Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Mateli: Risi dhe vlera në poezinë e Halit Shamatës

| E enjte, 12.11.2009, 08:01 PM |


Risi dhe vlera në poezinë e Halit Shamatës

 

Nga Kujtim Mateli


Poezia e Halit Shamatës është një ndërthurje e mbresave të autorit me ujëvarën e pashterur të shpirtit njerëzor, të thurura me mjeshtëri të lartë, ku tradita tërhiqet butë duke ia lënë vendin modernes, duke dhënë  një zë tingëllues origjinal, që i jep stilit të tij një mëvetësi të dallueshme në morinë e krijimeve letrare.
Frymëzimi e bën poetin që të depërtojë në të fshehtat e kohës në të cilën jetojmë,duke na dhënë dritë edhe atje ku ajo mungon.
Disa nga librat e tij kryesorë janë:
1. “Autograf”, poezi, 1990
2. “Tatuazh”, poezi, 1995
3. “Moshë e pakohë”, poezi, 1997
4. “99 paradokse”, poezi, 1999
5  “Punë dore” seria e poezisë shqipe 2006
6. “Dyer të paputhitura”, roman, 2001
7. “Dy dorëshkrime”, roman, 2004
8. “E kuqja është blu”, 2005( poezi nga Sanguineti) bashkëautor
9.   “Një vit i brisht”,   roman  2009
Të një rëndësie të veçantë janë edhe përkthimet për fëmijë:
1. “Përralla italiane”, përkthim 2005
2. “Princi kanarinë”, përkthim, 2005
3. “Përrallat më të bukura”, përkthim 2006
Po vlera e krijimtarisë së tij letrare nuk qëndron në anën sasiore. Ajo gjendet tek cilësia e veprës së tij duke na u paraqitur si poet e prozator që qëndron denjësisht përkrah disa poetëve dhe prozatorëve më në zë të letërsisë shqiptare.
Le të dalemi tek poezia e tij e cila ka një ngjyrim të veçantë dhe që lexohet me dëshirë nga lexuesit dhe dashamirësit  e shumtë të këtij poeti.
Me vëllimin poetik “Punë dore”  Halit Shamata paraqitet denjësisht përballë lexuesit . Motivet e poezisë së tij janë përthyer bukur artistikisht duke na dhënë ndjenja dhe emocione të veçanta.
Tek poezia “ Shtëpia ime më e vjetër” gjejmë një përjetim të thellë shpirtëror që ka të bëjë me ato mijëra fije që e lidhin njeriun me të shkuarën dhe, që në shumë raste, janë përjetime të asaj që bëmë dhe të asaj që duhet të bënim, por që nuk e arritëm dot. Poeti është vazhdimisht në lëvizje ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë, por ndjen se diçka e pazgjidhshme me të shkuarën e tij dhe të paraardhësve e mundon në këto kohë, kur bota i ka zgjeruar hapësirat e saj.
Po cilën ka çdo njeri shtëpinë e tij më të vjetër? Ajo është shtëpia ku njeriu ka kaluar fëmijërinë e tij, është shtëpia e prindërve dhe gjyshërve të tij. Pikërisht, shtëpia e tij më e vjetër, është vendi i ëndrrave të tij. Ato janë ëndrra që i përkasin së shkuarës. Janë  reflektime se si duhej ndërtuar e shkuara e tij dhe e parardhësve të tij.
Atje, tek ajo shtëpia më e vjetër, zë fill dhe konturohet e ardhmja e shkuar deri në ditët tona. Dhe për atë njeriu ndihet krenar, por edhe reflekton. Gjatë leximit të kësaj poezie, njeriu shkëputet për disa çaste dhe shikon edhe ai ëndrrën e tij dhe sheh se ëndrra e tij nuk është shumë e ndryshme nga ajo e poetit. Janë të njënjtat troje ku secili ka ngritur shtëpinë e tij dhe ëndrrat e tij. Janë ato troje që shpesh na bëjnë të ëndërrojmë, edhe pse kjo ëndërr i përket së shkuarës dhe ka ngecur diku si një orë e pakurdisur që nuk mund të shërbejë më për matjen e kohës.
Nga shtëpia e tij më e vjetër dhe deri tek kjo shtëpia më e re që ka secili, është një hark kohor që matet me vite, me shekuj, pse jo, dhe me mijëvjeçarë. Se njerëzit ia përcjellin ëndrrën njeri-tjetrit.
”Ëndrrat i shoh vetëm atje, në shtëpinë time më të vjetër, ku shfletohen të njënjtat mure si një libër ëndrrash.”
Poeti e gjen veten midis njerëzve. Ky është edhe misioni i poetëve: t`u shërbejnë sa më mirë atyre me të cilët kanë lidhur ëndrrat dhe shpresat e tyre. Midis shokësh e miqsh, të njohur dhe të panjohur, njeriu ndihet mirë. Është fryma njerëzore ajo që e bën njeriun të përjetojë momentet e një dimri, kur ai ndodhet i vetëm dhe i izoluar. Shoqëria njerëzore ka stinët e saj që nuk janë të njënjta me ato që sjell planeti Tokë gjatë një rrotullimi të plotë rreth diellit.
Marrëdhëniet që krijohen brenda familjes, me fqinjësinë, rrethin shoqëror apo edhe më tej, midis kombeve dhe shteteve, kanë edhe ato stinën e tyre. Njerëzit ndihmojnë që, nëse ka periudha dimërore në këto marrëdhënie, të vijë sa më shpejt pranvera. Kjo po ndodh këto kohët e fundit në marrëdhëniet midis shteteve edhe në hapësirën ballkanike.
Po kjo harmoni që duhet të shkrijë akujt dimërorë, duhet të ndodhë edhe në shoqërinë shqiptare. Nga dimri i këtyre marrëdhënieve kanë humbje të gjithë. Nga pranvera e tyre nuk ka humbje asnjeri.
Këtij kontributi i shërben edhe poeti me poezinë e tij. Ai hyn në zinxhirin e këtyre marrëdhënieve midis njerëzve dhe kërkon të jetë kontribues. Është një porosi e brezave të mëparshëm që ua kanë lënë amanet bijve të tyre. Ndoshta ky amanet është në hapësirën e mijëvjeçarëve. Ky amanet që ka patur formën e një ëndrre deri sa të bëhej realitet, erdhi deri tek brezi ynë dhe poeti gjithnjë e më shpesh vëren se është bërë diçka në zbutjen e kësaj klime.
Po kjo a do të kishte ndodhur:
“ Nëse nuk do të ndjeheshit në vetvete edhe pakëz unë?”
Po shoqëria njerëzore ekziston se ne përcjellim nga njeri brez në tjetrin veten tonë. Nuk jemi aq të largët, nëse do të shohim ëndrrat tona në breza. Nëse do të shohim fatet tona të përbashkëta, dëshirat tona, shpresat tona.
Nuk mund ta dinin se unë ua shihja ëndrrën, pasi kisha ëndërruar shumë kohë para tyre, shumë kohë para meje, të njënjtën ëndërrr që më mban shtrënguar në muzgun tim.”
Këto ënddra të së shkuarës i ngjajnë një ore që ka ngecur, që nuk punon më. Ato vijnë njera pas tjetrës duke fiksuar çaste të së shkuarës. Fiksojnë distancën midis ëndrrës dhe realitetit. Ëndrrat e së shkuarës dhe realiteti i së shkuarës janë të ndryshme midis tyre. Kujtojmë këtu historinë e vendit tonë, historinë e ëndrrave tona e të parëve tanë. E gjithë e shkuara ime, jotja, e atyre që janë dhe nuk janë më mbi këto troje, formon një të vetme, formojnë një trup rreth të cilit rrotullohen ëndrrat tona:
“ Një trup që sillet rrotull vetes në drejtim të akrepave të orës që nuk bien më për zgjim, ngaqë janë të kurdisura vetëm për ëndrra.”
Poezia e Halit Shamatës ka një tingëllim të veçantë. Ajo është një meditim mbi ekzistencën e njeriut dhe të vetë shoqërisë njerëzore. Jeta e njeriut është një copëz udhë, në udhën e shoqërisë njerëzore. Çdo njeriu, që kur lind, duket sikur fati i ka paracaktuar një copëz udhë, vazhdim i një udhe që vdekja ia ndërpreu një tjetri që ka ekzistuar më parë. Kahja e drejtimit është nga e shkuara drejt së ardhmes dhe njerëzit në këtë udhë lënë copëza nga jeta e tyre.
Shpesh njeriu pyet veten se a do ta gjejë copëzën e udhës së tij në këtë botë ku kaosi dhe rregulli ia lenë vendin njeri-tjetrit? Tek poezia “Punëdore” gjejmë mesazhe të rëndësishme për kohën në të cilën jetojmë:
“ Këtu rrugët nuk kanë drejtim dhe nuk të shpien gjëkundi,
ndonëse nisin tek unë dhe bashkë me një unë të panisur
vijnë drejt meje, natyrisht përpara meje”

Jeta njerëzore ecën në këto udhë dhe askush nuk mund t`u shmanget atyre. Ne i emërtojmë ato: udha e mirësisë, udha e urtësisë, udha e njerëzve të mirë etj. Andej nga ecin të këqinjtë i emëtojmë  qorrsokake. Atje zhytet njeriu që nuk e gjen dot udhën ku ecin njerëzia.  
“Unë kam ndodhur njëherësh në të gjitha drejtimet e përshtatura
 për doktrinë apo vese, rrymë arti, monopat a rrugë dhie
 diletante dhe të fisme, kithtas me të gjitha ecejaket (shih manualin):
këmbadorja e historisë, zvarritja periodike drejt progresit, ecja klasike
 e shoqëruar me muzikë të strehuar në një dhomë të braktisur
 nga strehët e saj të dikurshme, ku dritaret happen si plagë (punëdore)
 të sjellshme, të papërdorura, ngaqë nuk bien kurrë në ndonjë oborr.”
 Një ndjesi të veçantë të zgjon edhe poezia “Kam kollitur dritën”. Në hapësirën që na rrethon, gjërat ecin në rrjedhën e tyre të zakonshme. Na rrethon një hapësirë e paformë. “…dhe unë kam thënë, s`më kujtohet në ç`gjuhë dhe në ç`vend
ka ndodhur, por unë kam qenë aty rrotull dhe kam thënë
se kjo është mundësia e vetme….”
Fati është pjesë e jetës së njeriut. Ai nuk mund ta shmang atë. Fati trishton dhe gëzon jo vetën një njeri, por edhe një bashkësi njerëzore. I ngjan një llotarie ku askush nuk ndihet i përjashtuar. Ne shohim se si nën peshën e fatit krrusen jetë njerëzore.
Po njeriu mundohet ta ndryshojë rrjedhën e fatit të tij. Në këtë hapësirë ku ruhet fati i njeriut ne mundohemi t`i afrohemi atij dhe shohim se:
“Hingëllima e gjatë
e dritës vjen duke u shuar në mbrëmje, një përshpirtje

monotone mbi derën e shtëpisë ku një patkua i plakur
tregon orët e mbetura vejusha.”
Disa nga poezitë e këtij vëllimi tregojnë nivelin e lartë artistik dhe punën e autorit me vargun dhe gjuhën poetike që e bëjnë një poet të admirueshëm për lexuesit. Të tilla janë poezitë: “Vdekje me numër të madh”, “Zgjohet përditë një jo-unë”, “ Të hënën”,   
“Në të ikur lija ëndrrën”, “ Dhimbje oksimorësh”, “Fushë e dikurshme”, “Mistikë”, Kavaja”, “Dëshmi”, e shumë të tjera që mbeten gjatë në mendjen e lexuesit dhe e ftojnë që t`u rikthehet përsëri.
Poezia “Evropa” zgjon një kërshëri të veçantë dhe e zhyt  lexuesin në thellësi të mijëvjeçarëve, në atë kohë kur njeriu nëpërmjet miteve kërkonte të depërtonte në të fshehtën e botës që e rrethonte.
Zeusi, perëndia më e rëndësishme në jetën e stërgjyshërve tanë, ka qenë një dritë në jetën e njeriut dhe ashtu si bima që nuk mund të kuptohet që të jetojë dhe të lulëzojë pa dritën e diellit, ashtu dhe jeta e stërgjyshërve tanë nuk mund të kuptohej pa dritën e Perëndisë. Drita e diellit për natyrën dhe drita e Zeusit për njeriun kanë qenë elementët më të rëndësishëm në jetën e të parëve tanë.
Që të kuptosh Zeusin e të parëve tanë( është po ajo Perëndi që në ditët e sotme ne i themi Zot dhe i drejtohemi çdo ditë) duhet të kuptosh përpjekjet e tyre për të njohur botën që i rrethonte, por edhe rregullat dhe ligjësitë që vepronin në këtë botë.
Duke dashur të depërtojë në fenomet e natyrës dhe të jetës shoqërore, stërgjyshërit tanë e kuptuan se përveç përpjekjeve të vazhdueshme, diçka tjetër përtej qënies njerëzore i ndihmonte për të arritur atë që dëshironin. Kjo ndihmë u vinte jashtë qënies së tyre.
 Ndaj dhe poeti Halit Shamata na e thotë atë bukur poetikisht:
“Të stërgjyshët tanë të stërparët morën
Hisen e mitit(për shkrim s`u bëhej vonë)

Po le të përshkruajmë edhe historinë e mitit të Evropës për ta kuptuar më mirë këtë poezi:
Evropa ishte e bija e mbretit fenikas Agenor. Një ditë, kur ajo shëtiste në breg të detit me shqet e saj, i erdhi Zeusi i shndërruar në dem me brirë të artë. Evropa e pa, e admiroi, e përkëdheli, madje guxoi të hipte mbi shpinën e tij. Atëherë kafsha u hodh në valët e detit, që e çuan në bregun e Kretës, pranë Gortinit, ku dolën rrepe gjithmonë të gjelbër, për të përjetësuar bashkimin e dy të dashuruarëve. Evropa lindi tre fëmijë: Minosin, Radamantin dhe Sarpedonin. Për ta përjetësuar atë vajzë, që shkoi nga Fenikia e saj e largët, për t'u afruar me guxim me një botë të panjohur, të vjetrit i dhanë emrin e saj njërës nga  të katër pjesët e botës që njiheshin atëhere.
Kjo poezi që përfshin një hark kohor në disa mijëvjeçarë, është sintentizuar bukur vetëm në 14 vargje. Këto vargje shprehin jo vetëm botën shpirtërore të stërgjyshërve tanë, por edhe tonën, në këtë mijëvjeçarë të ri, ku ne po bëjmë përpjekje për të hyrë në një botë që ishte dhe njëkohësisht nuk ishte e jona. Le të përjetojmë sharmin dhe bukurinë e kësaj poezie:


Halit Shamata
 

Evropa


(sprovë për €urosonet)


Fenikasit shpikën shkrimin dhe Evropën
të bijën e mbretit të rastësishëm Agenor
Të stërgjyshët tanë të stërparët morën
Hisen e mitit(për shkrim s`u bëhej vonë)

 

Të stërparët tanë të fundit mandje qenë
Që panë si ua përshkroi tokat përbri
Miti i Evropës ecte kaluar mbi reng
Të Zeusit të shndërruar në dem  inatzi.

 

Por të parët tanë qenë natyrisht të fundit
Që mësuan të shkruajnë në kët` fqinjësi mitike
Evropa qe e mplakur kur nxunë ta humbin.

 

Në kërkim të saj përshkruan djerina fati
të lodhur nga rinia e tyne, të thneglum para
dyersh mitike që askush nuk don t`ua hapi.