Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Ismail Kadare mysafir i Televizionit KTV

| E shtune, 07.11.2009, 07:49 PM |


Ismail Kadare mysafir i Televizionit KTV

Nga Halit Bogaj

Para një kohe, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare sërish ishte mysafir në një emision televiziv i cili si gjithnjë na bëri përshtypje të shumta ngase secila fjalë e tij ishte një madhështi e posaçme ashtu siç vepron përherë kur jep intervista të ndryshme.

Ajo që kësaj radhe  na shtyri të shkruajmë për shkrimtarin tonë të mirënjohur ishte çasja e tij ndaj botës shqiptare dhe shkurtimisht ndaj fenomeneve të saj të djeshme dhe të sotme.Në pyetjen për angazhimin e tij gjatë Konferencës së Rambujesë, Kadare u përgjigj me modestinë e tij  të njohur por kontributi i tij që e kishte dhënë për ne në atë kohë , ishte tejet kolosal.Ne nuk mund t’i harrojmë asnjëherë letrat e tij dërguar burrështetasve më të mëdhenj evropianë dhe atyre amerikanë për ta nxjerrë Kosovën nga zhbërja e saj e sigurtë me ç’rast pesha e fjalëve të tij kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos tek opinioni francez i cili u radhit krahas demokracive të tjera për ta ndalur gjenocidin serbosllav që e kanoste ta zhdukte popullin tonë nga faqja e dheut.Fjala e Ismail Kadaresë kishte peshë të madhe ngase ai ishte njëri ndër shkrimtarët më të përkthyer botërorë zëri i të cilit arrinte në të gjitha kontinentet deri në Australinë e largët e cila, si edhe shtetet e tjera më të fuqishme iu gjet Kosovës në çastet e saj më të vështira.Pra të gjithë ne e dimë dhe e kemi të freskët kontributin e pakrahasuar të Ismail Kadaresë dhe zërin e tij bombastik për të arritur deri në veshët e diplomacisë vendimmarrëse botërore.

Në pyetjen se a ishte i lumtur për Udhën e re të Kombit, Kadarea tregonte emocione të mëdha, duke pohuar se shqiptarët shumë gjatë kishin qenë të ndarë njëri nga tjetri, kurse për disa prej tyre që nuk kishin marrë pjesë atë ditë, ai u shpreh me një ngushëllim të madh.

Në pyetjen tjetër se a duhej të gëzohej Shqipëria që hyri në Aleancën Veri atllantike ku e kishte pasur gjithmonë vendin, shkrimtari ynë shprehet me bindje të plotë edhe për disa arsye nga ato të disa vendeve të tjera sepse Shqipëria për herë të parë i shijon frytet e demokracisë evro-perëndimore ngase ishte e izoluar me shekuj prej saj.Gjithashtu një shkak tjetër pse duhej të gëzohej Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi ishte edhe ndihma kolosale që ia dha Aleanca Kosovës gjatë çlirimit të saj nga forcat okupatore serbe, e që edhe kjo ishte një ndihmë që i jepej për herë të parë popullit tonë në historinë e tij shekullore.Prandaj është shumë e logjikshme që të gëzohen shqiptarët për një mrekulli të tillë që u ndodhi në fillimshekullin  e ri.

Shkrimtari ynë me maturi të madhe përgjigjej edhe në pyetjet e tjera të cilat na fascinonin dhe emociononin pa masë, duke menduar thellë nga brendia jonë se duhet të jemi krenarë që e kemi një njeri të tillë aq madhështor që i mbron interesat dhe të drejtat tona kombëtare.

Është me interes të theksohet se ai e therret edhe Serbinë për një demokratizim sa më të shpejtë i cili do të jetë i dobishëm edhe për ne, duke e nbrojtur tezën e tij të drejtë se edhe Ballkani do të jetë shumë më i qetë pas një metamorfoze të tillë shpirtërore të vetë Serbisë dhe popullit të saj.

Në pyetjen tjetër:përse bota muslimane heziton ta pranojë pavarësinë e Kosovës, shkrimtari përgjigjet se as vetë nuk e kupton shkakun, por e mbanë shpresa se edhe ajo do të ndodhë së shpejti.

Në fund duhet theksuar se ndjekja e emisionit ishte një kënaqësi e posaçme ngase si gjithmonë kishim çka të mësonim dhe dëgjonim nga shkrimtari ynë që e kishte fituar edhe një shpërblim në Angli, duke u habitur edhe vetë ai se si kishte ndodhur që ta fitonte shpërblimin pikërisht me veprën ‘’Kështjella’’ të shkruar para dyzet vitesh:!