Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Viktor Hygo (1802-2002)

| E enjte, 12.11.2009, 08:14 PM |


Emra të mëdhenj të letërsisë botërore

Viktor Hygo (1802-2002)

Përgatiti: Halit Bogaj

Letërsia botërore në gjirin e saj ka shumë emra të shquar, por njëri ndër më të mëdhenjtë, pa mëdyshje është edhe Viktor Hygo – si një kaptinë e veçantë e letërsisë evropiane i cili la gjurmë të pashlyera në zhvillimin e pandërprerë të saj.

Në botën e artit letrar, Viktor Hygo ka mbetur romantiku më i madh francez dhe bardi kryesor i atij drejtimi letrar.

I lindur dyqind vite më parë dhe i lexuar nga mbarë bota intelektuale, si njëri

 nder gjenite më të mëdhenj të Globit tokësor, Viktor Hygo ishte një shkrimtar i përmasave kolosale që zgjon kurreshtje të madhe deri në ditët e sotme. Dhe si i tillë, i madh, i pamposhtur, markant dhe superior, ka mbetur përherë atraktiv, i dashur dhe shumë i kërkuar për çdo lexues të pasionuar.

Në kohën kur njerëzimi ishte çdehur nga të gjitha ëndërrimet fantastike, ai i ruante idealet e fuqishme të romantizmit dhe me emrin e tij të ndritur ishte e lidhur tërë epoka intelektuale franceze gati për një shekull të tërë.

Me të drejtë Hygon e konsiderojnë si udhëheqësin më të madh shpirtëror të romantizmit francez dhe poetin më të popullarizuar të kohës.

Ndonëse Balzaku shkruante në mënyrë realiste, Hygo ishte shumë më i dashur dhe më i popullarizuar, sepse arti i tij gjenial qëndronte pikërisht në faktin se ai deri në fund e ruajti dashurinë romantike deri në kufijtë e realitetit fantastik.

Askush nuk e ka parë asnjëherë Kuazimodonë/Nga vepra e tij ‘’Kumbonari i Kishës Notër Dame’’por dhe askush nuk kishte forcë që ta quante fantazi atë personazh aq të dhembshëm për çdo zemër njerëzore. Ndonëse i shëmtuar, ai në essence ishte shumë shpirtëbardhë, i cili e bëri të amshuar edhe vetë kreatorin e vetë, shkrimtarin, Viktor Hygo.

Romantizmi Hygean, shikuar më thellësisht dhe vertikalisht, ishte një realizëm i vërtetë nga i cili nxirrej kuptimi jetësor. Faktikisht ai ishte realist, kurse nga metoda romantik, që ishte dhunti e shekullit të tij evropian.

Rruga jetësore e shkrimtarit mbushej me shtigje të çuditshme dhe pikërisht ai vetë u printe ngjarjeve, duke u bërë zëdhënësi kryesor i tyre.

Hygo ishte kolos mbi kolosë të artit letrar dhe emri i tij ndriçonte kohëra dhe hapësira të ndryshme, duke lënë gjurmë të pashlyera edhe në vitet dhe dekadat e ardhshme .

Në personazhin e Zhan Valzhanit n ndrit shpirti i shkrimtarit grandioz, duke u bërë edhe mbrojtësi më i madh dhe fanatik i asaj bote të nënçmuar dhe të përsekutuar të njerëzve të varfër.Se çfarë rëndësie të posaçme kishte ky roman tregon edhe numri shumë i madh i  ekranizimeve filmore të tij i  cili arrin numrin 23, kurse ‘’Kumbonari i kishës Notër Dame’’14.

Viktor Hygo arrinte shpesh që t’i kthente njerëzit dhe aparatin represiv rreth vetes.Humanizmi i tij rrezatonte në çdo drejtim. Kur dënoheshin skamnorët dhe njerëzit e pafat, Hygo shkruante telegrame të ndryshme.

Apelet e shkrimtarit kundër dënimit me vdekje u bënë alfa dhe omega e kohës për heqjen e mëvonshme të këtij dënimi drakonik. Edhe dënimet me vdekje shkrimtari i konsideronte si rezultat i qeverisjes së keqe të shtetit dhe të vendeve tjera evropiane. Ato dënime aq çnjerëzore, ishin rezultat i diferencave të mëdha sociale, ku një pjesë e madhe e njerëzimit vuante nga skamja.

Ai në mënyrë energjike merrte pjesë në tubime të shumta publike të cilat kishin për qëllim t’i ndihmonin të plagosurit. Në Parisin e rrethuar, ai bashkë me të tjerët, duronin të gjitha vuajtjet dhe  të ardhurat e veta nga dramat ua jep të varfërve, të pastrehëvë dhe të plagosurve në luftë. E zgjedhnin në Kuvendin francez si deputet të Parisit, por ai prapë vazhdonte këngën e vjetër për të mos u bërë kurrë politikan por pjestar i shtresave më të rrezikuara popullore.

Në vitet e fundit të jetës së tij ishte mbret i krijimtarisë së vetë letrare .

Vdiq në vitin 1885 dhe mbarë bota përparimtare dhe intelektuale qante për vdekjen e tij. Masa gjysmëmilionshe e përcolli funeralin e tij të mbuluar me flamujt e zinj.

Viktor Hygo la gjurmë të pashlyera për një shekull të tërë në shumë gjini letrare, duke mbetur si njëri ndër idhujt më të mëdhenj të njerëzimit.

Ishte poet i madh dhe  me vargjet e veta na ngriste peshë, romansier i përsosur dhe dramaturg gjenial. Qysh në rini i botoi “Odat” e tij fenomenale, si përmbledhje e parë e vargjeve të tij të pavdekshme, të mbështetura në traditën klasike të popullit të vetë të dashur.Hygo nuk bënte pjesë në ata shkrimtarë romantikë që i iknin realitetit dhe rrjedhave bashkëkohore .

Në baladat e tij të mëvonshme,Hygo i shpallë luftë klasicizmit dhe metrikës së tij të demoduar .Vargjet dhe rimat e reja, si dhe kthesat e papritura në letërsi, tek Hygoi zbulojnë virtuozin  gjenial, vargu i të cilit na duket se fluturon dhe na fascionon.

Pas Odave dhe baladave të tij të njohura, dalin në sipërfaqe “Motivet e lindjes”që gjasojnë së tepërmi në kohën e luftrave të grekëve për çlirimin kombëtar si edhe në ato të popujve të tjerë evropianë.

Ajo ishte një ndjenjë që edhe nga Bajroni krijoi heroin dhe ku damat parisiene shkonin nga shtëpitë në shtëpi për të mbledhur ndihma per Heladën e pafat, çka rezultoi edhe me çlirimin e saj.

Në “Motivet e lindjes” nuk kishte ndonjë realitet të theksuar. Grekët e Hygos ishin së tepërmi fisnikë, kurse turqit tepër gjakpirës, çka nuk ishte fare e vertetë .Vepra ishte një frymë e re e epokës aktuale romantike dhe bëhej gjithnjë e më e popullarizuar. Ajo ishte një fëmijë i ri i romantizmit francez dhe i atij evropian.Në jetën e mëtejshme të poetit dhe të shkrimtarit Viktor Hygo, lind një inspirim tjetër  ri dhe përpjekja për ta zbuluar karakterin e vet të brendshëm.Veprat e tij të mëvonshme “Gjethet e vjeshtës”(1837),lindin pas Revolucionit të Korrikut.

Në këto tri vepra Hygo është i butë, njerëzor,i ndjeshëm dhe human, por në veprën tjetër”Këngët e muzgut”, shohim poetin me një petk krejtësisht tjetër dhe melankolik, ku dominon pikëllimi dhe dyshimet.

Populli i tij e kishte humbur vullnetin për jetë dhe shqetësimet politike ishin të përditshme dhe të padëshirueshme dhe ai nuk e dinte se çfarë të mire do të sillte Revoucioni i viteve të tridhjeta.

Hygo e ndiente se reforma ekzistuese çonte prapa interesave kombëtare të popullit të tij, por nuk e dinte se me çka mund të ndryshonte ajo gjendje.

“Këngët e muzgut”ishte vepër e një epoke kalimtare me të cilën burrërohej edhe vetë poeti, për t’i ngushëlluar të varfërit që t’i mbanin në shpirt idealet e tyre humane dhe pastërtinë  shpirtërore.

Më në fund lind vepra e tij shumë e famshme “Legjenda e shekujve”, një epope e veçantë e autorit në të cilën ai prapë nuk mund t’u ikën frymëzimeve të veta romantike.

Në këtë vepër të madhe ai dëshiron të shkruajë një histori të tërë të njerëzimit, duke i zgjedhur epokat dhe reliefet më të rëndësishme të Globit tokësor.

Hygo ishte romantik që e poetizonte realitetin dhe shfrytëzonte syzhetë historike për ta idealizuar fantazinë e tij krijuese. Ai është romantik ngase kurrë nuk ndahet nga realiteti, duke u përpjekur që përherë ta ndriçonte sa më tepër dhe me dritë sa më të theksuar.

Hygo ishte shkrimtar social dhe tendencioz në atë drejtim, sepse luftonte pandërprerë ndaj padrejtësive të bëra ndaj një shtrese të caktuar shoqërore, e cila eksploatohej në mënyrë të pamëshirshme.

Edhe në romanet e tij në mënyrë  shumë të çuditshme gërshetohen romantizmi dhe realizmi.

Më i miri ndër romanet e tij të mëhershme është “Kumbonari i Katedrales së Parisit”, i ndikuar nga Shatobriani dhe Valter Skoti.

Për këtë vepër madhështore, shkruante edhe vetë autori, se ajo ishte një pikturë e gjallë e shekullit 15, e ndodhur në Parisin e asaj kohe.

Vepra nuk ka ndonjë pretendim historik, por ajo është një përshkrim thuajse besnik i atij shekulli dhe i njerëzve të tij që jetonin nën këmbët e Katedrales gjiganteske.

Kjo vepër është një Simfoni e gjallë dhe shekullore që jeton e pamposhtur në mendjet dhe kujtimet tona, duke prezenduar një botë të veçantë njerëzore.

30 vite më vonë, pas botimit të “Katedrales së Parisit”,Hygo boton veprën tjetër monumentale “Të mjerët” (1862), e cila është rezultat i shkrimtarit shumë më të pjekur, dhe derisa në romanin e parë dominojnë ndjenjat e fuqishme romantike, në “Të mjerët”kemi një ngjarje krejtësisht tjetër të vuajtjeve sociale, ku del në sipërfaqe jeta e skamnorëve plot lotë dhe vuajtje të shumta.“Të mjerët ‘’janë produkt i romantizmit socialist, me ç’rast edhe Alfons De Lamartin i shkruante Hygoit se ishte i mahnitur me veprën e tij më të re dhe bukuritë e saj të jashtëzakonshme .

Personazhi kryesor i romanit është Zhan Valzhani, i cili jetën e kalon në mënyrë katastrofale .Ishte dimër i madh dhe familja i kishte mbetur pa bukë, kurse Zhan Valzhani e then një vitrinë për ta marrë një bukë.

E dënojnë më pesë vite burg të rëndë, por pasi bënte përpjekje që të ikte, dënimi i shtohej deri në 19 vite burgim.

Të gjitha këto tragjedi i ndodhin vetëm pse e kishte vjedhur një bukë për ta ushqyer familjen! Në burg kishte hyrë duke u dridhur dhe duke qajtur kurse kishte dalur i kalitur dhe i çelnikosur, për ta vazhduar misionin e tij madhështor, duke e rritur Kozetën dhe duke marrë pjesë në Revolucion përballë bijve më të mëdhenj të atdheut.

Në shpirtin e tij ndodhin shumë kthesa të mëdha dhe askush nuk e dinte se si kishte ndryshuar ai Zhan Valzhani i dikurshëm.

Së pari pajtohet me vetveten për veprën e bërë, sepse uria nuk e arsyeton vjedhjen, sepse po ta kërkonte bukën mbase do t’ia jepnin.

Pastaj shpeshherë e pyeste veten, se a ishte fajtor për fatin e vetë? Dhe se, a ishte meritor dënimi që ia kishin dhënë, duke ardhur në përfundim të plotë se dënimi ishte shumë më i madh se krimi i bërë nga ana e tij.

Hygo shkroi edhe shumë vepra të tjera të rëndësishme, ndër të cilat duhet përmendur edhe “Njeriun që qesh” dhe dramën”Kromuelli”.