Cikël poetik nga Alma Papamihali, shoqëruar me video
| E diele, 15.11.2009, 08:58 PM |
Alma Papamihali
Ti grua
Më mirë pasqyrës mos u shih, kur ditës ndonjëherë të mbushen sytë me lot, ti grua... që shpesh, i thua "jo" mëshirës, dhe përflet me vete, mbylljen e një dite kot...
E të nesermen kur zgjohesh përsëri, një grusht qiell rrëmben, e fytyrës ia vesh shkujdesur, si vetë koha, kur humbet shenjat gri, dhe vrenjtësirën e saj, fsheh duke qeshur...
Shpesh buzë-gjakur, por formë-tjetërsuar ndaj e çrregullta hënë tënden gjini ka marrë, nga të tuat duar, pelerinën pret nata, qëndisur ëndërryjesh, apo ëndërr-vrarë...
E mbyllet gjithçka, dhe nis përsëri, ashtu si vetë udhëtimet rezervuar më parë, por ti ndonjëherë, pasqyrës mos u shih, nuk je e vetmja grua, që një ditë ka qarë.
Lutjet e mia
Nuk lutem për vete, por për ty, që dashuria të mungon... Ti, që shpesh s´kupton se ç´ngjet me botën, e shurdhër je, dhe nëse dëgjon...
Lutem për atë, që dhimbjen e lindjes, se provoi kurrë... e në zot s´u shnderrua, për t´i treguar botës, që qielli është grua dhe aspak burrë...
Lutem për ty, që ëndrrash zilish fle dhe jo i qetë si të tjerë... Sa e padrejtë të duket jeta, ndaj per ty lutem, mos ndihesh mjerë...
Për ty lutem, që prej vitesh lotët të janë shteruar... Nëse dikur sytë të bukur qenë, sot gjurmë-zhdukur përrenj, tokës harruar...
Nuk lutem për vete... Jo! Unë, Dashuroj, Lind, Qaj, S´kam zili, por dashurohem përsëri... Për ty dua të lutem, që para se të kesh vdekur, të kesh kuptuar artin e të qënit njeri!
Puthja e nates
...dhe e putha natën mbi krye, ashtu si dikur, kisha dhënë puthjen e parë. Je kaq e bukur o natë, sa keq që prej teje, duhet të jem e ndarë...
Por kur të largohem unë, ti nuk do të jesh më flakë e ndezur, thjesht do të sillen ca yje vërdallë, por të pafjalë, pothuajse të heshtur...
E unë me kokën pas veç duke parë do mbetem, si shuhet një natë... Por ti qënke ndryshe, fare ndryshe, përjetësi, quajtur e gjatë...