| E hene, 09.11.2009, 07:42 PM |
Kontestet kufitare
SI PO RRUDHET TERRITORI I KOSOVËS NGA SHTETET FQINJE?!
Në
selinë qendrore të VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë, sot u mbajt një
konferencë për shtyp, lidhur me kontestet kufitare të Kosovës që sa vie
e shtohen. Në këtë konferencë para gazetarëve Albin Kurti, Liburn Aliu
dhe Muhamet Nikqi, i prezentuan qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të
dhëna të ndryshme, hartat e zonave ku janë uzurpuar ose pretendohen
mijëra hektarë etj.
Shikoni: Kontestet kufitare me Malin e Zi! |
Albin Kurti e hapi konferencën duke thënë që: “Përderisa
në vitin e kaluar Kryeministri i Kosovës i vendoste tabelat “Mirësevini
në Republikën e Kosovës” në disa pika kufitare në Kosovë, por jo edhe
në veri të vendit, këtë vit kanë filluar që të tjerët t’ia vendosin
Kosovës tabelat duke ia rrudhur territorin për disa kilometra. Duket
qartë se për të vendosur marrëdhënie diplomatike me fqinjët, Qeveria e
Kosovës iu jep atyre territore mijëra hektarëshe. Vetëm për pozita të
ambasadorëve, për zyra e privilegje, po japin territor. Për të qenë
edhe më keq se kaq, në Kosovë po mbahen zgjedhje lokale që krijojnë
kufij të rinj të komunave dhe i përforcojnë ata ndërkohë që kufijtë e
Kosovës janë të pambrojtur dhe gjithandej po humbin territor. Përveç
hapsirës tokësore si të tillë, në shënjestër janë kuotat e larta malore
që kanë rëndësi strategjike-ushtarake si dhe burimet e ujit.”
Më pas Albini tha që pyetja kryesore që lidhet me shkaqet e kësaj gjendjeje është:
· pse KFOR-i po lëshon pe vazhdimisht në dëm të Kosovës?
“Siç
e dimë, me 9 qershor të vitit 1999, në Kumanovë, u nënshkrua
Marrëveshja Tekniko-Ushtarake ndërmjet gjeneralëve të KFOR-it dhe
gjeneralëve serbë të Ushtrisë Jugosllave. Kjo marrëveshje pesëfaqëshe
përkufizonte shtigjet përmes së cilave trupat jugosllave do të
tërhiqeshin nga Kosova. Mirëpo, me 9 qeshor 1999, gjeneralët serbë me
gjasë i kanë kontrabanduar hartat e tyre si valide në këtë Marrëveshje,
në të cilat Kosova ka kufij të tjerë. Harta topografike e Kosovës që
është aprovuar në Kumanovë, e ku s’pati të ftuar asnjë shqiptar, nuk
përputhet me kufijtë e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Me
luftën që ende s’kishte mbaruar në njërën anë, dhe me Maqedoninë e
Shqipërinë përplot refugjatë në anën tjetër, duket se gjeneralët e
NATO-s u ngutën dhe e pranuan hartën e Serbisë për Kosovën. Sot,
anekënd Kosovës kemi probleme kufitare që rrënjët e tyre i kanë rrënjët
në Kumanovën e 9 qershorit 1999.”
Është
interesante, përfundoi Albini, që kjo është në kundërshtim edhe me
Planin e Ahtisaarit. Në nenin 3.2 të aneksit VIII të quajtur ‘Sektori i
Sigurisë’ në Planin e Ahtisaarit, thuhet që “Territori
i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e KSAK-së brenda
RSFJ-së, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988,
përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në
mes të RFJ-së dhe IRJM-së më 23 shkurt 2001.”
Aktivisti tjetër, Liburn Aliu, tha se përveç
kontesteve të tjera të mirënjohura territoriale siç janë në Debëlldeh
të Vitisë e në Karaçevë të Dardanës, qindra hektarë do t’ia marrë
Maqedonia Kosovës edhe në fshatin Restelicë të Sharrit. Kufiri nga viti
1971 ka qenë mu në pikën ku bashkohen dy lumenj, mirëpo Maqedonia ka
plane që të krijojë një liqe artificial aty dhe për pasojë humbet shumë
territor (p.sh. Ura e Tërbeshit dhe komplet dy lumejtë me burimet
përreth përfundojnë në Maqedoni asisoj). Në vitin 1971, i janë dhënë
Maqedonisë 10.000 hektarë dhe tash edhe qindra të tjerë.
Liburni vazhdoi duke treguar për kontestet me Malin e Zi: “Te
kulla, në rrugën Pejë - Rozhajë, kufiri i Kosovës me Malin e Zi është
zhvendosur 5 kilometra në thellësi të territorit të Kosovës. Në vitin
1974, kufiri ka qenë te vendi i quajtur ‘Varri i Nuses’, 29 kilometra
larg prej Pejës dhe 18 kilometra larg prej Rozhajës. Kufiri tash është
24 kilometra larg prej Pejës, te ura te Qafa e Shkallës mbi
Jabllanicës, 100 metra prej së cilës është vendosur tabela “Mirësevini
në Malin e Zi”. Me
harta të posaçme Liburni shpjegoi se në kuadër të përfitimeve të Malit
të Zi, në vitin 1974, kufiri ka qenë te Qafa e Çakorrit, e mandej në
vitin 1996, regjimi i Milosheviqit e ka zbritur te lumi Bjelluha - 8
kilometra më poshtë. Ndërkaq, në vititn 1999, KFOR-i e ka sjellur te
piramidat e betonit, edhe 5 kilometra të tjera në brendësi të Kosovës.
Kështu siç është, në këtë vend, Kosova i humb rreth 2.000 hektarë.
Në fund fjalën e mori Muhamet Nikqi njoftoj se “Shkopinjtë
sinjalizues në zonën kufitare të Malit të Zi janë çdo një kilometër,
por ato s’janë të vendosura edhe në këto 5 kilometra që i mori tash
rishtas. Në fillim të vitit 2000, doganat e UNMIK-ut janë vendosur
pikërisht te ‘Varri i Nuses’ dhe më vonë kanë zbritur për shkak se moti
është më i ftohtë te ai vend dhe me shumë borë. Po ashtu, kmpanitë të
cilat e pastrojnë borën, gjer në shkurt të vitit 2009, e kanë pastruar
e çelur rrugën gjer te ‘Varri i Nuses’, ndërkaq kompanitë e Malit të Zi
vetëm deri te kilometri i 18 larg Rozhajës. Në këtë pjesë bëhet fjalë
për gjithsej rreth 1.000 hektarë që do të humbin. Policia e Kosovës
është e stacionuar në kilometrin e 21-të prej Pejës, pra plot 8
kilometra larg kufirit. Dëshmi tjetër se këto 5 kilometra s’janë të
Malit të Zi është edhe fakti që në vitin 2002 është përfunduar shtrimi
i rrugës së asfaltuar deri në 29 kilometra larg prej Pejës, pra edhe në
këta 5 kilometrat, me ç’rast dallohet ngjyra më e çelët e asfaltit në
anën tonë ndryshe prej asfaltit në anën e Malit të Zi.”
Gjithashtu, afër 1.000 hektarë humben edhe në:
· livdhet në Stankaj,
· Qafa e Murgashit te Gropa e Madhe e Bogajve,
· Dromodoli,
· Pashajla e Shtedima.
Mali
i Zi i ka afruar shumë patrullimet e policisë në këto zona për të cilat
ka pretendime të hapura. Jabllanicë të komunës së Burimit, ku
rrezikojmë t’i humbasim qindra hektarë kullosa, shtoi Muhameti. Kufiri
i Kosovës nuk është i qëndrueshëm as te Bjeshka e Sejmovës, në
Radavc-Jabllanicë të komunës së Burimit, ku rrezikojmë t’i humbasim
qindra hektarë kullosa.
Gjithmonë
shqiptarët e Kosovës i kanë mallkuar kufijtë. Sepse, kufijtë ua kanë
përkujtuar ndarjen e dhunshme dhe kanë qenë të dhunshëm. Tash, mbase ka
mbetur të themi: eh së paku sikur t’i kishim kufijtë e kësaj Kosove të
shpallur të pavarur! Mirëpo jo, rrudhja po vazhdon dhe me gjithë këto
konteste vështirë të bëhemi rehat në të ardhmen. E dimë se sa shumë
zgjati tash së fundi kontesti midis Slovenisë e Kroacisë, por Kosova ka
probleme me të gjithë fqinjtë dhe kjo sigurisht se do të jetë
rraskapitëse prej neve. Kontestet kufitare të mbajnë peng dhe e
vështirësojnë shumë ekonominë dhe konsolidimin e brendshëm. Thjesht,
Kosova sot vetëm me Shqipërinë nuk ka probleme e konteste kufitare.
( Sllajdet nga konferenca e sotshme për shtyp mund të shkarkohen këtu. )