Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Rrugë pa kthim

| E shtune, 07.11.2009, 06:43 PM |


Rrugë pa kthim

Para se ta shohë dritën e botimit në Bukuresht vëllimi poetik “Rrënjët”, këto ditë,  Shtëpia Botuese Nacional nxori nga botimi veprën në prozë të shkurtër të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj), me titull "Rrugë pa kthim". Ky libër është rezultat i një bashkëpunimi të autores, me redaktimin e kritikut letrar, prof.dr. Adriatik Kallulli, me kopertinën dinjitoze të punur nga  intelektuali i mirfilltë dhe piktori Nestor Jonuzi, si dhe me recensues poetin, publicistin dhe analistin e shquar, Mujë Buçpapa, i cili e ka analizuar librin në parathënjen dinjitoze të tij. Libri i ri është i dyti i këtj lloji. Në vitin 2001 autorja Haxhiraj ka paraqitur vëllimin e parë një përmbledhje me skica letrare, tregime dhe novela. Duke ndjekur të njëjtën linjë, edhe libri "Rrugë pa kthim " ndahet në tri kapituj sipas gjinisë letrare. (Baki Ymeri)  

    I -SKICA LETRARE

    * Njeriu "Njeri"

    * Përjetësi

    * E bardhë... e blertë

    * Bisedë me jetën

    * Identiteti i saj...Një femër

    * Portret Nëne

    * Atdheu u saj ishte e gjithë Bota

    * Krijuesi

    * Kur digjet shpirti, tymoset mendja

    * Dora e ngrohtë e një miku

    II- TREGIME

    *Mbresat e këngës së vjetër

    *Endrra e muzgut të përhimtë

    *Natë e pagjumë

    *Hakmarrja

    *Pasuri i të gjithëve

    III- NOVELA

    *Rruga drejt Nirvanës

    *Vetgjyqësia

    *Ende gjallë

    *Besim i verbër

    *Besnikëria

    *Rrugë pa kthim

         Nëse do t'i analizosh pak titujt, pa e hapur fare librin, duket se brenda tij bëhet një psikoanalizë e qenies njerëzore. Aty lexuesi do të gjejë humanizmin që e udhëheq njeriun në jetë, mirënjohjen ndaj mirësisë, dashurinë për librin, dhembjen e një të reje që po e lë këtë jetë ende pa e nisur. Shkrimtarja ngrihet kundër hakmarrjes si një akt i mesjetës. Ngrihet kundër ligjeve të shkruara dhe të pashkruara që e paragjykojnë femrën, e cila, sipas saj, e ka fatin të paracaktuar. Nxjerr në pah ëndrrën e parealizuar të  shqiptarit, sidomos të femrës, që e  çon drejt së panjohurës. Aty do të gjeni diçka tejet njerëzore. Nëse individit i mungon dashuria për kafshën besnike, në qenien e tij nuk mund të ketë vend për dashuri ndaj njeriut. Autoren  e mundon fati  i krijuesit, i poetit të varfër, aq të varfër,  sa edhe varrin e ka të tillë , të padukshëm, të cilin e mbulon pluhuri i kohës, apo e rrëmben stuhia natyrore. Ndaj autorja bisedon me jetën e cila lind , zhvillohet dhe vdes, duke lënë pas gjurmët e saj. Veçse gjithçka në këtë libër ecën , ecën pa u ndalur, por pa kthim pas. Më thoni kush u rikthye në jetë dhe analizoi se ç'bëri të mirë dhe cilën e bëri keq?! Sa kuptimplote janë këto rreshta të këtij libri:

      “ I shtyrë nga boshësia shpirtërore, apo mosekzistenca e dhënies së vlerave, artisti jo rrallë herë pyet veten:

           “Kemi qenë... a s’kemi qenë ndonjëherë...?!

             Kemi parë... a s’kemi parë gjë?!

             Kemi gëzuar...a s’kemi gëzuar ndonjë çast?!

             Kemi qeshur...a s’kemi qeshur vallë...?!

             Thamë...por vallë ç’gjë kemi thënë të mbarë...?!

             Jemi...a s’jemi sot të gjallë...?!

             Bëmë...por a bëmë ndonjë gjë me vlerë...?!

             Atëherë...çfarë sollëm në këtë jetë?!

             Një botë kotësie përballë ekzistencës...”

     
Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

Dy skica letrare nga libri”Rrugë pa kthim”

PËRJETËSI

           Qetësi... Një qetësi, që të josh. Që të jep një kënaqësi të paprovuar më parë. Ndaj veshit s’i pëlqen të dëgjojë as tingull, as frymëmarrje, as melodi... Mendimi dhe qenia njerëzore, dy shokë përjetësisht të pandarë, të ngërthyer së toku në një qetësi të paparë...Nëse dikush e prish këtë harmoni, e magjishmja s’ekziston më. Kur magjia prishet, humb kureshtja për të zbuluar apo për të parë misterin. Në këtë çast të pakrahasueshëm, e mistershmja s’ngelet më e tillë. Edhe nëse fillon lëvizja e ajrit pak me më shumë shpejtësi, magjia prishet.

        Çudi! Asgjë s’pipëtinë....Duket se gjithçka ka ngrirë, ka ngelur në vend... Ndoshta edhe Universi e ka ndalur lëvizjen e tij të përjetshme. Kështu  të duket. Atmosfera e përhimtë, mes mugëtirës dhe mjegullës, duket si e shndërruar në një masë inerte. Në mendje gëlon një pyetje gjithë ankth: “A ka jetë këtu?” Mendoj se s’ka nevojë për asnjë shpjegim. Gjithçka të lë përshtypjen se aty është fundi i botës. Syri të kap hapësirë të bardhë... pa fund... Tek-tuk ndonjë dru i përgjumur ia ka frikën lëvizjes së ajrit për të mos ia prishur bukurinë heshtjes magjike. Edhe zërat janë të panevojshëm, të tepërt. Është vetmia me hijeshinë e saj që flet e flet pa pushim. Edhe pse e ngrirë dhe memece, ajo prapë e prapë… pa u lodhur, të fton të zbulosh misterin që ajo ruan në vetvete.

           Një mur gjysmë i rrënuar...Një kamare, ku një kandil vaji rri ndezur ditë e natë... Kjo dritë e mekët, i vetmi ndriçim që të jep shpresë... E vetmja dëshmi e jetës. Pak më tej një pirg dheu, mbuluar nga dëbora...Prej motit të acart ka humbur formën, trajtën dhe emërtimin. Një erë e stuhishme papritur rrëmbeu dëborën, që kishte zënë shtrat mbi degët e pemëve dhe zbuloi ngjyrën e gjelbër në të errët të të dy qiparisave hijerëndë, besnikë të përjetësisë… Ndërsa pas pak për çudi një Lule Bore nxori kokën e nisi të lëkundë me përtesë petalet e saj të bardha...Midis luleborës dhe qiparisave u duk një pllakë varri...ku gjendej mbishkrimi:

          “Vdiq poeti, i cili jetën përjetësoi...

           Këtu prehet një poet, i miri poet… që me vargjet e tij, shpërndau errësirën dhe natës i dha dritë... njerëzimit i tregoi rrugën në të cilën duhet të ecë... kurse jetës i ka dhënë jetë...” Cilido që do të kalojë aty, do të sjellë ndërmend një përjetësi... Jo më kot poetët, shkrimtarët, dramaturgët quhen hyjnitë që shënjtërojnë shpirtrat njerëzorë...  

     
KUR DIGJET SHPIRTI, TYMOSET MENDJA                             

           Dramat që përjetuam dhe që po jetojmë, do ta bënin edhe gurin të fliste...Do të bënin trungun e thatë të përtërihej...Kurse derrin?...Me siguri do ta bënin që të pëlciste...Dhe për njeriun ...? Ç’do të ndodhte me të vallë? A mund të jetë i papërfillshëm ndaj këtij realiteti?!

          Ndërsa për artistin?!

          Oh, artistët ...!

         Artisti...orakujt që përjetësojnë dhe fisnikërojnë jetën...Me fjalën e tyre të artë i japin njerëzimit qetësinë dhe hijeshinë e Parajsës. Kurse vetë jeta përpëlitet, zvarritet dhe dergjet si i sëmuri në lëngatë. Çdo artist, cilido qoftë; piktor, aktor, poet, skulptor, këngëtar, kërcimtar, kudo dhe kurdo që ka qënë dhe është, do ta jetonte ferrin vetëm për ta thënë ashtu siç duhet, me gjithë forcën, me të gjitha ngjyrat, një fjalë, vetëm një fjalë të lirë...Kjo fjalë e dalë prej zemre do të mposhtëte vdekjen dhe do bënte të “vdekurin” të ngrihej nga varri e të fliste... “O Zot, më jep pak mend që të mos flas kur nuk duhet...Të di si dhe kur të flas dhe të veproj vetëm kur duhet.” Shkrimtari mes acarit, me dorën e dridhur prej tmerrit, me sy të shqyer, i traumatizuar, i lebetitur, kërkon të shqyej errësirën...një errësirë që s’e di se qysh e si nisi dhe kur do ta ketë fundin vallë...

           Ndjek rrjedhën e kohës me dhembjen e pashtershme të shpirtit të përzhitur nga flakët e shekujve të shkuar dhe të tashmë. Me zemrën e lënduar nga plagët e kahershme të vjetra dhe të reja, hedh në letër ogurin tim, tëndin, të atij që jeton apo s’jeton më midis nesh...Një ogur që e kemi pranë, që na ndjek në çdo hap dhe që ne s’jemi në gjendje ta gëzojmë. Kjo ndodh nga që nuk dimë se si...kur dhe ku. Ndoshta oguri ynë do të mbetet binjak dhe i njehsuar me varfërinë shekullore, që s’ishte vetëm materiale, por më tepër shpirtërore dhe mendore.  Më i uritur dhe i etur është ai që ka një shpirt të zbrazët se sa një stomak të boshatisur. I shtyrë nga boshësia shpirtërore, mosekzistenca e dhënies së vlerave, artisti jo rrallë herë pyet veten:

           “Kemi qenë... a s’kemi qenë ndonjëherë...?!

             Kemi parë... a s’kemi parë gjë?!

             Kemi gëzuar...a s’kemi gëzuar ndonjë çast?!

             Kemi qeshur...a s’kemi qeshur vallë...?!

             Thamë...por vallë ç’gjë kemi thënë të mbarë...?!

             Jemi...a s’jemi sot të gjallë...?!

             Bëmë...por a bëmë ndonjë gjë me vlerë...?!

             Atëherë...çfarë sollëm në këtë jetë?!

             Një botë kotësie përballë ekzistencës...

             Një, dy, tri,....mijëra...miliona zhgënjime pafund të “të vdekurve” mes të të gjallëve...

             -Shihni, o njerëz! Qiriri i Naimit të madh ende rri i ndezur...

             -Ndezur?!...

             -Po, po...ndezur...

             -Si ka mundësi?!...Tufanet e kohërave kanë qënë të fortë dhe ai ende rri i ndezur?!...

             -Po...

             -Madje, i ndezur dy shekuj më pas?!...

             -Drita e tij e mekët në mes të zbrazëtirës së akullt të qelive rri buzë honit të thepisur dhe thërret ankthshëm, sa dridhen muret e lagësht të “varrqelive”: “Dritë, ajër, liri! Pa këto jeta është e pakuptimtë...” Zëri i dridhshëm i aktorit zgjon kotësinë e fjetur...rrëqeth boshësinë e atmosferës së përgjumur prej molepsjes...

            Mjerë ai! Nuk di si është; i gjallë apo i vdekur?! Gjithsesi kërkon një pikë ujë në shkretëtirë, për të lagur buzët e thara prej etheve. Symbyllur prej verbërisë belbëzon : “Zbrazëtirë, kotësi, boshësi, humbëtirë...”, pastaj s’ mundet më. Prej buzëve të çara i rrjedh një curril gjaku. Lëpin gjakun e vet, i cili lag e zbut kordet si shkarpë dhe belbëzon përsëri: “ekzistencë, dritë, liri, lumturi, e vërtetë... shpresë...!” Koka iu var... Të gjithë kujtuan se aq e pati, por...një rreze drite e ledhatoi dhe ai hapi sytë lodhshëm. Një ngërdheshje zëvendësoi buzëqeshjen që i dhuroi shpresa. Jo më kot thonë, se shpresa vdes e fundit. Heshti pak dhe për çudi, një zë më i fuqishëm, një zë tmerrësisht i huaj klithi prej njeriut fantazmë: “M’u dogj shpirti si zjarr e po tretem si qiri vetëm për një fjalë...Tani zgjidh e merr, o njeri i mbarë! Kur digjet shpirti, tymoset mendja...! ”- mërmëriti as i gjallë dhe as i vdekur.