Vangjush Ziko: Vjeshtë kanadeze
| E diele, 08.11.2009, 07:57 PM |
Vangjush Ziko
VJESHTË KANADEZE
Poezi
EMIGRIMI
Lule dhe ëndrra-lule.
Rrugë dhe ligje të drejta.
Vullnete që hepen,përkulen.
Mendime të lira si ketra.
Borxhe dhe karta krediti
Si gjethe mëllage mbi plagë.
Shpresa që shuhen dhe ndritin
Si semafor autostrade.
E ardhmja zhduket dhe shfaqet,
Veç kush guxon, mund ta kapë.
MIRAZHI IM
Nuk jam beduin.
Përbri kam një park.
Sahara e ime është aq larg!
Gamilja e ime nuk fle në garazh.
Në ëndërr më shfaqet gjithnjë një mirazh,
Në ëndërr lartohen vargamalet varg,
Një hurdhë mes tyre që këmbët u lag
Dhe unë i ulur atje mbi gur-prag
Përpiqem ciruan e fatit ta kap.
Nuk jam beduin,
Por jam emigrant.
Makina e ime më pret në garazh.
Në zemër ka mbetur i varfri oaz,
Në sytë e mia i shtrenjti mirazh.
VJESHTË KANADEZE
Po zhvishen drurët a zhvishet jeta!
Bien mendimet e konsumuara.
Presin në heshtje që nga retë
Dushi i bardhë të bjerë shtruar.
Era e vjeshtës fshikullon njerëzit,
Gjethet e gjalla të kontinenteve
Që i rrëmbeu stuhi e detit
Edhe i solli në këto vende.
Gjethet e pjekura t'eukaliptit,
Gjethet e ngrira të bejrozës,
Gjethet e verdha të orizit
Dhe të gështenjës,dhe të mimozës...
Kopshtet e Botës era i zhveshi
(I globalizmit i serte shiu!)
Dhe i përcolli këtu t'u veshë
Gëzofn'e bardhë të ariut.
Gëzofn'e butë të një nëne
Që birëson bijtë e botës
Dhe u mëkon qumësht të ëndrrës
Për kopshtn'e ardhmë të kësaj Bote.
Vjeshtë,2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.