Suzana Kuqi: Mjegulla
| E hene, 09.11.2009, 07:59 PM |
Suzana Kuqi
Mjegulla
Mjegulla... trishtim i pafajshëm që shuan të qeshurën e qiellit
në një mantel mistik harrese të lashtë...
Koha kthehet, koha ikën e vjen e qëndron prapë në vend e ikën e kthehet prapë
në imazhe mashtruese...
skllavet e semaforit, nimfa e shtojzavalle të magjishme
dalin nga mjegulla e përrallës
u dhurojne dashuri... kalorësve mbi kuaj me sy të zjarrtë...
Mjegulla tis magjik që mbulon atë që u bën dëm syve...
dora e mardhur e një lypësi të vogël e të ngratë
zbardhet e tretet ngadalë...
Mjegulla sipar që ulet e bie sipër syve...
kujtime e mendime në harresë i kredh dhe i tret
i vjell sërish pa rradhë e pa krye...
e dinakërisht ngre siparin e një çasti gabimi fatkeq...
tej... dëgjohet një aksident...
Mjegulla, filtër mashtrues, bën të duket sikur koha ka mbetur në vend
teksa një shpirt nis e ngrihet e davaritet ngadalë në të
shiu fshin firmën e tij të shkruar për të fundit herë me gjak
mbi asfalt...
... gjak mbi asfalt...
Mjegulla, dinake e pafajëshme që shurdhon zhurmën e patingullt të kohës
që vetëm shkon e më nuk vjen...
mbi asfalt shpirti rreket e gënjehet të kapërthehet...
edhe me gjak...
...të kapërthehet me gjak...
... rreket e gënjehet...
se i njëjti çast dy herë nuk të troket
i njëjti shi dy herë nuk të lag
se e njëjta sekondë të cek veç një herë
e njëjta rreze dielli dy herë nuk të than...
Se koha vetëm ikën, ikën e më nuk vjen...
koha lëviz e nuk mbetet në vend të të presë
Bota... ndjek kahun e saj...
Gjithshka lëviz, ndryshon, e ndryshon prapë...
makinat do të ndalen sërish në semafor
skllavet nuk dhurojnë dashuri, por shesin seks
dora e lypësit të gjorë...
... aty përsëri do të jetë
Se bota... një copëz mjegulle të pafajëshme e mban gjithnjë mbi sy
pafajësisht...
gjithnjë pafajësisht...
Mjegulla... trishtim i pafajshëm që shuan të qeshurën e qiellit...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.