| E shtune, 07.11.2009, 08:01 PM |
II. NËNFUSHAT SEMANTIKE SIPAS TIPAVE TË
asnjanësve në shqipen
letrare
Nënfushat
semantike të asnjanësve sipas tipave u cekën paksa edhe më përpara, por këtu do
të trajtohen më në hollësi, duke i vënë në dukje veçoritë dalluese dhe afruese të
tyre sipas asnjanësve të tipave përkatës: të asnjanësve të trashëguar si emra
të mirëfilltë, asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar dhe asnjanësve
prejpjesorë të paranyjëzuar. Pra në këtë krye kemi të bëjmë pikërisht me
ndarjen e asnjanësve sipas nënfushave semantike që mbulojnë, ose që priren të
mbulojnë. Është e vërtetë se kur është fjala te tiparet afruese, kemi parasysh nënfushën që mbulojnë
dy tipat e asnjanësve të paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët).
A.
Asnjanësit
e trashëguar si emra të
mirëfilltë (të paparanyjëzuar)
S’do
mend se sipas logjikës, siç është cekur edhe më përpara, që në zanafillë emrat
asnjanës në gjuhën shqipe lindën për të emërtuar koncepte të gjërave konkrete, por
jo për nocione frymorësh me gjini të
përcaktuara, madje si duket atyre nuk u shkoi fort mbarë as për emërtime të
nocioneve abstrakte, ngase nuk na kanë lanë trashëgim emra abstraktë, po
kryesisht konkretë, pos ndonjë rasti të vetmuar, dhe kjo nga huazimet latine,
siç janë shembujt: faj-të, mend-të e
ndonjë tjetër. Kjo që thamë mund të vërtetohet edhe nga shembujt, edhe pse të
paktë që i ndeshëm të regjistruar në Fjalorin e shqipes së sotme (2002), prej
kah mund të nxirret përfundimi se me emrat e asnjanësve të mirëfilltë të
trashëguar, mbuloheshin koncepte që emërtonin dhe vazhdojnë të emërtojnë
gjë-sende konkrete, por jo të specifikuara sipas ndonjë nënfushe të qartë
semantike, ndonëse zakonisht emërtoheshin lëndë ose objekte konkrete të panumërueshme
ose edhe koncepte që nuk janë aq të thjeshta. Konkretisht, edhe pse në Fjalorin
në fjalë (2002) janë shënuar vetëm 6 shembuj asnjanësish primitivë, në bazë të
nënfushës semantike që mbulojnë, mund t’i ndajmë në këto dy nëngrupe:
a)
emra me të cilët tregohet një sasi lënde
kryesisht të papërcaktuar ose “lëndë e pa pandashme në ekzemplarë”, siç e
thotë prof Sh. Demiraj (Shih: Gramatikë
historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, f. 184), por që ishte lëndë e
lidhur ngushtë me jetën e atëhershme të shqipfolësve, si p.sh. dhjamë-t (dhjamë-i dhjamëra-t) ujë-t (ujë-i
ujëra-t), lesh-të (lesh-i leshra-t) si dhe
b)
emërtime të tjera, gjithsesi jo aq të thjeshta, që emërtonin dhe emërtojnë edhe
sot pjesë të trupit, si është krye-t,
nocion ky që ka të bëjë me kokën) dhe ballë-t
që e shënojnë për ilustrim studiuesit tanë si dhe veshë-t, sy-të, krah-të që
përmenden në burime të caktuara, gjithashtu, si asnjanës.
U
tha pak më sipër se asnjanësit e parmë (emrat e mirëfilltë asnjanës të
paparanyjëzuar), të cilët kohësisht janë krijuar më përpara atyre të paranyjëzuarve
ishin në përdorim në numër relativisht të madh, por në shqipen e sotme letrare,
siç u pa nga pasqyra e paraqitur më parë,
numri i tyre del shumë i reduktuar, gjithsej 5 shembuj të parmë, mirëpo sipas
studiuesve të gramatikës historike të shqipes (Sh. Demiraj, E. Çabej, I. Ajeti,
B. Bokshi, K. Topalli etj.) numri i asnjanësve të mirëfilltë në përdorim si
emra të parmë, d.m.th. pa nyjën e përparme, ishte shumë më i madh, po në
shqipen e dokumentuar sillen aty afër a mbi 70 shembuj, ndër të cilët janë edhe
këta që ne, duke e pasur si kriter fundoren e temës përkatëse të njëjësit
të pashquar, po i ndajmë në tri
nëngrupe:
- me –ë fundore: anë-t, ballë-t, brumë-t, djathë-t, drithë-t,
dyllë-t, dhjamë-t, gjalmë-t, mjaltë-t, ujë-t etj,
-
me temë në bashkëtingëllore: ar-të,
bar-të, faj-të, gjak-të, kos-të, krah-të, qull-të, lesh-të, mal-të, miell-të,
mish-të, petk-ët, rrush-të, tul-të,
vesh-të, shtratët etj.
-
me temë në zanore (tjetër) zakonisht të theksuar ose diftong: krye-t,
bri-të, gji-të, sy-të, dru-të, pastaj: zë, gjë, hi, fre e ndonjë tjetër.
Sigurisht numri i tyre,
mund të ketë qenë edhe më i madh se 70-shi i përmendur, ndoshta e kalonte
100-shin e ku ta dimë, kur kemi parasysh sugjerimin e bazuar se edhe mjaft
emra, gjithsesi, jo frymorë, metaforikë e metonimikë si dhe ambigjenët, që në
zanafillë, thuhet se ishin asnjanës. Sidoqoftë, asnjanësit e mirëfilltë, emra
të paparanyjëzuar, jo vetëm atëherë, por edhe tashti, ende janë mjaft aktivë
vetëm në disa të folme dhe vetëm te brezi i vjetër i folësve të atyre trevave.
Është e vërtetë, se nga folësit e brezit të ri, sigurisht të ndikuar nga gjuha
e shkollës dhe e administratës, më drejt, nën ndikimin e gjuhës së sotme
letrare, asnjanësit e këtij tipi po përdoren gjithnjë e më rrallë e numerikisht
më pak, por njëherazi, mund të thuhet se dukuria e shkrirjes po ndihmohet, përveç
institucionalisht me gjuhën letrare, në njëfarë mënyre edhe nga vetë struktura
e kuptimësisë, ngase për hir të konkretizimit, koncepti përkatës në ndjenjën e
folësve, po del më i qartë me emrat mashkullorë a femërorë (njëjës e shumës) se
me asnjanësit që mbulonin, si me thënë, jo krejt tërësinë e nocionit të
gjë-sendit përkatës, por vetëm një pjesë të tij ose një pjesë të sasisë së
lëndës përkatëse. Krahaso: njata a këta djathë ose këta (njëkëta) ujë me njëjësin
ky djathë, ky ujë, në njërën anë, ose shumësin me këta a këto djathna me këta a
këto ujna ose ujëra, në anën tjetër. Pra, me tregues që përcaktojnë profilime
lakime ose kategori të tjera të përbashkëta që nuk i ka, po thuaj, të gjalla,
sot për sot, asnjanësi përkatës.
Është çështja se koncepti
i papërcaktueshmërisë në ndjenjën e folësve po shkrihet në dobi të
konkretizimit të shprehur, me tregues gramatikorë, njëherë sipas mënyrës
polisemantike e pastaj po natyralizohet në trajtën e njëjësit të gjinisë
mashkullore ose të shumësit të gjinisë formale përkatëse aktive femërore me
prapashtesën –ra/-na.
Me thënë të drejtën, po të
shikohet më në hollësi koncepti i tillë i asnjanësit edhe pse nuk mbulohet
tërësisht në ndonjë rast, pjesa e pambuluar sipas nënvetëdijes a ndjenjës së ligjëruesit
nuk kërkon patjetër mbulesë të diferencuar nga
ekzistuesja e gjinisë mashkullore. Me fjalë të tjera, në stilin neutral,
arsyeja për ta ruajtur trajtën e veçantë asnjanëse për shumicën folëse po del
gjithnjë e më tepër si diçka jo aq e domosdoshme.
Prof. Kolec Topalli si
ndryshim a si shkak ndikimi që ka prekur paradigmat e emrave të gjinisë asnjanëse përmend këto dy dukuri:
e para, kur atëbotë ekzistonin si emra të
gjinisë asnjanëse dhe emra të gjinisë tjetër mashkullore e femërore që
shprehnin të njëjtin nocion, d.m.th. objekte të panumërueshme, si p.sh. në
njërën anë: ujë-t, gjak-të, grurë-t, mjaltë-t etj, e në anën tjetër: mel-i, tërshanë-a (tërshërë-a), avull-i, gjellë-a
etj. - andaj, sipas tij “nuk kishte kuptim që një grup emrash të
tillë, që shprehin lëndë të panumërueshme, të formojnë një gjini të veçantë,
kurse një grup tjetër të bëjë pjesë në gjini të tjera dhe
e
dyta, mungesa e paradigmave rasore të asnjanësve që dilte vetëm në emërore e
kallëzore dhe jo edhe në rasa të tjera dhe kjo vetëm në trajtën e shquar, prandaj
mbetej të zëvendësohej (vetëm një element formal mbase jo aq i domosdoshëm),
pra mbetej të zëvendësohej vetëm nyja
shquese e gjinisë asnjanëse -të, e
cila mbetej të përballet me nyjat konkurrente të gjinive të tjera.
Ndërkaq, si dukuri që e kanë favorizuar
çintegrimin e gjinisë asnjanëse dhe shkrirjen e saj në gjinitë e tjera, sipas
tij janë:
1)
fundoret e njëjta mish, lesh, elb, vaj
ndaj gjysh, qelb, përkatësisht drithë, dyllë, djathë, emënë ndaj gjumë, lumë, gjarpënë etj.;
2)
në rasat e zhdrejta gjinia asnjanëse ishte integruar prej kohësh,
përgjithësisht në gjininë mashkullore
dhe
3)
edhe fakti se dallimi i emrave asnjanës
nga gjinitë e tjera ka karakter sintaksor, pasi dallimi i tyre bëhet vetëm me
nyjën shquese ose nga përemrat dëftorë,
pronorë etj si tregues të veçantë të
implikuar në këtë gjini.
Për
të gjitha këto përfundon autori, “gjinia
asnjanëse sot paraqitet me karakter
reliktor, ngase emrat e tillë kanë kaluar në dy gjinitë e tjera, por kryesisht
në gjininë mashkullore, ku janë integruar”. (Shih Seminari 26/1, Prishtinë 2007 f. 212--213.)
Sidoqoftë,
ne pa i kontestuar mendimet e prof. Topallit, që vlejnë vetëm për asnjanësit e
tipit të parë, megjithatë, po shtojmë
edhe këtë se në disa raste edhe te kjo dukuri që duket se është në proces e
sipër të tkurrjes a të zhdukjes përfundimtare, paraqiten disa përjashtime. Mendojmë
se varësisht nga konteksti, mund dhe duhet të frenohet dukuria e tillë
rrëgjuese, në njërën anë, por edhe mund të përshpejtohet shuarja e trajtave përkatëse, në anën tjetër. Kjo varet,
mendojmë ne, nga qëndrimi i faktorëve kompetentë (standardologëve) tanë ose nga
vlerësimi objektiv kritik që duhet t’i bëhet çështjes. Gjithsesi varet edhe nga
vetë shqipfolësit, përkatësisht vetë krijuesit letrarë ose ligjëruesit me
identitet të formuar gjuhësor. Gjithsesi, çështja duhet të vështrohet, duke e
pasur për bazë interesin më të lartë thelbësor strukturor e më gjerë të
sistemit emëror në kuadër të mbarëvajtjes së përgjithshme të sistemit të tërësishëm
ligjërimor të gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera, në raste të tilla duhet vepruar
me kujdes, gjithnjë duke e pasur parasysh interesin që del nga pasqyrimi i
dukurisë së caktuar në vend të caktuar dhe në situatë të caktuar. Duhet bërë,
pra, vlerësimin sipas nevojës, çka duhet të ruhet apo të mos ruhet më tutje si
pasuri e trashëguar që është dhe që ka ndërlidhshmëri me asnjanësit.
Na
merr mendja se këtu është vendi të theksohet mendimi i Migena Ballës, e cila po
për asnjanësit e këtij tipi, pasi thekson se:
“... për rrethanën, sidoqoftë, të folmet
(e qytetit të Vlorës) nuk janë kudo uniforme as në bjerrjen as në ruajtjen a
gjallimin e kësaj dukurie” shprehet
me këto fjalë:
“Ndërkaq nuk mund të mos vëmë re se, se gjinia asnjanëse,
edhe pse tashmë në rrudhje e sipër, ka edhe disa funksione me vlerë stilistike,
për hir të të cilave, mendojmë se do të vijojë të ketë përdorim e vlerë
shprehëse, si në gjuhën e shkruar, ashtu edhe në dialekte”. (Shih:
Seminari 26/1, Prishtinë 2007 f. 293.)
Pra, duhet të kihet
parasysh fakti, nga standardologët tanë, që jo vetëm të shpëtohen disa raste të dobishme ose të domosdoshme për gjuhën
letrare të tipit të asnjanësve të mirëfilltë (emërorë) të paparanyjëzuar, siç
janë frazeologjizmat e trashëguar,
por edhe të kultivohen shprehje të
veçanta sidomos në situata gjegjëse, të krijuara, qoftë nga gjuha e popullit,
qoftë nga krijuesit e caktuar letrarë. Në të vërtetë, ndonjë rast efektiv i kësaj
natyre do të ceket, paksa prej nesh, në kreun e fundit të këtij punimi. Po, këtë
rast, po shtojmë një të dhënë me shumë rëndësi. Vetëm mbi bazë të emrit ujë-t në Fjalorin Mehmet Elezit janë
regjistruar mbi 80 frazeologjizma mjaft cilësorë, ndërsa mbi bazë të emrit krye-t mbi 100 të tillë.
Karakteristikë e këtij
tipi asnjanësish, siç u cek, është se aktualisht nocioni i emrit përkatës
shpjegohet po me të njëjtin emër, por të konvertuar në gjininë mashkullore. P.sh. :
Fjala mish-të
shpjegohet se kemi të bëjmë me gjininë asnjanëse të emrit mish-i
(njëjës) ose me mishra-t a mishna-t (shumës).
Pra, kjo veçori dallohet
më qartë kur të krahasohet, siç u pa, me trajtën përkatëse korresponduese të
grupit leksiko-gramatikor të emrave të lëndës të gjinisë mashkullore njëjës, ku
tash sa kohë po shkojnë duke u shkrirë funksionalisht treguesit e emrit
asnjanës të këtij tipi. dhe që të dyja trajtat mbi të njëjtin rrënjor
normativisht janë të pranuara. Sidoqoftë, asnjanësit e këtij tipi nuk na duket
se kanë perspektive prodhimtarie. Prandaj
ndonëse zgjon interes, sipas mendimit tonë, shembulli qallë-t, sinonim për syzat (FGjSh 2006,
f. 867) ai nuk motivon dhe nuk mund ta dimë sa do të ketë jetëgjatësi faktike në
ligjërimin tonë aktiv aktualisht.
Si përfundim, asnjanësi i
tipit të parë, edhe pse nuk ka ndërtim analitik, po sintetik ka pësuar dhe po
pëson çintegrim, sepse nuk e ka të specifikuar nënfushën e veçantë semantike,
ngase për të njëjtat nënfusha semantike konkurrojnë edhe emrat i gjinive të
tjera aktive gramatikore, sidomos ajo mashkullore, andaj thjeshtëzimi i tillë
evolutiv në gjuhë parimisht del i drejtë.
B.. Asnjanësimi
i mbiemrave të paranyjëzuar
Para se të analizojmë
emërzimin e mbiemrave të paranyjëzuar po e shfaqim mendimin tonë për një rast
të shënuar në FGjSh 2006 si asnjanës: të
papunët (Aty f. 747), i cili sqarohet me zbërthimin kuptimor: papunësi (të qenët i papunë), shembull
ky të cilin e konsiderojmë të
diskutueshëm. Pra e konsiderojmë të diskutueshme këtë trajtë për këto dy arsye:
së pari, për mendimin tonë
nuk ka mbështetje prejardhjesore, as mbiemërore as prejpjesore, ndonëse është
fjalë e paranyjëzuar dhe
së dyti, si antonim nuk
është fort i qëlluar, ngase për të shprehur një nocion abstrakt në raportin
antonimik: punësi / papunësi, përkatësisht
të punësuarit / të papunët, më
motivueshëm do të dilte antonimi të
papunësuarit, d.m.th.: të
punësuarit/të papunësuarit, jo të
papunët, sepse emri të papunët (i papuni frymor), përkon me antonimin mepunët (!), ai që është me punë,
d.m.th. i zënë me punë (i punësuar) ose të qenët i zënë me punë (si dukuri).
Krahaso: është pa punë, është me punë.
Ndërkaq nëse mendohet të
papunët si emër abstrakt, me të cilin shprehet një dukuri shoqërore papunësia,
atëherë duhet vlerësuar se një koncept i tillë del i nevojshëm apo jo të
shprehet në atë mënyrë?!
Sidoqoftë duke e lënë shembullin e tillë të
diskutueshëm,ngase shembullin e tillë nuk mund ta krahasojmë as me shembullin të pangrënët, që del nga paralelja e
kundërt të ngrënët, kurse shembulli
ynë nuk e kanjë paralelizëm të tillë, megjithatë,
shpreh gjendje, andaj shembullin në fjalë mund ta quajmë si përftim kontekstual a si një fjalë të shpifur
spontanisht, e ku ta dimë. Pra duke e lënë këtë çështje të hapur, tashti po i
kthehemi shtjellimit të temës sonë sipas titullit të shënuar.
Asnjanësit prejmbiemërorë
të paranyjëzuar në FShS 2002, sipas nënfushës semantike që mbulojnë, i
merenduam në dy grupe: së pari, ata që shprehin një cilësi, dhe së dyti, ata, me të cilët tregohet një gjendje ose një të qenë.
a)
Prejmbiemërorët me kuptimësi cilësie
Me kuptimësi të qartë
cilësie në burimin në fjalë, të regjistruar, i ndeshim këta shembuj:
të bardhët (bardhësi), të butë-t
(butësi), të egër-it (egërsi), të ëmbël-it (ëmbëlsi), të fortë-t (fortësi), të
ftohtë-t (ftohtësi), të keq-të (për/keqësi!), të kuq-të (kuqëlim), të lartët
(lartësi), të lehtë-t (lehtësi), të hollë-t (hollësi), të mbarë-t (mbarësi), të
mirë-t (mirësi a mirëni), të ngrohët-it (ngrohtësi), të thatë-t (thatësi), të
verdhët (verdhësi), të zbehtë-t (zbehtësi), të zi-të (zi-a, zymtësi),) –
gjithsej 18 shembuj.
Në
të vërtetë, në burimin në fjalë sqarimi i asnjanësve të caktuar nuk del
parësorisht për të gjithë shembujt me kuptimësinë, sipas barasvlerësve
sinonimikë përkatës, siç i shënuam ne në kllapa, por vetëm për shumicën e tyre.
Por me gjithë kuptimet polisemantike të ndryshme që i shoqërojnë shembujt,
madje edhe me emra konkretë, kuptimi strumbullar i asnjanësit ose bërthama
kuptimore nuk largohet nga kuptimi i përgjithshëm i ngjyresës përkatëse
semantike, çështje kjo për të cilën do të ndalemi më në hollësi, pasi t’i përmendim edhe shembujt e nëngrupit
tjetër.
b)
Prejmbiemërorët me kuptimësi gjendjeje a të qeni
Si asnjanës mbi bazë mbiemërorësh jocilësorë (a të ndonjë sifoljori!), me të cilët shprehet një
kuptimësi jo e qartë cilësie po e ndërthurur me një dozë paksa më të theksuar gjendjeje
a të qeni (ndjenjë, kohë) drejtpërdrejt ose në mënyrë të fytyruar i cilësuam
disa shembuj, të cilët i ndeshim në numër jo aq të konsiderueshëm në Fjalorin
në fjalë. I quajtëm rrëshqitazi edhe sifoljorë
(!), sepse në koncept, ashtu si vetë varianti prejfoljor i emrit përkatës
edhe me ta shprehet një të qenë a gjendje ose një ndryshim i gjendjes. Edhe
këta po i shënojmë duke i shoqëruar në kllapa
me sinonimet e mundshme përkatëse,
si p.sh.:
të gjallët (n/gjallje, gjallëri), të lagët-it (lagështirë), të lig-të (ligësi, ligështim), të madh-të
(madhështi), të mugët-it (mugëtirë), të ndotë-t (ndotshmëri!), të ndytë-t (ndytësi/rë),
të nxehtë-t (nxehtësi, zjarrmi), të majmë-t (majmëri), të pështirë-t
(pështirësi, neveri), të fikët-it (fikje, humbje e vetëdijes), të rëndë-t
(rëndesë, rëndë-a, sëmundje), të pakët-it (m/pakje!), të ri-të (rini-a), të
tepërt-it (tepri-a), të vështirët (vështirësim – gjithsej 16 raste.
Ç’është e vërteta, ndonjë
shembull që ne e cilësuam sifoljor
ose jocilësor, nuk ka veçori aq të
prera dallimi me cilësorët e mirëfilltë, në njërën anë dhe me asnjanësit
prejpjesorë, në anën tjetër, por ne e pagëzuam kështu për hir të veçorisë
kuptimore që shprehin aktualisht shembujt e caktuar, sepse sipas këtij kriteri,
nocioni i shprehur më tepër i takon nënfushës së asnjanësve prejmbiemërorë se
atyre prejpjesorë ose në raste edhe atyre prejndajfoljorë. Krahaso raportin
semantik: të lagëtit (nga i lagët-i,
ndaj të lagurit (lagur me lagë) ose të
nxehtët (nga nxehtë i nxehtë-i) ndaj të nxehurit ( nxehur me nxehë).
Prandaj në vazhdim po
përpiqemi të sqarojmë se cili është a duhet të konsiderohet si kuptim
strumbullar i përzgjedhur i asnjanësit prejmbiemëror të cilësisë dhe cili i
prejpjesorit jocilësor, sepse sipas përkufizimeve përkatëse në
Fjalorin në fjalë kjo çështje nuk del e qartë.
Në burimin në fjalë, siç
do të duhej, nuk respektohet kriteri që kuptimi i parë strumbullar të jetë i nocionit
abstrakt dhe si i tillë ky kuptim të zërë vendin e parë të radhës e pastaj të
vijnë kuptimet e tjera polisemantike që mund t’i ketë emri i caktuar. Aty (në
Fjalor) jepet në mjaft raste si kuptim i parë nocioni i një gjë-sendi konkret
që bie ndesh me destinimin historik burimor, por edhe të sotëm motivues të
asnjanësit prejmbiemëror që iniciohet drejtpërdrejt nga tema e qartë
fjalëformuese. Siç dihet emri i tillë, që e ka motivimin, ose që duhet ta
kishte, qoftë në një koncept cilësie (pika a), qoftë në një koncept gjendjeje a
të qeni (pika b), në radhë të parë, kuptimisht duhet me e shprehë nocionin që i
takon fushës së abstraksionit. Këtë çështje po e qartësojmë sadokudo më në
hollësi më poshtë.
1.
Rreth kuptimit strumbullar
të asnjanësit prejmbiemëror
Të vihet re se sinonimet e
shënuara në kllapa për shembujt e paranyjëzuar, qoftë nga hartuesit e Fjalorit
në fjalë, qoftë edhe prej nesh, dallojnë qartë semantikisht nga nocioni parësor
që kanë sot asnjanësit e mirëfilltë prejmbiemërorë, por megjithatë, ne, formën
e tillë e konsideruam si barasvlerësin
më të qëlluar semantik, më të përafërt me realitetin e sotëm, Këtë që sapo e
thamë, për ta kuptuar më mirë, po përpiqemi ta shpjegojmë më poshtë, duke e
ilustruar me ndonjë shembull konkret. Siç dihet, b.f., fillimisht formimi i
asnjanësit të tipit të bardhët, të kuqtë
e të ngjashëm është motivuar nga tema e qartë fjalëformuese e mbiemrit përkatës
(asnjanës: të bardhët ose (i) bardhë, të kuqtë ose (i) kuq etj. dhe mbi këtë bazë është
bërë emërzimi për të shprehur konceptin përkatës në fushën e abstraksionit, por
që ndërlidhej domosdo metaforikisht a drejtpërdrejt me konceptin e cilësisë nga
tema prodhuese motivuese. Pra, me fjalë-emrin
të bardhët do të shprehej një
kuptimësi, qoftë drejtpërdrejtë me ngjyrën e bardhë, qoftë tërthorazi, siç u
cek, një kuptimësi metaforike simbolike e një dukurie përkatëse. Kështu mbase fillimisht
mund të shpjegohej prejardhja e të gjitha emërzimeve nga mbiemrat e
paranyjëzuar.
Na është e ditur se po ato
cilësi të emrit që shprehin mbiemrat e thjeshtë të mirëfilltë, siç janë:
a) madhësia e forma, tipi i madh, i gjerë, i lartë etj,
b) ngjyra: i bardhë, i kuq, i verdhë etj. si dhe
c) vetia fizike e shpirtërore, si
i butë, i fortë, i njomë, i bukur, i ëmbël etj. (Shih K. Topalli, vepra
e cit. f.. 32.),
po ato dalin të mishëruara edhe
tek asnjanësit prejmbiemërorë, pra të emërzuar mbi të njëjtën bazë.
Këtë fakt, që sa e zumë në
gojë, po e theksojmë në mënyrë të veçantë për arsye se në FShS (2002) nuk është
vepruar kështu në mjaft raste. Ndodh, jo rrallë që aty si kuptim i parë ose si
veçori karakteristike e motivuar me dalë jo kuptimësia e një madhësie, e një ngjyre
a e një vetie fizike, po një kuptimësi tjetër, pra jo ajo që ndërlidhet me
temën fjalëformuese. P.sh. aty në vend se të shënohet parësorisht karakteristika
prejmbiemërore që ka të bëjë me cilësinë përkatëse, qoftë edhe simbolike (kuptohet
me nocion abstrakt) del emërtimi i një gjë-sendi konkret, si b.f. kuptimi i
parë për konceptin të bardhët del krem-zbardhimi,
për të kuqtë - (laps)
buzëkuqi, për të hollët del ije (pjesë e trupit), për të
lartët del vend, ndërsa për të verdhët,
të zbehtët del verdhëza (sëmundje,
si shenjë pasojë), për të lehtët, të
rëndët, të hollët, të fikët, del shpjegimi: alivani, alivanosje (d.m.th. sëmundje), të ftohtët ka barasvlerësin plevit
(sëmundje dhe, po ashtu, trajtat: të
pështirët, të vështirët, të pështjellët,
të ndotët, shpjegohen me krupë,
neveri (sëmundje), duke u larguar kështu nga kuptimi fillestar abstrakt që i takon edhe sot natyrës së
mbiemrit përkatës ose edhe emrit cilësor me prapashtesën –si.
Ne, nuk kontestojmë të
vërtetën se me rastin kur janë vjelë emrat e tillë, madje edhe në gjendjen e
sotme me ta diku-diku mund të shprehet koncepti i sipërcekur përkatës, por
tërheqim vërejtjen e ngulmojmë që këto koncepte asnjanësi duhet a mund t’i ketë
si koncepte të dorës së dytë a të tretë, dhe jemi të sigurt se, b.f., trajtat e
emrave të tillë në konkurrencë lojale me emërtimet e zyrtarizuara, sidomos për
gjë-sende konkrete ose të sëmundjeve, në ballafaqim me emërtimet zyrtare të
sëmundjeve, do ta humbin atë konkurrencë, nëse deri tani nuk e kanë humbur,
prandaj në fjalorët e tipit normativë shpjegues standard, patjetër së pari në radhë,
duhet të shënohet kuptimi strumbullar që ndërlidhet me konceptin përkatës të
abstraksionit të lartë që shpreh asnjanësi sipas motivimit që e jep tema e
qartë fjalëformuese e pastaj mund a duhen shënuar edhe kuptime vargore polisemantike që ende mund t’i shprehë emri i
tillë i gjinisë asnjanëse.
Po ritheksojmë faktin se
kur është fjala te shembujt që i jep prof. A. Zymberi, lidhur me mbiemrat e
emërzuar mbi bazë pjesoreje të shkurtë
kalbë me kalbë ose ndrydhë me ndrydhë, siç ishin rastet të kalbëtit (pjesa e kalbur e mollës), të ndrydhëtit (pjesa e ndrydhur e
këmbës) etj. ku nuk ka sinonim alternativ me barasvlerësi të plotë zëvendësimi,
emërtimet e tilla, duhet të legalizohen
në përdorim normal. Pra asnjanësit e tillë që dalin të nevojshëm për mbulimin e
koncepteve të veçanta për gjëra me cilësi konkretizimi duhet të vlerësohen si
të pranueshëm në shqipen standarde, por, gjithsesi të shënjohen, si raste të
veçanta për nënfushën semantike që shprehin.
a)
Rreth sinonimisë së
asnjanësve prejmbiemërorë të cilësisë
Siç mund të shihet nga pasqyra e shembujve
të grupimit të parë, të gjithë barasvlerësit sinonimikë të asnjanësve
prejmbiemërorë të cilësisë, ndonëse nuk shprehin plotësisht të njëjtin koncept,
dalin me prapashtesën –si, përveç dy
rasteve: zi-a për të zi-të dhe kuqëlimi për të kuqtë. Që sinonimet e caktuara nuk e shprehin
të njëjtin koncept kemi si provë faktin se të gjithë asnjanësit cilësorë mund
të zbërthehen me treguesin sintagmor: të
qenët a me qenë + mbiemri (njëjës mashkullor). Letrarishtja e sotme
rekomandon zbërthimin: të jesh + mbiemri
përkatës, por ne na duket sadopak më natyrshëm me dalë zbërthimi me asnjanës ose me paskajoren e mirëfilltë +
mbiemri përkatës se me formën e lidhores (veta e dytë njëjës). Andaj pritet me të drejtë rehabilitimi i
trajtave të paskajores së mirëfilltë në standard, siç është kërkuar. Krahaso: të mirët, d.m.th, me qenë ose të qenët i
mirë; të bardhët – me qenë ose të qenët i bardhë, e kështu me radhë, ndërsa
sinonimi në kllapa zbërthehet me paskajoren e foljes ndihmëse: me pasë: me pasë + emri përkatës, ndërkaq letrarishtja
e sotme rekomandon të kesh + emri
përkatës (trajtë e lidhores veta e dytë njëjës). Pra me mirësi kuptohet me pasë sjellje
a cilësi të mira ose me qenë i pajisur me të mira. Gjithashtu me emrin bardhësi kuptohet figurativisht se duhet me pasë (d.m.th., jo vetëm të kesh ti) veçori të larta ogurbardha morale e të tjera, por me kuptim
përgjithësues që vlen për të gjitha vetat njëjës e shumës, përgjithësim ky që
shprehet natyrshëm me trajtën e paskajores me
pasë.
Këtë
që sapo u përpoqëm ta shprehim rreth asnjanësit në raport me sinonimet
përkatëse, po e ilustrojmë me këtë dialog të mundshëm:
-Këtë
të mirë ta kthefsha me të mirë dhe me të mira.
-E mira është kat-kat, more vëlla, Ajo
shihet më së miri jo me sytë e ballit po sytë e mendjes.
-Sidoqoftë,
me mirësi fitohet e këndellet më lehtë
edhe çdo zemër e thyer!...
Pra, kemi vërejtur se të
gjithë asnjanësit mund të zbërthehen kështu, si u tha më lartë dhe njëherazi
konstatojmë se mund të ketë ndërkëmbime në nuanca, ashtu siç mund të ketë edhe dallime
në këtë tresh a katërsh sinonimik: të
mirët – asnjanës – koncept i përgjithshëm abstrakt, e mira, po emër abstrakt, femëror
i paranyjëzuar, me të cilin gjithsesi paraqitet një veprim a ide e konceptuar,
si të thuash e konstruktuar me ndonjë element konkretizimi, siç është treguesi kat-kat, ndërsa me mirësi, po emër
abstrakt i gjinisë femërore, i prejardhur me prapashtesën –si, me të cilin paraqitet se shprehet diçka edhe më konkrete nga
shembulli i mësipërm po i kësaj gjinie, si me thënë shprehet sadokudo materializimi
i vetë idesë së konceptuar ose rezultati i procesit përkatës si rrjedhojë e
punës së mirë, d.m.th. e së mirës, nocion
ky që ende qëndron në fushën e abstraksionit, po duket se ka elemente të
konkretizimit relativ.
Fundja këtë dhuratë që ia
jep copë në dorë a llokum në gojë gjuhës sonë I lumi Zot, të
breruar atavikisht edhe me hyjnizim magjik, duhet ta njohim më mirë, ta
shfrytëzojmë që të gjithë ne shqipfolësit dhe ta trashëgojmë ogurbardhësisht e
jo ta anashkalojmë, ta rrudhim ose edhe ta zhdukim subjektivisht. Këtu nuk e
kemi fjalën për stilin administrativ sa për stile të tjera. Sido që të jetë, ky
është një fakt që tregon se kuptimi i formave të asnjanësit prejmbiemërorë në
raport me barasvlerësit sinonimikë (sidomos me emrat e prejardhur), ndryshon jo
vetëm për nga forma e gjinia, por edhe për nga brendia, nga përmbajtja ndërlidhur
me nënfushën semantike që mbulon e së këtejmi ndryshon edhe nga mënyra e
zbërthimit semantik. Në këtë kontekst, këtu mund të hetohet një çështje me
shumë rëndësi. Ndërsa koncepti i asnjanësit mbetet në fushën e abstraksionit,
ai i emrave të prejardhur me –si etj.
tregon procesin e formësuar, mjaft të ravijëzuar po në fushën e abstraksionit,
por të pajisur shkallë-shkallë me elemente semantike gjithnjë e më afër
konkretizimit.
Prandaj në asnjë rast
sinonimet e tilla nuk duhen konsideruar si plotësisht identike ose që mund të zëvendësohen
për të shprehur të njëjtin nocion në fusha të caktuara të dijes e të
veprimtarisë. Këtë fakt po e ritheksojmë në mënyrë të veçantë sepse disa
gjuhëtarë e krijues letrarë, madje edhe ndonjë përkthyes i pa përvojë të duhur,
pa të drejtë, asnjanësit prejmbiemërorë cilësorë po i zëvendësojnë me emrat
përkatës të prejardhur, kryesisht me prapashtesën –si ose edhe me ndonjë
tjetër, pa e vrarë mendjen se me një
veprim të tillë subjektivist po e dëmtojnë shumë mozaikun e të shprehurit të
tërësishëm të gjuhës shqipe.
b) Rreth sinonimisë së asnjanësve prejmbiemërorë
jocilësorë
Siç mund të shihet nga shembujt
e mësipërm, nën b), asnjanësit jocilësorë që shprehin një gjendje a të qenë,
dalin me sinonimi mjaft heterogjene, prandaj edhe veçoritë dalluese të tyre
janë edhe më të dukshme dhe më të ndërlikuara seç dilnin tek asnjanësit
prejmbiemërorë cilësorë. Siç mund të
shihet, në 16 rastet nga pasqyra e nëngrupit të mësipërm dalin së paku
njëmbëdhjetë (11) forma sinonimesh me prapashtesa a fundorë të ndryshëm. P.sh.
1) më -im: ligështim (të ligtë);
2) më –irë: lagështirë (të
lagëtit), mugëtirë (të mugëtit), ndyrësirë (të ndytët);
3) më –je: n/gjallje (të
gjallët), m/pakje (të pakëtit);
4) më –si: nxehtësi (të
nxehtët), pështirësi (të pështirët), vështirësi (të vështirët);
5) më –i: tepri
(prejndajfoljor i të tepërtit), zjarrmi (të nxehtët),
6) më –ni: rini (të ritë);
7) –shmëri: ndotshmëri (të
ndotët), ngjashmëri (të ngjarët);
8) më -shti: madhështi (të
madhtë);
9) më –ri: gjallëri (të
gjallët), majmëri (të majmët);
10) me zero-mbaresë:
rëndë-a, (të rëndët);
11) dy raste janë sqaruar
me barasvlerës sinonimikë njëfjalësh mbi tjetër temë neveri (të pështirët) dhe zjarrmi (të nxehtët) dhe dy raste me togfjalësha: humbje e vetëdije (të fikëtit) dhe ngjashmëri rasti (të ngjarët).
Gjithashtu vërejmë se për
dallim nga shembujt nga pika a) që trajtat e asnjanësit zbërtheheshin kryesisht
me togun: të qenët ose me qenë + mbiemri përkatës cilësor, shembujt
e këtij grupimi (pika b) zakonisht zbërthehen me ndihmësen tjetër të foljes
kam: me pasë a të kesh + ndajfolja ose emri përkatës.
P.sh. të lagëtit tregon si me pasë
lagështi(rë), të ligtë - me pasë
ligshti(m), të gjallët – me pasë gjallëri a n/gjallje ose të qenët a me qenë
gjallë (jo me qenë i gjallë) etj. Po ashtu edhe barasvlerësit në kllapa
zbërthehen por më foljen me pasë: me pasë ose të kesh + asnjanësin përkatës
në trajtën e pashquar. P.sh.: lagështirë,
do të thotë me pasë të lagësht, majmëri – me pasë të majmë, zjarrmi – me
pasë të nxehtë (ngirtzje temperature), e kështu me radhë.
Sqarime të tjera rreth kuptimësisë së
prejmbiemërorëve
Me sa u tha, secili asnjanës shpreh një
koncept abstrakt të përgjithësuar cilësie,
gjendjeje a të qeni, që assesi nuk parakupton, sot për sot, se semantika e
tillë domosdo ka të bëjë, qoftë me vetë zhvillimin e procesit, qoftë me
rezultatin e atij procesi, prandaj duhen
dalluar kuptimet a nuancat kuptimore të asnjanësve ndaj barasvlerësve të tjerë,
ngase sinonimet përkatëse të caktuara dalin të specifikuara për nënfushën me
elemente gjithnjë e më konkrete të nocionit, qoftë të procesit të veprimit,
qoftë të rezultatit konkret të atij veprimi dhe kështu nuk e rrezikojnë fare
konceptin e asnjanësit përkatës. Në të vërtetë, asnjanësi prejmbiemëror ndalet
në perceptimin e vetë konceptit, si me thënë, e mban ravijëzimin e atij nocioni
në nivelin më të lartë të abstraksionit, por pa e shkëputur plotësisht
konceptin për tërë shtrirjen e nocionit përkatës. Së këtejmi del se, sot për
sot, me gjykue drejt mund të thuhet me
gojën plot se emrat sinonimikë të
prejardhur të pa paranyjëzuar e të tjerë nuk e rrezikojnë fare nënfushën që
mbulon asnjanësi përkatës i paranyjëzuar, i cili me u shprehë me fjalë të tjera
specifikimin e vet e ka karakterizuar tek shkalla më e lartë e abstraksionit
morfosemantik të fjalës.
Sidoqoftë,
për ta bërë edhe më të qartë të vërtetën se koncepti i asnjanësit të paranyjëzuar
prejmbiemërorë cilësorë dhe ai i atyre jocilësorë (sifoljorë) ka natyrë tjetër
nga asnjanësit e parmë dhe emrat e tjerë të
prejardhur me prapashtesat përkatëse e të tjerë, po japim skemën me nga një
shembull karakteristik, nga të dy grupimet e prejmbiemërorëve, me të
ashtuquajturit barasvlerës sinonimikë, për të identifikuar kështu edhe më mirë
nënfushën semantike të nocionit të asnjanësit përkatës, sipas rubrikave:
1) emri i nyjshëm si temë
motivuese fjalëformuese,
2) asnjanësi prejmbiemëror
(emër abstrakt),
3) emri femëror i
paranyjëzuar (abstrakt),
4) emri i përgjithshëm
mashkullor i njeriut i paranyjëzuar.
Skema
ndërsinonimike e prejmbiemërorëve
---------------------------------------------------------------------------------------
1 2 3 4 5 .
1)
i mirë-i të
mirët e mira/të mirat mirësia/mirësitë i miri /të mirët
2) i madh -i të madhtë e madhja madhëria/madhëritë i madhi/ të mëdhenjtë
Shembuj ilustrues fjalisor në përputhje me
skemën e mësipërme
Po
i ilustrojmë shembuj nga skema me fjalitë e mundshme të konstruktuara, sipas dy
grupimeve të asnjanësit prejmbiemëror:
a)
Nga grupimi i
prejmbiemërorëve me kuptimësi cilësie:
/Të mirët shprehet me punë e me zemër. E mira nuk
harrohet. Mirësia të fisnikëron. I miri dallohet me punë./
1) Të mirët (tipari i së
mirës, i mirësisë shpirtërore): emër asnjanës, vetëm, njëjës, me kuptimësi të një abstraksioni të lartë.
2) E mira (puna e mirë, emër abstrakt, i paranyjëzuar,
njëjës, gjinia femërore) Të mirat (punët e mira): emër abstrakt shumës gjinia femërore). Të dyja trajtat njëjës e
shumës shprehin kuptimësi që lidhet në njëfarë mënyre me
punën e mirë të konkretizuar a me rezultatin asaj pune. a të atij veprimi.
3) Mirësia (sjellja e mirë), emër
abstrakt, emër i prejardhur, njëjës gjinia femërore. Mirësitë (sjelljet a veprat e mira), emër abstrakt, shumës, gjinia
femërore, Të dyja trajtat njëjës e shumës
shprehin kuptimësi të konkretizuar nga rezultati i sjelljes a i veprimit
përkatës.
4) I miri (njeriu i
mirë): emër abstrakt njeriu(mbiemër
i emërzuar), njëjës, gjinia mashkullore. Të
mirët (njerëzit e mirë): emër
abstrakt njeriu, shumës, gjinia mashkullore.
Edhe I miri dhe Të mirët
lidhet kuptimisht me një konkretizim me njeriun a njerëzit konkretë, të pajisur
me cilësinë përkatëse.
b) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi
jocilësore ((gjendje a të qeni)
/Të madhtë qëndron në virtytet e larta të njeriut. E
madhja qëndron në vlerat e larta morale.
Madhëria e njeriut shihet nga veprat e kryera. I madhi ka përgjegjësi më
të madhe se i vogli./
1)Të madhtë
(asnjanës,
abstrakt, vetëm njëjës) kuptimi qëndron në dukurinë që ka të bëjë me virtytet
e larta të njeriut.
2) E madhja (femëror i paranyjëzuar,
abstrakt, kryesisht vetëm njëjës), kuptimi qëndron në vepra të larta të ravijëzuara morale.
3) Madhëria
(femëror, abstrakt , i prejardhur me prapashtesim, njëjës
kryesisht), kuptimi qëndron në veprat
pozitive pothuajse të kryera.
4) I madhi (emër i përgjithshëm njeriu,
njëjës e shumës), kuptimi qëndron në përgjegjësinë e njeriut sipas pozitës që
zë në shoqëri.
* *
*
Nga shembujt e dy pikave të mësipërm, a) dhe b), mund të nxjerrim disa
konstatime, ndër të cilat ne po i veçojmë këto dy, ngase vlejnë për të gjithë
shembujt e tipit të njëjtë:
Së pari, ndërlidhja semantike
asnjanës/femërorja e paranyjëzuar kanë përafërsi kuptimore më të madhe se me
sinonimet e tjera, por megjithatë ndryshojnë, jo vetëm për nga gjinia, por edhe
për nga përmbajtja.
Së dyti, ndërlidhja formale e jo semantike e asnjanësit me
shumësin e emrit mashkullor të paranyjëzuar si te shembulli të mirët ndaj të mirët (i miri), andaj një
homonimi e tillë nuk duhet të na hutojë.
Në të vërtetë, edhe pse
konstatimet e mësipërme dalin të qëndrueshme, megjithatë ne e shohim të
arsyeshme që në këtë kontekst të vazhdohet
edhe më me sforcimin ose me modifikimin e mëtejshëm të disa koncepteve të
shprehura më përpara lidhur me disa probleme që janë të ndërlidhura me këtë
çështje.
3. Vazhdim i
sqarimeve në raportin asnjanësi
prejmbiemërorë / barasvlerësit sinonimikë
Gjatë këtij vazhdimi të sqarimeve
do të ndalemi në tri pika:
së pari përsërisim me qëllim
sforcimin e faktit se të gjitha sinonimet e lartpërmendura bashkëjetojnë në
ligjërimin tonë standard, andaj duhen dalluar më mirë specifika e nënfushave
përkatëse semantike që mbulojnë,
së dyti, japim arsyetimin pse
shembujt janë dhënë prej nesh vetëm në gjininë mashkullore dhe jo edhe në atë
femërore dhe
së treti, jepen edhe shembuj ku
ende disa prirje janë në fazën e formëzimit..
1) Specifikimi i
nënfushave semantike kusht
i
bashkëjetesës sinonimike
Semantikisht asnjanësi të mirët ose të madhtë, siç u pa, kanë njëfarë afrie formale sa i përket
paranyjëzimit, por kanë edhe afri kuptimore me femërorët sinonimikë: e mira të mirat, ose e madhe e
madhja, përkatësisht me trajtat: mirësi-a, mirësi-të ose madhëri-a (madhorja
a madhështorja) madhëritë (madhështitë), por femërorja si në njëjës si në
shumës, siç u tha, tregon një gjendje si të themi të kryer, ndërsa asnjanësi, në
krahasim me nocionet e tilla, ndalet vetëm te koncepti i pakonkretizuar me një shtrirje
të lehtë gjithëpërfshirëse për tërë nocionin, d.m.th. ndalet në temën e
perceptuar, prej nga mund të nënkuptohet e vërteta se asnjanësi fillimisht do
të ketë pasur shtrirje më të gjerë kuptimësie se që e ka sot. Prandaj
identifikimi kuptimor në mes të këtyre dy trajtave që përmendet nga prof. Sh. Demiraj e të tjerë, gjoja se:
“format e gjinisë
asnjanëse të mbiemrave të nyjshëm që
ishin më të përshtatshëm për të shprehur nocione abstrakte më vonë kur
gjinia asnjanëse u dobësua në
ndërgjegjen popullore, atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar u zëvendësuan pak nga pak
ose me format e gjegjëse të gjinisë femërore ose me emra të prejardhur
prapashtesorë”, (Shih: Gramatikë historike e
gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, f. 157.)
qëndron i saktë vetëm pjesërisht, d.m.th., vlen
vetëm rreth të shprehurit të nocioneve në fushën abstrakte, por jo tërësisht edhe
rreth zëvendësimit, ngase asnjanësit prejmbiemërorë, siç u provua dhe u sprovua
prej nesh, siç e tregon realiteti i sotëm, u zëvendësuan vetëm për një pjesë të
nocionit të fushës së abstraksionit që (ndoshta) e mbulonin, por jo tani, pasi
aty momentalisht kanë hise edhe emra të tjerë që e kanë fituar nënfushën
përkatëse në luftën e konkurrencës, por megjithatë asnjanësit nuk u zëvendësuan
krejtësisht dhe assesi nuk u zhdukën,
por u pozicionuan në një nënfushë tjetër po të asaj fushe të gjerë, duke kaluar,
siç po ceket disa herë, në shkallën më ë
lartë konceptore të abstraksionit.
2) Gjinia mashkullore si trajtë përfaqësuese e emërtimit
të
njerëzve sipas gjendjes a veprimtarisë
së tyre
Asnjanësin e njëjësit të emërores, në njërën
anë me trajtën e gjinisë mashkullore në shumës, në anën tjetër: të
mirët // të mirët, i lidh
vetëm forma e njëjtë shkrimore, por nuk i lidh kurrfarë nënfushe semantike, sepse
me shumësin e mashkullores tregohet diçka konkretizuese, që ka të bëjë me
njerëz të pajisur me cilësinë e mirësisë e jo me konceptin gjegjës si veçori e abstraksioni
të lartë të nocionit që e shpreh asnjanësi.
Dihet edhe ky fakt se emrat e
përgjithshëm të njerëzve me prejardhje mbiemërore (shembulli 4) në gjuhën tonë
dalin zakonisht në gjininë mashkullore, e cila konsiderohet si trajtë
përfaqësuese, prandaj edhe ne i shënuam shembujt vetëm në këtë gjini. Kjo është
arsyeja e parë. Ekziston edhe një arsye tjetër se po të shënohej edhe trajta
përkatëse në gjininë femërore, jo vetëm do të bëhej një punë pa nevojë, por do të
ndërlikohej çështja. Themi do të
ndërlikohej, sepse format e emërtimit të njerëzve sipas gjendjes a
veprimtarisë së tyre, të emrave mbi bazë mbiemërore të gjinisë femërore dalin
formalisht identikë me prejmbiemërorët abstraktë të gjinisë femërore. Krahaso
emrin abstrakt të gjinisë gramatikore e mira (vepër) të mirat (vepra),
në njërën anë, me emërzimin e mbiemrave cilësorë si emërtime të gjinisë
femërore natyrore: e mira të mirat (e
mira vajzë të mirat vajza), në anën tjetër.
Pra, kjo është arsyeja pse tek
emrat e njerëzve (frymorëve) si trajtë përfaqësuese merret normalisht gjinia
mashkullore dhe që kontekstualisht vetëkuptohet se femërorëzimi bëhet shumë
lehtë me mjetet femërorizuese dhe me një veprim të tillë i iket ndërlikimit të
panevojshëm formal të çështjes që ndërlidhet me trajta homoforme të emërtimeve
në fjalë, të cilat, siç e pamë, janë identike
si në njëjës ashtu edhe në shumës, në drejtshkrim e në drejtshqiptim.Dallimin e
bën vetëm konteksti.
3) Rreth zhvillimit të strukturës sinonimike
të prejmbiemërorëve
Shpjegimet që u dhanë për shembujt
të mirët dhe të madhtë në parim vlejnë pothuajse për
të gjithë shembujt mbiemërorë cilësor e jocilësorë, por jo të gjithë shembujt mbi bazë mbiemërore aktualisht kanë zhvillim të njëjtë për nga
struktura. Po japim edhe disa shembuj, duke e shënuar sipas këtyre rubrikave:
1. mbiemri i mirëfilltë,
2.
asnjanësi
3. emrin femëror abstrakt të paranyjëzuar dhe
4. emrin me prapashtesim:
---------------------------------------------------------------------------------------
1 2 3 4
i bukur të
bukurit e bukura bukur/i-a,
i mirë të mirët e mira mirë/si-a,
i gjallë të
gjallët - gjallë/ri-a
a gjall/ni-a,
i bardhë të
bardhët e bardha bardhe/ni-a,
i dëlirë dëlirët - dëlirë/ti-a
i dëlirshim të dëlirshmit -
dëlirshmë/ri-a
i rritshëm të
rritshmit – rritshmë/ri-a;
i marrë të marrët e marra marrë/zi-a.
Edhe nga këta shembuj, mund të nxjerrim, veç
tjerash edhe këto përfundime:
1. Emrat femërorë abstraktë me
paranyjëzim (ndonëse nuk mohohet mundësia), hë për hë, nuk dalin të zhvilluar
në të gjitha rastet, madje ndodh që ende përdoren vetëm në numrin njëjës.
2. Emrat abstraktë të prejardhur mbi
bazë të kuptimësisë mbiemërore (cilësorë e jocilësorë), përveç me –si, formohen edhe me prapashtesat: -i, -ri/-ni, -ti, -shmëri, -zi, siç shihet nga shembujt e mësipërm.
Dhe ç’është e vërteta, edhe këta
shembuj asnjanësish zbërthehen normalisht me ndihmën e paskajores
me qenë ose të asnjanësit të qenët + mbiemri përkatës.
Pra, me të bukurit kuptohet me qenë ose të qenët i bukur, ndërsa me bukuri,
kuptohet me pasë cilësi a tipare të të
bukurit (me pasë bukuri) Sigurisht diçka më konkrete shprehet kur thuhet me pasë bukuri se me pasë të bukur, sepse të bukurit (si emër asnjanës) qëndron më në thellësi të shpirtit si
koncept i abstraksionit të lartë se vetë fjala bukuri bukuria, e cila, si me thënë, edhe shihet edhe preket, me fjalë të tjera, konkretizohet.
Ky zbërthim vlen për të gjithë
shembujt.
/Sqarim: Shfrytëzojmë rastin të
rrëfehemi paksa pse gjatë zbërthimit po e përdorim paskajoren me qenë ose me pasë krahas trajtës së asnjanësit të qenët ose trajtave të jesh ose të
kesh + trajtën përkatëse të emrit ose të mbiemrit. Veç arsyeve të tjera
që janë përmendur në tjetër vend këtu po
theksojmë se për një veprim të tillë kemi parasysh faktin se edhe prof. Androkli
Kostallari e pati futur në përdorim trajtën e paskajores me pasë në kontekst të ngjashëm. Ai duke u ballafaquar me
kuptimësinë e mbiemrave të përbërë të tipit hundëshkabë shpjegon se këto kompozita”zbërthehen me anë të foljes me pasë, përkatësisht me pasë ose që e ka hundën si të shkabës”
(Shih: Studime mbi leksikun...I,
Tiranë 1972, f. 146).
Sidoqoftë, edhe nga këta shembuj kuptohet se
asnjanësit e nyjshëm prejmbiemërorë të përftuar më herët se emrat e
sipërshënuar sinonimikë me prapashtesat përkatëse me –i fundore variantesh të ndryshme e të tjerë, arritën të mbesin në
përdorim normal për veçori të caktuara të abstraksionit, për të mbuluar kështu
nuanca cilësie, gjendjeje a të qeni, që dallojnë dukshëm semantikisht nga
sinonimet përkatëse që, siç u tha, lindën më vonë, edhe pse edhe këto përftime dalin
si emra abstraktë, po janë specifikuar për nënrrafshe te tjera kuptimësie.
Nga sa u tha më lartë, duhet me u
mbajtë mend se edhe sot e kësaj dite, si më herët edhe tashti e në vijimësi, po
të shikohet hollë e hollë, nga format e reja, nuk rrezikohet fare qëndrueshmëria
e përdorimit të asnjanësve prejmbiemërorë, sepse asnjanësit e tillë dalin të
specifikuar vetëm për konceptin e cilësisë, të gjendjes a të qenit të caktuar
që nuk mbulohet plotësisht me asnjë sinonim tjetër, prandaj konstatimin e prof. Sh. Demirajt në versionin tjetër, po
të ngjashëm, siç u cek më sipër, se
“në një
fazë të caktuar (pas emrave prejpjesorë me ë) procesi i
mbiemrave të nyjshëm erdhi e u bë një nga mjetet kryesore
për
pasurimin e klasës së emrave me njësi të reja leksikore Në
krye të herës për këtë qëllim emërzoheshin kryesisht format e gjinisë asnjanëse
të mbiemrave të nyjshëm që ishin më të përshtatshëm për të shprehur nocione
abstrakte Po më vonë kur gjinia asnjanëse u dobësua në ndërgjegjen popullore,
atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar erdhën e u zëvendësuan pak nga pak ose me format gjegjëse të gjinisë
femërore ose me emra të prejardhur prapashtesorë”, (Vepra e cituar f. 157.)
ne e quajmë të drejtë, gjithashtu, vetëm pjesërisht,
sepse pjesën rreth zëvendësimit e marrim me rezervë, ngase asnjanësit
prejmbiemërorë, siç u provua më sipër nuk u zëvendësuan, por u specifikuan po
në kuadër të fushës përkatëse të abstraksionit, duke e ndarë atë fushë trizash sinonimisht, qoftë me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mirë
e mira, të mira të mirat, qoftë me emrat e prejardhur, tipi mirësi mirësitë, me të cilët bashkëjetojnë
në harmoni relative, ashtu ngjashëm sikurse bashkëjetojnë me sinonimet
përkatëse edhe asnjanësit e paranyjëzuar mbi bazë pjesoreje, siç do të shohim
në vijim.
C. Asnjanëzimi
mbi bazë pjesoreje
1)
Grupimi i asnjanësve
prejpjesorë sipas profilit të
nënfushës semantike
Edhe asnjanësit
prejpjesorë të paranyjëzuar me të
cilët shprehet një koncept veprimi, mbi bazë të tipit të trajtës së pjesores,
sipas profilit të nënfushës semantike që mbulojnë, i ndajmë në katër grupe:
a) mbi temë me –ë fundore: të bërë-t (bërje), të dalë-t (dalje), të dhënë-t (dhënie), të hyrë-t
(hyrje), të larët I (larje), të larët II (pagesë), të marrët (marrje), të
ngrënë-t (ngrënie), të ngjarët (ngjarje), të pangrënët (pangrënie), të parë-t I
(shikim, pamje), të parët II (pasi, parëti), të pëgërë-t (pëgërje!), të prerë-t
(prerje!), të pështjellë-t (pështjellje), të qenë-t (qenie), të qarë-t (qarje),
të sharë-t (sharje), të vjelë-t (vjelje),
të vjellë-t (vjellje) – gjithsej 20 shembuj.
b) mbi bazë të një
bashkëtingëlloreje në temë, me –ur fundor:
të ecur-i (ecje), të errurit (errësim), të folurit (e folur-a, gjuha), të
ftohuri-t (ftohje), të lehurit (lehje), të ngrysurit ((ngrysje, errësim), të
ngjeshur-it (ngjeshje), të nuhatur-it (nuhatje), të njohur-it (njohje), të
prekur-it (prekje), të qeshurit (qeshje), të sosur-it (sosje, sosë-a!), të
shprehur-it (shprehje), të tekur-it (tekë-a, veprim i rastit) – gjithsej 14
raste;
c) vetëm një rast mbi bazë të
fundores –ier/ët: të përzier-ët;
ç) mbi bazë të fundores –uar,
të pjesores së foljeve më –Oj dhe –UAJ:
të dëgjuar-it (dëgjim, dëgjesë), të menduar-it (mendim), të paguarit (pagim,
pagesë), të qëlluarit (e qëlluar-a, qëlluarje, veprim rasti), të rruar-it
(rrojë), të shkruar-it (shkrim, shkresë, shkruarje) – gjithsej 7 raste, 4 nga foljet më –oj dhe 3 nga foljet më -uaj.
Gjithsej, në këto katër
grupe mbi temë pjesoreje, janë përfshirë 42 shembuj. Bien në sy disa çështje të
diskutueshme, ndër të cilat këtë rast po i veçojmë tri:
Së pari, përmendim rastin e vetëm nga pika c)
me mbaresën –ët, shembulli: të përzierët, trajtë kjo që ndeshet
edhe në Fjalorin rusisht –shqip (Moskë 1954). Mbetet të shihet, dhe këtë e kanë
në dorë standardologët tanë se a do të përthithë kjo mënyrë ndërtimi edhe
shembuj të tjerë nga foljet me –ier, yer dhe uar, apo jo?
Së dyti, pikërisht për tipin
më prodhimtar dhe aktiv të foljeve më -o/j, janë dhënë vetëm katër shembuj dëgjoj (të dëgjuar-it), mendoj (të
menduar-it), mësoj (të mësuarit) dhe qëlloj (të qëlluar-it), numër ky i pothuaj
i barazuar mbase rastësisht, por pa të drejtë, me foljet më –uaj: paguaj (të paguarit), rruaj (të rruarit) dhe shkruaj (të shkruarit) që është tip
joprodhimtar.
Së treti, po përmendim
edhe shembullin e vetëm të pangrënët,
me parashtesën PA- që emri ose mbiemri e
këtë rast asnjanësi shpreh mungesë ose mendim të kundërt. Përveç asnjanësit të
papunët, të cilën e diskutuam më përpara në FGJSH 2006 ndeshim mbi 70 shembuj
të emrave të paranyjëzuar me këtë parashtesë, ndërsa në Fjalorin e M. Elezit,
përveç rastit të papunët, ndeshim
edhe këta asnjanës: të paatillë-t, të pacaktuem-it,të
pafjetur-it, të pakrruar-it, të pamujtun-it, të pamaturit, të pazjarmë-t(!), të
patrazuesh/ëm-it, të cilët nuk na zgjojnë vetëm kërshërinë, por na japin
për të kuptuar se edhe në këtë mënyrë asnjanësit kanë derë të hapur të
pakufizuar shumimi.
Sidoqoftë, nga pasqyra e
asnjanësve prejpjesorë të sipërcekur, siç po shihet, edhe nëse i shikojmë
shembujt si trajta përfaqësuese, përsëri përfaqësimi i tyre nuk del i denjë për
të gjitha grupet e prejfoljorëve. Është e vërtetë e pamohueshme se në jetën tonë
ligjërimore numri i tyre është shumë më i madh. Për foljet më –Oj, si me thënë,
numri i tyre (i prejpjesorëve) del i pakufizuar, ngase nga çdo folje (pjesore) mund
të formohet pothuaj normalisht asnjanësi përkatës, prandaj pikërisht për këtë
tip asnjanësisht dhe përhapjen e tyre në kohë-hapësirë, do të ndalemi paksa më
gjatë në krerët vijues të këtij punimi,
por edhe këtu në këtë krye, tashti fill, s’do të anashkalohet kjo temë pa u shprehur
ndonjë konstatim, ngase këtë po na imponon vetë natyra e lëndës që po trajtohet.
2) Disa nga karakteristikat e veçanta të asnjanësve
prejpjesorë
Domosdo,
siç mund të shihet nga grupimi i
mësipërm i shembujve lypsen cekur, së paku, disa nga karakteristikat themelore
të këtij tipi asnjanësish:
1.
Në grupin e shembujve mbi bazë të foljeve më –ë fundore, siç mund të shihet,
janë përfshirë disa raste a nëngrupe foljesh: vokalike, të parregullta,
apofonike e të tjera, të cilat sa i përket tipizimit të modelit trajtëformues e
fjalëformues nuk përkojnë njëri me tjetrin, madje në këtë kontekst dalin edhe
mjaft raste problemore edhe në raportin letrarishte
/ dialekt, të cilat ndikojnë edhe në formimin e asnjanësve mbi këtë bazë,
çështje këto që kërkojnë sqarim si në aspektin normativ, ashtu edhe në atë
dialektor, prandaj shembujt e paraqitur në pasqyrën e mësipërme, nuk mund të
themi me plotgojë se mund të cilësohen si trajta përfaqësuese për emërtimin
përkatës të asnjanësve të krejt atij grupi a nëngrupi përkatës.
2.
Vlen të theksohet gjithashtu se përveç rastit pagesë për të larët (e
borxhit) dhe pamje për të parët I (shikimi) dhe të parët II (pasi-a) të gjithë shembujt
e tjerë sinonimikë në kllapa, ndaj asnjanësve përkatës, janë emra të veprimit
me prapashtesën –JE: bërje, dalje,
dhënie, hyrje, marrje, ngrënie, ngjarje, pëgërje, përzierje, prerje, pështjellje, qenie, qarje, sharje, vjelje,
vjellje si edhe përzierje.
3. Edhe në grupin e asnjanësve mbi
bazë të foljeve me bashkëtingëllore, përkatësisht me fundoren –ur (geg. –un) në pjesore, nuk dalin
probleme të theksuara lidhur me përftimin e asnjanësve, nëse çështja shikohet
nga këndi i formimit të modelit
fjalëformues, por edhe këtu, veç raportit ndërdialektor del edhe raporti emër i
nyjshëm ndaj emrit të prejardhur më –je, ngase dalin ndryshime pikërisht rreth
temës përkatëse emërformuese (temë e pjesores së zgjeruar / temë e pjesores së
shkurtër), e cila (kjo e fundit) shërben si temë prodhuese. Krahaso: (me) qeshë
- të qeshët ndaj me qeshun/qeshur – të qeshurit), (me) folë – të folët ndaj (me) folun/folur - të folurit etj.,
megjithatë shembujt e shënuar mund të konsiderohen të mjaftueshëm si trajta
përfaqësuese të modelit për formimin e asnjanësve mbi bazën e pjesores së
letrarishtes, ndërsa ato me -je mbi
bazë të pjesores së shkurtër (mbi bazë të ish-sghqipes letrare mbi bazë të
gegërishtes)..
4. Ia vlen të theksohen rastet e
veçanta sinonimike të shënuara në kllapa si: e folur-a (emër nyjshëm femëror) për të folurit dhe dy emrat prejpjesorë pandajshtesorë: sosë-a për të sosurit dhe tekë-a për
të tekurit.
5. Edhe për grupin e foljeve më
-Oj dhe -UAj mund të jepen vërejtje
specifike. Kështu, ndërsa për foljet më –uaj tri trajtat e shënuara të paguarit
(paguaj), të rruarit (rruaj) dhe të shkruarit (shkruaj), si trajta përfaqësuese
mjaftojnë për nëntipin a nëngrupin e foljeve të tilla, për foljet më –O/j, tipi
më prodhimtar i foljeve të gjuhës shqipe, që sipas rregullit prejpjesori i
prejardhur i veprimit merr prapashtesën –IM ose -ESË, katër trajtat e shënuara
në atë burim (të dëgjuarit, të menduarit
, të mësuarit dhe të qëlluarit) nuk mjaftojnë as për së afërmi të merren si
trajta përfaqësuese për modelin përkatës emërformues mbi këtë bazë, nëse nuk
jepen e sqarime e interpretime plotësuese të nevojshme edhe më bindëse, sidomos
për këto dy çështje:
E para, nëse mendohet se këto trajta asnjanësish mbi bazë të foljeve më –Oj (mësoj të
mësuarit, dëgjoj të dëgjuarit, mendoj (të menduarit dhe qëlloj të qëlluarit),
janë aktive në shqipen letrare e të tjerat jo, gabimi është i pafalshëm, ngase
bie ndesh me realitetin, sepse mbi këtë bazë, siç u tha më sipër, prodhimtaria
del e pakufizuar.
E dyta, nëse mendohet a dikujt i
shkon ndërmend se koncepti i asnjanësve si b.f. të shkruarit del i zëvendësuar plotësisht me prejpjesoren sinonimikë më – im (shkr-im shkrim) a –esë (shkr-esë shkresë) ose të shkëlqyerit me shkëlqim a shkëlqesë ose me –je
shkruar-je shkëlqyerje e ndonjë trajtë tjetër, gabohet edhe më rëndë, ngase
bie ndesh po ashtu me realitetin, sepse nocioni i asnjanësit mbi këtë bazë del
me nënfushë të veçantë dalluese të përcaktuar semantikisht që ndryshon nga
nënfusha që mbulojnë prejpjesorët e prejardhur veprues me prapashtesën –IM ose -JE, e ndonjë tjetër, siç do të argumentohet në krerët vijues të këtij punimi.
6.
Rasti të përzierët (përzierje) a do
të përthithë apo jo, edhe shembuj të tjerë nga foljet me –ier ose -yer si zier
të zierët, lyer të lyerët , kryer të kryerët,
etj, mbetet çështje e hapur.
7.
Po e theksojmë në fund si pikë të veçantë faktin, ndonëse duket si përsëritje se lidhur me foljet më –oj ashtu edhe-uaj, ia
vlen të vihet në pah e vërteta se emrat sinonimikë, po mbi temë të njëjtë
fjalëformuese, të shënuar në kllapa, veç atyre më –IM dalin edhe me prapashtesa
a mënyra të tjera, si: për të rruarit
del rrojë-a, për të qëlluarit, dalin dy trajta:
e qëlluar-a dhe qëlluarje (jo qëllim); për të
dëgjuarit del dëgjesë, për të paguarit: pagesë, ndërsa për të
shkruarit veç trajtës shkrim,
dalin edhe: shkresë, shkruarje,
veçori kjo që do të trajtohet më gjerësisht në krerët vijues..