Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Rexha: Shprishja e shtigjeve të ngrurta

| E diele, 08.11.2009, 07:56 PM |


SHPRISHJA E SHTIGJEVE TË NGURTA

Arsim Halili: Heshtje e shprishur,Botoi “Perspektiva”Bujanoc,2009.fq. 46.

Nga Nexhat Rexha

Poezia e Arsim Halilit shtrohet si rezultat i kërkimit të ndërdijes në korelacion të kohëve, për të arritur në konstelacion te konsolidimit të vargut poetik .Vëllimi poetik ”Heshtje e shprishur”, synon të shpalosë heshtjen  e vetmuar nëpër faza të ndryshme kohore,të cilat kanë njohur drama dhe sfida të pengesave të mëdha, e që nëpër këto shtigje, ka kaluar heshtja, herë e vetmuar e herë kryengritëse. Këto, skena të realitit ndëretnik kanë shafqur pamje nga më të ndryshmet, e në shumë raste  efektet e tyre  kanë reflektuar  vetminë me zhvillimin e monologjeve të brendshme.
    Për të thyer këtë ngurtësi të kohëve Arsim Halili, në këtë vepër ka  arritur të artikulojë ritme të ndyshme, duke i dhënë atyre komponenta objektive të përditshmërisë, të cilat pastaj marrin zhvillim e procedim artistik.
Përmbledhja poetike ”Heshtje e shprishur”, hapet me poezinë                                  ”Këngë atdheu”, me të cilën autori  dikton  mbarëvajtjen e poezive në vijim, duke shtruar përmabjtjen a veprës në dy cikle,përmes të cilëve përagatitë sfondin e poezisë dhe në mënyrën e kërkimit e të shfaqjes së jashtme  e të brendshme harmonizon tematikën  e vargjeve, si në ciklin e parë ”Mbaroi heshtja”, poashtu edhe në ciklin e dytë “Shtigjeve të jetës” .
    Shfaqjet kohore në të dy ciklet kanë ndriçimin e vet artistik dhe në vete ruajnë  dinamikën e konceptimit të vargjeve, pa iu shmangur variacioneve me të cilat autori komunikon përmes figurave e skenave ,që  i ka shtruar dinamika e jetës  gjithnjë me mënjamimet e frikës se e ardhmja mund të krijojë pasiguri,  për të zhvilluar pastaj  preokupimet, përpjekjet e kordinuara, qofshin ato në ndonjë rast  edhe spontane .
    Kërkesa  për të theksuar dhe zbardhur ngjarjet nëpër periudha  të ndryshme historike, kërkohet edhe  sakrificë, e kjo rrugë e mundimshme, ka vështirësi jo vetëm të ecet nëpr të, por është vështirë të përballohet në disa raste, autori ka shfaqur të dy tabllot e saja, sepse rruga e mundimshme, kërkon energji më të madhe, duke patur parasysh potencialin  e përgjithshëm që kërkon koha, sepse ajo nuk është e njëjtë  për të gjithë njerëzit edhe pse hapësira gjeografike  krijon të njëjtën klimë  të jashmte  për të gjithë banuesit e saj.
     Arsim Halili, duke e njohur nga afërsia sintagmën e përgjasimeve, ka arritur të artikulojë me ndjeshmëri kërkesën për liri, e cila  i ka  të mbrujtura në vete rëniet dhe ngritjet e saj dhe për këtë qëllim, ai ngre zërin  për të shprishur këtë heshtje monotone, në stinën e mundimeve. Ai kërkon që sa më shpejtë të kalojë stina idhnake, sepse dëmet e saj ishin të mëdha, e lutjet për stinën e dëshiruar nuk kanë të ndalur, sepse bashkë me këtë stinë të ëndrruar, rriten shpresat për ditët e dëshiruara dhe motmotet mund të këndojnë  lirshëm  këngën e dëshmorëve.     
    Hapësira ekzistenciale në periudha të caktuara kohore i ka edhe ndjenjat e pashmangshme, e ato shfaqen kur  don njeriu, por në shumë raste ato shfaqen edhe pa dëshirën e tij, sepse procesi i ndërdijes të kthen  më shumë  në rastet ku tragjikja ka krijuar disharmoni me atë qe njeriu ka zgjedhur në  shtegtimet e tija.
 Për këtë arsye bredhjet e ndjenjave në shumë raste pësojnë ndryshime të mëdha brenda një kohe të shkurtër, sepse fillimi i natës dhe mbarimi i saj  me ardhjen e mëngjesit krijojnë kontradikta të shpejta dhe të ndryshme e njeriu mbetet  në pamje të jashmte ai i djeshmi, por në brendësi të tij vlojnë  ngjarjet, kuptohet tragjikja   rrënqesh më shumë e sodtija për të djeshmen dhe të ardhmen, kërkon më shumë përgjegjësi. Këtë përgjegjësi njerëzore autori e kërkon më shumë nga kolektiviteti ynë.  
    Kërkesa e autorit nëpër vargje shqipton procesin personal, përkundër intencave sfiduese,ai gjenë mundësi për të fokusuar dhe për të dhënë mundësinë përfundimtare të heshtjes. Në poezinë ”Mbaroi heshtja”, ai shprehet:

Të flas është dashur
Por heshtja memece
Më kaploi

Të them diçka
Dëshirova,fsheha
Fjalën nga koha

Në fundin e pa fund
Edhe pse ma ndaluat
Mbaroi heshtja....
    Fq.12.

Pra,mbaroi heshtja, cila heshtje do të pyes lexuesi ?, heshtja e mundimeve, heshtja e ndalimeve të mëdha. Në këtë përceptim të formulimeve stilistikore është shprehur një botëkuptim dialektik i transformuar përmes togfjalëshit heshtje, që zhvillon kërkimin artistik me ngjyrime intime. Ai ka krijuar nostalgjinë e dhembjes për kohën, me të cilën ai komunikon, e thirrja bëhet që ajo kohë të mos kthehet më kurrë. Njëherit, përmes  kërkimit të emrit  të dëshiruar e mallit të  pritjes për të shënuar ditarin e jetës, siç e ka piktuaruar ai vargun e tij nëpër  ndrrimet e  kohëve, pastaj gjegrafia  poetike  përkon me mjedisin  autokton me të gjitha karakteristikat, që mund t`i bartë në vete  vargu poetik i Arsim Halilit.
Në një pjesë të këtij  vëllimi  poetik, vërejmë edhe më tej  mospajtueshmërinë me kohën në të cilën jemi duke jetuar e vepruar, ai ndjenë pasigurinë e të sotmes, sepse ajo duket e kjo dukje kërkon  zgjidhje. Në realitet lumi Ibër sot është bërë sinonim i të keqes në vendin tonë, sepse aty nuk ke qetësi  si në pjesët tjera të vendit. Kjo situatë e brengosë autorin e këto shfaqje  duken më së miri në poezinë ”Mbrëmje”.
Mirëpo, Arsim Halili në këtë vepër nuk ta merr krej shpresën për të ecur përpara, ai gjenë frymëzim dhe ka mbështetje  në shprishjen e kësaj ëndrre  të keqe. Në poezinë ”Heshtje e shprishur”, nga e cila vjen edhe titulli i librit, gjenden mënyra për të arritur tek  e  madhërishmja, e kjo madhështi pikturophet përpes shkronjës L..., e cila në thellësinë e saj ruan edhe tri shkronja të tjera, e kur ato do të bashkohen domosdo vjen fjala  LIRI. Këto dhe  vargje të tjera  harmonizohen  dhe  me vitet e qëndresës, që përmes unitet ,jo vetëm artistik, por edhe atij konkretizues bashkohen edhe shkronja të tjera për të arritur te  shkronja U , e cila kur bashkon edhe me tri të tjera, marrin forcën dhe bashkojnë të ardhmen për të dëshmuar se tani veç ka filluar të shprishin heshtjen.
Për të shprishur këtë damkë të së kaluarës, autori ka gjetur  personazhe  të dalluara të kulturës  dhe të rrjedhave atdhetare, që ditën të konkretizojnë ngjarje, e ata me karakterin e fortë për atdheuan e stolisën kalendarin e historisë me data  të shënuara, siç është nëntori, e protagonistë që flet me  nëntorët në poezinë  ”Mote të kuqërremta” është plaku i  Vlorës  Ismail Qemali.
Në cikin e dytë “Shtigjeve të jetës”, autori  ka ndryshuar qasjen e hulumtimit të këtyre shtigjeve të jetës, sepse vetë jeta ka  shumë rrugë, e për të dalë nga rrugët e dilemave, që në shumë raste  ato krijonë jo vetëm fatkeqësi, por ato në disa momente edhe të humbin në pakthim, ai sikur ndalet aty ku duhet të ndalet në udhëkryq. E udhëkryqet.e kohëve krijojnë pasqyrë më bindëse për ata që dëshirojnë të shikojnë vertikalisht të ardhmen, duke mos e harruar kurrë të shkuarën, sepse në poezinë  ”Yje të bardhë”  shpresa e njeriut është e mbushur plot me ëndrra, e këto ëndrra kanë arsye të përsëriten, sepse në brendinë e tyre ka  shtegtim, e ky shtegtim sikur flet me kohët e ndryshme, të cilat janë unifikuar për të arritur te metafora  e kërkuar, nëpër të cilën njeriu ynë ka bredhur, e ka vështruar e ka dashur, por që gjithnjë i ka munguar. Derisa, ka arritur të gjejë çelësin e shumëkërkuar, për të konstatuar se ai çelës ka ekzistuar ndër ne, por që sogjëratët nuk e kanë ruajtur ashtu siç duhej ruajtur ai. Pra, për të arritur unifikimin e kërkuar duhet sakrifikuar me jetën. E jeta e sakrifikuar i ka dhënë kuptim të ardhmes, këtë përcaktim konkret dhe prëfundimisht domethës e gjejmë në poezitë kushtuar: Dobrosinit, Agim Ramadanit, Adem Demaçit, Arben Xheladinit, Rexhep Elmazit, Adem Jasharit e disa dëshmorëve të tjerë.
        Poezia e Arsim Halilit në këtë vëllim është e shpalosur me një gjuhë të saktësuar artistike, e cila komunikon  me lexuesin pa ndojnë vështirësi, që është e rëndësishme për të arritur deri te mesazhi i kësaj heshtjeje të shprishur.Gjatë formimit të vargut, autori ka pasur kujdes, që vargu  të jetë sa më origjinal. Për këtë kujdes, poezitë e këtij vëllimi në vete bartin ide konkrete  dhe cilësohen për korrektësi artistike, duke mënjanuar abstraksionin që në shumë raste mund të  krijojë dilema për lexuesin. Arsimi për këtë qëllim i ka dhënë qartësi dhe vizion poezisë  së tij për të afirmuar  botën  estetike dhe të ardhmes artistike në përgjithësi.  

Më 18 tetor 2009