Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Malësi udhë e pa udhë

| E premte, 13.11.2009, 07:46 PM |


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

NË MALËSI UDHË E PA UDHË

    Për 38 vjet punë e qëndrim në Gjermani, Kadri Bexheti nga Veshalla e Tetovës, një apo dy herë në vit e ka vizituar vendlindjen, ka këmbyer një apo dy letra në muaj derisa është zhvilluar telefonia dhe, paratë e fituara i ka investuar në mëkëmbjen e familjes. Ai tash është në pension dhe, muajt e dimrit i kalon në Gjermani, ku i ka shokët e punës dhe të rinisë, ndërsa kur del syri i pranverës, i kthehet Tetovës. Kur vjen në Gjermani e pyesin: Kur ke ardhur, sa do të rrish? E njëjta pyetje i bëhet edhe kur kthehet në Tetovë. Por Kadriu në të dy anët ka bërë vend nderi. Në Stolberg të Gjermanisë me gëzim e presin shokët e tij të punës dhe të jetës mërgimtare, ndërsa në Tetovë, familjarët miqtë e shumtë që nga fëmijëria e deri  më tash.
    Që nga dita e parë e ardhjes në Gjermani Kadriu i mban të freskëta kujtimet, ndarjen nga vendlindja, fillimin e punës, sistemimin në dhé të huaj. Ai rrëfen se në Malësinë e Tetovës, familja e tij, merrej me blegtori dhe synim themelor kishte rritjen e tufës se deleve. Por derisa familja i ngryste mbrëmjet me biseda për rritjen e tufës, për plehërimin e tokave të veta dhe për rritjen e rendimenteve të drithërave, Kadri Bexheti informohet se në Gjermani kërkohen punëtorë dhe, pa hezitim konkuron që të fillojë një punë të re. Fati e do që të bëhet pjesë e atij kontigjentit të punëtorëve që në fund të viteve gjashtëdhjetë  po ia mësynte Gjermanisë. Në fillim, rrëfen Kadriu, në Stolberg ka ardhur daja im nga Bozofca, Xheladin Halili, para 40 vitesh. I dyti ka qenë vëllai i tij, Halili, ndërsa i treti Nexhmi Rexhepi. Pastaj njëri pas tjetrit kemi ardhur diku 70 vetë për një kohë të shkurtër. Në fillim pothuajse të gjithë e kemi nisur punën në një deponi hekurishtesh, derisa gradualisht jemi shpërndarë në punë të ndryshme, aty ku ka pasur nevojë dhe ku na ka pëlqyer.
    Në fshat, rrëfen Kadriu, ishim familje e madhe 60-anëtarëshe. Jemi familja e parë që e kemi nisur shkollën atje. Mbas tri vitesh, kur unë isha larguar për në Gjermani, disa nga anëtarët e familjes kishin zbritur në Tetovë, për shkak të shkollimit, ndërsa pjesa tjetër kishin mbetur në Veshallë. Tash nga familja e gjerë, jemi bërë 150 anëtarë, prej të cilëve i kemi 30 intelektualë, ekspertë të fushave të ndryshme të dijes, që veprimtarinë e vet e zhvillojnë në Tetovë. Ardhja ime në Gjermani ka bërë që të shkollohen fillimisht dy vëllezërit e mi më të rinj, madje qysh në vitet shtatëdhjetë. Pastaj edhe djali im ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, dhe të tjerët po ashtu kanë kryer shkallë të ndryshme të shkollimit. Kur jemi te shkollimi, me hapjen e Universitetit të Tetovës, kur si dihet pengonte pushteti që shqiptarët ta kishin këtë institucion, ne e lëshuam shtëpinë për Universitet pa kurëfarë kompensimi. Jemi të lumtur si familje që studentët e parë në Tetovë bënë fillimin e studimeve në shtëpinë tonë.
    Por kur flasim me Kadri Bexhetin, sërish iu kthehemi viteve të mërgimit, të atyre viteve që tashmë janë të largëta, por me kujtime të freskëta. Po, thotë dhe vazhdon ai, në fillim të gjithë ishim pa familje, të shpërndarë nëpër disa banesa të vogla, sa për të kursyer më shumë. Unë gjatë tërë jetës mërgimtare kam ndejtur pa familje. Kisha një banesë të vogël, ku tuboheshim shpesh. Aty afër kisha një fqinj gjerman. Ai kishte një servis televizorësh dhe kur më vinin shumë mysafirë, huazonim televizorët e vjetër te ai që prisnin për riparim dhe uleshim mbi ta. Banesa ishte e shefit tim dhe atë vazhdimisht e lëja me derë të shkyçur. Kush arrinte i pari fuste kokën aty. Kjo sidomos shërbente kur vinin bashkëvendësit e mi dhe nga hallet e jetës, punonin jozyrtarisht, në të zezë, siç themi ne. Unë kam punuar tetë vite në hekurishte. Aty kishte plot tetovarë. Kishte edhe aso që i merrnim ne për të punuar përkohësisht. Ka pasur raste edhe kur në të zezë kanë punuar 5 vetë. Njëherë i zuri policia dhe pasi i mbajti të izoluar për dy javë, i deportoi në Beograd. Kisha një rast tjetër, kur një djalë i tezës sime, si i themi ne tezoll, punoi disa muaj dhe u kap nga policia. Po kështu ishte jeta. Duhej gjendur disi. Familjet kërkonin mjete për të mbijetuar e për t’u zhvilluar. Duhet shtuar se po këto banesat e vogla, ku bënim gjumin, pasi nuk kishim ku të organizoheshim, na shërbyen në fillim të viteve nëntëdhjetë për t’i formuar partitë politike këndej në perëndim. Po ashtu që të gjithë jemi angazhuar për mbledhjen e mjeteve financiare, qoftë për partitë politike shqiptare, qoftë për Universitetin e Tetovës, qoftë për ndihmë Kosovës për liri e pavarësi. E mira është që ndihmat tona kanë zënë vend kudo që i kemi dërguar.
    Shumë vite kanë kaluar dhe mënyrat e jetës kanë ndryshuar. Para dyzetë vitesh, siç thotë Kadriu, në Malësi jetonim udhë e pa udhë. Derisa bota zhvillohej ne kishim ngelur me bujqësi e blegtori. Postieri i fshatit, një Ymeri, letrat i sillte me mushkë nga Tetova. Ato vononin derisa vinin atje. Një muaj deri në gjashtë javë dy letra. Në fillim, kur ktheheshim ne mërgimtarët, fëmijët kureshtarë na pyesnin: A me mushkën e Ymerit shkoni e vini nga Gjermania!? Ata nuk e dinin ku është Gjermania?! Duke e parë se i vetmi mjet i komunikmimi me botën ishte mushka e Ymerit, si të mos dyshonin fëmijët se ne udhëtojmë me mushkë.

(2008)