Ju paraqesim veteranët e arsimit - Tahir Z.Berisha
| E diele, 08.11.2009, 07:42 PM |
SHËNIME BIOGRAFIKEwww.tahirzberisha.com Tahir Z.Berisha, u lind në Vërban të Vitisë më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, maturën e mësuesisë në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup.Si 16 vjeçar mori pjesë aktive në LANÇ, kurse në moshën 18 vjeçare u emërua mësues në Zarbincë të Bujanovcit - Kosova Lindore. Veprimtarinë arsimore e vazhdoi si arsimtar në gjimnaz, drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Arsimor Pedagogjik në Gjilan. Në vitin 1956, gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve u përjashtua nga mësimi si "i papërshtatshëm politikisht". Pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së A.Rankoviqit, më 1966, rehabilitohet dhe kthehet prapë në arsim ku punoi si inspektor dhe kryeinspektor i arsimit si dhe sekretar shumëvjeçar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës.Në vitin 1986 regjimi shovenist i Millosheviqit përsëri e përjashton nga Lidhja e Luftarëve të LNÇ dhe del në pension.Gjatë shërbimit aktiv dhe më vonë vazhdimisht është marrë me shkrime letrare e publicistike. Përveç shumë artikujve publicistikë dhe punimeve të tjera profesionale, deri më tash i ka botuar këto vepra:"Trojet që nuk shuhen", Prishtinë 1993/95;"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë", I, Prishtinë 1994;"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941-1951)",II, Prishtinë 1996,"Rrëfime në veten e parë", Prishtinë 1998 dhe"Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër 2001.Në veprën e parë, "Trojet që nuk shuhen" e cila i kushtohet Vërbanit, vendlindjes së autorit, dhe Anamoravës, bëhet fjalë kryesisht për masakrat e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në vitin 1912/13, për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë si dhe padrejtësitë e tjera që iu bënë shqiptarëve gjatë kohës së Jugosllavisë monarkiste, kur shkollat dhe arsimi në gjuhën shqipe ishin rreptësisht të ndaluara. |
Tahir Z.Berisha në pension |
Në dy vëllimet e librit "Emra që nuk harrohen..." janë përfshirë portretet dhe biografitë e mbi 2000 arsimtarëve të parë shqiptarë që i vunë themelet e shkollave të para shqipe në Kosovë. Ky, pra, është leksikoni i parë i këtij lloji në Kosovë dhe Shqipëri.Ndërkaq, vepra "Rrëfime në veten e parë" ka më tepër karakter autobiografik dhe trajton situatën aktuale politiko-shoqërore në Kosovë.Vepra "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova" dallon nga veprat e mëparshme. I filluar në formë të ditarit në Prishtinë në prag të bombardimeve të NATO-s, në mbi 300 faqe në pjesën e parë, përmban shënime nga Kosova, Maqedonia, Turqia, Anglia dhe Skocia. Në pjesën e dytë bëhet fjalë për shqiptarët në Angli (për mërgatën e mëhershme dhe refugjatët e fundit e problemet e tyre). Shtojca e veçantë përmban disa artikuj, analiza dhe intervista me personalitete të ndryshme dhe korrespondencën e autorit me shokë, miqë e të tjerë. Libri është i ilustruar me shumë fotografi, skica dhe harta.Në dorëshkrim i ka mbetur edhe vëllimi i tretë i librit "Emra që nuk harrohen...".
Për ZSH, Kadri Mani
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.