë ngathtësuar, bie për një kumt të frikshëm.Ju që pasuroheni por nuk lumturoheni, ju që visheni por mbërdhifni, ju që zhvisheni por djersitni, ju që flisni por s’dëgjoheni, ju që bëni shkolla dhe mbeteni trungje, ju që shkruani libra dhe ngaqë s’ju shiten i dhuroni, ju që shihni filma vrroma dhe s’kuptoni, ju që votoni dhe habiteni nga rezultati, ju që udhëtoni por lirinë dot s’e shtoni, lexojeni “E penguara”. Aty do kuptoni se të gjithë jeni peng i një mëkati tepër të madh që s’shlyhet lehtë; Egërsisë së pashembullt të historisë së afërt kriminale kur shqiptarët persekutuan, internuan, burgosën, përgjakën, vranë njëri - tjetrin. S’ka rëndësi nëse je i ri apo i vjetër, i sëmurë apo i shëndetshëm, i shkolluar apo i pa shkolluar. Mjaft të mos jesh analfabet. Se për të tjerat ka menduar autori, domethënë gjeniu.A është e mundur brenda një libri të vetëm, Ismailromanit, shqiptarët të marrin përgjigjet e pyetjeve, ndriçimin e mistereve, qartësimin e paradokseve ?!Po !Sepse ismailromani nuk është libër i çfarëdoshëm. Ismailromani është një kryevepër. Gdhendur në një mënyrë që s’ngjan me asnjë, që s’krahasohet me asgjë. Mjeshtri, përgjigjet e pyetjeve, i ka gjetur përmes një rruge të skëterrshme. Rrugës së dhimbjes nën qiellin e errët të dashurisë së fshehtë të hënës së zbehtë për diellin e zjarrtë. Gjatë kohës kur hëna e trishtë, ngaqë nuk mund t’i afrohej, dashurinë për diellin e zjarrtë, e shprehu duke prekur gjoksin dhe duke puthur buzët e tokës së vakët.
edisonypi@gmail.com - Panorama
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.