Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtime nga Panairi i XII-të i Librit “Tirana 2009”

| E diele, 15.11.2009, 08:50 PM |


Vilhelme Vranari (Haxhiraj) Me shokun e shkollès, poetin brilant, Bajronin shqiptar, akademikun Xhevahir Spahiu i rikthyer mes nesh.
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) me shokun e shkollès, poetin brilant, Bajronin shqiptar, akademikun Xhevahir Spahiu i rikthyer mes nesh.

Panairi i Librit është një nga praktikat më të rëndësishme në paraqitjen e librit në të gjitha gjinitë letrare, historiko-studimore , ku përfshihen të gjitha shkencat për të cilat njerëzimi ka hulmtuar dhe studiuar qysh nga lashtësia. Panairi i XII-të i librit” Tirana 2009” u çel më 12 nëntor ora 17, në praninë e botuesve, autorëve të panumërt autoriteteve shtetërore dhe lexuesve sipas shijeve letrare shkencore, apo historike. Është viti i dytë që panairi i librit në Tiranë zhvillohet në ambientet e katit të parë dhe të dytë të Pallatit të Kongreseve. Këtu u paraqitën 87 Shtëpi Botuese, 40 000 tituj librash, midis të cilëve 1.200 libra të rinj.  Vlen ta konsiderosh si një festë a një ditë dasme ku autorët shpalosin ëndrrat, dëshirat për jetën, të shprehura në qindra, mijëra e miliona rreshta, ku përmes faqeve të librave gëlon jeta njerëzore në vite, e parë nga këndvështrime të ndryshme. Aty, në salla të veçanta, mes” dasmorëve” adhurues, në të njëjtën kohë, “pagëzohen fëmijët” e sapolindur  të autorëve të ndryshëm shqiptarë apo të huaj, që jetojnë brenda apo jashtë vendit.


Vlen të theksojmë se një pjesë të mirë të panairit e zë përkthimi i letërsisë së huaj, e cila ka lexuesit e saj të përhershëm. Ditën e tretë të panairit, të shtunën, pak para se të fillonin takimet për paraqitjen e librave të rinj, pavionet e ndryshme të shtëpive botuese i vizituan Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shoqëruar nga Ministri i Kultuës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferi, Ministri i Arsimit Myqerrem Tafai dhe Zv/Ministrja e  Kulturës, Suzana Turku. Pikërisht në atë kohë kur autoritet po hynin në pallat, përmes qëndrës së zërit u njoftuan admiruesit e librit, se në orën 11, në sallën “A” në katin e dytë,  do të bëhej përurimi i dy librave të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj): romani “Zonja me karafila të bardhë” , botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” dhe “Rrugë pa kthim” botuar nga Shtëpia Botuese “Nacional”. Të pranishëm ishin përfaqësuesit e shtëpive botuese, znj, Irena Toçi dhe z. Mujë Buçpapa, shkrimtarë, lexuesit e autores, si dhe  Piktori i Popullit Nestor Jonuzi, i cili është autor i kopertinave të disa librave të Vilhelmes. Auditorin e nderonte Artistja e Popullit, ikona e skenës shqiptare, Zonja Margerita Xhepa. Theksoj se qysh nga viti 1999 e deri tani kjo aktore e dashur për të gjithë artdashësit, i ka dhënë dritë auditorit me praninë dhe debutimin e saj.

Përurimet e veprave të Zonjës Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

Fjalën e çeljes e mbajti Irena Toçi, Drejtore e Përgjithshme e Toenës, e cila ka bërë parathënien e romanit “Zonja me karafila të bardhë”. Ajo duke folur për krijimtarinë e bollshme dhe të sukseshme të autores Haxhiraj, u ndal tek romani që ka në thelb faljen e gjakut, ku dashuria e sfidon këtë dukuri negative të shoqërisë sonë, e trashëguar nga mesjeta, gjakmarrjen. Znj. Toçi nuk harroi pa  vlerësuar dhe falenderuar  piktorin e shquar Nestor Jonuzi. Mes urimit ajo e ftoi autoren për një bashkëpunim të frytshëm. Z. Mujë Buçpapa, (poet, analist dhe publicist i shquar), recensues i librit “Rrugë pa Kthim”, i bëri një analizë të hollësishme krijimtarisë së autores, sidomos të librit të ri. Fjala e tij u përqëndrua në krijimtarinë e vonët të autores, realisht në moshën 52 vjeçare, por edhe pse në këtë moshë:” ajo  sfidoi kohën e mbrapshtë e që e mori zvarrë. Diktatura i mohoi të drejtën e arsimimit, të mësimdhënies, dy prioritete, të cilat i arriti pas shumë peripecish. Kjo grua arriti të botojë në disa gjini  dhe në një kohë prej 13 vitesh, nxori në dritë 21 vepra letrare, nga këto 10 romane. Autorja Haxhiraj është e vlerësuar m disa çmime si brenda dhe jashtë atdheut. Ndaj them se është një sukses i letërsisë shqipe të pas viteve 1990, është padyshim një nga emrat që kjo letërsi mund të mburret.   Pse?

Sepse ajo  i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe. Së pari prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre  nga kritika e orientuar politikisht. Së dyti solli një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës dhe gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarte gati 50-vjecare. Së treti ajo shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe mbrojti atë. Krijimtaria e Vilhelme Haxhiraj s’ është  përkthyer në gjuhët e huaja, ndaj bota nuk e  njeh letërsinë dhe artin e saj tronditës. Pa frikë  them  se proza e Vranarit është e një niveli europian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare V. Vranari si  Herta Mulerin e cila fitoi çmimin Nobël për letërsi (2009). Këto dy femra shkruajtën   tematikat dhe personazhet e kohës së diktaturës. Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania. Vilhelmja  i tregon botës dhimbjet e saj, duke bërë që holokausti komunist të mos harrohet kurrë.

Në librin “Rrugë pa kthim” vend të rëndësishëm kanë skicat letrare. Ndoshta Vilhelmja është e vetmja shkrimtare shqiptare që jo vetëm po e mban gjallë skicën letrare, por them se disa prej tyre janë më të suksesshmet të krejt letërsisë shqipe, në  këtë zhanër. Po kështu tregimet novelat lexohen me një frymë ,madje disa syresh i rikthen  nga e para. Kapituli i tregimeve përbëhet nga  “Mbresat e këngës së vjetër”,  “Endrra e muzgut të përhimtë”,   “Natë e pagjumtë”, “Hakmarrja”,“Pasuri e të gjithëve”, tregime të cilat  zbulojnë një dimension të fuqishëm të letërsisë së Haxhirajt. Ajo në prozën e saj përfshin tronditjet,  dramat dhe katastrofat e jetës, si shumë shkrimtarë të shquar të Europës ish/komuniste, si Haveli, Rugova, Pjetër Arbnori etj.  

Një krijuese këmbëngulëse në kërkim të së mirës njerëzore

Shkrimtarja thotë në mënyrë sfiduese se “politika më bëri të jem vetvetja”. Edhe në këtë libër të fundit, e merr tematikën  nga jeta e përditshme, nga realiteti shqiptar, në  dramat e jetës shqiptare . Me prozën e saj psiko-sociale,  ajo zbulon njeriun si rezultat i ndikimeve politike, sociale dhe njerëzore, komploteve, tradhëtive, intolerancës deri në shkatërrimin e jetës. Vilhelmja me krijimet e saj  është një gjykatëse e historisë. Mban qëndrim kritik ndaj problemeve politike e sociale që shqetësojnë jo vetëm shoqërinë, por edhe atë  si krijuese. Siç shprehet autorja: “Askush nuk mund të ma kthejë rininë, buzëqeshjen, ëndrrat dhe dëshirat që m’i vranë pa mëshirë. Veçse kjo më bëri më këmbëngulse në kërkim të së mirës njerëzore.” Ky është një mision i madh tej kohës  dhe përceptimit tonë, që e çon atë drejt përjetësisë me krenari. Kurse Artistja e madhe, Margarita Xhepa, foli për vlerat intelektuale të femrës shqiptare të cilat evidentohen aq mirë në gjithë krijimatrinë e shkrimtares vlonjate Vilhelme Haxhiraj:

“Kjo autore tregon se edhe ne i  japim shoqërisë vlera në çdo fushë, madje më shumë se burrat. Nuk mund të rri pa dredhur lot kur lexoj krijimtarinë e kësaj zonje. Sepse aty gjendet drama e një kombi, drama  e një populli të harruar dhe të mohuar në shekuj. Aty janë përballë e mira me të keqen, rrugë të cilën autorja e servir thjesht apo me të gjitha dukuritë dhe pasojat e tyre, ndaj ti lexues zgjidh dhe merr. Unë si një femër, si një qytetare dhe si artiste iu bëj thirrje regjisorëve që këtë krijimtari brilante dhe tronditëse ta vënë në skenë, sepse edhe proza e saj tingëllon bukur ka shumë poezi Artistja Margarita Xhepa citoi vargje dhe fragmente nga të dy librat, gjë që u prit me duartrokitje, Autori i sonetit shqip, z. Uran Kostreci, i  burgosur politik, foli për shkaqet e një krijimtarie të ngjeshur të shkrimtares Vilhelme Haxhiraj dhe u përqëndrua tek proza e shkurtër, sidomos tek Skica Letrare.

Lëvrues të skicës letrare kanë qenë Migjeni, Nonda Bulka por me kohë kjo gjini u la në harresë. Kurse autorja jonë e ka ripërtërirë skicën e gjysmës sé parë të shekulit XX. Mud të them se është e vetmja që na dhuron skica të bukura. Them se nuk mund të veçoj asnjërën se cila është më  emira. Të gjitha hynë në më të mirat skica të letërsisë shqipe. I kam rilexuar disa portrete si të artistes sonë të madhe, znj. Margarita Xhepa. Nuk besoj që një krijues tjetër mund t’i ketë bërë një portret kaq të spikataur dhe më të mirë se ky që i ka bërë Vilhelmja. Aty gjendet përjetësimi i poetit, që është aq i varfër sa edhe varrin ia mbulon dëbora. Portretin e Njeriut “Njeri” kushtuar kritikut Adriatik Kallulli, apo Dora  engrohtë e një Miku, kushtuar të ndjerit  Prof. Odhise Grillo, në të cilat vërehet mirënjohja e autores, kurse autorja Haxhiraj falenderoi auditoin, shtëpinë botuese Toena, ku ka botuar 16 vepra si dhe shtëpinë botuese Nacional për librin “Rrugë pa kthim”. Në mënyrë të veçantë falenderon Piktorin e Popullit, Nestor Jonuzi, i cili i ka dhuruar 7  kopertinat e fundit të librave të saj. Në fotografitë e përrurimit e vërejmë autoren në shoqëri me shokun e shkollës, Xhevahir Spahiun, poet brilant, i rikthyer mes nesh. Aty janë dhe Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, mbretëresha e skenës shqiptare, Irena Toçi, Uran Kostreci, autor i sonetit shqiptar, ish i burgosur politik, Mujë Buçpapaj etj.

Për Zemrën Shqiptare: Alban Voka

Artistja e Popullit Margarita Xhepa, mbretèresha e skenès shqiptare, Irena Toçi, Vilhelme Haxhiraj, Mujè Buçpapaj
Artistja e Popullit Margarita Xhepa, mbretèresha e skenès shqiptare, Irena Toçi, Vilhelme Haxhiraj, Mujè Buçpapaj

Pamje e pjesèshme nga salla
Uran Kostreci, autor i sonetit shqiptar, ish i burgosur politik
Uran Kostreci, autor i sonetit shqiptar, ish i burgosur politik