| E premte, 13.11.2009, 08:42 PM |
RRETH IDENTITETIT TË GJINISË
ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME
Nga Dr. Nuhi Veselaj
IV. vendi i asnjanësve prejpjesorë në kuadër
TË PREJPJESORËVE TË
TJERË
Treshi sinonimik dhe emërtimi i proceseve
tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe
Siç e pamë vendi i
asnjanësve të paparanyjëzuar ose të parmë si emra të mirëfilltë me kuptim të
hershëm burimor përfshihej në kuadër të nënfushës që emërtoheshin
përgjithësisht koncepte të gjësendeve a të lëndëve konkrete të panumërueshme
e të tjera, vendi i asnjanësve prejmbiemërorë të nyjshëm që në fillim bënte
pjesë në nënfushën e emrave abstraktë të profilit të cilësisë të një
gjendjeje a të qeni që motivohej nga tema e qartë fjalëformuese mbi bazë
mbiemërore, ashtu siç motivohej edhe emërtimi i asnjanësve të paranyjëzuar
prejpjesorë nga tema foljore (pjesorja përkatëse) për të shprehur veprime
të caktuara po nga fusha e abstraksionit, por të profiluar ndërkohë
parësorisht në një nënfushë të veçantë semantike, që kishte të bënte me
emërtimin e koncepteve të veprimeve përkatëse po brenda fushës së gjerë të
abstraksionit, ashtu siç ngjan edhe me asnjanësit prejmbiemërorë. Në të
vërtetë, këtë nënfushë semantike të asnjanësve prejpjesorë e shpjeguam dhe
konceptuam në një farë dore në kreun e mëparshëm, ndërsa tashti në këtë krye e
në të tjerët në vazhdim na mbetet që ta qartësojmë edhe më mirë e më në
hollësi po të njëjtën gjë, ngase në këtë mënyrë identiteti i asnjanësve të
këtij tipi, del më i përkapshim. Pra, na mbetet që në vazhdim të bëjmë
përpjekje që gjatë shtjellimit të ekspozojmë sa më shumë fakte të qarta dhe
bindëse jo vetëm për lexuesit dashamirës, por edhe për studiuesit e gjuhës
sonë.
Ç’është e drejta,
rreth nënfushës semantike të asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar dhe për
nënfushën semantike të asnjanësve prejpjesorë deri më tash nuk kemi
ndeshur në ndonjë punim monografik të hollësishëm, por konstatime me
interes patëm rastin të lexonim nga materiali i përfshirë në Gjuha
letrare shqipe për të gjithë, të dhëna këto të vlerësuara shumë pozitivisht
prej nesh në fillim të këtij punimi. Mirëpo, në të vërtetë, ne, spontanisht në
mënyrë të pavarur, pa i konsultuar burimet që bëjnë fjalë për temën në
shqyrtim, specifikimin a prirjen rreth përcaktimit të nënfushës semantike të
asnjanësve prejpjesorë e kemi pasë vënë re kalimthi qysh para 20 e sa vjetësh
në një punim, kur i patëm trajtuar emërtimet e proceseve tekniko-teknologjike
të shqipes në ndërmarrje prodhimi.
Meqë ishte pothuaj
rast unik sa i përket trajtimit të temave të tilla ndër ne e më gjerë dhe me
qëllim që edhe sot përmbajtja e atij konstatimi të jetë më e qartë për
lexuesin, po e riprodhojmë këtu krejt pjesën të nxjerrë nga trajtesë-kumtesa me
titull “Çështje rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike me foljet
më -o/(-zo-), botuar në Seminari...1987 dhe të ribotuar në librin
Foljet më -o- në shqipen e sotme (Prishtinë 2002, f. 24), ku tekstualisht
theksohet:
Në këtë
kompleks çështjesh (d.m.th., rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike)
po cek vetëm dukurinë e bashkëjetesës së treshit sinonimik (emrave
prejfoljorë) nga tema e njëjtë motivuese, si p.sh. shkrim / shkruarje / të
shkruarit, çmim / çmuarje /të çmuarit, lëshim/ lëshuarje / të lëshuarit,
shtrim//shtruarje /të shtruarit, kthim / kthyerje / të kthyerit etj., dukuri
kjo që është e pranishme në jetën tonë të përditshme dhe ka raste të këtilla që
dalin të shënuara e të përligjura edhe në fjalorin tonë shpjegues normativ.
Gjithsesi studimi me kompetencë i kësaj dukurie, me mprehtësinë që meriton,
mbase do të nxjerrë në pah se treshi sinonimik i sipërcekur në gjuhën tonë, mos
vallë, do të konsiderohet si një begati, jo vetëm për të shprehur ngjyrime
stilistike për të njëjtin koncept, por ato do të mund të cilësoheshin edhe si
fjalë të veçanta (terma) për të shprehur koncepte të ndryshme, varësisht nga
konteksti ose nga vetë dukuria që shprehet. Ç’është e vërteta, nga aspekti që
po trajtohet këtu ndonjëri nga shembujt që u konstatuan mund të shërbejë si
sprovë për një kundërvënie kuptimore, ngase me emrat e tipit: shkrim, çmim etj.
shprehet rezultati i veprimit, me emrat e tipit shkruarje, çmuarje etj.-
shprehet vetë veprimi si proces në vazhdim (kryesisht) dhe së fundi, me
emrat asnjanës të tipit të shkruarit, të çmuarit – shprehet koncepti i
temës a i procesit të caktuar.
Gjithsesi, theksonim aty, një kundërvënie e tillë kuptimore e
sinonimeve në fjalë del më e qartë në raport me barasvlerësit përkatës të
gjuhëve të huaja, jo vetëm në gjuhën e përkthimit, kur kemi të bëjmë me
terminologji tekniko-shkencore e teknologjike, por edhe për koncepte të tjera
të fushave të caktuara, ngase jeta shtron nevojën edhe për aso shprehjesh
e nuancash konceptore, të cilat deri më tash nuk ishin aq të ndjeshme dhe
të domosdoshme për t’u shprehur.
Ne, atëherë këtë
çështje e lamë të hapur, e cila mjerisht nuk zgjoi interesim e duhur te
faktorët tanë përgjegjës normëvënës, ashtu si mjaft çështje të tjera të
iniciuara ndërkohë prej nesh. E themi me keqardhje pse kërkesa jonë mbeti
amull, d.m.th. nuk pati lëvizje as jehonë tash a sa vite, ndonëse mendojmë, siç
tregojnë faktet, se kishim plotësisht të drejtë. Edhe sot ngulmojmë se numri i
asnjanësve të ngjashëm, të tipit si b.f. të menduarit, të folurit, të
përthyerit që dalin si terma të mirëfilltë të njohur ligjërisht, sipas
terminologjisë tekniko-shkencore të shkencave filozofike, filologjike ose
fizike, mund dhe duhet të shtrihen lirshëm edhe në nënfusha të tjera të
veprimtarive përkatëse, madje me shembuj ligjërisht të drejtë që mund të kalojnë
në model a si me thënë në prodhim serik, ngase këtë e mundëson vetë
struktura përkatëse në kuadër të sistemit emëror e foljor të gjuhës sonë,
strukturë kjo që ndërlidhet në mënyrë komplekse me të gjitha nënfushat e
caktuara përkatëse semantike.
Shembuj tipikë të treshit sinonimik të gjuhës shqipe
në
krahasim me dy gjuhë të huaja
Atë që e thamë
rreth specifikimit të nënfushës semantike në kuadër të treshit sinonimik,
duke e pasur parasysh gjithnjë në qendër të vëmendjes asnjanësin
prejpjesor në raport me prejpjesorin e prejardhur më -im ose -je e
vërteton vetë praktike edhe në krahasim me gjuhët e tjera, krahasim ky i
domosdoshëm kur kemi parasysh faktin se në jetën bashkëkohore të gjitha
proceset tekniko-teknologjike që ndërlidhen pothuajse me të njëjta fusha
të prodhimtarisë së të mirave materiale e të tjera janë pothuajse të ngjashme.
Sa për ilustrim po i shënojmë dy shembuj të emërtimeve përkatëse në tri gjuhëve
në kontakt: shqip, serbisht dhe italisht:
---------------------------------------------------------------------------------------
.
shqip
serbisht
italisht
.
1. të
bindurit
ubedjivanje
convicimento,
bindje-a
ubedjenje
condizione;
2.
të
detyruarit
obavezanje
obligacione,
detyrim
obaveza
obligo.
Shembuj të ngjashëm në përdorim të përditshëm janë të shumtë. I ndeshim
normalisht si barasvlerës, patjetër, siç shihet nga shembujt e mësipërm, edhe
në raport me gjuhët e tjera, andaj vendi i asnjanësit si element i
domosdoshëm assesi nuk duhet të sillet në dyshim. Në të vërtetë, ne jo
vetëm nuk e sjellim në dyshim as dukurinë e treshit sinonimik, por e
quajmë të domosdoshme në kontekste të caktuara, andaj kërkojmë që diferencimi
kuptimor sipas nënfushave që mbulojnë trajtat e caktuara detyrimisht duhet të
njihet më mirë nga të gjithë. Kështu, pra gjithsesi përkufizimet e dhëna në
fragmentin e punimit tonë të riprodhuar më sipër sipas tipave të treshit
sinonimik prejpjesorë, mund të vërtetësohen mjaft mirë në kontekste të tjera të
caktuara, siç do të përpiqemi ta bëjmë tash fill. Pra, sa për ilustrim po japim
edhe dy shembuj të tjerë po nga këto tri gjuhë fqinje me përmbajtje të treshit
sinonimik:
shqip
serbisht
italisht
.
1
2
3
-----------------------------------------------------------------------------------
1) çmoj (me
çmue)
ceniti (oceniti, procenti) apprezare
çmim
cena
prezzo
çmuarje
cenjenje
estimo
të
çmuarit
ocenjivanje, procenjivanje volutacione;
2) rrit (me
rritë)
rastiti
crescere
rritë-a
rast
crescita
rritje
porast
creasciuto
të
rriturit
rastenje
crescione.
(Shih për këtë FSHSK 1981 dhe
Fjalor shqip-italish, Durrës 1992, Fjalori i Toçit (1993) dhe
Taliansko-hrvatshki ili srpski rjeënik, Zagreb 1980 e në burime të tjera.)
Jemi të vetëdijshëm se barasvlerësit përkatës që mund të ndeshen
sigurisht në raport edhe me gjuhë të tjera, për koncepte të caktuara mund të
këmbehen edhe me sinonime të tjera mbase edhe më të përshtatshme, varësisht nga
natyra e gjuhës përkatëse, por ne kemi për qëllim të vëmë në pah ose të
tregojmë se kjo vlen sidomos për përkthyesit, pse jo edhe për studiuesit
përkatzës, se në gjuhën shqipe për konceptin e caktuar nuk ofrohet vetëm njëra
nga trajtat e prejpjesorit me prapashtesën me -im ose -je që
zakonisht del e favorizuar në fjalorët tanë përkatës si barasvlerësi më tipik
për korresponduesit përkatës të gjuhëve të huaja, por për të njëjtin destinim
mund të paraqiten edhe të dy trajtat e tjera sinonimike e ndër to nuk duhet
anashkaluar assesi as trajta e asnjanësit përkatës si trajtë e padiskutueshme
barazvlerëse për konceptin përkatës.
Me thënë të
drejtën, atëherë, kur ne e patëm shprehur konstatimin e mësipërm, aspak nuk
sillnim në sprove-dyshimi qëndrueshmërinë e asnjanësit, siç nuk e sjellim as
sot, por dilte i diskutueshëm për ne raporti i prejpjesorëve të
panyjëzuar prapashtesorë i emrave të veprimit me -im dhe -je, të cilët kanë
fjalë-temë të njëjtë prodhuese Ngase, siç na është e njohur nga
gramatika, prapashtesa -je, sipas rregullës fjalëformuese semantike del e
specializuar vetëm për temat e foljeve me bashkëtingëllore, kurse prapashtesa
-im del e specializuar mbi temë të foljeve me zanore a tog zanor -oj, -uaj dhe
-ej (pjesërisht).
Atëherë
shtrohet pyetja pse u shfaq kjo dukuri që nuk është pa gjurmë edhe pa prirje
jetësimi edhe sot? Përgjigjja s’mund të jepet aq lehtë e thjeshtë. Do të
përpiqemi ta elaborojmë sadopak pa humbur kohë. Sigurisht një alternativë e
tillë doli nga nevoja, nevojë kjo që për mendimin tonë ekziston edhe sot.
Këtë e ndjejnë më së miri ata që merren ose ballafaqohen me probleme të tilla
barazvlerësie, jo vetëm në kuadër të gjuhës sonë, por aq më tepër në raport me
gjuhët e huaja. Atëherë në notes, përveç shembujve të sipërcekur që i kishim
ndeshur në burimet tona përkatëse të kohës që e ndiqnin zyrtarisht e
rigorozisht normën, i kishim të shënuar edhe shembuj të tjerë po mbi bazë të
foljeve më –oj, -ej dhe –uaj tek të cilat veç prejpjesores më –im dilte në përdorim
mbi të njëjtën temë prodhuese edhe ajo e diskutueshmja me prapashtesën –je, Ja
disa shembuj që po i nxjerrim nga notesi:
zgjuarje (zgjim,
të zgjuarit), dërguarje (dërgim, të dërguarit), vluarje (vlim, të v(a)luarit),
rrezuarje (rrezim, të rrezuarit), dëbuarve (dëbim, të dëbuarit), paguarje
(pagim e pagesë, të paguarit), limuarje (limim, të limuarit), ftuarje (ftim e
ftesë, të ftuarit, lëmuarje (lëmim të lëmuarit), shfryrje (shfrim, të
shfryerit), shkëlqyerje (shkëlqim, të shkëlqyerit, e ndonjë tjetër.
Këto janë, pra
disa nga trajtat që i patëm vërejtur, madje disa herë të përdorura në burime të
ndryshme të kohës, por për të njëjtin destinim, po me kuptimësi të dalluar në
kuadër të treshit sinonimik. Po e përsërisim me të tjera fjalë se këtë
dukuri e kemi pasë vërejtur, pikërisht atëherë, kur norma në fuqi te ne
respektohej edhe në mënyrë të disiplinuar dhe me eufori, andaj, siç e thamë,
dilnin të diskutueshme vetëm trajtat me -je dhe assesi trajta e asnjanësve
përkatës ashtu si edhe trajtat më -im.
Meqë rregulla e
cekur prej nesh është gjithnjë në fuqi po rrëfehemi se për mendimin tonë rastet
e tilla me -je, kur përdoren nga nevoja që shtron konteksti, asnjëherë
nuk duhet të cilësohen si shkelje e normës. Themi kështu, sepse në raste
të tilla emrat përkatës me -im si dhe -esë (që theksohen sipas rregullës), si
b.f. te folja shkruaj: shkrim, shkresë, konstatohet se kishin
kaluar në nënfushën tjetër semantike, jo në emërtimin e procesit a të veprimit
përkatës. Pra kishin kaluar përkatësisht në emërtimin e rezultatit të veprimit
ose të një gjësendi konkret, ndërsa koncepti i emërtimit (abstrakt) të vetë
procesit ose ishte zbehur shumë ose kishte mbetur i pambuluar. Prandaj në raste
të tilla u ofrua dhe u pranua menjëhershmërisht (automatikisht) trajta
sinonimike mbi bazë të pjesores së letrarishtes së sotme, siç është tipi shkruarje
(emërtim i procesit). Krahaso: shkrim-i (emërtim i dokumentimit të
veprës reale të shkruar), shkresë-a (emërtim i dokumentit konkret), ndërsa
shkruarje-a (emërtim i procesit të veprimit ose veprimi i konceptit të
të shkruarit). Për të qenë edhe më të qartë, po përsërisim, kur emri më –im
kalon në fushën e emrit konkret ose mbulon koncept të përafërt me të, atëherë
vetvetiu emri me –JE fiton të drejtën e ndërhyrjes në përdorim, ashtu si
edhe trajta e asnjanësit përkatës. Por, kur trajta më –IM mbetet si emërtim i
veprimit, atëherë, as asnjanësi përkatës,jo e jo, por as trajta më –JE s’ka
vend aty, ngase s’del e nevojshme me u përdorë, por ajo, duke e lënë nën hije
asnjanësin, si me thënë, qëndron në pjesën e rezervës dhe si forcë e rezervës
brenda sistemit ligjërimor dhe pret rastin për aktivizim ose, si të thuash,
qëndron e gatshme për shërbim. Fundja, kur dihet se pjesorja e letrarishtes
mbaron me konsonant, atëherë si temë fjalëformuese formalisht nuk qëndron
kundër rregullës, që nga të gjitha foljet me konsonant emri prejpjesor i
veprimit merr prapashtesën -je. Me fjalë të tjera, kur koncepti i emërtimit
abstrakt i vetë procesit del i zbehur ose mbetet si kuti e zbrazur vakuum,
andaj trajta me -je, kur gjen kuti zbrazët, s’ka arsye të mos e zërë
vendin e liruar nga sishoqja me formantin –IM (mësim / mësuarje), madje sipas
prirjes që kemi vërejtur, trajta me -JE më shumë ka të drejtë të intervenojë se
sa asnjanësi përkatës, pra në këto raste kur është çështja tek emërtimi i
vetë procesit.
Sipas shembujve që
dhamë shihet qartë se të gjitha trajtat dalin të shënuara sipas modelit të
pranuar nga trajta e pjesores së letrarishtes, d.m.th. të toskërishtes. Nuk
dimë se nga trajtat barasvlerëse të versionit të gegërishtes do të ketë pasur
shfaqje të tillë apo jo.? Dihet se edhe më përpara miratimit të normës në fuqi,
në toskërishte një dukuri e tillë kishte përhapje të dukshme, e cila u la
jashtë norme, për arsye thjeshtëzimi. Pra, norma e sotme në fuqi e përjashton
trajtën hutuarje, duke e pranuar për të njëjtën koncept të normëzuar vetëm
trajtën hutim nga folja hutoj (me (u) hutue), e kështu me
radhë.
Pasi trajta
paralele e gegnishtes, si te shembulli hutuarje /hutuemje, nuk dimë se do të
jetë cekur diku, prandaj për ne shembulli nduemje (me ndue) si
dhe ai vumje (me vu) të shënuara krahas trajtave të asnjanësve të
nduemit dhe të vumit, që i ndeshëm të regjistruara në Fjalorin e M.
Elezit (Aty f. 387.), dilnin mjaft simptomatike dhe jo pa interes. Mendojmë se
këtu erdhi rasti të rikujtojmë se ka shpjegime, që nuk kontestohen prej
nesh se erdhe emri me -im qysh në lashtësi, kishte dalë nga pjesorja e
foljes me zanore, si p.sh.: -Oj. (*-ONj, *Oj), ndërsa O-ja me rastin e
emërformimit ka rënë, por që në raste të tjera është diftonguar
(*OU/UO)-UA/UE pra, *shkrONj: shkrO + IM - shkrim, e kështu
me radhë, proces ky që për gjendjen e sotme nuk del fort i qartë dhe i
lehtëpërkapshëm, sikurse del b.f. rregulla tjetër mbi bazë të pjesores së sotme
të foljeve me konsonante fundore që mbi te temën e qartë prodhuese formohen
prejpjesorët me -JE, si b.f. dal(ë) (me dalë) dal-je, analogjikisht: shkruar
shkruar-je ose shkruem (me shkrue(m) shkruem-je.
Sidoqoftë,
edhe kjo e vërtetë del e nevojshme të thuhet dhe njëherazi edhe të njihet edhe
më mirë. Së këndejmi, atë që e thamë lidhur me prapashtesën -JE, vërtetohet
edhe nga asnjanësit prejpjesorë të nyjshëm te nëngrupi a) të vjelë nga Fjalori
i shqipes së sotme (2002), ku të gjitha sinonimet sqaruese janë dhënë me tipin
e emrave më –JE, përveç një rasti pagë+esë pagesë (të paguarit), ashtu si edhe
te nëngrupi b) ku janë dhënë dy raste me mbaresë zero: sosë-a ( me (u)
sosë të sosurit) dhe tekë-a ( me u tekë, të tekurit), ndërsa në nëngrupin c)
emrat sinonimikë dalin të llojllojshëm sa i përket ndërtimit, veç me
prapashtesën –je qëlluarje, shkruarje e me –im: dëgjim, mendim, shkrim,
pagim; dalin në veprim edhe formante të tjera si -esë pagesë (të paguarit),
pastaj, pjesore e emërzuar (sipas mënyrës pandajshtesor): rrojë (të rruarit),
emër i nyjshëm: e qëlluar-a (të qëlluarit), d.m.th. në gjashtë raste kemi 9
sinonime alomorfe të ndryshme. Pra, përveç atyre me prapashtesën –im dhe –je
kemi nga një rast me –esë (pagesë-a), një me -ojë fundore (rrojë-a) dhe një
emër të nyjshëm me mbaresë zero ( e qëlluar-a).
Nga sa u tha më
sipër kuptojmë një fakt me interes se rrëgjimi i asnjanësve është zbatuar vetëm
tek emrat e parmë a asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar, ndërsa tek
asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë dhe sidomos tek asnjanësit prejpjesorë
nuk shfaqet, pothuajse, fare një dukuri e tillë rrëgjuese, por ata dalin
kuptimisht të spostuar në një nënfushë tjetër semantike jo të largët, por të
përafërt.
3)
Nënfushat semantike në raportin asnjanësi
prejpjesor/ barasvlerësi sinonimik
Pra, është fakt se
edhe asnjanësit e nyjshëm prejpjesorë, por jo si ata të panyjshmit, por
ngjashëm me prejmbiemërorët, konkurrohen vetëm për ndonjë pjesë koncepti nga
format e tjera, por jo për konceptin e temës së procesit përkatës.
Prandaj, për me
pasë më të qartë këtë fenomen, d.m.th. nënfushat semantike në raportin asnjanës
prejpjesor ndaj barasvlerësit sinonimik, ashtu siç e morëm nga një shembull (të
mirët e të madhtë) për prejmbiemërorët, tashti, nga tipi e
asnjanësve prejpjesorë nga foljet më -oj, po e veçojmë shembullin: të
mësuarit, të cilin po e zbërthejmë, duke e krahasuar ndërsinonimisht
me përgjegjësit e tjerë, brenda këtyre fjalive:
a) Të
mësuarit sjell fitim b) Nga mësimi ose Nga
mësimet vjen fitimi. c) E mësuara nuk harrohet lehtë ose Të
mësuarat nuk harrohen lehtë. ç) Nga e mësuara ose të
mësuarat kanë dobi të gjithë. d) Nga i mësuari ose të
mësuarit kanë dobi të gjithë.
Po përmendim
ndonjë veçori gramatikore (morfologjike) e semantike të emrave të nënvizuar në
fjalitë e mësipërme, sipas radhës:
a) Të mësuarit
- emër abstrakt, njëjës i shquar, gjinia asnjanëse, d.m.th. shprehet
koncepti vepror që ndërlidhet me veprimin e të mësuarit, përgjithësisht.
b) Mësimi
ose mësimet - emër abstrakt, njëjës e shumës, shprehet procesi i
veprimit i të të mësuarit me elemente të rezultati i veprimit.
c) E mësuara
ose të mësuarat – emër abstrakt, gjinia femërore njëjës
e shumës, d.m.th. shprehet vepra e mësuar ose veprimi i njohur më parë i
procesit të të mësuarit..
ç) E mësuara ose
të mësuarat - emër, gjinia femërore, njëjës e shumës, emër i përgjithshëm i
njeriut me kuptim pësor, jo vepror.
d) I
mësuari ose të mësuarit - emër, gjinia mashkullore
njëjës e shumës, emër i përgjithshëm i njeriut me kuptim pësor, jo
vepror.
Nga
shembujt e mësipërm po veçojmë këto veçori dalluese:
1) Nga shembulli i
parë, pika a), shohim se asnjanësi si emër abstrakt ka njëfarë afrie semantike
vetëm me emrin gjithashtu abstrakt të gjinisë femërore në njëjës e shumës, pika
c), por që gramatikisht u ndryshon gjinia gramatikore dhe nyjë-mbaresa shquese.
Krahaso: të mësuarit / e mësuara, të mësuarat, Kuptohet se e mësuara
ose të mësuarat si koncept abstrakt shprehin një proces që tashmë
nënkuptohet si i kryer, d.m.th. ka ngjarë në të kaluarën, ndërsa me asnjanësin të
mësuarit shprehet koncept që nuk del si veprim i konkretizuar kohësisht,
madje as që nënkupton qartësisht procesin e veprimit dhe as të rezultatin e një
veprimi të tillë, i cili shprehet më mirë me trajtën tjetër mësim mësimi
ose mësimet.
2) Është e vërtetë
se me shumësin e shembullit d) emër i përgjithshëm i gjinisë mashkullore
njëjësi i asnjanësit ka ngjashmëri formale, por semantikisht ka mospërputhje
diametralisht të kundërt. Njëjësi i emrit abstrakt, në njërën anë dhe shumësi i
emrit të njeriut, në anën tjetër semantikisht u takojnë, si me thënë, dy poleve
të ndryshme kuptimore, sepse, përveç treguesve kategorial njëjës/shumës
ndryshimi del shumë më i thellë në fushën tjetër: abstraksion i lartë /
konkretizim si dhe dallimi në karakterin diatezor vepror/pësor. Megjithatë, ka
propozime që asnjanësi në rasën emërore të marrë nyjë-mbaresën -ët,
të mësuarët, ndërsa shumësi i mashkullorit të paranyjëzuar ta ruajë nyje-mbaresën
-it. Krahaso: të mësuarët (*të mësuenët ose të mësuem’t a të mësuemët) ndaj të
mësuarit (të mësuemit).
3) Siç po shihet
te shembuj nën pikën c) dhe ç) që të dy shembujt janë emra femërorë që si
homoforma që janë kanë ngjashmëri të plotë formale: shqiptimore e shkrimore
dallimin i tyre mund të bëjë vetëm konteksti, andaj në analiza praktikohet që
si trajtë përfaqësuese për emërtimet e njerëzve mjafton të merret vetëm
trajta e gjinisë mashkullore.
4) Te
rasti i dytë nën b) nuk u shënua sinonimi mësuarja (Mësuarja (!)sjell fitim),
që cekej si mundësi zëvendësimi në raport me treshin sinonimik, mundësi kjo e
njohur për të shprehur konceptin e veprimit, sepse në fjalinë (kontekstin) që e
shprehëm ne nuk shihet se është lënë vend i zbrazët (vakuum), ngase trajta mësimi
nuk ka kaluar në nënfushë tjetër semantike që ka të bëjë me rezultatin e
veprimit, ku nënkuptohen të implikuara edhe elemente konkretizimi, ku
nënkuptohen edhe elemente konkretizimi.
* * *
Sidoqoftë, për të
treguar dhe përforcuar faktin se ashtu siç nuk goditet kuptimisht në gjendjen e
sotme trajta e emrit asnjanës prejmbiemërorë nga emrat e tjerë
sinonimikë, siç ishin edhe emrat e prejardhur me prapashtesat: -si,
-i, -ri etj., po ashtu edhe trajta e asnjanësit prejpjesor, aspak
nuk goditet nga emrat prejpjesorë të prejardhur me prapashtesat
përkatëse: -im, -je, - esë e të tjera dhe për të pasur ide edhe më të
qartë lidhur me këtë, më poshtë po paraqitim skemën e treshit sinonimik
të një numër të konsiderueshëm të shembujve ku mund të dallohet një zhvillim i
tillë sipas kuptimësisë përkatëse.
Mirëpo, tani, para
se të japim skemën me shembuj konkretë që lidhen me tri nënfusha të ndryshme
semantike të treshit sinonimik po japim një konstatim me vlerë që çdo
lexues mund të këtë vërejtur, nëse gjatë përcjelljes të analizës së deritashme
e ka pasur vëmendjen zgjuar:
Ndonëse prejmbiemërorët
dhe prejpjesorët i dallon tema e e ndryshme, por e qartë motivuese
fjalëformuese sipas prejardhjes përkatësisht mbiemërore / pjesore, këta tipa
i bashkon nënfusha e njëjtë semantike që e mbulojnë, d.m.th. abstraksioni i
veçantë që ka të bëjë pikërisht me konceptin në shkallën më të lartë të
procesit në kuadër të fushës së shkallëzuar të abstraksionit.
E theksuam
këtë konstatim të rëndësishëm, i cili edhe do të sforcohet, në vijim me
material të ri, sipas skemës së paralajmëruar, prandaj ia vlen të ndjekim
paraqitjet vijuese edhe më vëmendshëm:
4) Skema e
shembujve të treshit sinonimik,
sipas nënfushave semantike të tyre
Pra, në skemën e
mëposhtme në rubrika të veçanta do të ndahen tri nënfushat e cekura semantike
(3, 4, 5), por do të parashoqërohen edhe me dy rubrika të tjera
(1,.2), të cilat u janë rezervuar trajtave përfaqësuese të foljes:
1. njëjësi i
dëftores
2. paskajorja e
mirëfilltë:
3. koncepti i
veprimit si abstraksion i lartë
4. emërtimi i
veprimit (emër kuptimi)
5. emërtimi i rezultati konkret të
veprimit
1 Folja përkatëse
bluaj mësoj fundërroj kulloj trajtoj çoj shkarkoj shtroj dëshmoj hutoj kafshoj rralloj prodhoj qëlloj shkruaj ushqej çaj kthej ngrij rrit (rris) vij dal dredh bërtas fryj pres pres (prej) tres (tret) përziej lyej begenis çudit kërcej kris ngut |
2 Paskajorja e
mirëfilltë me blue me mësue me fundërrue me kullue me trajtue me çue me shkarkue me shtrue me dëshmue me hutue me kafshue me rrallue me prodhue më qëllue me shkrue me ushqye me ça me kthye me ngri me rritë me ardhë me dalë me dredhë me bërtitë me fry me pritë me pre me tretë me përzie me lye me begenisë me çuditë me kërcye me krisë me(u) ngutë |
3 Koncepti i
veprimit të bluarit të mësuarit të fundërruarit të kulluarit të trajtuarit të çuarit të shkarkuarit të shtruarit të dëshmuarit të hutuarit të kafshuarit të rralluarit të prodhuarit të qëlluarit të shkruarit të
ushqyerit të çarit të kthyerit të ngrirët të rriturit të ardhurit të dalët të dredhurit të bërtiturit të fryrët të priturit të prerët të treturit të përzierët të lyerët të begenisurit të çuditurit të kërcyerit të krisurit të nguturit |
4 Emërtimi
i veprimit bluarje-a mësim fundërrim kullim trajtim çuarje shkarkim
shkarkuarje shtruarje dëshmuarje hutim kafshuarje rrallim prodhim qëlluarje shkruarje ushqyerja çarje kthyerje ngrirje rritje ardhje dalje dredhje bërtitje fryrje pritje prerje tretje përzierje lyerje begenisje çuditje kërcim krisje ngutje |
5 E
Emërtimi i rezultatit të të veprimit etj. E blim-i
blojë-a
mësojë-a, e mësuara Ffundërresë,
fundërri, T
fundërrojë, fundërrinë T
kullojë, kullore,
kullojsë, kullor tr
trajtesë, trajtë-a Ç
çojë-a, çueshmëri S
shkarkesë, shkarkojë
shkark-u, shkarkor-i Sshtrim,shtresë,shtrojë
s shtromë, e shtruar-a
dëshmi, dëshmim h
hutojë, hutesë, hutosë
kafshim, kafshatë
rrallojë, rrallesë
prodhimtari,
prodhueshmëri e
e qëlluar, qëllatë-a sshkrim,shkresë,
shkrojë s
e shkruara, shkruesi-a u
ushqim, ushqyeshmëri ç
çajë-a, çallë e çallatë k kthim,
kthesë n
ngrijë-a, ngricë-a, rr
rritë-a, rritshmëri e e
ardhura, të ardhurat e
e dala, të dalat d
dredhë-a, dredhi-a(!)
bërtimë-a fr
frymë-a, e fryme-ja, fr frysë-a
pritë-a, e pritura, e
e preme-ja, presë-a,
presore t
tretësirë (tretje*)
e përzierja, e pëziemja
e lyera, e
lyemja
b
begeni ç
çudi, çudë
kërce-ja*, e kërcyera
krismë, krisë-a
ngutësi |
Konstatime
nga skema e mësipërme
Nga skema
mësipërme mund të nxjerrim disa konstatime e ne po i veçojmë këto:
E para, nga
konkretja mësoj (e tashme e dëftores) në sistemin foljor ngjitet
abstraksionit deri te kulmi me mësue (paskajore e mirëfilltë), ndërsa
nga asnjanësi të mësuarit a të mësuarët, d.m.th. nga kulmi i
abstraksionit të sistemit emëror më të lartë zbritet në emërtimin e
procesit mësim dhe kalon shkallë-shkallë drejt konkretizimit, rezultatit
të veprimit mësojë-a, mësimmarrje e më tutje: e mësuara, mësojtore,
mësues-i etj.
Po marrim një
shembull tjetër: nga shkruaj (me shkrue) doli të shkruarit a të
shkruarët, së këtejmi doli procesi i veprimit shkruarje-a dhe si
rezultat i veprimit: shkrimi (dokument a vepër e shkruar) dhe pastaj
emrat gjithnjë më afër kontretshmërisë: e shkruara, shkresa,. shkroja, shkrola,
shkruesja, shkrueshmëria, për të dalë edhe në nënfusha të tjera semantike, siç
janë emërtimet e njerëzve shkrues-i, emërtimi i vendshërbesave: shkrimtore,
shkresori, të sendeve konkrete shkresor-i , shkresore-ja etj.
Sidoqoftë,
ndërlidhja kuptimore e tyre del e shprehur edhe më qartë në kontekste të
caktuara, e vërtetë kjo që do të ritheksohet ose do të qartësohet edhe më mirë
kur të bëhet fjalë rreth identitetit plotësues të asnjanësve të paranyjëzuar në
kreun vijues.
E dyta, vihet re
se vetëm koncepti i veprimit, d.m.th. asnjanësi i nyjshëm prejpjesor
(rubrika 3) mbetet i pandryshuar shkrimisht, kurse në nënfushën tjetër (rubrika
4) lëvizin tipat e emrave prejpjesorë të veprimit më –im ose
më –je.
E treta, në
rubrikën 4 dhe atë 5 lidhur me emërtimin e procesit ose rezultatit të
veprimit etj. dalin të dyja trajtat e emrave me -im dhe me -je. Në të vërtetë,
siç mund të shihet më shumë raste dalin me –im te rubrika 5 (rezultati i
veprimit), por nganjëherë sipas kontekstit ka ndonjë rast që del edhe me
prapashtesën –je, siç është shembulli trejtje e ndonjë tjetër. Në të
vërtetë, në FSHS më tepër emra konkretë më -je formohen mbi termë emërore, si
barkje, bishtje, kripje, rrethje, bukje etj. (Shih: N. Veselaj, Çështje të
shqipes standarde ... I, Prishtinë 1997, f. 83.)
E katërta, ndonëse
nënfushat semantike të sipërcekura nuk dalin përherë të specifikuara
qartësisht, ato parimisht shënojnë prirje për një specifikim të tillë të
pranueshëm dhe të kuptueshëm ligjërisht që mund të formëzohet lehtë si model,
ndërkohë e me kohë, prandaj poqe se favorizohet institucionalisht nga faktorët
tanë normëzues, sipas metodës të përdorur prej nesh, specifikimi i tillë,
atëherë mendojmë gjuha jonë do të fitojë shumë dhe do të ishte e denjë t’u
përgjigjej më me sukses të gjitha sfidave që i imponohen nga koha, duke përfshirë
edhe presionin e globalizmit që vjen nën ndikimin e gjuhëve të huaja.
E pesta, zgjojnë
interes foljet e huazuara, tipi me -is e -it, tipi: begenis,
çudit, nga të cilat me prapavajtje, në analogji me emrat
abstraktë të shqipes me prapashtesën -i, u formuan jo vetëm asnjanësit të
begenisurit, të çuditurit, por edhe emrat e tipit begeni (nga
begenis me begenisë) si dhe çudi (nga çudit, me (u) çuditë, shembuj këta
që aspak nuk i konkurrojnë opozicionisht konceptit të trajtës së asnjanësit
përkatës të tipit: të begenisurit, të çuditurit. Po sqarojmë se në
turqishte begeni nuk është emër po preterit, është trajtë e
foljes përkatëse, po ashtu çudi (nga çuditi) nuk është emër në
serbishte, po rrënjor i infinitivit të saj. Këta emra në shqipe dalin të
përfshirë në emrat e formuar me prapashtesë-mbaresën -i dhe kanë
qëndrueshmëri përdorimi.
E gjashta,
në rubrikën e rezultatit të veprimit (rubrika 5) që i afrohet pothuajse
plotësisht konceptit të konkretizimit, siç po shihet nga shembujt përveç emrave
më –im, dalin edhe emra me prapashtesa e forma të ndryshme. Më poshtë po
japim të gjithë shembujt duke i dalluar elementet e caktuara
fjalëformuese:
1) më –jë fundore:
mësojë, ndërrojë, shkro(n)jë, hutojë rrallojë, shkarkojë, shtrojë, çojë
ose çajë, ngrijë;
2) më –im: shtrim,
kafshim, shkrim, ushqim;
3) me –ë fundore:
pritë, derdhë, nisë;
4) me –esë: presë,
kthesë trajtesë, shkresë, hutesë, rrallesë, fundërresë;
5) me –atë:
kafshatë, qëllatë, çallatë;
6) me së e –cë:
frysë, hutosë, kullojsë, ngricë;
7) me nyje të
përparme: e mësuar-a, e shkruar-a, e qëlluar-a, e fryme, e preme, e përzieme, e
kryeme
8) me -më: krismë,
shtromë, frymë, britmë
9) me –i, -shmëri,
-si: njohuri, dëshmi, dredhi, fundërri; prodhimtari çueshmëri, ushqyeshmëri,
pritshmëri prodhueshmëri, ngutësi;
10) me prapashtesa
të tjera sipas shembujve: -inë: fundërrinë –ore:, kullore, presore, -or:
kullor, -irë: tretësirë, -je: tretje.
11) me
formime prapavajtëse: begeni, çudi.
12) me
pluralia tantumët femërorë të nyjshëm: të ardhurat, të dalat.
Sipërfundim
Të gjitha këto
formime me prapashtesa e forma të ndryshme që pothuajse të gjitha kanë
mbështetje në pjesoren e foljes përkatëse si temë prodhuese fjalëformuese
bashkëjetojnë dhe nuk rrezikojnë njëra tjetrën, ngase i kanë të specifikuara
nënfushat semantike që mbulojnë, ndonëse nuk mohohet as konkurrenca lojale, kur
sadokudo prekin kufijtë në nënfushat semantike që mbulojnë, brenda fushës së
gjerë zakonisht të abstraksionit, por edhe me elemente dalluese të
konkretizimit, prandaj e pranojmë me rezervë dhe vetëm pjesërisht i quajmë të
drejta konstatimet e prof. Sh Demirajt, kur thotë se:
“Në një fazë të
caktuar (pas emrave prejpjesorë me -ë, procesi i mbiemrave të nyjshëm
erdhi e u bë një nga mjetet kryesoren për pasurimin e klasës së
emrave me njësi të reja leksikore” dhe “në krye të herë për këtë
qëllim emërzoheshin kryesisht format e gjinisë asnjanëse të mbiemrave të
nyjshëm që ishin më të përshtatshëm për të shprehur nocione
abstrakte, po më vonë kur gjinia asnjanëse u dobësua në ndërgjegjen popullore,
atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar erdhën e u zëvendësuan pak nga
pak ose me format gjegjëse të gjinisë femërore ose me emra të
prejardhur prapashtesorë (Shih: Gram. historike .... f.
157.),
ashtu si edhe konstatimet e prof.
I. Ajetit (vepra e cit. 95) dhe të tjerëve, ngase ne nuk e shohim aq të mënjanuar
as të zëvendësuar asnjanësin prejmbiemëror, sepse siç u provua prej nesh
emrat e tillë nuk u zëvendësuan, por dolën të specifikuar. për të shprehur
vetëm një pjesë të nocionit të gjerë të abstraksionit që, si themi, e
ndanë përpjesëtimisht, qoftë me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mira
të mirat, qoftë, me emrat e prejardhur me prapashtesim, tipi, mirësi
mirësitë me të cilët bashkëjetojnë sot e gjithë ditën në harmoni relative, duke
u specifikuar për të shprehur konceptin që ka të bëjë me
cilësinë, gjendjen ose të qenët të procesit përkatës.
Gjithashtu edhe mendimin tjetër të prof. Sh Demirajt që ka të bëjë
ekskluzivisht me prejpjesorët e tipit të bërë-t, tip ky i
cili sipas tij:
“ka ardhur
duke u mënjanuar gjithnjë e më shumë pas krijimit të
formave
të pashtjelluara të tipit për të bërë, me të bërë, një të bërë, duke u
zëvendësuar kështu ose me emra prejfoljorë prapashtesorë, ose me formën
femërore të emrave prejpjesorë të paranyjëzuar. Natyrisht në rastin e fundit ka
ndikuar edhe dobësimi i gjinisë asnjanëse” (Shih Sh.
Demiraj, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë,1988, f. 1009.),
pjesërisht e quajmë të
drejtë, ngase edhe asnjanësin prejpjesor nuk e shohim të zëvendësuar,
madje as aq të dobësuar ose të rrudhur, ngase pikërisht asnjanësi prejpjesor
sipas nesh del i ndërlidhur qëndrueshëm për nënfushën e qartë semantike që ka
të bëjë me konceptin primar të veprimit, por pa e përjashtuar tkurrjen a
spostimin për nivele a nënfushë tjetër të caktuar kuptimore po në kuadër të
fushës së gjerë të abstraksionit, siç u sqarua më sipër me shembuj konkretë
prej nesh gjatë analizës.
Po ashtu edhe mendimin e prof. A. Kostallarit, kur thotë se:
“Shqipja e
sotme letrare njeh vetëm tipin e paranyjëzuar të emrave asnjanës si
tip veprues si: të dalët të ecurit, të ftohtët, por ...(sipas tij) “edhe ky tip
po rrudhet dhe po përvijohet ndaj një sistemi njëgjinor me ndarje dihotimike
në emra mashkullorë e femërorë. Vendin këtyre emrave po e zënë në
shkallë të gjerë emrat foljorë me -im dhe -je. Kjo është një prirje
ligjësore e shqipes së shkruar që nga Rilindja e këtej” (Shih Studime
mbi leksikun...
pjesërisht e quajmë të drejtë. E
marrim me rezervë pjesën që ka të bëjë “zëvendësimin shkallë - shkallë”
etj., ngase faktet tregojnë se kjo rrudhje që nga Rilindja e këtej, madje
edhe më përpara, vlen vetëm për tipin e asnjanësve të mirëfilltë
(primitivë) të paparanyjëzuar, dhe jo edhe për dy tipat e tjerë. Është e
vërtetë se si në burime të caktuara, por më fort këtë e vërteton realiteti ynë
ligjërimor, sepse aktiviteti i asnjanësve të tillë të paranyjëzuar assesi nuk
ka pushuar së vepruari që nga Rilindja e këndej, andaj gramatikanët a
standardologët e sotëm këtë fakt të pamohueshëm, duhet ta kenë parasysh dhe ta
zbardhin më mirë.
Vetëm kështu, duke e respektuar të vërtetën në mënyrë normale mund të
arsyetohet përdorimi i formave të caktuara të tri a katër formave ndërtimore
dhe njëherazi qartësohet rruga se nga secila pjesore ose mbiemër mund të
përftohen emrat përkatës e në këtë kuadër edhe ai i asnjanësve, të cilët duke
qenë të pozicionuar në mbulimin e nënfushës përkatëse të veçantë semantike
patjetër kanë dhe të kenë edhe të ardhme.
Së fundi, po
përsërisim sqarimin tonë se asnjanësit prejpjesorë e prejmbiemërorë mbesin të
qëndrueshëm për të shprehur konceptin e veprimit, por jo edhe emërtimin
e vetë veprimit ose të rezultatit të veprimit, aq më tepër, kur
këto koncepte ndërkohë janë mbuluar me emra tipash të tjerë, kryesisht me emra
të prejardhur, ashtu siç është cekur nga profesorët tanë të nderuar: Sh.
Demiraj, A. Kostallari, Idriz Ajeti e të tjerë.
Prandaj njohja e
një fakti të tillë rreth diferencimit dhe bashkëjetesës së asnjanësve të
paranyjëzuar me sinonimet përkatëse do të shërbejë sigurisht për të mirë
të zhvillimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të gjuhës sonë sipas stileve
përkatëse funksionale, por njëherazi do të ndihmojë e sforcojë dukshëm
ballafaqimin me sukses të gjuhës sonë me gjuhë të tjera.
Pra, patjetër
lypset riinterpretuar dhe qartësuar disa konstatime, ngase me të vërtetë
asnjanësit në nënfushën e procesit të veprimit dhe të rezultatit të veprimit,
mund të thuhet se e kanë humbur luftën e konkurrencës, po ata kanë gjetur jetë
në një nënfushë tjetër të përafërt dhe aty me forca të akumuluara e ruajnë
identitetin e vet, vetëvetësi kjo që do të sqarohet dbe përforcohet edhe
më mirë në kreun vijues.